BRUKSEL-Komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos ka deklaruar para Parlamentit Europian se Shqipëria mund të arrijë objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Ajo u shpreh se vendi ynë duhet të punojë më shumë në çështjet që lidhen me drejtësinë dhe lirinë e medias.
Marta Kos: Do të nisim një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate. Sot jemi në kushtet që mund të zgjerojmë Unionin. Vendi i parë që është në rrugën drejt integrimit është Mali i Zi. Vendet kandidate duam që të jenë ne nivelin e duhur, për integrimin. Mali i Zi do të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2028. Sa i përket Shqipërisë, ritmi i reformave ka ecur. Janë bërë përparime në reforma. Vendi mbylli katër kapituj. Po punohet për të mbyllur edhe kapitujt e tjerë. Shqipëria mund të arrijë objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten prioritete kryesore.
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 veç vlerësimit, pparaqet edhe disa rekomandime kyçe, ndër to korrupsionin, për të cilin Komisioni shprehet se për Shqipërinë është një sfidë e vërtetë.
"Strategjia Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe plani i saj i veprimit 2024-2026 janë duke u zbatuar. Struktura e Specializuar Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vazhduar të demonstrojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke bërë përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë e vërtetë. Legjislacioni për të parandaluar korrupsionin u përafrua më tej me standardet evropiane, duke përfshirë konfliktet e interesit,"-thuhet në raport.

Në luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria vlerësohet për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e përdorimit të hetimeve financiare dhe rezultatet e para në sekuestrimin e pasurive kriminale. Megjithatë, Komisioni kërkon më shumë dënime përfundimtare për trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe forcimin e prokurorive në nivel lokal.
Në raport një rëndësi i kushtohet medias, ku thuhet se pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të preken nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik prej grupeve të biznesit me lidhje politike, si dhe nga ndërthurja e interesave politike, të biznesit dhe të tjera; mungesa e transparencës mbi burimet e financimit; përqendrimi i lartë i pronësisë së medias; si dhe nga aktet e frikësimit, fushatat e shpifjeve, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.
