Trump ultimatum Iranit: Nëse Hormuzi nuk hapet në mbrëmje, një qytetërim i tërë do vdesë sonte
SHBA-Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë me një kërcënim të fundit ndaj Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje me dhe Ngushtica e Hormuzit nuk hapet deri në mbrëmje. “Një civilizim i tërë do të vdesë sonte, për t’u mos u rikthyer më kurrë,” tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social. Sipas Trump, tashmë regjimi në Iran ka ndryshuar, duke lënë të nënkuptohet se po negocion me ‘mendje më të zgjuara dhe më pak të radikalizuara’.
Donald Trump: Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer më kurrë. Nuk dua që kjo të ndodhë, por me gjasë do të ndodhë. Megjithatë, tani që kemi një ndryshim të plotë dhe total të regjimit, ku mbizotërojnë mendje të ndryshme, më të zgjuara dhe më pak të radikalizuara, ndoshta mund të ndodhë diçka revolucionare dhe e mrekullueshme kush e di? Do ta zbulojmë sonte, në një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të botës. 47 vite zhdukje, korrupsion dhe vdekje më në fund do të marrin fund. Zoti i bekoftë njerëzit e mrekullueshëm të Iranit!
Deklaratat e fundit vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, ndërsa kriza për Ngushtica e Hormuzit vijon të mbajë në ankth tregjet globale dhe politikën ndërkombëtare./ZËRI
Prapaskenat-Irani kërkon 2 milionë dollarë për kalimin në Ngushticën e Hormuzit
IRAN-Irani ka hedhur poshtë një armëpushim të propozuar në luftën e tij me SHBA-në dhe Izraelin dhe në vend të kësaj ka paraqitur një propozim me 10 pika, raportuan mediat shtetërore iraniane. Agjencia e lajmeve IRNA tha se kërkesat e Teheranit përfshinin "një fund të konflikteve në rajon, një protokoll për kalim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, rindërtim dhe heqje të sanksioneve".
The New York Times, duke cituar dy zyrtarë të lartë iranianë të paidentifikuar, raportoi se Teherani po kërkon gjithashtu garanci se nuk do të përballej me sulme të ardhshme dhe se sulmet izraelite kundër aleatit të saj Hezbollahut në Libanin jugor do të pushonin.
Sipas planit të raportuar, Irani do të rihapë Ngushticën e Hormuzit për anijet, duke kërkuar rreth 2 milionë dollarë për anije, një tarifë që do ta ndante me Omanin, i cili kufizohet me rrugën ujore. Pjesën e tij të të ardhurave Irani do ta përdorë për të rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet SHBA-Izrael, në vend që të kërkonte kompensim të drejtpërdrejtë.
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti planin një "propozim të rëndësishëm", por më vonë tha se nuk ishte mjaftueshëm i mirë.
Më 24 mars, Shtetet e Bashkuara i dërguan Pakistanit propozimin e tyre me 15 pika për t'i dhënë fund luftës me Iranin për t'ia dorëzuar Teheranit. Irani e hodhi poshtë atë dhe dërgoi një listë kundërpropozimesh, disa prej të cilave u përsëritën në propozimin e tij të hënën.
Trump ka paralajmëruar se nëse Teherani nuk pranon deri sot në mbrëmje të lejojë kalimin e lirë të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, do të urdhëronte sulme në termocentralet dhe urat e tij./ZËRI
Ushtria izraelite paralajmëron qytetarët në Iran: Mos përdorni trenat
IZRAEL- Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po paralajmërojnë njerëzit në Iran që sot të mos përdorin trenin. Sipas paralajmërimit, edhe qëndrimi pranë linjave hekurudhore mund të përbëjë rrezik, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete të këtij njoftimi.
“Të dashur qytetarë, për sigurinë tuaj, ju nxisim fuqimisht të përmbaheni nga përdorimi dhe udhëtimi me tren në të gjithë Iranin nga tani deri në orën 21:00 sipas kohës iraniane”, thuhet në mesazhin zyrtar.
Kjo vjen ndërsa Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kërcënon të godasë objektiva të infrastrukturës civile në mbarë Iranin, nëse regjimi refuzon të lejojë kalim të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit deri në mbrëmjen e së martës. Irani, nga ana tjetër, ka kërcënuar me hakmarrje “shkatërruese” nëse goditet infrastruktura civile e vendit.
Pikëpyetje për drejtimin e Iranit-The Times: Mojtaba Khamenei në gjendje të rëndë shëndetësore
IRAN-Një raport i fundit i publikuar nga The Times pretendon se Mojtaba Khamenei, lideri i ri i Iranit, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk është në gjendje të ushtrojë asnjë funksion drejtues.
Sipas raportit, që bazohet në një memorandum diplomatik të inteligjencës së përbashkët amerikano-izraelite, Mojtaba Khamenei po trajtohet në qytetin Qom dhe raportohet të jetë pa ndjenja. Dokumenti, i cili është ndarë edhe me aleatët në rajonin e Gjirit Persik, thekson se ai është në një “gjendje të rëndë” dhe plotësisht i paaftë për të marrë pjesë në vendimmarrjen e regjimit iranian.
Edhe pse këto informacione nuk janë konfirmuar nga autoritetet në Teheran, publikimi i tyre pritet të nxisë debat të fortë mbi stabilitetin politik dhe vijimësinë e udhëheqjes në vend.