LIVE UPDATES

64 studentë të helmuar! Në qendër të hetimit Sori-Al: Kemi ndjekur protokollin. AKU i bllokon aktivitetin

♦Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të shpërndarë në Akademinë e Sigurisë. ♦Në qendër të hetimeve mbetet kompania SORI-AL, e cila furnizon Akademinë me ushqim përmes shërbimit të kateringut. ♦AKU ka njoftuar pezullimin e kompanisë SORI-AL deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike. ♦Ndërkohë në pyetje është marrë administratorja e Sori-Al, Alma Tafani, e cila ka deklaruar çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë duke respektuar kushtet e higjenës. ♦Grupi hetimor është gjithashtu në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të mostrave të ushqimit të marra nga AKU. ♦Këto analiza pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të helmimit të 64 studentëve.

3 artikuj për këtë temë.
9 ORE ME PARE

Studentët u helmuan! Merret në pyetje administratorja e Sori-Al: Ushqimi është gatuar në kushte higjienike

64 studentë të helmuar! Në qendër të hetimit Sori-Al:
Alma Tafani

TIRANË-Komisariati Nr. 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e Sori-Al, Alma Tafanin lidhur me ngjarjen e përsëritur ku 64 studentë u helmuan pas vaktit të darkës të shërbyer nga Sori-al.

Tafani ka deklaruar se ka bërë çdo ditë furnizimin me ushqim për studentët e Akademisë së Sigurisë, siç e parashikon kontrata. Sipas saj çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë sipas procedurave normale duke respektuar kushtet e higjenës. Në pyetje gjithashtu është marrë kuzhinieri, stafi tjetër që bën ndarjen e ushqimin në porcione për studentët, stafi i shpërndarjes si dhe studentët e helmuar, por ende asnjë person nuk është marrë në hetim sa i takon skandalit të dytë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar përkohësit aktivitetin e SORI-Al, deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike. Rasti i helmimit është i përsëritur, ku herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. Lidhur me rastin e përsëritur 'Sori-Al' në një deklaratë zyrtare është distancuar nga përgjegjësia, duke deklaruar se sipas monitorimit të tyre në Akademinë e Sigurisë konsumohen nga studentët produkte ushqimore të porositura nga jashtë.

10 ORE ME PARE

Helmimi i 64 studentëve! Pezullohet aktiviteti i SORI-AL, AKU: Kishe kushte higjiene të përshtatshme

64 studentë të helmuar! Në qendër të hetimit Sori-Al:
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë. AKU ka njoftuar pezullimin e kompanisë SORI-AL, e cila siguron ushqimin me katering në ambientet e institucionit, deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike.

AKU bën me dije se ka ushtruar kontrolle si në Akademinë e Sigurisë, ashtu edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku përgatitej ushqimi nga subjekti SORI-AL, ku sipas së cilës u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion i rregullt.

Gjatë kontrolleve u morën 28 mostra të ushqimeve të gatshme nga vaktet e drekës dhe darkës së datës 24 qershor, si dhe pesë mostra tampon për kontrollin e higjienës së ambienteve dhe pajisjeve. Të gjitha mostrat janë dërguar për analiza mikrobiologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

NJOFTIMI I AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Menjëherë, nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga verifikimet në Akademinë e Sigurisë, Sauk u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. U krye kampionimi i 14 mostrave (7 kampione nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit Skenderbej, Tiranë, dhe të konsumuara me datë 24.06.2026, pranë Akademisë së Sigurisë Sauk) për analizim për treguesit mikrobiologjikë pranë laboratorit të ISUV.

Në vijim të ndjekjes së gjurmuueshmërisë u krye inspektimi në subjektin “Garnizoni Skenderbej, Tiranë”, ku është kryer përpunimi i produkteve.

Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV.

Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë rastit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

Rasti i helmimit është i përsëritur, ku herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. Lidhur me rastin e përsëritur 'Sori-Al' është distancuar nga përgjegjësia, duke deklaruar se sipas monitorimit të tyre në Akademinë e Sigurisë konsumohen nga studentët produkte ushqimore të porositura nga jashtë./ZËRI

11 ORE ME PARE

Shkon në 64 numri i studentëve të helmuarve në Akademinë e Policisë, nën hetim “Sori-AL” dhe AKU

64 studentë të helmuar! Në qendër të hetimit Sori-Al:
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas simptomave të dyshuara të helmimit. Mbrëmjen e 24 qershorit 60 kursantë shfaqën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke pas konsumimit të darkës i cili shërbehet me katering nga kompania SORI-AL. 

Rasti u raportua një ditë më parë, 25 qershor, ku sot 4 të rinj janë paraqitur me simptoma të helmimit në QSUT për të marrë trajtimin mjekësor, duke rritur bilancin e studentëve të prekur. Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, raportohet se hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së.

AKU po hetohet për të verifikuar nëse pas rikthimit të aktivitetit të SARI-AL në Akademi, ka kryer ose jo kontrolle të tjera në ambientet e saj gjatë 2 muajve të fundit. Rasti i helmimit është i përsëritur, ku herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. Lidhur me rastin e përsëritur 'Sori-Al' është distancuar nga përgjegjësia, duke deklaruar se sipas monitorimit të tyre në Akademinë e Sigurisë konsumohen nga studentët produkte ushqimore të porositura nga jashtë.

Grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së analizave të mostrave të marra të ushqimit nga AKU, për të përcaktuar shkaqet që çuan në helmimin e 64 studentëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB