Tensionet në Kuvend, PS kërkon përjashtim të 24 deputetëve të Partisë Demokratike

TIRANË-Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj 24 deputetëve të PD. Masë disiplinore është kërkuar ndaj Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Kërkesa vjen pas kaosit të shkaktuar në Kuvend gjatë seancës plenare të zhvilluar ditën e sotme.
Opozita ka nisur sot aksionin e paralajmëruar duke bojkotuar fillimisht Komisionet dhe më pas foltoren e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike në mbështetje të Salianjit krijuan kaos në Kuvend, ku në shenjë proteste nxorrën karriget jashtë dhe iu vendosën flakën. Si pasojë e trazirave në Kuvend, seanca e sotme zgjati vetëm 15 minuta. Nga deputetët e opozitës, i vetmi që u ndëshkua me përjashtim ishte sekretari i Përgjithsëm i PD-së, Flamur Noka, i cili shkuli mikrofonat në sallë./ZËRI
Opozita dogji karriget në Kuvend, Berisha i përshëndet nga ballkoni: Qytetarë...na u bashkoni!

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka "përshëndetur" sot aksionin e nisur nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë. Në takimin e tij të përnatshëm me demokratët që mblidhen poshtë ballkonit të tij, Berisha foli për djegien e karrigeve nga opozita në oborrin e Kuvendit. Në fjalën e tij, kryedemokrati tha se sot opozita nisi "luftën", por shtoi se ky është vetëm fillimi. Ndaj përveç deputetëve, u kërkoi edhe qytetarëve që t'i bashkohen aksionit që opozita ka nisur pas arrestimit të demokratit Ervin Salianji, i cili aktualisht po vuan dënimin me 1 vit burg në Fier.
"Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju, guximtareve dhe guximtarëve, qëndrestareve dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari. Një përshëndetje të zjarrtë deputetëve të Partisë Demokratike, që nisën sot në sallën e parlamentit të mafias dhe krimit, betejën e fitores, betejën e pandalshme, që i dha përgjigjen më të merituar Edi Ramës, këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Europës, që burgosi deputetin Ervin Salianji, sepse ai denoncoi Geronin e vëllazërisë Xhafa, që fshihej dhe si kriminel, shpërndante drogë, helm në Shqipëri, në Itali dhe Europë. Sot deputetët e PD-së, nisën betejën, betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës. Ajo betejë duhet të frymëzojë çdo demokrate, demokrat, çdo qytetare e qytetar të këtij vendi, për tu ngritur në një betejë në mosbindje civile më te gjitha mjetet e saj. Për shpëtimin e Shqipërisë nga krimit, mafia, vjedhja. Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Rotacionin, fitoren e opozitës. Deputetët e opozitës sot u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona. U bëj thirrje shqiptarëve në katër anët e dheut, të angazhohen kudo që janë në këtë betejë, më e rëndësishmja e jetës së tyre, të nxjerrim Shqipërinë nga kthetrat e mafias shqiptaro-ndërkombëtare, e cila luftën e opozitës kundër korrupsionit e ndëshkoi me sanksione për korrupsionin. E cila luftën e opozitës kundër krimit dhe trafiqeve e ndëshkoi me burgosjen e deputetëve të saj. Çdo ditë që kalon, del në pah shëmtia e fytyrës së mafias që është vërsulur të rrënojë këtë komb, për 1001 arsye, për pushtetin e Edi Ramës, për pasurimin e Edi Ramës, për vjedhjet e Edi Ramës, për tradhëtitë e Edi Ramës. Ndaj dhe sot nisi beteja, radha është e jona, është radha e shqiptarëve, është radha e guximtarëve, është radha e atdhetarëve,"-tha Berisha në fjalën e tij.
Opozita ka nisur sot aksionin e paralajmëruar duke bojkotuar fillimisht Komisionet dhe më pas foltoren e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike në mbështetje të Salianjit krijuan kaos në Kuvend, ku në shenjë proteste nxorrën karriget jashtë dhe iu vendosën flakën. Si pasojë e trazirave në Kuvend, seanca e sotme zgjati vetëm 15 minuta. Nga deputetët e opozitës, i vetmi që u ndëshkua me përjashtim ishte sekretari i Përgjithsëm i PD-së, Flamur Noka, i cili shkuli mikrofonat në sallë./ZËRI
Momentet e tensionit/ Noka dhe Bardhi i shkojnë te vendi Peleshit dhe Gogut, përplasin dorën në tavolinë

TIRANË-Situata në Kuvend ishte mjaft e tensionuar mes kaosit të krijuar nga opozita. Në një moment Flamur Noka dhe Gazment Bardhi i kanë shkuar te vendi Niko Peleshit dhe Toni Gogut, duke ngritur zërin dhe duke përplasur dorën në tavolinë.
“Nuk ke punë,” dëgjohet Noka t’i thotë Peleshit, një shprehje që reflekton përplasje të forta mes deputetëve.
Më pas ata kanë nxjerrë jashtë karriget dhe u kanë vënë flakët, për t’u kthyer sërish në sallë ku shkulën mikrofonat dhe u përplasën me deputetët socialist.
Opozita ka nisur sot aksionin e paralajmëruar duke bojkotuar fillimisht Komisionet dhe më pas foltoren e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike në mbështetje të Salianjit krijuan kaos në Kuvend, ku në shenjë proteste nxorrën karriget jashtë dhe iu vendosën flakën. Si pasojë e trazirave në Kuvend, seanca e sotme zgjati vetëm 15 minuta. Nga deputetët e opozitës, i vetmi që u ndëshkua me përjashtim ishte sekretari i Përgjithsëm i PD-së, Flamur Noka, i cili shkuli mikrofonat në sallë./ZËRI
VD- "Bjeri kokës", Bardhi i hedh këmbën e karriges, Spiropalin e "shpëton" Garda
TIRANË- Ka zgjatur jo më shumë se 20 minuta seanca e sotme plenare! Kaosi dhe zjarri ka mbizotëruar seancën e sotme plenare, por edhe përplasje të tjera mes opozitës dhe maxhorancës. Siç duket nga videoja e siguruar nga ZËRI, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka hedhur këmbën e karriges në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali. Kjo e fundit ka tentuar që të shmanget, por para saj ka ndërhyrë punonjësi i Gardës së Republikës, i cili ka shtyrë me një dosje që kishte në dorë këmbën e karriges.
BISEDA NË SALLË:
Bardhi: Bjerini me karrige kokës! Bjerini!
*deputetet e maxhorancës: Çfarë po bëni!
Elisa Spiropali: Sa burrë që je Flamur!
Pas ngjarjes, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me atë që ndodhi sot në harkun kohor të 15 minutave. Në reagimin e saj, Spiropali shkruan se zjarrvënia e sotme dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese.
“Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar, duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik. Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht, zjarrvënia e sotme dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese. Keqardhje e thellë!,”-shkruan ajo.
Por në asnjë moment nuk i është referuar sendeve që deputetët e opozitës hodhën drejt saj./ZËRI
Dënimi i Salianjit, demokrati humb mandatin, Kuvendi: Do njoftojmë KQZ për vakancën

TIRANË- Pas dënimit të Salianjit me 1 vit burg dhe djegies së mandatit të tij si deputet i Partisë Demokratike, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali do të njoftojë vakancën në seancën e sotme. Më pas, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të depozitohet një shkresë zyrtare për të vijuar me procedurat.
Por, Kuvendi nuk është në kushte për të mbledhur Këshillin e Mandateve, pasi Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk do të ketë më marrëdhënie institucionale me mazhorancën. Në tryezën e opsioneve të deputetëve demokratë janë disa variante që mund të aplikohen, duke nisur që nga ngujimi afatgjatë i ligjvënësve, te protestat brenda sallës së Kuvendit me synim paralizimin e funksionimit normal.
Në vazhdën e reagimit për arrestimin e Salianjit, opozita ka thirrur dhe një protestë kombëtare në Tiranë, ndërkohë që kërkesa kryesore e tyre mbetet ajo për qeverinë teknike. Në rrethana të paqarta, protesta u shty me një ditë nga data 6 në datën 7 Tetor. /ZËRI
"Ervis Martinaj dhe Mihasi, kalofsh mirë!"/ Zbardhen MESAZHET që i shkuan Bardhit në 'Signal', demokrati: Ç'thua? Me vërtetë?!

TIRANË- Zbulohen detaje nga mesazhet që i kanë shkuar kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit. Vetë ky i fundit ka bërë një kallëzim në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mesazhet i janë dërguar Bardhit në datën 28 shtator (pra 2 ditë më parë), në orën 20:22, në platformën e komunikimit "Signal". Në kallëzimin e tij në SPAK, Bardhi shkruan se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, që mbante emrin "Mbreti Zog".
MESAZHET E SHKËMBYERA:
Mbreti Zog: I dërgon dokumentat me mesazhe që pretendohet se janë zbardhje e mesazheve në aplikacionin "SkyECC" dhe i shkruan; Ervis Martini, Erigers Mihasi. Të jesh mirë!
Bardhi: Ça thua? Me vërtetë eeeeee *e shoqëron me mesazhe me të qeshura
"Janë dërguar disa mesazhe elektronike, dokumente qartazi të falsifikuara, emrat e dy shtetasve të përmendur në media si të përfshirë në krimin e organizuar, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme dhe një tjetër i mbetur i vrarë në një atentat në Tiranë, shoqëruar me "urimin" "të jesh mirë". Këtyre mesazheve i është vendosur nga dërguesi një kohëzgjatje fshirje prej 1 jave, me qëllim humbjen e mëpasme të tyre,"-shkruan Bardhi në shkresën që ka depozituar në SPAK. Ndër të tjera shkruan se mesazhet i janë dërguar për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe si kryetar të grupit parlamentar të PD-së. Madje shton se mesazhet, për të cilat pretendon se kanë përmbajtje të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Bardhi publikoi disa biseda të bëra në aplikacionin "SkyECC", në të cilat pretendohej se kreu i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, ishte vendosur për të ndihmuar në aktivitetin kriminal të Pëllumb Gjokës.
"Unë kam denoncuar pranë jush zyrtarë të lartë publik, familjarë të tyre, eksponentë të krimit të organizuar, apo lidhjet ndërmjet tyre. Kjo ngre dyshimin e arsyeshëm që pas tentativës për intimidimin tim apo dërgimit të këtyrë mesazheve, janë subjekte që hetohen nga Prokuroria që ju drejtoni (eksponentë të krimit të organizuar apo zyrtarë të lartë publikë). Nga ana tjetër, përmes falsifikimit të një dokumenti që supozohet të jetë nën administrimin tuaj apo i atribuohet institucionit tuaj, qartazi synohet edhe diskretitimi i Prokurorisë që ju drejtoni, duke qëne se dokumente të kësaj natyre mund të gjenden vetëm në dosjet në hetimin nga ana junj. Në këtë kuptim, verifikimi/hetimi i këtij rasti, është jo vetëm në interesin tim për të zbuluar autorët dhe motivet e tyre, por edhe për të ruajtur reputacionin dhe kredibilitetin e institucionit tuaj. Përsa më lart, kërkoj bashkëpunimin tuaj për të hetuar dhe verifikuar në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autoritëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre,"-shkruan Bardhi ndër të tjera.
Por teksa ka publikuar bisedën që ka bërë me personin anonim, Bardhi ka zgjedhur që të mos i publikojë dokumentat që i ka dërguar personi në fjalë. Gjithashtu, për ngjarjen, ka vendosur në dijeni përveç SPAK, edhe ambasadën amerikane në Shqipëri, delegacionin e Bashkimit Europian dhe Ambasadën britanike. Ndërkohë që pritet që më shumë detaje të zbulojë në daljet e ardhshme publike, pasi sot opozita pritet që të shkojë në Kuvend./ZËRI
PD bojkoton komisionet pas arrestimit të Salianjit! Bardhi: Më kanë shantazhuar në "Sinjal"! (SHKRESA për SPAK)

TIRANË- Partia Demokratike ka nisur aksionin opozitar si kundërpërgjigje ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji, i cili aktualisht po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie në burgun e Fierit. Në lidhje me aksionin e opozitës, e cila paralajmëroi se nuk do të ketë më marrëdhënie normale institucionale me maxhorancën, ka dhënë më shumë detaje kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Mbrëmë, Bardhi i ka dërguar mbrëmë një mesazh deputetëve të grupit duke i lajmëruar se në Komisionin e Integrimit do të shkojnë vetëm Jorida Tabaku dhe Edi Paloka. Ndërsa të tjerë komisionet e tjera do të bojkotohen, kjo shpjegon edhe mungesën e Albana Vokshit në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë, edhe pse demokratja është drejtuesja e këtij Komisioni. Ndërsa lidhur me mënyrën sesi do të sillen në seancë, do të vendoset në mbledhjen e grupit, e cila do të mbahet në orën 15.00, 2 orë para nisjes së seancës plenare.
Mesazhi i Gazment Bardhit
"Të nderuar kolegë, Nesër nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentar, me përjashtim të Palokës dhe Joridës që me porosi të Kryetarit të Partisë që do të jenë tek integrimi për të shprehur qëndrimin e PD për hapjen e negociatave me BE. Ndërkohë rikujtesë për mbledhjen e Grupit Parlamentar nesër në seli në orën 15:00."
Por jo vetëm kaq! Bardhi pretendon se është shantazhuar me një mesazh në celularin e tij. Sipas shkresës që kreu i grupit parlamentar i ka dërguar SPAK, zbulohet se Bardhit i ka shkuar një mesazh në aplikacionin "Signal". Bardhi pretendon se bëhet fjalë për disa dokumenta që janë të falsifikuara dhe kanë për qëllim që ta intimodojnë, ndaj edhe kërkon që SPAK të hetojë çështjen dhe të dalë me një vendim.
"Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre,"-shkruhet në dokument ndër të tjera.
NJOFTIM PËR SHTYP I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumentave të fallsifikuar. Ai i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar. Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, qendrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK. Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor. Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre.
Ndërkohë opozita, përveç aksionit në Kuvend, më 7 tetor ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kombëtare. Përpos protestës pritet të diskutohet edhe qëndrimi i opozitës në Kuvend.Opozita e ka cilësuar vendim politik dënimin ndaj Salianjit, i cili tashmë ndodhet në burgun e Fierit, ku pritet të vuajë dënimin e caktuar nga Gjykata e Apelit. Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI
A ka një koment për arrestimin e Salianjit? Peleshi: Nëse më ftoni në ndonjë nga banaqet tuaja… nuk thashë kazan!

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Niko Peleshi, ka dhënë një deklaratë për gazetarët, ku u pyet në lidhje me dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit, si dhe aksionin e pritshëm të opozitës. Peleshi tha se socialistët janë të angazhuar në jetën parlamentare, dhe se mbledhjet dhe seancat do të vijojnë normalisht, pavarësisht thirrjeve të ndryshme për bllokim nga ana e opozitës.
“Jemi para një seance parlamentare të ditës së enjte, dua t'iu konfirmoj se ne do të ndjekim me përpikmëri jetën parlamentare, dhe komisionet. PS dhe të gjithë deputetët e saj kanë qenë në mënyrë intesive në terren, edhe në kuadër të zgjedhjeve”.
“Sot është zhvilluar Komisioni për Çështjet Europiane, në mbledhje kanë marrë pjesë disa, pak, deputetë të opozitës. Ka dhe komisione të tjera që po vazhdojnë, ne do të vazhdojmë jetën parlamentare”.
“Nuk kemi pse e paragjykojmë, deri tani nuk ka një skenar bllokimi, që të jetë e nevojshme mbledhja e komisioneve online. Nuk e kemi kuptuar mirë deklaratën e opozitës, nuk e kuptojmë fjalën bllokim i marrëdhënieve institucionale me mazhorancën”.
I pyetur me insistim nga gazetarët, nëse kishte një koment mbi arrestimin e Salianjit, Peleshi nuk dha një përgjigje, me pretendimin se PS nuk vë në diskutim vendimet e gjykatave. Edhe pse ky rregull në fakt është thyer nga kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë disa komente për rastin e Salianjit.
“Ju e dini që ne nuk komentojmë vendimet e gjykatave. Nuk e kemi bërë këtë as me kolegët tanë, mos më kërkoni që të komenton një vendim të formës së prerë të gjykatës. Për këtë ditë kemi punuar të gjithë bashkë. Nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e kolegëve, për çështjen që ju pyesni (Olta Xhaçka), ne kemi pasur paqartësi, dhe për këtë kemi kërkuar opinionin e Venecias”.
“Nuk jam këtu për të dhënë mendimet e mia personale, nëse më ftoni në banaqet tuaja… nuk është në kuptimin ofendues. Nuk thashë kazan, edhe pse ndonjë rast mund të qëndrojë kjo fjalë”./ZËRI
Nuk gjendet adresa e dëshmitarit, shtyhet Komisioni për "Sterilizimin", Ndreca i vetëm...mungon edhe Vokshi!

TIRANË- Shtyhet për në orën 12.00, Komisioni Hetimor për koncensionet e Sterilizimit dhe Check-up. Shkak është bërë mungesa e një prej dëshmitarëve, të cilit nuk i ishte gjetur adresa, prof. dr. Mihal Tases. Në mbledhje si pjesë e aksionit të bojkotit nga opozita mungoi edhe kryetarja e këtij Komisionit, Albana Vokshi, ndërsa takimi i sotëm u drejtua nga zv.kryetari i këtij Komisioni, Plarent Ndreca.
BISEDA NË SALLË:
Plarent Ndreca: Në orën 11.00 ishte thirrur zoti Mihal Tase por thirrja me shkresë është kthyer pas nga posta pasi adresa ishte e pasaktë. Jemi në kushte që ta shtyjmë mbledhjen. Jemi dakord ta ndërpresim?
Petro Koçi: Nuk kemi zgjidhje tjetër.
Plarent Ndreca: E ndërpresim atëherë dhe vijojmë në 12.00 me dëshmitarin e radhës.
Në mbledhjen e sotme, e cila do të rinisë më vonë, do të dëshmojnë: Myfrat Barbullushi; Mentor Petrela; Nikollaq Kacani; Mustafa Xhani dhe Arben Beqiri.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u arrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Nën hetim është dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani./ZËRI
PD ende e paqartë për raportin me Parlamentin/ Paloka: Do kërkojmë ngritjen e Komisionit të së Vërtetës

TIRANË- Përmes një deklarate për shtyp, nga Kryesia e Kuvendit, Edi Paloka u shfaq i paqartë në lidhje me qëndrimin që PD do të mbajë me parlamentin, ndërsa grupi pritet që të marrë një vendim në orëet në vijim. Paloka, i cili së bashku me deputeten Jorida Tabaku, ishin të pranishëm në Komisionin për Çështjet Europiane, në ndryshim nga kolegët e tyre të cilët bojkotuan.
“Do të ketë një qëndrim të PD për këtë punë. Do të kërkojmë ngritjen e komisionit të të vërtetës për të vërtetuar lidhjet e politikës me krimin. Lidhur me atë që unë dhe kolegia morëm sot në komision, ndryshe nga kolegët e tjerë nuk do të jenë pjesë e komisioneve, deri sa grupi të marrë një vendim. Do të vendosim dhe marrëdhëniet që do të kemi me këtë parlament”, tha Paloka.
Disa ditë para hapjes së kapitujve të parë të negociatave me BE, kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Paloka deklaroi se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë prej kushteve të kërkuara. Paloka renditi zgjedhjet, persekutimin e opozitës dhe kontratat korruptive si pika kyçe që PD kërkon të evidentohen dhe në raport.
“Për të qartësuar për këdo që PD ka qenë iniciatore e integrimit, vazhdon të jetë lokomotivë e integrimit, sepse e sheh si interes të shqiptarëve. Sot kur diskutohet hapja e negociatave ne ndodhemi në një narko-regjim që nuk plotëson asnjë nga kushtet që kërkon BE. Unë përmenda 4 prioritetet që PD kërkon të evidentohen dhe në raport. Çështja e parë ajo e reformës zgjedhore.
Kjo mazhorancë nuk pranon rekomandimet e OSBE. Rama shkel të drejtat e opozitës në zgjedhje, nuk ka standarde minimale. Çështja e dytë, reforma në drejtësi. Qytetarët po përballen me një torturë që nuk e kanë kaluar ndonjëherë. Janë mbi 130 mijë dosje në sirtarët e drejtësisë së re. Një qytetar duhet të pres 14 vite që çështja të mbyllet. Kjo ndodh sepse kjo reformë u bë për të kaluar drejtësinë në dorën e Ramës.
Sot pak muaj para zgjedhjeve, 3 liderët e opozitës janë nën arrest. Sali Berisha është në arrest. Ilir Meta dhe Fatmir Mediu janë nën persekutim publik nga çështjet që iu janë hapur. Vetëm 2 ditë më parë kolegu ynë shkoi pas hekurave vetëm pse tha disa të vërteta për vëllanë e Xhafajt. Ky i fundit edhe pse duhet të ishte para drejtësisë për ligjin antimafia ka marrë nga Rama drejtimin e një komision për të ndryshuar reformën në drejtësi. Beleri u arrestua dy ditë para se të zgjidhej kryetar bashkie, edhe ai me dëshmitar të rremë, por u zgjodh europarlamentar nga burgu.
Ky parlament nuk respekton as Kushtetuesen. Çështja Xhaçka tregon qëndrimin e kësaj mazhorance ndaj kësaj gjykate. Pika tjetër është ajo e kontratave me PPP, kontratave korruptive që në fakt duhet të zhvillohen me tenderë ndërkombëtar”, tha Paloka.
Aksioni i opozitës, te Integrimi shkojnë vetëm dy deputetë! Tabaku: Mbledhja do të jetë pa kamera! Peleshi: Sjellje aspak qytetare

TIRANË- Vetëm dy deputetë të opozitës kanë qenë të pranishëm sot në Komisionin për Çështjet Europiane, i cili drejtohet nga Jorida Tabaku. Kjo e fundit e nisi mbledhjen me një qëndrim politik, dhe më pas vendosi që mbledhja të vazhdojë pa praninë e kamerave. Tabaku theksoi se opozita mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por nga ana tjetër akuzoi mazhorancën për akte korruptive dhe që pengon sundimin e ligjit.
“Ne mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. PD e ka nisur këtë proces dhe do ta përfundojë pa rënë pre e asnjë provokimi. E konsiderojmë këtë proces si mënyrën e vetme për të transformuar vendin. Ky është një hap që duhet të ishte pjesë e një procesi të gjatë transformues. Besojmë se një hap më shumë drejt BE duhet të shërbejë për ndërtimin e një demokracie perëndimore. Por nga ana tjetër me keqardhje vëmë re se një sërë kriteresh sot janë të paplotësuara. Kemi parë mungesën e vullneti politik për një reformë zgjedhore. Përdorimi i institucioneve shtetërore për të ndikuar në votime dhe zgjedhje ne mendojmë që duhet të ketë një zgjidhje brenda vitit 2024 jo në vitin 2025 ashtu siç e gjykon mazhoranca. Balanca e pushteteve janë sot në rrezik.
Për herë të parë Shqipëria ka cënuar shkeljen e MSA ku kalojnë ligje me porosi që cënojnë konkurrencën. Korrupsioni sistemik ndikon në mënyrë shumë të thellë strukturat e qeverisjes. Besojmë që një shtet i korruptuar është produkt i një lidhje të ngushtë mes kapjes së institucioneve dhe ndikimit të grupeve kriminale. Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore. Për të siguruar një sistem drejtësie efikas është e nevojshme të adresohen sfidat aktuale.
Nuk mund të kemi Shqipëri perëndimore kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, ndërkohë që opozita sulmohet politikisht. Politika shkon e vjen, ky proces është për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ky është qëndrim që unë doja ta mbaja për transparencë. Mbledhja do të vazhdojë pa kamera”, u shpreh Tabaku.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi tha se sjellja e Tabakut nuk ishte qytetare. Sipas tij Komisioni nuk mund të përdoret nga opozita për axhendën e tyre politike, dhe se mbledhja nuk mund të nisë me një qëndrim politik.
“Ta fillosh një mbledhje pa e deklaruar të hapur, pa parë nëse ka kuorum ose nëse s’ka, pa njoftuar se çfarë kemi në diskutim, të shfrytëzosh këtë mikrofon për të bërë deklarata, është shumë politike por nuk është qytetare. Kjo deklaratë politike do t’ju lutesha qytetarisht të paktën këtu jo, të mos kemi marrje peng të mikrofonit dhe të vazhdojmë me deklarata politike duke injoruar atë që pritet sot nga ne. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Procedura ishte totalisht e nëpërkëmbur”, u shpreh Peleshi.
Arrestimi i Salianjit, sot shpaloset ‘mosbindja’ e opozitës, nga mbledhjet e komisioneve te seanca plenare

TIRANË- Disa ditë pasi kanë paralajmëruar përshkallëzimin e aksionit opozitar, deputetët e Partisë Demokratike, janë sot në ‘fushë’, për të kuptuar se cili do të jetë qëndrimi që ata do të mbajnë me Kuvendin, pas arrestimit të kolegut të tyre Ervin Salianji.
Në rendin e ditës së sotme në Kuvend, janë një sërë mbledhjesh të komisioneve parlamentare, të cilat pritet që të bojkotohen nga deputetët e opozitës, pasi Gazment Bardhi ka deklaruar disa ditë më parë, se nuk do të ketë më marrëdhënie institucionale me mazhorancën.
Qëndrimi i opozitës pritet që të bëhet publik nga deputetët Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, në komisionin për çështjet europiane dhe integrimin. Ndërkohë që mbetet i paqartë ende qëndrimi që do të mbajë PD lidhur me seancat plenare, ku e para në radhë do të jetë ajo e pasdites së sotme, e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Në seancën e sotme, Spiropali pritet të shpallë dhe vakancën për vendin e Ervin Salianjit, ku më pas KQZ do të nisë procedurat për zëvendësimin e tij, nga një prej emrave që janë renditur në listën jofituese në qarkun e Korçës.
Në tryezën e opsioneve të deputetëve demokratë janë disa variante që mund të aplikohen, duke nisur që nga ngujimi afatgjatë i ligjvënësve, te protestat brenda sallës së Kuvendit me synim paralizimin e funksionimit normal.
Në vazhdën e reagimit për arrestimin e Salianjit, opozita ka thirrur dhe një protestë kombëtare në Tiranë, ndërkohë që kërkesa kryesore e tyre mbetet ajo për qeverinë teknike. Në rrethana të paqarta, protesta u shty me një ditë nga data 6 në datën 7 Tetor.
“7 tetor në ora 6, Tirana e tëra derdhet në rrugët dhe sheshet e saj.
Më 7 tetor, Tirana është e qytetarëve, vrima e miut të qeveritarëve, vrima e miut të mafies, vrima e miut e hajdutëve.
Ndaj dhe le të shndërrojmë ne 7 tetorin në ditën e triumfit, të guximit, të trimërisë, të revoltës, të mosbindjes civile, të fitores së shqiptarëve.
Të dashur miq, çdo shqiptar, çdo shqiptare, ka vetëm një kërkesë ndaj nesh, ka vetëm një dëshirë ndaj nesh, ka vetëm një shpresë ndaj nesh, të na shohë në sulm, të gatshëm për sakrifica, të vendosur për fitore.
Ndaj dhe me 7 tetor, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, në Tiranë, në rrugë, në sheshet e saj.
Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!”, ishte thirrja e bërë dje nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet ende nën masën e arrestit të shtëpisë. /ZËRI