Përse nuk e kandidoi Vetëvendosja Osmanin për presidente? Përgjigjet Kurti: As ajo e as...
KOSOVË- Presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk është mbështetur për një mandat të dytë. Kreu i LVV-së dhe njëherësh kryeministri, Albin Kurti, shprehu bindjen se Osmani nuk do të siguronte kuorum, teksa u pyet nga gazetarët se përse Vetëvendosja nuk kandidoi Vjosa Osmanin për presidente.
Në konferencën për shtyp këtë të premte, Kurti sqaroi se ku po afrohej afati propozuan emrin e Konjufcës, duke theksuar bindjen se megjithatë, asnjë kandidat nuk do garantonte kuorum.
“Ne jemi përpjekur të gjejmë figurën konsensuale dhe shtegun për propozime partiake e nisi partia kryesore opozitare, PDK, ne nuk ishim për atë. Kur thanë se do të bëhen veç propozime të partive dhe afrohet afati kur ne duhet të jepnim së paku një propozim, ne erdhëm te emri i Glauk Konjufcës. Tash, ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, e as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin, kjo u pa mbrëmë me 66 deputetë dhe në këtë situatë kemi bashkëpunuar me parti të tjera. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar dhe në fund erdhëm në situatën që nuk ishte kandidate as presidentja aktuale. Ne jemi takuar qindra herë me presidenten gjatë këtyre më shumë se pesë viteve. Kemi pasë diskutime të panumërta. Tash ne ruajmë transparencën e proceseve, por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedave. Shumë biseda kemi bërë. Ajo është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër dhe nuk është koha tash të bëj diskutime publike, politike me presidenten e vendit. Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, ajo do të kthehet në politikë, ajo do të ishte një situatë tjetër”, tha Kurti.
Kurti "përplaset" me Osmanin: S' flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese (VIDEO)
KOSOVË- Kryetari i Vetëvendosjes dhe njëkohësisht Kryeministri, Albin Kurti ka dalë në një konferencë për media, pas zhvillimeve të fundit politike. Lidhur me ngërçin kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Kurti tha se nuk e pranon dekretin e Presidentes Osmani, duke thënë se pret Gjykatën Kushtetuese.
Kurti u shpreh se Kuvendi nuk duhej të shpërndahej tani, duke theksuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani është jokushtetues. Sipas Kurtit, procesi nuk ka mbërritur në rundin e tretë, që do të çonte në zgjedhje automatikisht.
"Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohet kuorumi. Duhet të ketë dështim të raundit të tretë që të shpërndahet Kuvendi. Mungesa e kuorumit mund të krijojë një bllokim procedural. Për ta shmangur Kushtetuta parashikon mekanizmin që vendos kufirin maksimal brenda 60 ditëve nga fillmi i procedurës. Nëse nuk zgjidhet presdienti brenda këtij afati, atëherë krijohet baza kushtetuee për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.
Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje pa e thënë fjalën e fundit Kushtetuesja. Ata kanë një materie që duhet ta analizojnë”, tha Kurti.
Sipas tij zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje. Për më tepër, ai thekson se zgjedhjet do të kushtonin 10 milionë euro. Ai shtoi se do të presin vendimin e Kushtetueses, në mënyrë që brenda 60 ditëve, të përmbyllet procesi sipas afatit.
“Nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re përkundrazi do vazhdojë të ketë agoni legjislative që është e panevojshme dhe së paku zgjedhjet do të kushtojnë 10 milionë euro”, tha Kurti.
Më herët gjatë ditës, Kurti nuk mori pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ku pritej të diskutohej caktimi i datës së zgjedhjeve të reja. Ky takim erdhi pasi presidentja kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës./ZËRI
Veton Surroi: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit, një veprim i nxituar
Nga Veton Surroi
1.
Kosova mund të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Nëse kjo mundësi është e madhe, e vogël apo fare e papërfillshme, kjo është çështje që mund ta përcaktojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Asaj i takon të vendosë nëse Kuvendi i Kosovës është ende në proces kushtetues të zgjedhjes së Presidentit apo nëse afati për këtë proces tashmë ka përfunduar.
2.
Përderisa ekziston kjo paqartësi juridike dhe përderisa gjykimin përfundimtar e ka vetëm Gjykata Kushtetuese vendi nuk ka nevojë për vendime impulsive. Më 5 mars në mbrëmje Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë urgjente për të diskutuar ndryshime kushtetuese, pas procedimit të papritur dhe urgjent që Presidentja e vendit ia bëri Kryetares së Kuvendit. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë më shumë kohezion shoqëror dhe konsensus politik se çdo vendim tjetër që merr Kuvendi, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit. Trajtimi me urgjencë i amendamenteve kushtetuese, të dakorduara para njëmbëdhjetë vjetësh, tregoi mungesë serioziteti për një çështje të një rëndësie të veçantë.
3.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit mbetet një veprim i nxituar përderisa ekziston një çështje pranë Gjykatës Kushtetuese që mund të përcaktojë nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit është ende brenda afatit kushtetues. Në situata të tilla, prudenca institucionale do të kërkonte që të pritej sqarimi juridik.
4.
Gjykata Kushtetuese nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës për të dhënë një qëndrim paraprak mbi kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë për pranueshmërinë e saj apo për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme. Megjithatë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mund të kishte pritur së paku përfundimin e orarit të punës së Gjykatës. Në këtë mënyrë, vendimi mori pamjen e një akti të nxituar.
5.
Kurdo që të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë lëndë apo për ndonjë çështje tjetër që mund të shtrohet rreth kësaj materieje, vendi do të ketë qartësinë juridike të nevojshme. Nëse Gjykata konstaton se ende ekziston hapësirë kushtetuese për të mos shkuar në zgjedhje, atëherë përgjegjësia bie mbi partitë politike që të krijojnë kohezionin dhe konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit që do të përcaktojë Gjykata. Në të kundërtën, duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme.
6.
Cilido që të jetë përfundimi juridik i kësaj çështjeje, Presidentja e vendit dhe partitë politike do të ndihmonin situatën duke shmangur një fjalor që thellon më tej polarizimet politike dhe shoqërore.
Shpërndau parlamentin/ Osmani takon krerët e partive për datën e zgjedhjeve! Kurti nuk shkon
KOSOVË- Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë mëngjesin e sotëm Kuvendin, duke bërë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Menjëherë më pas, në orën 13:00, ka nisur konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në takimin ku mungoi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Osmani priti kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ndërkohë që më herët, kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci njoftoi se do ta çojnë në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas tyre, shpërndarja e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin.
Mëngjesin e sotëm presidentja Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi të zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars, i cili ishte afati i fundit për ta bërë këtë. Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë./ZËRI
Kosova shkon sërish në zgjedhje! Presidentja Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin
KOSOVË-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. Sipas saj përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura.
Vjosa Osmani: Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq.
Presidentja shprehet se bëhet fjalë për një çështje të qartë kushtetuese dhe jo për debat politik, pasi afati i paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit ka skaduar. Osmani tha se u detyrua ta marrë këtë vendim si pasojë e dështimit të Kuvendit për ta kryer detyrën e vet.
“Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të afatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjedhë presidentin e ri dhe ky afat ka përfunduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi pra të bëjmë me një debat politik, por me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet themelore kushtetuese”, tha Osmani.
Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend. Dy kandidatë ishin të propozuar për president, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe Fatmire Kollçaku, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje. Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit. Për ta filluar votimin për president, sipas ligjit, duhej të ishin të paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë, por të pranishëm ishin vetëm 66.
Osmani përsëriti disa herë se është detyruar ta shpërndajë Parlamentin sepse këtë ia dikton Kushtetuta. Presidentja e Kosovës njoftoi se menjëherë do të thërrasë partitë politike për të nisur diskutimet mbi caktimin e datës së re për zgjedhjet./ZËRI