LIVE UPDATES

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për Shqipërinë evropiane! Berisha: Ta përmbysim këtë diktaturë

➤Sot është dita e fundit e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Partia socialiste zgjidhi të mbante takimin përmbyllës tek Parku Olimpik me të ftuar speciale këngëtaren Elvana Gjata, e cila u bëri thirrje shqiptarëve që të votojnë Ramën për një Shqipëri evropiane. ➤Vetë kryeministri Edi Rama mbërriti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. ➤Më pas, të gjithë kandidatët socialistë morën fjalën një nga një. ➤Taulant Balla ishte i pari që përshëndeti dhe falenderoi votuesit në diasporë për pjesëmarrjen e tyre të kënaqshme në zgjedhjet e 11 majit. ➤Më pas në podium u ngjit Ogerta Manastirliu, Erion Braçe, Blendi Gonxhja, Fatmir Xhafaj e të gjithë me radhë që përshëndetën njësitë e tyre dhe kërkuan votën për numrin 5. ➤Kryedemokrati Sali Berisha e mbajti mitingun e tij në Bulevardin e Ri. ➤Prezent ishte edhe Chris LaCivita, i cili që në mbërritje nisi tu bënte video demokratëve që kishin mbushur sheshin. ➤Reperi Arkimed Lushaj i njohur gjerësisht si Stresi kishte përgatuar një këngë surprizë për këtë ditë, të cilën tha se ua ka dedikuar ‘njishave’, referuar qytetarëve që mbështesin selinë blu, që ka numrin “1” në fletën e votimit. ➤Por, reperi nuk harroi të jepte dhe një mesazh për kolegun e njëkohësisht mikun e tij, Rigels Rajkun, të njohur si Noizy, të cilit i tha se është në partinë e gabuar. Dje ishte afati i fundit për të gjithë emigrantët shqiptarë të regjistruar për të votuar që të merrnin pakon me zarfin e votimit. 18 mijë zgjedhës jashtë vendit, ndonëse u regjistruan nuk e kanë marrë zarfin me fletën e votimit dhe kështu vota e tyre digjet. ➤Vetëm 3 ditë kanë mbetur që votat të kthehen në Shqipëri, pasi çdo votë që futet në territorin shqiptar pas orës 19:00 të 11 majit, do të quhet e pavlefshme. ➤Ndërkohë zyrat e shpërndarjes së kartave të identitetit do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, datë 10 maj 2025, si pasojë e afateve të skaduara dhe nevojës për t’u pajisur me dokument të vlefshëm për të votuar ditën e dielë më 11 maj. ➤ Prokuroria e Përgjitshme bën me dije se deri ditën e sotme janë regjistruar 54 kallëzime penale për krime zgjedhore.➤Të shtunën heshtje zgjedhore dhe të dielën shqiptarët do tu drejtohen kutive. 

12 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Berisha: Nesër në pushtet do kemi bashkëpunim të ngushtë me presidentin Trump dhe kancelarin Merz

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Në fjalën e tij, Berisha përmendi të gjithë aleatët ndërkombëtarë dhe I falenderoi për mbështetjen. Berisha u shpreh se PD në qeveri do vendosë bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë e kancelarit Merz për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit, funksionimin e ekonomisë së tregut, për shndërrimin e Shqipërisë në një eksportues të mirash materiale, mallrash Made in Albania në Gjermani dhe Europë. Ai gjithashtu u shpreh se PD në pushtet do të vendosë marrëdhëniet më miqësore, bashkëpunimin më të ngushtë me administratën e presidentit Donald Trump në të gjitha fushat.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj. Përshëndetjet e mia më të përzemërta ju që keni mbushur këtë bulevard, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, vëllezërve dhe motrave tona në diasporë kudo që ndodhen donte, mirënjohjen më të pakufishme. Të dashur miq të nderuar dhe të çmuar tanë, të pranishëm në këtë mbyllje madhështore të fushatës tonë. Në emër tuaj, unë do i përcjell përshëndetjet më të përzemërta deputetit të Bundestagut gjerman, mikut të ditëve më të vështira të PD, opozitës shqiptare, Peter Beyer, i cili vjen sot këtu për të mbështetur fitoren e opozitës shqiptare dhe PD-në. I nderuar zoti Beyer, mbetemi përjetë mirënjohës ndaj mbështetjes tuaj, por unë shfrytëzoj rastin tim nga kjo tribunë t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta kancelarit Friedrich Merz, të cilin pata rastin ta përshëndes në Valencia, dhe ta siguroj se për PD-në dhe opozitën shqiptare, fitorja e CDU-së, zgjedhja e kancelarit Merz në krye të ekzekutivit gjerman, në udhëheqje të Gjermanisë dhe Europës, konsiderohet një fat i madh, një vendim historik për Gjermaninë dhe Europën.

Siguroj se PD në qeveri do vendosë bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë e kancelarit Merz për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit, funksionimin e ekonomisë së tregut, për shndërrimin e Shqipërisë në një eksportues të mirash materiale, mallrash Made in Albania në Gjermani dhe Europë, dhe jo krim e refugjatë, siç është sot. I dashur Lord Jackson, jemi jashtëzakonisht të nderuar me praninë tuaj këtu. Ardhja juaj në mbështetje të opozitës shqiptare dhe PD, është një ndihmë e çmuar, por është gjithashtu i një tradite të kahershme të bashkëpunimit të shkëlqyer të PD që në themelimin e saj dhe Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe. U siguroj se PD në pushtet do të konsolidojë gjithnjë e më shumë lidhjet dhe bashkëpunimin me Partinë Konservatore dhe vendin tuaj mik. I dashur zoti Chris LaCivita, arkitekt i rikthimit më të madh në historinë e njerëzimit me votën e lirë, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mirënjohjen më të pakufishme ju për vendimin që morët të angazhoheni me të gjithë potencialin tuaj për rikthimin e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Emri juaj, ekspertiza juaj, u shndërrua me shpejtësi në eliksirin e kësaj fushate, në shpirtin e fitores së saj. Ditën e parë, me konferencën e parë të shtypit, e shkallmove Edi Ramën duke i rënë tavolinës me grushta. Do garantoj se nesër në mëngjes do i bjerë me kokë tavolinës. Por i meriton të gjitha, ne jemi mirënjohës pafundësisht për vendimin që more për të na ndihmuar në një moment kritik për opozitën dhe Shqipërinë. Dhe u garantojmë se PD në pushtet do të vendosë marrëdhëniet më miqësore, bashkëpunimin më të ngushtë me administratën e presidentit Donald Trump në të gjitha fushat.

1 MUAJ ME PARE

Chris LaCivita: Gjithë bota i ka sytë nga këto zgjedhje. Vendosni besimin tek mjeku që do të shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Chris LaCivita

TIRANË- Chris LaCivita, udhëheqësi i fushatës së Partisë Demokratike u ka bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë numri “1” në fletën e votimit. I pranishëm në takimin përmbyllës të kësaj fushate elektorale, LaCuvita tha se e gjithë bota i ka sytë tek këto zgjedhje. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të vendosin e besimin e tyre tek një mjek që do të shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë.

Pjesë nga fjala e Chris LaCivita:

Uau! Jam gjithmonë i impresionuar nga përmasa e turmave. Faleminderit, Shqipëri! Faleminderit për mirësinë tuaj, mbështetjen tuaj dhe për dhënien e shpresave dhe ëndrrave tuaja për një të ardhme më të mirë. Shqipëria, siç e dëgjuam më herët, ndodhet në një udhëkryq, jo vetëm për ëndrrat tuaja dhe të familjes suaj, por edhe për pozicionin e këtij vendi në skenën ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të përballojë një mandat tjetër të Edi Ramës. Korrupsioni, gjendja e dështuar ekonomike që ka shkatërruar familjet, mungesa e mundësive të qëndrueshme të punësimit, të gjitha gjërat që përcaktojnë lumturinë tuaj, Edi Rama ua ka marrë. Por ju keni një mundësi historike, një mundësi për t’i treguar botës se populli shqiptar i refuzon politikat e së shkuarës, se nuk do të intimidoheni dhe se nuk do të ndaloni së luftuari për familjet tuaja. Por kjo ndodh vetëm nëse ju dilni dhe votoni. Merrni me vete miqtë, familjen, fqinjët dhe largoni Edi Ramën nga pushteti. Në një Shqipëri të re me Doktor Berishën, keni një njeri që ka shpëtuar jetë. Pse të mos ia besoni të ardhmen e Shqipërisë një mjeku? Një doktor që ka shpëtuar jetë, pse të mos ia besoni të ardhmen e vendit? Një plan i vërtetë. Një plan i vërtetë për të rregulluar ekonominë dhe për t’i dhënë fund korrupsionit. Dhe një plan i vërtetë që do ta bëjë jetën tuaj më të mirë. Unë vij sot këtu tek ju si një amerikan që sheh një të ardhme të ndritur për një vend të madh dhe për një popull të madh. E gjithë bota po e ndjek këtë zgjedhje. Votoni për të ardhmen tuaj, ajo varet prej saj. Faleminderit, Shqipëri, dhe Zoti e bekoftë vendin tuaj. Fitore, fitore, fitore!

1 MUAJ ME PARE

Stresi vjen me këngë surprizë për mbylljen e fushatës, mesazh Noizyt: Je në partinë e gabuar vëllai im!

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Stresi

TIRANË- Reperi Arkimed Lushaj i njohur gjerësisht si Stresi ka qenë prezent në mitingun përmbyllës të fushatës së kryedemokratit Sali Berisha. Stresi kishte përgatuar një këngë surprizë për këtë ditë, të cilën tha se ua ka dedikuar ‘njishave’, referuar qytetarëve që mbështesin selinë blu, që ka numrin “1” në fletën e votimit. Por, reperi nuk harroi të jepte dhe një mesazh për kolegun e njëkohësisht mikun e tij, Rigels Rajkun, të njohur si Noizy.

“Edhe i thashë Noizyt, je në partinë e gabuar vëllai im,”- tha Stresi dhe më pas nisi të këndonte.

1 MUAJ ME PARE

Berisha mbërrin në takimin përmbyllës! LaCivita bën video

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Kryedemokrati Sali Berisha dhe Chris LaCivita

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka mbërritur në takimin përmbyllës të fushatës elektorale. Ai shihet teksa takohet me udhëheqësin e fushatës së selisë blu, Chris LaCivita. Vetë amerikani nis të filmojë turmën që janë mbledhur për mbështetjen e Berishës.

Sot është dita e mbylljes së fushatës elektorale. Edhe Partia Socialiste ka organizuar një miting në Parkun Olimpik.

 

1 MUAJ ME PARE

Çastet e fundit! Rama mbërrin me bashkëshorten në takimin përmbyllës, Berisha me vonesë

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Edi dhe Linda Rama

TIRANË- Jemi afër fundit të fushatës elektorale. Dy liderët e partive më të mëdha në vend kanë organizuar takimet përmbyllëse. Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në takim i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Partia Socialiste

Ai është parë të përshëndetet me turmën parpara se të ngjitet në podium.Ndërsa nga kryedemokrati Sali Berisha nuk ka asnjë zhvillim. Gjithcka është gati por vetë kreu i PD-së nuk ka mbërritur ende.

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Partia Demokratike
1 MUAJ ME PARE

Qeveria merr vendimin 2 ditë përpara zgjedhjeve, fal gjobat e 10 viteve të fundit

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Qeveria shqiptare ka miratuar dy ditë përpara zgjedhjeve një vendim që fal një sërë gjobash dhe masash administrative të vendosura ndër vite ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Bëhet fjalë për gjoba të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga:
a) inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
b) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
c) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ç) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
d) Policia e Shtetit;
dh) Policia Bashkiake.

Të gjitha këto institucione janë të detyruara të hartojnë dhe të dërgojnë brenda 30 ditëve listat e gjobave të paekzekutuara përkatëse pranë drejtorive të taksave, me qëllim heqjen e tyre nga sistemi. Gjobat që do të falen përfshijnë edhe masat administrative të vendosura ndaj qytetarëve për shkelje të masave kufizuese gjatë pandemisë së COVID-19, si dhe gjoba të dhëna për ndërtime apo ndërhyrje pa leje për qëllime banimi apo bujqësie në zonat rurale. Po ashtu përfitojnë nga falja edhe subjektet që ushtrojnë aktivitet bujqësor apo blegtoral në këto zona.

VENDOSI:

I. TË PËRGJITHSHME

1. Përcaktimin e procedurave që ndiqen për realizimin e procesit të shfuqizimit të masave administrative të paekzekutuara, sipas përcaktimeve të ligjit nr.127/2024, nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (në vijim IKMT), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (në vijim AKU), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.

2. Procedurat e këtij vendimi, në kuptim të ligjit nr.127/2024, zbatohen për realizimin dhe përfundimin e procesit të shfuqizimit dhe heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga:

a) inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
b) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
c) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ç) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
d) Policia e Shtetit;
dh) Policia Bashkiake.

3. Procesi i heqjes/fshirjes së masave administrative, të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, dhe të paekzekutuara, sipas këtij vendimi, zbatohet vetëm për masat që janë vendosur ndaj individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë, të cilët:

a) kanë bërë ndërtime dhe/ose ndërhyrje pa leje apo njoftim paraprak, në:

i. ndërtime për qëllime banimi;
ii. objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale;
iii. objekte që shërbejnë për mbajtjen e mjeteve të punës e input-eve bujqësore dhe blegtorale.

b) kanë objekt të aktivitetit të tyre prodhimin, përpunimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale;
c) nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.

4. Procedurat e heqjes/fshirjes së masave administrative, të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, dhe të paekzekutuara, ndiqen dhe zbatohen nga organet që kanë vendosur këto masa, përkatësisht, për:

a) subjektet në shkelje, sipas përcaktimeve në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, nga:

i. inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
ii. Policia Bashkiake;
iii. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

b) subjektet në kushtet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, nga:

i. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ii. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

c) subjektet në shkelje, sipas përcaktimeve në shkronjën “c”, të pikës 3, të këtij vendimi, nga Policia e Shtetit.

II. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA INSPEKTORATET VENDORE TË MBROJTJES SË TERRITORIT DHE POLICIA BASHKIAKE 

1. Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit dhe policia bashkiake e çdo njësie të vetëqeverisjes vendore, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listën e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë ndaj të cilëve nga ky organ është vendosur, përkatësisht, masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar dhe që është shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.

2. Një kopje e listës së hartuar sipas pikës 1, të këtij kreu, nënshkruar nga titullari i organit procedues, i përcillet menjëherë drejtorisë përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore, përgjegjëse për taksat dhe tarifat vendore, për kryerjen e procedurave për heqjen/fshirjen nga sistemi të masave administrative, të shfuqizuara.

3. Drejtoria përkatëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore për taksat dhe tarifat vendore, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga administrimi i listës, kryen heqjen/fshirjen nga sistemi të masës administrative, sipas listës së përcjellë për secilin individ dhe/ose person fizik apo juridik.

4. Drejtoria përkatëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, pas përfundimit të heqjes/fshirjes nga sistemi, njofton, sipas listës së përcjellë, Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë Bashkiake për fshirjen e detyrimit në sistem.

5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, pas përfundimit të afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij kreu, paraqet kërkesë, përkatësisht, pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit ose Policisë Bashkiake për heqjen/fshirjen e masës.

6. Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit ose Policia Bashkiake përkatëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të të dhënave pranë drejtorisë përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore për taksat dhe tarifat vendore për heqjen/fshirjen e detyrimit nga sistemi. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit ose Policia Bashkiake njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative, subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

III. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA INSPEKTORATI KOMBËTAR I MBROJTJES SË TERRITORIT (IKMT) 

1. Strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe rajonal, në përbërje të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), sipas ndarjes së tyre të përgjegjësive, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve nga struktura përkatëse është vendosur masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar, plotësisht ose pjesërisht, dhe që është shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, dhe ia përcjellin për miratim Kryeinspektorit.

2. Lista e përgatitur sipas pikës 1, të këtij kreu, konsiderohet përfundimtare, kur për çdo subjekt kundërvajtës dhe për masën administrative përkatëse, të evidentuar për çdo subjekt, aktet administrative të mbajtura nga strukturat inspektuese të IKMT-së, përfshirë procesverbalet e konstatimit të kundërvajtjes (në vijim PVKK), relacionet shpjeguese bashkëlidhur tij, si dhe vendimin e masës administrative dhe vendimin e prishjes, kanë të evidentuar qartësisht tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, të cilat, në çdo rast, duhet të pasqyrojnë qartë se përmbushen kushtet për shfuqizimin e masës administrative, sipas kërkesave të nenit 2, të ligjit nr.127/2024.

3. Përjashtimisht nga sa përcaktohet në pikën 2, të këtij kreu, për rastet e masave administrative të paekzekutuara, plotësisht apo pjesërisht, për të cilat aktet administrative të mbajtura nga strukturat inspektuese të IKMT-së, siç janë PVKK-të, relacionet shpjeguese bashkëlidhur tij, si dhe vendimi i masës administrative dhe vendimi i prishjes, nuk kanë të evidentuar qartësisht tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, e cila në çdo rast duhet të jetë sipas përcaktimit të nenit 2, të ligjit nr.127/2024, dokumenti shtesë që do të vërtetojë tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak do të jetë akti i ekspertimit të ndërtimit pa leje, i nënshkruar nga 3 (tre) ekspertë të licencuar të fushës. Në mungesë të këtij akti ekspertimi, vlerësimi për tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, për masën administrative që shqyrtohet dhe vërtetimi i përmbushjes së kushteve për shfuqizimin e saj, sipas ligjit nr.127/2024, bëhet nga një komision i posaçëm, i krijuar me urdhër të Kryeinspektorit, që përbëhet nga punonjës të IKMT-së, specialistë të fushës dhe juristë.

4. Vendimet e Kryeinspektorit të nxjerra sipas pikave 1 dhe 3, të këtij kreu, për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, administrohen nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative, si dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura nga IKMT-ja, të cilat përkatësisht bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat, që ato disponojnë.

5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për heqjen/fshirjen e masës.

6. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të vendimit për shfuqizimin e masës administrative Kryeinspektorit. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

IV. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA AUTORITETI KOMBËTAR I USHQIMIT DHE INSPEKTORATI SHTETËROR SHËNDETËSOR 

1. Strukturat përgjegjëse, në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ose të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, sipas ndarjes së përgjegjësive të tyre, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë ndaj të cilëve, nga struktura përkatëse, është vendosur masë administrative, e cila rezulton e  paekzekutuar, plotësisht ose pjesërisht, dhe që është shfuqizuar me              ligjin nr.127/2024.

2. Lista e subjekteve kundërvajtëse shoqërohet me kopjen e vendimeve përfundimtare të vendosjes së masës administrative, relacionin shpjegues për çdo masë të vendosur, si dhe informacionin për fazën, në të cilën ndodhet procesi i ekzekutimit, duke e shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

3. Lista e përgatitur sipas pikave 1 dhe 2 të këtij kreu përcillet për miratim, përkatësisht, në Drejtorinë e Përgjithshme e AKU-së ose te Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Listat përfundimtare miratohen nga titullari institucionit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përcjelljes për miratim.

4. Listat e miratuara nga titullarët e institucioneve, sipas pikës 3, të këtij kreu, për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me   ligjin nr.127/2024, administrohen nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ose Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Strukturat përgjegjëse, përkatësisht, bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat që ato disponojnë.

5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse, në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ose të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, sipas ndarjes së tyre të përgjegjësive për heqjen/fshirjen e masës.

6. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të vendimit për shfuqizimin e masës administrative për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së ose te Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

V. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA POLICIA E SHTETIT

1. Drejtoritë vendore të policisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose të personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve, nga struktura e tyre policore është vendosur masë administrative, të cilat rezultojnë të paekzekutuara, plotësisht ose pjesërisht, dhe që janë shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.

2. Lista e subjekteve kundërvajtëse shoqërohet me kopjen e vendimeve përfundimtare të vendosjes së masës administrative, relacionin shpjegues për çdo masë të vendosur, si dhe informacionin për fazën, në të cilën ndodhet procesi i ekzekutimit për çdo masë.

3. Listat e përgatitura nga drejtoritë vendore të policisë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij kreu, së bashku me dokumentet shoqëruese, përcillen për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pasi verifikon e konstaton plotësimin e kushteve ligjore për shfuqizimin e masave administrative të listuara, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përcjelljes së tyre, për miratim, me vendim të drejtorit të Përgjithshëm ose të autorizuarit prej tij, miraton listat përfundimtare të masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024.

5. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgon në secilën drejtori vendore të policisë listat përfundimtare së bashku me vendimet përkatëse miratuese për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara.

6. Listat përfundimtare dhe vendimet miratuese për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.128/2024, administrohen nga strukturat e drejtorive vendore të policisë, përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative, si dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura nga Policia e Shtetit, të cilat përkatësisht, bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat që ato disponojnë.

7. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse në nivel vendor, për heqjen/fshirjen e masës.

8. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 e në këtë vendim, procedon sipas pikave 3 dhe 4, të këtij vendimi. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Institucionet e përmendura në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, kryejnë njoftimin për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara nëpërmjet njoftimit publik me shpallje, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.

2. Procesi i heqjes/fshirjes nga lista e subjekteve të debitorëve, sipas këtij vendimi, përfundon brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 3, të kreut III, për të cilin afati i përfundimit të procesit është 80 (tetëdhjetë) ditë.

3. Shpenzimet administrative për realizimin e procesit të heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara dhe të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, të kryera sipas këtij vendimi, përballohen nga secili institucion.

4. Ngarkohen inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Policia Bashkiake dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

1 MUAJ ME PARE

Krimet zgjedhore/ Prokuroria: 54 kallëzime nga Shkodra në Vlorë, 2 i janë dërguar SPAK

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Prokuroria e Përgjitshme bën me dije se deri ditën e sotme janë regjistruar 54 kallëzime penale për krime zgjedhore. Sipas prokurorisë, i janë dërguar për kompetencë SPAK 2 kallëzime nga Prokuroria Durrës dhe Lezhë dhe dy procedime penale nga Prokuroria Fier dhe Shkodër. Ndërsa, nga kallëzimet penale të regjistruara, është vendosur mosfillimi për 10 prej tyre.

Kallëzimet janë regjistruar 5 në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 3 në Prokurorinë Durrës, 14 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 5 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.

NJOFTIMI I PROKURORISË SË PËRGJITHSHME:

Informacion i përditësuar mbi numrin e kallëzimeve dhe procedimeve penale të regjistruara në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, deri në datën 09.05.2025, në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, kanë raportuar si me poshtë:

Janë regjistruar gjithësej 54 kallëzime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal.

Burim i njoftimit të veprave penale për kallëzimet e mësipërme kanë qënë, Policia e Shtetit në 27 raste, SPAK në 9 raste, subjekte politike në 7 raste, kryesisht në 9 raste dhe shtetas në 2 raste.

Kallëzimet e mësipërme janë regjistruar 5 në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 3 në Prokurorinë Durrës, 14 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 5 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.

Nga kallëzimet e mësipërme janë regjistruar gjithësej 23 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal.

Procedimet penale janë regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjithesej 5 procedime, 2 procedime për veprën penale të parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a të Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe 1 procedim për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 326/1 dhe 329/1 të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan gjithësej 4 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a, 248, 332/a, 134/1 dhe 287/b të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës gjithësej 1 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, gjithësej 2 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 237/5 dhe 328/a, paragrafi 4 të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 328/b të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 325 dhe 326/a të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuara nga neni 328/a i Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 327 dhe 329 dhe 278 të Kodit Penal.

I janë dërguar për kompetencë SPAK 2 kallëzime nga Prokuroria Durrës dhe Lezhë dhe dy procedime penal nga Prokuroria Fier dhe Shkodër.

Nga kallëzimet penale të regjistruara, është vendosur mosfillimi për 10 prej tyre.

5 nga Prokuroria Tiranë, 2 nga Prokuroria Kukës, 2 nga Prokuroria Dibër dhe 1 nga Prokuroria Sarandë.

Një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria Dibër për veprën penale të parashikuar nga neni 237/5, 328/a, paragrafi 4, është kërkuar dërgimi për gjykim me një person të pandehur, pa masë sigurimi personal dhe një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria Gjirokastër për veprën penale të parashikuar nga neni 326/1 i Kodit Penal, është dërguar në gjykatë me kërkesë për pushim.Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Vota e Diasporës/ 174 mijë shqiptarë kanë dërguar zarfat në KQZ, shpërndarja sipas qarqeve (SHIFRAT)

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Foto ilustruese

TIRANE- 48 orë na ndajnë nga 11 maji, dita që do të vendoset nëse shqiptarët do të zgjedhin rotacionin apo do të rikonfirmojnë Partinë Socialiste në qeverisje për një mandat të katërt. Një zë tejet i rëndësishëm në këtë proces është edhe vota e Diasporës, një proces i cili ka tejkaluar pritshmëritë e publikut. Nga 245 mijë zarfe të dërguara, 227 mijë janë tërhequr nga zgjedhësit ndërkohë që 174 mijë zarfa kanë mbërritur tashmë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Shpërndarja sipas qarqeve vijon me Tiranën që ka edhe numrin më të lartë të votave të Diasporës me 39 mijë vota. Pas Tiranës renditet Fieri me 23. 384 vota, Elbasani me 16 mijë vota dhe Durrësi me 18 mijë të tilla. 

Lista e votave të mbërritura në KQZ nga Diaspora sipas qarqeve: 

Tirane 39,352 16.0%

Fier 23,384 9.5%

Durrës 18,688 7.6%

Elbasan 16,754 6.8%

Vlorë 13,800 5.6%

Korçë 13,074 5.3%

Shkodër 12,717 5.2%

Berat 10,740 4.4%

Lezhë 10,602 4.3%

Dibër 6,918 2.8%

Gjirokastër 5,578 2.3%

Kukës 2,716

Dje ishte edhe afati i fundit i pritjes së votave nga Diaspora. Ndryshe nga vendet e tjera për shkak të problematikave, Greqia ka afat edhe sot të sjellë votat e emigrantëve shqiptarë./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Dosja e SPAK/ Kontrollet te drejtuesi i PSD në Malësinë e Madhe, dalin sms-të: Kam mbledhur karta në Koplik!

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Ardian Hysa dhe Tom Doshi

TIRANE- Një ditë pas aksionit të Prokurorisë së Posaçme në Shkodër dhe në Lezhë ku u shoqëruan dhe u morën në pyetje disa nga drejtuesit e shtabeve të PSD në Malësinë e Madhe, sot janë zbuluar edhe detaje nga ky hetim i nisur nga SPAK dhe i verifikuar me urdhër kontrolle nga Gjykata e Posaçme. Vendimi është firmosur nga gjyqtari Erion Bani, i cili ka urdhëruar kontrollin e banesës, sekuestron e telefonit dhe automjeteve të kreut të PSD në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa. 

Report Tv raporton se kontroll personal dhe banese i është ushtruar edhe një qytetari, Florenc Kalaj i cili ka kërkuar sipas SPAK favore ndaj Ardian Hysës në këmbim të votave të tij dhe familjes. 

SPAK dyshon se Ardian Hysa është përfshirë në shitblerje vote në këmbim të shumave monetare, të cilat merreshin nga përfaqësuesë të tjerë të PSD që punojnë në Shkodër. 

Rasti ëshrë referuar në Prokurori nga dy OPGJ, të cilët gjithashtu janë marrë në pyetje nga SPAK dhe kanë thënë se informacioni i tyre është marrë nga tre burime të ndryshme policore, se kryetari i PSD në Malësinë e Madhe ka qenë duke blerë vota. 

Në mesazhet mes tyre thuhet konkretisht se Floren Kalaj ndihet fajtor që nuk ka siguruar shumë vota, ndërkohë që në një tjetër mesazh një person njofton Ardian Hysën se ka marrë disa karta identiteti. 

Mesazhet: 

Florenc Tonin Kalaj: Perzotin tash se di une jane pak vota e burr si i thone i kam te atyne qe janë njerzve te mi a kupton po une perzotin e kam i fije te veshtire me shku vete prej problemit qe kaт a kupton..".." Po se di neqoftese bahet na i gjo si i thone asaj fales me mujt me mare ate letren..",
Ardian Hysa: “Flasim prej afer..”

Një tjetër komunikim i datës 5 maj 2025, kryetari i PSD Malësi të Madhe merr një mesazh nga një tjetër person që i shkruan "..Aa ja itash ika prej Koplikut se pata ul ata me mar kartat..”. Pra një person që ka mbledhur kartat e qytetarëve për të votuar.

Vendimi i GJKKO:
1. Kontroll personal Ardian Hysa, kontroll biznesit të  Ardian Hysës, një oficinë e riparimit të pjesë mekanike, kontroll automjetit të tij Mercedes Benz

2. Kontroll personal Florenc Tonin Kalajt, lindur në Koplik, kontroll banesës së Florenc Tonin Kalaj.  

3. Kryerja e kontrollit personal dhe banesë për personat e mësipërm bëhet me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale. Kryerja e kontrolli sipas vendimit të GJKKO duhet të kryhet nga Hetuesit pranë SPAK.

Ndërkohë që PSD në një reagim dje për mediat sqaroi se janë akuza të pabazuara pretendimet se anëtarë të PSD janë përfshirë në shitblerje votash ndërsa shigjetoi SPAK se po bëhet "gjueti shtrigash"./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Deputeti i PD, Edmond Spaho publikon videon e qytetarit: Kandidati i PS jep 100 mijë lekë për votën

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Edmond Spaho

POGRADEC- Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka ndarë një denoncimin në rrjetet sociale, ku përmes 2 videove të filmuara nga disa individë të cilët pretendonin se në fshatin Podgorie në Korçë po bliheshin vota për PS dhe kandidatin Arian Jaupllari. 

Në pamjet e publikuara i riu deklaron se kandidati i PS Arjan Jaupllari, u ka premtuar 100 mijë lekë për votën, para të cilat sipas tij ka thënë se do t’ua japë në datën 10.

“Pjesa e dyte e serialit 12 vjeçar “Leke ne këmbim te Votave”. I zoti i shtëpisë implikon kandidatin e PS A.J. Fshati i sheh por SKAPI nuk i kap dot”, shkruan Spaho në diçiturën e videos.

/ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Sot ballafaqimi i fundit! Rama dhe Berisha 'sytë' nga disapora, thirrje emigrantëve të votojnë

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
Edi rama dhe Sali Berisha

TIRANË-Teksa përgatiten për tubimin e fundit elektoral, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama u janë drejtuar me një mesazh emigratëve shqiptarë. Rama me një video në rrjetin social Facebook, ftoj shqiptarët që jetojnë në diasporë që të votojnë, pasi sipas tij kanë fatin që të ushtrojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Rama i cilësoi këto zgjedhje si të rëndësishme, pasi do të përcaktojnë fatin e vendit në vitet e ardhshme. 

Edi Rama: Është dita e fundit e ballafaqimit mes të gjithë palëve përpara gjykimit të popullit Sovran, gjykimit të të gjithëve ju me votën tuaj të dielën, më 11 Maj. Ky është mesazhi i fundit që dua tu përcjell të gjithë motrave e vëllezërve tanë në diasporë ku ende ka zarfe që janë nëpër shtëpia, ku ende ka kohë për tu bërë pjesë e takimit historik të 11 Majit. Për të takuar historinë së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që më 11 Maj, do të përcaktojnë pa asnjë ekuivok rrugën e fatit europian të Shqipërisë. Ju lutem, keni marrë mundimin të regjistroheni, jeni në kushtet kur për herë të parë mund të votoni nga jashtë kufijve, por keni shansin të merrni pjesë në një palë zgjedhje që janë më shumë se sa zgjedhje për partitë, se kush do të qeverisë dhe kush do t qëndrojë në opozitë.

Nga ana tjetër edhe kryedemokrati Sali Berisha në konferencën e mbajtur sot për gazetarët, u ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë shqiptarëve të diasporës, duke i ftuar të marrin pjesë në votimet e 11 majit. Ai e cilësoi këtë datë si përcaktuese për të ardhmen e kombit shqiptar dhe theksoi se pjesëmarrja e emigrantëve në votim do të ishte një shërbim historik për vendin.

Sali Berisha: Së pari një mesazh për diasporën shqiptare, e cila ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale. Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar. Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha. Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit.

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të mbajnë miting përmbyllës në Tiranë në të njëjtën orë. PD do të zhvillojë takimin përmbyllës në Bulevardin e Ri në orën 19:00, ndërsa PS mbyll fushatën pranë Parkut Olimpik./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Prag zgjedhjesh! Policia me plan masash: Mbi 5 mijë efektivë do ruajnë qendrat e votimit

Mbyllet fushata elektorale/ Rama: Më 11 maj votoni për
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Policia e Shtetit ka shpallur planin e detajuar të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë procesit elektoral. Mbi 5 mijë punonjës policie do angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore.

Sipas njoftimit zyrtar, plani operacional përfshin rreth 7,600 efektivëve të Policisë, përkatësisht 6,838 punonjës me uniformë dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe për të hetuar çdo shkelje të mundshme të ligjit zgjedhor.

NJOFTIMI:

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë procesit elektoral, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Policinë e Shtetit”, Kodi Zgjedhor, vendimet dhe udhëzimet e nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Shtetit hartoi një plan të detajuar masash.

Plani i masave konsistoi në disa faza, konkretisht në trajnimin e punonjësve të Policisë, për detyrat që do të kryenin gjatë këtij procesi dhe do të kryejnë deri në përmbyllje të tij, bashkëpunimi me KQZ-në, për detyrimet e Policisë që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, bashkëpunimi me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe me SPAK, bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe mbulimi me shërbime policore, i të gjitha aktiviteteve elektorale dhe objekteve zgjedhore.

Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, u trajnuan 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore.

Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, si rezultat i vlerësimit dhe analizës së çdo informacioni, indicieje, kallëzimi apo deklarimi të çdo qytetari, përfaqësuesi të subjekteve zgjedhore apo kandidati, me qëllim sqarimin e rrethanave, sigurimin e provave dhe vënien e autorëve para drejtësisë, kanë referuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK, 37 raste për krime zgjedhore.

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në aktivitetet përmbyllëse të subjekteve politike.

Polica e Shtetit tashmë ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore, si dhe kryen shërbim në momentin që largohet komisioni i KZAZ-së nga objekti.

Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë.

Lista me 5316 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.

Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara me ruajtjen e objekteve që do shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuar me shërbim.

Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Më datë 11.05.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje. Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ dhe do jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur dhe ashtu siç garantoi rendin dhe sigurinë përgjatë fushatës elektorale, do të përmbushë me sukses edhe detyrimin madhor, atë që përgjatë ditës së votimit çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.

Apelojmë për qytetarët që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre, si dhe të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për mbajtjen në kontroll të plotë të të gjithë territorit të vendit, pikat doganore dhe kontrollet në kufirin jeshil dhe blu, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit, në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit ndërkombëtar “Giro d’Italia”, kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës që të zbatojnë me korrektesë kufizimet e lëvizjes në rrugët e bëra publike dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake, për problematikat dhe nevojat që mund të kenë për të qarkulluar.

Poll

MOS HUMB