LIVE UPDATES

39 vatra aktive në vend/ Pas "ferrit", Himara merr frymë! Kryeministri Rama: Situata është nën kontroll

♦Një zjarr i përmasavet të mëdha 'përpiu' mbrëmë Himarën, e cila përjetoi orë tmerri mes flakëve që përhapeshin me shpejtësi drejt qytetit. ♦Zjarri përfshiu banesa dhe sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte, ndërsa u evakuan banorët dhe turistët në zonën e rrezikuar. ♦Sot, situata paraqitet më e qetë, ku që në orët e para të mëngjesit ka nisur ndërhyrja nga ajri për të shuar plotësisht flakët. ♦Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme për situatën me zjarret në Fier dhe Himarë, duke theksuar se situata është nën kontroll, ndërsa shtoi se do të bëhet vlerësimi i dëmeve dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente. ♦Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar gjithsej 39 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive.

3 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

Zjarret në Himarë dhe Fier, kryeministri Rama: Situata është nën kontroll dhe s'ka rrezik, nis vlerësimi i dëmeve

39 vatra aktive në vend/ Pas "ferrit", Himara merr frymë!
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme për situatën me zjarret në Fier dhe Himarë. Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, kreu i qeverisë ka ndarë pamjet nga operacionet që vijojnë për shuarjen e flakëve teksa bën me dije se situata është nën kontroll.

Kryeministri njoftoi se bashkia e Himarës do të verifikojë dëmet nga zjarri dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

“Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë

Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. Strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve

Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

1 ORE ME PARE

Situata me zjarret në 24 orë, 'Mbrojtja': 39 vatra aktive, situata më e tensionuar në Himarë

39 vatra aktive në vend/ Pas "ferrit", Himara merr frymë!
zjarri ne himare

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 39 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.

Sipas Mbrojtjes, vatrat kryesore aktive janë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë. Situata më e rënduar është regjistruar në Fier dhe Himarë, ku në lagjen “1 Maji” janë evakuuar 36 persona dhe janë djegur 6 banesa, 3 prej tyre të banuara, ndërsa zjarri ka ulur intensitetin dhe vijon puna për shuarjen e plotë të tij.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë raportuar 39 vatra zjarri, prej të cilave 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, si dhe 340 forca ushtarake, 4 automjete zjarrfikëse të FA, helikopterët e Forcës Ajrore me 6 operacione dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe 1 Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Në Dajt vijon puna pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.

Në Dibër vijojnë aktive vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Lezhë, aktive mbeten Gallata dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku rreziku për zonat e banuara është shmangur.

Situata më e rëndësishme gjatë 24 orëve është regjistruar në Fier dhe Himarë.

Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas angazhimit të forcave tokësore dhe ajrore, rreziku për banesat është shmangur dhe operacioni vijon.

Në lagjen “1 Maji”, Himarë, u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të FA; u evakuuan 36 persona dhe u dogjën 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara. Zjarri ka ulur intensitetin, rreziku për banesat është shmangur dhe puna për shuarjen vijon.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

5 ORE ME PARE

Himara kaloi natën mes flakëve: Zjarri dogji banesa, u evakuuan banorë e turistë! Ja si është situata sot (VIDEO)

39 vatra aktive në vend/ Pas "ferrit", Himara merr frymë!
zjarri ne himare

HIMARË- Himara kaloi një natë tmerri mes flakëve që vijuan prej orësh duke djegur banesa dhe sipërfaqe të mëdha ullishtesh, por fatmirësisht pa persona të lënduar. Pas disa orësh ndërhyrjeje nga forcat në terren, zjarri u vu nën kontroll rreth orës 02:00 të mëngjesit e sotëm, teksa ka nisur edhe ndërhyrja me helikopter për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa situata raportohet në përmirësim.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se Forcat e Armatosura vijuan gjatë gjithë natës angazhimin në terren, në kuadër të operacionit për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e komunitetit. Sipas ministrisë, në terren u angazhuan 171 efektivë dhe 10 mjete, ndërsa në gatishmëri qëndruan edhe një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë e Forcave të Armatosura.

“Himarë, ku gjatë natës së kaluar Forcat e Armatosura vijuan angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri.171 efektivë, 10 mjete në terren, 1 mjet zjarrfikës dhe 1 ambulancë nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri dhe pranë komunitetit, në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës. Mirënjohje dhe respekt për secilin prej tyre“, tha ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Zjarri në Himarë nisi pasditen e së premtes dhe përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme, duke djegur disa banesa dhe duke detyruar banorët të evakuoheshin nga banesat e tyre, si dhe turistët nga zona e rrezikuar. Nga hetimet paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia njerëzore. Për ngjarjen, dy persona janë shoqëruar në komisariat, pasi dyshohen për zjarrvënie./ZËRI

Poll

MOS HUMB