Iu gjetën në makinë dollarë e tollona karburanti, nisin hetimet për korrupsion zgjedhor ndaj biznesmenit Fiqiri Pali

DIBËR- Pas ngjarjes që ndodhi ditën e djeshme në Maqellarë kanë nisur hetimet për biznesmenin Fiqiri Pali dhe Hasan Malecka. Sipas Policisë, janë referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Mbrëmjen e djeshme, u bllokua makina e Palit nga eksponentë të Partisë Demokratike, pasi dyshohej se po shpërndarnte para në këmbim të votës. Gjatë kontrollit në makinën e tij u gjetën 4500 dollarë dhe tollonga karburanti. Për këtë ngjarje janë marrë nën hetim edhe disa persona të tjerë, përfshirë edhe kandidatin për deputet demokrat Xhemal Gjunkshi.
"Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me ngjarjen e datës 09.05.2025, në Maqellarë, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në ngarkim të shtetasve H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç", njofton Policia./ZËRI
Dyshime për shitblerje votash, Policia nis hetimet për 4 persona, mes tyre edhe kandidati i PD-së Xhemal Gjunkshi

DIBËR- Policia e Dibrës ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së djeshme ka marrë një telefonatë denoncimi nga kandidati për deputet demokrat, Xhemal Gjunkshi duke pretenduar se përfaqësues të Partisë Socialiste po shpërndanin para në këmbim të votave në njësinë administrative Maqellarë. Nisur nga ky denoncim, Policia e ka referuar ngjarjen në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.
Nën hetim janë A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xhemal Gjunkshi, 62 vjeç (kandidati denoncues i PD-së) dhe E.Gj., 33 vjeç./ZËRI
"Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç", njofton Policia e Dibrës./ZËRI
Dyshime për shitblerje votash, agjentët e BKH sekuestrojnë 4500 dollarë dhe tollona nafte në makinën e biznesmenit Fiqiri Pali

DIBËR- Detaje të reja janë zbardhur nga incidenti që ndodhi mbrëmë pranë pranë zyrave elektorale të Partisë Socialiste në Maqellarë, ku u bllokua makina e biznesmenit Fiqiri Palit. Sipas “Balkanweb” agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimir me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ushtruan kontroll në makinën e biznesmenit. Nga kontrollet, atij iu gjetën 4500 dollar, 1 paund dhe tollona nafte. Ndërsa, në makinën tjetër, ku ndodheshin ndër të tjerë edhe pjesëtarë të shtabit politik të Blendi Klosit nuk u gjetën sende të paligjshme.
Prokurori urdhëroi sekuestrimin e celularëve të personave që dyshoheshin për krim zgjedhor. Efektivëve të Policisë u është dashur të presin rreth 2 orë, pasi automjeti ishte parkuar dhe ishte shoferi ai që solli çelësin. Situata u shoqërua me tension, pasi ishin eksponentë të Partisë Demokratike ata që kallëzuan dhe bllokuan makinat e tyre.
Prokuroria është duke hetuar nën dyshimet për krim zgjedhor./ZËRI
Dyshime për shitblerje votash/ Bllokohen brenda makinës së tyre dy persona në Maqellarë, mes tyre biznesmeni Fiqiri Pali

DIBËR- Dy persona u bllokuan mbrëmjen e djeshme brenda dy automjeve të tyre që po qarkullonin, pasi dyshoheshin se po shpërndanin para dhe tollona karburanti në Maqellarë. Ngjarja ka ndodhur pranë zyrave elektorale të Partisë Socialiste në Maqellarë. Sipas pamjeve të mëposhtme, në vendngjarje ka mbërritur Policia, ndërsa ata janë të bllokuar në makinat e tyre.
Një nga personat e bllokuar është edhe biznesmeni Fiqiri (Cil) Pali. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të vona të natës, ndërsa nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për këtë rast./ZËRI