Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Kuvendit, Rama: Shqipëria ka sistem mbrojtës spektakolar, por s'kemi...
TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli edhe për sulmin kibernetik ndaj Kuvendit pak ditë më parë. Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka një kapacitet të mbrojtjes ndër më të mirët në Europë, por shtoi se Kuvendi nuk i përfshirë në këtë sistem. Madje, Rama shtoi se në këtë sistem ka ende shumë institucione nuk janë përfshirë, ndër to edhe Kuvendi, pasi kjo kërkon financim.
Rama theksoi se Shqipëria sulmohet çdo ditë, por falë mbrojtjes 'spektakolare', Irani nuk ka pasur sukses.
"Ne kemi një kapacitet të mbrojtjes kibernetike, ndër më të mirët në Europë. Por, problemi ynë se nuk i kemi përfshirë të gjithë në sistemin e mbrojtjes. Dhe fatkeqësisht, Kuvendi nuk është i përfshirë aty. Ne sulmohemi nga Irani çdo ditë, jo vetëm një herë. Këto janë të dhëna sensitive. Po të shikoni bilancin e sulmeve çdo ditë, është i jashtëzakonshëm, por nuk ka pasur sukses. Institucionet e tjera do të futen së shpejti në këtë sistem, por kjo kërkon financim. Mbrojtja kibernetike është spektakolare, kemi një sistemet më të avancuara të mbrojtjes.", tha Rama./ZËRI
Presion nga krimi i organizuar? Rama: Ata që merren me trafiqe nuk e duan një Port të ri të një sigurie të lartë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti për Porto Romanon është anuluar për shkak tërheqjes së kompanisë, duke shtuar se nuk kishte të bënte me presion nga SHBA dhe BE, por nga faktorë të tjerë. I pyetur nga gazetarët në konferencën për mediat se, cilët janë ato faktorë, dhe nëse kemi të bëjmë me krim të organizuar, Rama refuzoi të jepte detaje. Por, ai deklaroi se Portin në Porto Romano nuk e duan ata që kanë interesat e trafiqeve.
"E thashë dy herë që tërheqja e kompanisë është argumentuar me krizën, por ne nuk kemi të dhënë që ketu mund të ketë pasur ndonjë presion. Ne jemi të sigurt që ka interesa që nuk e duan portin e ri. Kjo është luftë e brendshme interesash. Ata që kanë interesat e trafiqeve nuk e duan.", deklaroi Rama.
Rritja e çmimit të naftës, Rama: Do ndërhyjë shteti që të lehtësojë barrën e qytetarëve!
TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli për një nga çështjet më të rëndësishme të ditëve të fundit, që ka ngritur edhe shqetësimin e qytetarëve, rritja e çmimi të naftës. Në konferencën për mediat, Rama u shpreh se kriza e çmimit ka ardhur si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, teksa deklaroi se shteti do të ndërhyje në tregun e naftës.
Rama shtoi se në proces është edhe ligji për rezervat që ka përcaktuar rezerva deri në 3 muaj. Por, me situatën aktuale, sipas kreut të ekzekutivit, kjo nuk mjafton si masë sigurie.
“Kriza po shfaqet në të gjithë botën, edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Një nga objektivat tonë është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktor shtetëror, për të krijuar kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikur e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore. Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë. Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do japim shembullin sesi edhe në tregun e naftës, situata do të ndryshojë. Sot, ne kemi edhe në proces ligjin e rezervave. Kur kam folur për rezervat e naftës, para vitit 2020, u hodhën tenxhere përpjetë. Sot, kjo është imperative. Sot e kemi përcaktuar që rezervat duhet të shkojnë në 3 muaj, kjo nuk mjafton më si masë sigurie”, theksoi Rama. /ZËRI
Rama: Do shpallim Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit
TIRANË-Kryeministri Edi Rama nga konferenca për shtyp njoftoi se javën e ardhshme Shqipëria do të votojë një rezolutë që Republika Islamike e Iranit të shpallet shtet sponsor të terrorizmit.
Edi Rama: Javën që vjen, parlamenti do të votojë rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, ajo republikë nuk ka lidhje me islamin, sipas asaj që unë di dhe unë çmoj te islami, shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë, do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare dhe Hezbollahu. Kjo është e vërteta. Në këto hapa nuk jemi pionerët, sepse ka pasur edhe më parë aleatë që e kanë hedhur. Është koha ta bëjmë edhe ne këtë gjë.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se duke u nisur nga rritja e çmimit të naftës si pasojë e luftës në Iran, po mendohet për krijimin e një faktori shtetëror në tregun e naftës.
Përplasja me gazetaren, Rama ndërpret konferencën
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka ndërprerë konferencën për mediat, pas një debati me gazetaren Ambrozia Meta. Rama deklaroi se konferenca do të ndërpritet për 5 minuta pushim. Përplasja ndodhi pas një pyetjeje lidhur me atë që u cilësua si përdorim i standardeve të dyfishta në raport me ndëshkimet penale për qytetarët dhe rastin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Rama kundërshtoi pretendimin se ka deklaruar ndonjëherë burg për qytetarët që nuk paguajnë energjinë elektrike, duke theksuar se ndëshkimi penal lidhet vetëm me vjedhjen e energjisë dhe jo me mospagesën e faturave. Në këto kushte kreu i qeverisë i kërkoi gazetares të mos e kthente konferencën në debat politik, por të vijojë me pyetje dhe përgjigje.
Anulimi i tenderit për Porto Romano, Rama: S'ka kërcënime nga SHBA-BE, faktorë të tjerë s'duan që të kemi sukses
TIRANË- Kryeministri Edi Rama komentoi anulimin e tenderit për portin e ri të Porto Romanos. Në konferencën për mediat nga Kryeministria, Rama deklaroi se tërheqja e ofruesit të tenderit në momentin e fundit ishte një koincidencë e pashmangshme.
Sipas kreut të qeverisë, procesi është zhvilluar nën një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë që, sipas tij, nuk janë të interesuar për realizimin e projektit. Megjithatë, Rama thekson se nuk ka të dhëna që kompania të jetë tërhequr si pasojë e presionit nga SHBA apo BE.
“Për sa i përket projektit të Porto Romanos për fat të keq ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme, që në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat është tërhequr, duke iu referuar situatës së krizës dhe natyrisht duke qenë se oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin e studimin që është bërë dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa nga proceduar e hapur nga qeveria shqiptare. Nuk kemi të dhëna që kompania të ketë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar në një presion, por jo nga SHBA dhe as nga BE.
Por ka pasur një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë të pa interesuar që ai port të jetë një histori suksesi. Kini parasysh që nga A-ja, që disa thonë që se për çfarë duhet një port i ri dhe e lidhnin, idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është që përtej injorancës, që në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte përpara projekti i portit të ri.
Për një arsye, porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike dhe logjistike e Korridorit VIII, edhe sikur ta marrësh e ta zbukurosh është i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike. Një nyje portuale në mes të qytetit, nuk ekziston. Kapacitete janë krejt të papërshtatshme. Porti i ri, është një port që e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër, sepse është një nyje e lidhur me një port tjetër strategjik që porti i thatë i Prishtinës dhe porti i thatë i Shkupit”, tha Rama.
/ZËRI
Çështja Balluku! Rama pranon përplasjen me ndërkombëtarët: Kemi pasur debate, por s'lejoj njeri të më shohë nga lart
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat lidhur me votimin e Kuvendit, i cili rrëzoi me 82 vota kundër të socialistëve e të PSD dhe 47 votat pro të opozitës, kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Në fillim të fjalës së tij Rama ritheksoi se nuk ka të bëjë me një çështje korrupsioni dhe SPAK nuk përmbushte kushtet për kërkesën referuar Kuvendit. Kreu i qeverisë komentoi deklaratat e ndërkombëtarëve lidhur me çështjen Balluku, ku pohoi se ka patur debate me partnerët e huaj dhe deklaratat e një dite më parë ishin të qarta, por mënyra se si janë lexuar është e ndryshme. Gjithashtu Rama nënvizoi se ‘ëndrra europiane nuk ka mbaruar’, dhe se sipas tij qëllimi ka qenë që të deformohet suksesi i Shqipërisë.
Kujtojmë se Ambasadat shprehën mbështetje lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por theksuan njëzëri se prioritet drejt Europës është lufta kundër korrupsionit përfshirë edhe në nivelet më të larta. Komisioni Europian nga ana tjetër ka kërkuar angazhim dhe garantimin e kushteve që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të kryejë punën e saj në mënyrë efektive dhe sa më shpejt. Edhe Bashkimi Europian në të njëjtë linjë duke mbajtur shënim edhe votimin në Kuvendin shqiptar, thekson se lufta kundër korrupsionit ka një rëndësi thelbësore për procesin e anëtarësimit.
Edi Rama: Nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Sepse vetë SPAK nuk ka ngritur akuzë për korrupsion. Jemi përballë një çështjeje në hetim, që mund të hetohet lirisht pa asnjë pengesë. E përsëris dhe atë që thash para grupit parlamentar, e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe hetojë të gjitha pistat ku të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ‘ferra e korrupsionit’. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni. Është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret. Sikundër, e dini shumica e dinë, pakica bëjnë sikur se dinë. Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve. Një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shoh partnerët në sy dhe të më shohin në sy, në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shoh njeri nga lart poshtë dhe as të lejojë njeri të më shoh nga lart poshtë. Përtej karikaturave që janë ndërtuar në pazarin mediatiak, diskutimet tona kanë qenë të hapura, jo me tensione dhe presione, apo kërcënime. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Besoj se edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi si nga përfaqësia e BE, janë të qarta. Por varet se si i lexoni.
Rama deklaroi se inkurajon SPAK për të hetuar Belinda Ballukun deri në gjetjen e një prove që e implikon atë me korrupsionin. Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se deputetja ka intimiduar dëshmitarë dhe mund të përbëjë rrezik për provat në hetim. Ish-zv.kryeministrja është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, dhe hetimi ndaj saj do të vijojë në gjendje të lirë dhe vetëm me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit./ZËRI