Pas debatit në sallën e gjyqit, avokati i Metës: Nuk pati zënkë me Kryemadhin, ishte moment tensioni (VIDEO)
TIRANË-Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka reaguar pas raportimeve për një përplasje mes Metës dhe Monika Kryemadhit gjatë seancës së zhvilluar në GJKKO. Cakrani theksoj se situata e krijuar në sallën e gjyqit nuk duhet interpretuar si një konflikt mes dy ish-bashkëshortëve, por si një moment tensioni i lidhur me zhvillimet e procesit dhe dyshimet e Metës për një dëshmitar të konsideruar kyç në çështje. Cakrani theksoi se ngarkesa emocionale që shoqëron procese të tilla gjyqësore ka ndikuar në reagimin e ish-presidentit, por pa pasur ndonjë agravim që mund të konsiderohet alarmant.
View this post on Instagram
“Nuk duhet ta agravojmë si të ishte një zënie mes tyre. Ai ishte një moment procedural, ku u përmend emri i një dëshmitari kyç si Adrian Shatku. Këto mos marrëveshje lindin sepse nëse Shatku do të ishte thirrur për tu pyetur nga organi i akuzës dhe do të ishte kthyer për gjykim, nuk do të kishte ndodhur kjo sot.
Duke mos u thirrur ai, mendohet sikur aty ka një komplot dhe kjo reflektohet dhe mes çiftit Meta-Kryemadhi. Kjo ka qenë e gjitha, nuk ka pasur ndonjë agravim sa për ta bërë alarmante.
Proceset gjyqësore kanë ngarkesën e tyre emocionale. Ai ishte një tension apo revoltë e Metës, sepse Shatku është person kyç dhe koicidon se ai është kushëri i Kryemadhit. Dhe duke qenë se ai është indiferent në këtë situatë dhe nuk vjen të dëshmojë, e bën Metën të dyshojë se ai i ka bërë komplot. Koha do të tregojë se as Meta e as Kryemadhi nuk i kanë bërë komplot”, tha ai.
Shtyhet gjyqi Meta-Kryemadhi/ Ish-presidenti: Kërkoj ekspertizë të pavarur, emri im është fuqia ime!
TIRANË- Është shtyrë seanca në themel për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi. Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 9 korrik, ora 10:00.
Ndërkohë, mësohet se gjatë fjalës së tij Meta ka kërkuar rrishikim të plotë financiar dhe trajtim si te vettingu, duke deklaruar se nuk ka cenuar kurrë intersin kombëtar.
Meta ka theksuar se të ardhurat e tij kanë qenë gjithmonë të ligjshme dhe të dokumentuara, duke përmendur pagat si deputet, ministër dhe president, si dhe dietat gjatë udhëtimeve zyrtare.
Sipas tij, duhet të kryhet një ekspertizë individuale dhe familjare për të gjithë periudhën e jetës së tij bashkëshortore, duke u verifikuar çdo e ardhur e ligjshme e deklaruar në dokumentet shtetërore.
“Sa për dëshmitarët, deri javën tjetër do të rakordohem me avokatin për t’i ndarë sipas episodeve. Gabimet e bëra në llogaritjen e pasurive nuk është rastësi. Ekspertiza financiare ime nuk është rastësi. Fakti që unë kam bërë kallëzim për rrëmbimin tim dhe ende sot nuk jam pyetur, kjo nuk është rastësi. Kërkoj që metodologjia që është përdorur për prokurorët, të bëhet edhe për mua. Unë kam qenë deputet, në rrogat më të larta të shtetit që 22 vjeç.
Unë kam qenë ministër i jashtëm. Kam qenë të paktën 300 ditë jashtë shtetit, kam marrë shumë dieta.
Mora një përgjigje: Nuk janë llogaritur dietat, se dietat i merr për t’i shpenzuar. Është absurde t’i thuash një ministri të jashtëm, që e presin me shoqërues, me dreka darka zyrtare, që i ke shpenzuar.
Është absurde kur ti del jashtë vendit si president, ku sapo zbret, të pret Secret Service dhe gjithçka tjetër është e paguar, të pretendosh se duhet të shkosh në dyqan t’i shpenzosh.
Kërkoj një ekspertizë të pavarur, duke përdorur metodologjinë e përdorur për prokurorët e gjyqtarët nga vettingu.
Jam Ilir Meta. Emri im është fuqia ime. Nuk kam cenuar kurrë interes kombëtar, publik apo personal të dikujt. Unë kam njohur vetëm rrogën e shtetit. Edhe rrogën e kam depozituar në shtëpi.
Kërkoj ekspertizë individuale dhe si familjar për periudhën që kam qenë bashkëshort. Të shihet çdo e ardhur e ligjshme që kam pasur, e që rezulton në dokumentet e shtetit”, u shpreh Meta./ZËRI
Meta paraqet listën e dëshmitarëve: Kërkon Ramën në gjyq, në listë Balla dhe Ruçi
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj tij, që lidhet me ndryshimet në ligjin e minierave.
Kërkesa është bërë përmes avokatit të tij, i cili ka paraqitur listën me 11 dëshmitarë që sipas mbrojtjes duhet të thirren në këtë çështje. Mes tyre përfshihen kryeministri Edi Rama, si edhe ish-zyrtarë dhe deputetë të ndryshëm si Eduart Shalsi, Gramoz Ruçi, Petrit Vasili, Taulant Balla, Namik Kopliku, Zamir dhe Eva Mane, si dhe Esmeralda Shkjau.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka argumentuar se akuzat e SPAK mbështeten në supozime dhe se disa figura kyçe politike nuk janë pyetur për rrethanat e miratimit të ligjit.
Në seancë, është dëgjuar edhe fjala e Metës, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë përfshirje në hartimin apo miratimin e ligjit për minierat dhe ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar si të pabazuara.
Pjesë nga biseda në seancë:
Avokati Cakrani: Në intervistën që ka pasur gazeta Mapo me ambasadorin Donald Lu, ai është përgjigjur: “Ilir Meta është kryetar i Parlamentit shqiptar dhe ai është gjithashtu partner i SHBA. Ne do të vijojmë të kemi partneritet të fortë, ai udhëton shpesh në SHBA…”.
E sjell këtë episod për të kujtuar se në akuzën e SPAK pretendohet se vizitat e Metës kanë qenë të diktuara nga lobimet, por ambasadori i kohës thotë që Meta ishte mik i SHBA dhe udhëtonte shpesh.
Akuza bazohet mbi supozime.
Po diskutojmë disa muaj pasi Meta ishte bërë kryetar i Kuvendit. Ligji u propozua nga PS-ja, ndërsa LSI nuk ka pasur asnjë mundësi, për shkak të numrave, që të përcaktonte miratimin e tij.
Për vilën, u hoq dorë para se të kalonte ligji që ka shkuar në Kuvend dhe këtë ligj e ka mbrojtur kryeministri Rama, i cili me shumë patos ndau dy epoka të rëndësishme të minatorëve për servitutin.
Ku hyn zoti Meta në gjithë këtë histori?
SPAK nuk pyeti as Ramën, as Ruçin, as zotin Balla që të vinin e të na thoshin: “A i ka takuar Meta për këtë ligj?”.
Ndaj do t’i kërkoj që të vijnë e të dëshmojnë si dëshmitarë.
Dua apo s’dua, këta më dalin si dëshmitarë që duhen pyetur. Duhet të pyeten Esmeralda Shkjau, Eduart Shalsi, Namik Kopliku, deputet i qarkut Shkodër, i cili nuk është pyetur, si edhe kryesekretarja e Kuvendit.
Këto janë veprime hetimore që SPAK duhet t’i kishte kryer.
Dëshmitari tjetër që kërkojmë të thirret është Edi Rama.
Duam të provojmë nëse ndoshta ka biseduar dhe ne nuk dimë gjë. Ligji i minierave është amenduar në këtë periudhë dhe duam të na thotë çfarë ka ndodhur me këtë ligj.
Kërkojmë zotin Gramoz Ruçi si dëshmitar, që të kristalizohet kjo çështje dhe të merren disa mesazhe aty-këtu. Po mbajmë në burg ish-presidentin.
Të thirren edhe deputetë të tjerë, si kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, që të tregojë nëse ka folur me Monikën.
Nuk dua të abuzoj dhe të them se duhet të vijnë të gjithë deputetët që kanë votuar ligjin. Nuk po them që të vijnë të gjithë ata që kanë ngritur dorën.
Kërkojmë gjithashtu që të vijë si dëshmitar edhe Taulant Balla.
Meta bën me shenjë se do të flasë.
Avokati: O zoti Meta, të lutem prit sa të mbaroj.
Monika Kryemadhi: Mbaro, se do të flasim edhe ne.
Avokati: Pra, për ligjin e minierave këto kisha.
Gjykata: Fjalën e ka zoti Meta.
Meta: Duke mbështetur qëndrimet e avokatit tim, dua të theksoj se, nëse gjykata e çmon të arsyeshme, do të ishte me vlerë të thirrej një ekspert i pavarur i minierave për të parë kush është subjekti, sa kanë përfituar dhe nëse ka qenë një ligj i dobishëm apo diçka tjetër.
Meta: Mesa di unë, kanë përfituar rreth 300 subjekte dhe janë shtuar rrugës edhe 300 të tjerë. Jemi përballë një fantazie. Flasin për shtëpia këtu, shtëpia atje, dhe biem viktima të këtyre krijimeve.
Unë s’jam marrë kurrë me punë shtëpish; kryesisht me këtë merren gratë. Jemi zhvendosur, pasi në bllok ndërtesat kishin probleme dhe vetë blloku ka shumë probleme akustike etj. Edhe unë kisha probleme për të dalë shëtitje e të tjera.
Prandaj vendosëm të iknim. Për mua kishte rëndësi të isha jashtë bllokut. Unë nuk kam qenë dakord për në Rolling Hills, sepse me tre fëmijë ishte problem shkolla, vajtje-ardhje, por edhe sepse aty kishte politikanë dhe figura të njohura, gjë që nuk do të më jepte kënaqësi për të qëndruar atje.
Ne nuk e dinim që do të gjendeshin telefona. Më the e të thashë, se po të kisha vendosur, do të jetoja atje me komshi grekun apo jo, se ai ishte zotëri, në fakt.
Unë skam asnjë përfshirje as për përfshirjen e këtij ligji.
“Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj”, Kryemadhi debat me Metën: Mos u merr me llafe grash!
TIRANË-Seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi, ka vijuar me debate edhe mes ish-çiftit të bashkëshortëve. Shkak për debatin u bë deklarata e Metës, i cili u shpreh në sallën e gjyqit se nuk ka dijeni se çfarë ka bërë Kryemadhi.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi,” deklaroi Meta.
Kryemadhi u përgjigj duke thënë se ai merret me thashethemet e Tedi Blushit dhe ish-kreut të SPAK Altin Dumani.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”
Po ashtu Kryemadhi deklaroi se ka 4 vite që duron Tedi Blushin dhe i drejtohet ashpër, teksa edhe ai është prezent në sallë.
“Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”
Pas debatit ka pasur ndërhyrje nga gjykata ku ka paralajmëruar palët se do t’i nxjerrë nga salla.
“Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni”.
Gjyqi Meta-Kryemadhi! Ish-presidenti për CEZ-DIA: Nuk përmendet as emri im, as i Berishës, gënjeshtrat e Dritan Priftit...
TIRANË-Në GJKKO po mbahet sot seanca e radhës në themel për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi. Të pranishëm në sallë janë si Meta ashtu dhe Kryemadhi, ndërsa raportohet se avokati i ish-deputetes, Redi Llanaj, nuk është lejuar të hyjë pasi nuk pranon t’i kontrollohet çanta nga punonjësit e sigurisë. Në diskurim është çështja CEZ-DIA, e cila ka sjellë debate mes mbrojtjes dhe akuzës.
Meta ka mohuar akuzat, duke deklaruar se pretendimet për përfshirjen e tij në çështjen CEZ-DIA bazohen te “gënjeshtra” dhe përmendi një email të vitit 2016, për të cilin pretendon se nuk përmend emrin e tij apo të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ilir Meta: Do bëj dy plotësime për CEZ-DIA. Më vjen keq që ai nuk është mes nesh, por gënjeshtrat e Dritan Priftit janë mes nesh. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA. Ka një email që dërgon Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës.
Seanca e kaluar e mbajtur më 18 qershor u shoqërua me tensione e debate mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe gjyqtarit Erion Bani. Po ashtu gjykata gjobiti me nga 10 mijë lekë Monika Kryemadhin dhe avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakrani, pasi këta dy të fundit ndërhynë pa leje gjatë procedurës gjyqësore.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka kërkuar marrjen në pyetje të dhjetëra dëshmitarëve në lidhje me gjyqin që po mbahet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhi, lidhur me çështjen CEZ-DIA dhe kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mes personave që është kërkuar të merren në pyetje janë debutetë e emra të njohur në fushën e biznesit. Gjykata ende nuk është përgjigjur për kërkesën e SPAK.
Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI