LIVE UPDATES

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar lanë qelitë, kateogritë që nuk përfituan

♦Sot hyri në fuqi zbatimi i ligjit për amnistinë penale. ♦Ligji, i cili u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj, tashmë ka hyrë në fuqi. ♦Në total u liruan 553 të dënuar dhe 863 të tjerë përfituan ulje dënimi. ♦Mes të dënuarve që përfituan lirim të menjëhershëm ka edhe disa emra të njohur, si Rozeta Dobi, sanitarja e dënuar për vjedhjen e parave në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi. Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t, e dënuar per kanabis, etj. ♦Nga kjo amnisti penale u përjashtuan të gjithë subjektet e SPAK, të cilët nuk përfitojnë asgjë nga ky vendim i ri.

6 artikuj për këtë temë.
8 ORE ME PARE

Përfundon zbatimi i amnistisë në burgje: Lirohen 553 të dënuar dhe 863 të tjerë përfitojnë ulje dënimi

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar
foto ilustruese

TIRANË- Ka përfunduar procesi i zbatimit të amnistisë penale në të gjitha burgjet e vendit. 

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se nga të dhënat përfundimtare, kanë përfituar lirim të menjëhershëm 553 të dënuar dhe 863 të tjerë ulje dënimi.

Sipas njoftimit, procesi u zhvillua pa probleme dhe në përputhje me të gjitha kriteret ligjore, pas përfundimit të të gjitha procedurave administrative dhe ligjore të nevojshme.

Njoftimi i plotë:

Përfundon me sukses zbatimi i amnistisë në sistemin e ekzekutimeve te vendimeve penale.

Në zbatim të ligjit nr. 57/2026, “Për dhënie amnistie”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përfundoi sot me sukses procesin e zbatimit të amnistisë penale në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), pas ndërmarrjes së të gjitha procedurave administrative dhe ligjore të nevojshme për garantimin e një zbatimi të njëtrajtshëm në të gjithë vendin.

Procesi u zhvillua në koordinim të plotë me të gjitha institucionet penitenciare, duke respektuar me rigorozitet kriteret dhe procedurat e përcaktuara në ligj.

Sipas të dhënave përfundimtare të raportuara nga IEVP-të, 553 persona të dënuar përfituan lirim të menjëhershëm, ndërsa 863 persona të dënuar përfituan zbritje të dënimit, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 57/2026.

Zbatimi i amnistisë në të gjitha institucionet penitenciare u përmbyll pa problematika, duke garantuar rendin, sigurinë dhe respektimin e plotë të procedurave ligjore. Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të IEVP-ve ishin të angazhuara gjatë gjithë procesit për të siguruar një administrim korrekt dhe transparent të çdo rasti.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh vlerësimin për angazhimin dhe profesionalizmin e të gjithë punonjësve të sistemit penitenciar, të cilët kontribuan në realizimin me sukses të këtij procesi me rëndësi të veçantë.

9 ORE ME PARE

Ish-zyrtarja e AKSHI-t lirohet nga amnistia penale, Erisa Fero u kap me kanabis në makinë

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar
Erisa Fero

POGRADEC-Amnistia penale po zbatohet edhe në burgun e grave në Pojskë, ku fitojnë lirinë 11 të dënuara ndërsa 8 të tjera përfitojnë ulje me 1.5 vite burg. Mes atyre që kanë përfituar lirinë është edhe Erisa Fero,  ish-punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Fero u arrestua në dhjetor të vitit 2022, pasi në automjetin që drejtonte në aksin Pogradec-Qafë Thanë iu gjetën 58 kilogramë kanabis, e cila trafikohej drejt Maqedonisë së Veriut. Pas arrestimit, AKSHI njoftoi largimin e saj nga funksioni që mbante pranë këtij institucioni.

Pas kryerjes së një pjese të dënimit, ish-punonjësja e AKSHI-t ka lënë sot qelinë, duke përfituar nga ndryshimet e parashikuara në amnistinë penale.

11 ORE ME PARE

Zbatimi i amnistisë penale: Lirimet kanë nisur paralelisht në disa burgje (VIDEO)

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar
pamje nga burgjet

TIRANË- Këtë të mërkurë ka nisur zbatimi i ligjit për amistinë penale. Mësohet se lirimet kanë nisur paralelisht në disa burgje, ku qindra të dënuar që përfitojnë lirim të menjëhershëm kanë lënë qelitë.

Në Fier lirohen 104 të burgosur, 210 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Amnistia penale lirion nga burgu i Durrësit vetëm 10 të dënuar

Dhjetë të dënuar përfitojnë lirinë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, në kuadër të zbatimit të ligjit për amnistinë penale. Lirimi i tyre ka nisur këtë mëngjes, pasi ata plotësonin kriteret e përcaktuara në ligj.

Në total përfitojnë 1335 të dënuar në Shqipëri, nga të cilët 541 lirohen menjëherë. Procesi i lirimit ka nisur paralelisht në të gjitha burgjet e vendit.

Përfitues të amnistisë janë personat e dënuar për vepra të lehta penale, si dhe ata që ndodheshin në muajt e fundit të vuajtjes së dënimit./ZËRI

11 ORE ME PARE

Amnistia penale/ Rozeta Dobi lirohet nga burgu i Pojskës, "pastruesja e mijëra eurove" në banesën e ish-zyrtares (VIDEO)

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar
rozeta dobi-burgu i pojskes

POJSKË- Në burgun e grave në Pojskë, fitojnë lirinë 11 të dënuara ndërsa 8 të tjera përfitojnë ulje me 1.5 vite burg. Mes atyre që kanë përfituar lirinë është edhe Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka lënë qelinë, duke përfituar nga amnistia penale e miratuar së fundmi.

Dobi u arrestua në janar të vitit 2023 për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku punonte prej rreth pesë vitesh si pastruese.

Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri. Të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. 

Alda Klosi mohoi që paratë të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohoi se edhe këto para i ka marrë te Klosi.  Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë në SHBA, ku edhe po kurohej./ ZËRI

12 ORE ME PARE

I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht, do të kërkoj drejtësinë

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar
Besmir Gjezari

TIRANË- Që prej orës 08:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure ka nisur procesi për lirimin e të burgosurve që përfitojnë nga amnistia penale 2026.

Besmir Gjezari është një nga të burgosurit në burgun e Drenovës që lënë qelinë duke përfituar nga amnistia penale, pas më shumë se dy vitesh dhe thotë se do të nisë një betejë ligjore për të provuar pafajësinë e tij.

Në një deklaratë për mediat, ai tregon se është dënuar me 5 vite dhe ka vuajtur 2 vite e 7 muaj, për prodhim dhe shitje droge, akuzë të cilën ai e mohon, duke pretenduar se ëshë dënuar padrejtësisht.  

“Unë jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Vuajta dy vite e shtatë muaj. Dhe unë nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje. Jam dënuar padrejtësisht nga ana e Prokurorisë së Korçës dhe Gjykatës, dhe këtë e kam nga oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. E ka me tendencë. Nga ai u nis ajo. Dhe më ka marrë dhe familjen në qafë ai dhe kam dy vite e kusur këtu që s'po takoj dot familjen time. Do ta kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Sa kam dalë, do t'i nis të gjitha gjërat nga e para. Nuk i kam takuar familjarët se nuk i ka lejuar prokurorja. Atë çështje që s'kam pasur, dhe ky ndikim ka qenë nga oficeri i policisë gjyqësore për të më hequr dhe padrejtësisht takimin, të drejtën e fëmijës. Se kam një fëmijë të mitur, të moshës 3 vjeçare dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, dhe nuk e kam takuar, nuk e kam parë. Nga padrejtësitë që më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. Ai ka marrë dhe presion e kërcënime nga njerëz të drejtësisë, dhe ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë dhe familja ime. Jam i kërcënuar me jetë, si unë dhe familja ime. Më kanë kthyer gjëra personale. Për çfarë, oficeri i policisë gjyqësore se unë nuk e di dhe nuk e kuptoj akoma përse, arsye. Për çfarë ka ndikuar mos takimi me familjen dy vite e kusur këtu, takimet me njerëzit e mi? Unë nuk e kuptoj se çfarë ka bërë vaki këtu. Dhe të më hiqet e drejta e fëmijës padrejtësisht, se ndikon oficeri i policisë gjyqësore. Për çfarë arsye? Atë e di ai, dhe këtë do ta kërkojmë me drejtësinë. Po, normale, që po, normale. Jam familjar, kam një fëmijë të mitur, kam një biznes timin, dhe dua t'i përkushtohem familjes”, u shpreh ai.

13 ORE ME PARE

Nis sot zbatimi i amnistisë penale! Ja sa të dënuar lirohen nga burgjet dhe cilët nuk do të përfitojnë

Amnistia penale! Burgjet "hapën dyert": 553 të dënuar
foto ilustruese

TIRANË- Sot nis zbatimi i amnistisë penale në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri, ku do të përfitojnë mbi 1300 të burgosur, mes tyre gra dhe të mitur, ndërsa mijëra të tjerë përfitojnë faljen e ndjekjes penale për kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët. 541 të dënuar lirohen sot, ndërsa procesi ka nisur gjatë ditës së sotme, nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.

Parashikohet që 803 të dënuar përfitojnë ulje dënimi, 173 persona përfitojnë nga rillogaritja e dënimit, 124 raste lidhen me disa vendime gjyqësore, ndërsa 67 të dënuar përfitojnë nga bashkimi i dënimeve. Nga ana tjetër, 609 persona nuk përfitojnë nga amnistia penale, pasi nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.

Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.

Kush e përfiton lirinë?

-burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative;

-gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta;

-burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim;

-gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim;

-burrat mbi 60-vjeç, gratë mbi 50-vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18-vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.

Institucionet me numrin më të lartë të lirimeve janë:

Lushnja – 127 të liruar
Fieri – 104 të liruar
Reçi (Malësi e Madhe) – 101 të liruar
Rrogozhina – 94 të liruar
Korça – 60 të liruar.

Numri më i lartë i personave që nuk përfitojnë nga amnistia rezulton në:

Reçi (Malësi e Madhe) – 160 të dënuar
Peqini – 156
Fieri – 80
Korça – 66
Burreli – 44
Durrësi – 32

Ligji u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj. Sipas ligjit të miratuar me votën e 84 deputetëve, 81 ligjvënës socialistë dhe tre të PSD, do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti./ZËRI

Poll

MOS HUMB