SHKODËR- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shkodër, ku raportohet se disa adoleshentë janë përfshirë në një sherr dhe dy prej tyre janë plagosur. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë shatërvanit në qendër të qytetit, ku disa adoleshentë janë konfliktuar.
Gjatë konfliktit janë përdorur thika, ku si pasojë janë plagosur një 17-vjeçar dhe 19-vjeçar. Bëhet me dije se ata janë në spital, jashtë rrezikut për jetën. Efektivët e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin e autorit.
"Rreth orës 19:50, në Spitalin Rajonal Shkodër janë paraqitur për ndihmë mjekësore, të dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasi E. P., 19 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se këta shtetas janë dëmtuar me mjet prerës në lagjen “Qemal Stafa”, gjatë një konflikti të çastit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve", njofton Policia./ZËRI