LIVE UPDATES

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën shoferi, 12 të plagosur në QSUT, 7 në gjendje të rëndë

♦Një aksident tragjik u regjistrua ditën e sotme në aksin Tiranë-Durrës me 1 të vdekur dhe 12 të plagosur. ♦Autobusi i linjës Berat-Tiranë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, pranë QTU-së. ♦Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat zjarrfikëse dhe ambulancat për të bërë të mundur nxjerrjen e pasagjerëve. ♦Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shoferi i mjetit, ndërsa 12 pasagjerë të plagosur ndodhen në QSUT.♦7 prej pasagjerëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, përfshirë edhe një fëmijë i intubuar. ♦Drejtori i Policisë Rrugore, Pertal Vatoci në një prononcim për mediat nga vendngjarja tha se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit.

6 artikuj për këtë temë.
2 ORE ME PARE

Aksidenti me 1 viktimë e 12 të plagosur/ Shefi i urgjencës: Një fëmijë në gjendje të rëndë, 5 të tjerë në operim

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën
Agustin Suma

TIRANË-Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e të lënduarve si pasojë e aksidentit të rëndë të ndodhur sot në aksin rrugor Durrës-Tiranë, ku u përmbys autobusi i linjës Berat-Tiranë. Shefi i Urgjencës në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të spitalit ka njoftuar se shoferi i autobusit ka mbërritur pa shenja jete.

Suma njoftoi se mes të plagosurve janë 2 fëmijë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërkohë, 5 të tjerë janë futur në operim, mes tyre 2 turistë të cilët ende nuk janë identifikuar.

Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma: Janë 2 të mitur, një i moshës 8-9 në gjendje të rëndë, një tjetër 14 vjeç në repartin e observimit. 5 pacientë 30-50 vjeç po i nënshtrohen operacionit. 2 prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti i të cilëve nuk janë konfirmuar ende. Ndodhen në gjendje të rëndë. 5 të tjerë janë në gjendje të stabilizuar në urgjencë. Këta të pesë nuk paraqesin rrezik për jetën. Ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë klinike të çdo pacienti.

2 ORE ME PARE

Policia përditëson bilancin e aksidentit tragjik: Humbi jetën shoferi i autobusit, fëmija u rikthye në jetë

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën
PAMJE NGA AKSIDENTI

TIRANË-Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur mesditën e sotme, ku autobusi i linjës Berat-Tiranë doli nga aksi Durrës-Tiranë dhe u përmbys anës rrugës. Blutë njoftojnë se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një 36-vjeçar, konretisht drejtuesi i mjetit. Fillimisht u raportua për 2 viktima, pasi një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Të lënduar si pasojë e aksidentit janë 12 pasagjerë, 7 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

2 ORE ME PARE

Aksidenti në autostradën Tiranë–Durrës, Ministria e Shëndetësisë: 12 të lënduar në QSUT, 1 fëmijë në gjendje të rëndë

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën
foto nga ngjarja

TIRANË-Ministria e Shëndetësisë ka reaguar zyrtarisht pas aksidentit të rëndë të ndodhur këtë të martë në autostradën Tiranë–Durrës, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga dhe u përmbys.

Në një njoftim për mediat, ministria bën të ditur se në QSUT janë transportuar 12 persona të lënduar. Sipas të dhënave zyrtare, shtatë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa mes të plagosurve është edhe një fëmijë.

Ministria konfirmon gjithashtu se një prej pasagjerëve ka mbërritur në spital pa shenja jete. Bilanci paraprak i aksidentit është dy viktima, ndërsa ekipet mjekësore vijojnë t'u ofrojnë ndihmë të lënduarve.

“Informacion mbi gjendjen e të lënduarve gjatë aksidentit në autostradën Tiranë – Durrës. Në QSUT aktualisht ka 12 persona të lënduar, 7 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. (Përfshirë dhe një fëmijë e një i mitur) Një prej pasagjerëve ka mbërritur në spital pa shenja jete”, thuhet në njoftim./ZËRI

3 ORE ME PARE

Aksidenti i rëndë në autostradën Durrës-Tiranë, kreu i urgjencës: 4 të plagosur në sallën e operacionit, mes tyre një i mitur

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën
pamje nga aksidenti

TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur mesditën e sotme pranë QTU-së, ku një furgon i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bëri të ditur se katër prej të lënduarve ndodhen në sallën e operacionit, ndërsa mes tyre është edhe një i mitur, gjendja shëndetësore e të cilit paraqitet e rëndë.

Brataj njofton se  në spital po marrin trajtim mjekësor rreth 14 persona të lënduar, ndërsa ekipet mjekësore vijojnë të ndjekin nga afër gjendjen e tyre shëndetësore. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë shoferi i autobusit.

4 ORE ME PARE

Aksidenti tragjik ne autistraden Tiranë-Durrës, ndërpritet seanca plenare me kërkesë të Taulant Ballës

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën
Taulant Balla

TIRANË-Menjëherë pas marrjes së informacionit për aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, me kërkesë të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë u ndërpre për pesë minuta.

“Të gjithë jemi informuar për një aksident të rëndë të ndodhur në autostradë, dhe në raportime flitet për jetë të humbura. Kështu që do ishte mirë ta ndërprisnim 5 minuta seancën, edhe për të marrë më shumë informacion. Besoj që edhe zoti Leskaj dhe të tjetër janë dakord, që të marrim më shumë informacion”, kërkoi Balla.

 

4 ORE ME PARE

Aksident tragjik: Autobusi i linjës së Beratit përmbyset në aksin Durrës-Tiranë, dy viktima

Autobusi përmbyset në aksin Durrës-Tiranë! Humb jetën
pamje nga vendngjarja

TIRANË- Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar sot në autostradën Tiranë–Durrës, ku një autobus i linjës së Beratit është përmbysur anës rrugës, pranë QTU-së.

Sipas raportimeve, si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona dhe disa pasagjerë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Burime bëjnë me dije se të paktën 7 pasagjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë dërguar me urgjencë te Spitali i Traumës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës për të ndërhyrë dhe për të verifikuar situatën. Rrethanat e aksidentit nuk janë bërë ende të qarta, por paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe për pasojë furgoni është përplasur dhe ka përfunduar jashtë rruge.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa hetimet janë në vijim./ZËRI

Poll

MOS HUMB