Presidenca zbardh diskutimet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Çështje individuale, hetimet për Hysenin të zhvillohen të pavarura
TIRANË-Presidenca ka reaguar pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, e cila në fokus të diskutimeve kishte arrestin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni e cila dyshohet se ndihmoi me informacione sekrete shetërore biznesmenin Ergys Agasin gjatë arratisë.
Presidenca në një njoftim për mediat, thekson se në takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, u theksua nevoja për koordinim institucional, respektimin e pavarësisë së hetimeve dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet e sigurisë. Në njoftim thuhet se hetimet e drejtësisë lidhur me rastin të zhvillohen tërësisht të pavarura, duke nënvizuar se ngjarja në lidhje me ish-drejtoreshën e SHISH është çështje individuale.
Njoftimi për mediat:
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe impaktin që ato kanë mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.
Në mbledhje, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-u.
Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.
Në takim u konkludua se:
Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.
Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.
Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional.
Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Ai është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.
PAMJET-Rama mbërrin në Pallatin e Brigadave, nis mbledhja e Sigurisë Kombëtare
TIRANË-Ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, takim i cili mbahet pas zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”. Në ambjentete e Pallatit të Brigadave u pa të mbërrinte kryeministri Edi Rama dhe drejtuesit e 13 institucioneve.
Në tryezën e Këshillit pritet të diskutohen siguria e informacionit të klasifikuar, situata aktuale në institucionet e sigurisë, si dhe drejtimi i ri i SHISH pas shkarkimit të Hysenit. Drejtimin e komanduar të institucionit pritet ta mbajë Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.
Në mbledhje është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm Ervin Demo, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si edhe drejtues të institucioneve të sigurisë, përfshirë SHISH-in, Policinë e Shtetit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura./ZËRI
Ish-drejtoresha e SHISH në arrest! Presidenti Begaj mbledh sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar, Rama i pranishëm
TIRANË-Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet sor në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave, me thirrjen e Presidentit Bajram Begaj. Takimi vjen pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila akuzohet se i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit gjatë arratisjes së tij.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare përbëhet nga drejtuesit e 13 institucioneve dhe drejtohet nga Presidenti i Republikës. Në takim do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili u kthye një ditë më parë në Shqipëri pas vizitës së tij në SHBA.
Pas vendosjes së masës ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Rama deklaroi se Hyseni duhet të përballet individualisht me drejtësinë, por e cilësoi masën e marrë ndaj saj si ekstreme. Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.
ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT
Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.
1. Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
2. Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
3. Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi
4. Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
5. Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu
6. Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo
7. Ministria përgjegjëse për Financat; Erion Malaj
8. Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi
9. Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi
10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij; Bledar Çuçi,
11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji
12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila
13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj
Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI