QSUT mbyll analizat pas datës 20, ministrja Sala: Problemi do zgjidhet brenda vitit!
TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, ka konfirmuar se në QSUT pas datë 20 të çdo muaji nuk do të mund të kryhen analizat laboratorike për pacientët e shtruar, për shkak të mungesës së fondeve. Sala shtoi se po mblidhen të gjitha të dhënat dhe do të bëhet një vlerësim i detajuar për të adresuar problemin dhe gjetur zgjidhjen.
Pjesë nga konferenca:
Pyetja: Mungesa e analizave për pacientët për shkak të mungesës së fondeve si dhe sa i përket mungesës së barnave a ka një zgjidhje nga Ministria për këtë çështje?
Evis Sala: Besoj keni vënë re se jemi munduar që të mos mungojnë barnat ka pasur mungesa, por gjithmonë e më pak. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi synohet që të mos ketë mungesa. Kemi punuar që t’i adresojmë në kohë reale, për të zgjidhur probleme konkrete. Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë u pyet nga gazetarët edhe për koncesionin e sterilizimit, i cili pas 10 vitesh ka kaluar në pronësi të shtetit. Sala bëri me dije se procesi po mbahet në monitorim dhe deri më tani ka funksionuar shumë mirë.
“Koncesioni i ka kaluar shtetit, ka 3 javë që i ka kaluar. U ngrit kapaciteti dhe po funksionon shumë mirë. Është ngritur shoqëria dhe po bëhet punë shumë e mirë, po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ministrja.
Gjithashtu, Sala njoftoi se brenda vitit 2027 qeveria synon të rimbursojë trajtimin për personat e prekur nga diabeti tipi 1, duke përmirësuar kështu mbështetjen për pacientët kronikë.
Shërbimi i analizave laboratorike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofrohet përmes një kontrate Partneriteti Publik-Privat (PPP) mes spitalit, përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, dhe një koncesionari privat. Kontrata përcakton shërbimin, tarifat dhe tavanet buxhetore mujorë për analizat që do të kryhen. Sipas kontratës, sapo të arrihet një kufi i caktuar i buxhetit, koncesionari nuk ka më detyrim të kryejë analizat rutinë, edhe nëse pacienti ka ende nevojë mjekësore./ZËRI
"Askush mos të mbetet pa ilaçe"! Ministrja Sala: Më shumë transparencë në Komisionin e Çmimit të Barnave
TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Evis Sala, njoftoi sot se Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e Komisionit të Çmimeve të Barnave. Sipas ministres, ngritja e Komisionit përbën një të rëndësishëm që synon të rrisë transparencën dhe të përshpejtojë procedurat në sektorin farmaceutik.
“Me miratimin sot të këshillit të ministrave, për ngritjen dhe mënyrën të komisionit të çmimit të barnave u hodh një hap i rëndësishëm për më shumë transparencë, stabilitet dhe siguri në tregun e barnave në Shqipëri. Ky vendim vjen si një nevojë e hershme për shpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët.”, është shprehur ministrja.
Vendimi sipas ministres parashikon:
-Përcaktim më të qartë të çmimeve përmes një metodologjie të standardizuar,
-Përshpejtim të afateve dhe procedurave për të shmangur mungesat,
-Një dispozitë të veçantë për vitin 2026, për të siguruar që barnat të mos tërhiqen nga tregu,
-Garantimin e qëndrueshmërisë së barnave dhe një treg farmaceutik më të sigurt,
-Sigurimin që çdo pacient në Shqipëri të ketë barna në kohën e duhur dhe me standarde të larta cilësie./ZËRI
“Mblidhet Bordi i Transparencës”, Demo: Sot do të dalë me një vendimmarrje!
TIRANË- Ministri i Shtetit për Pushtetit Vendor, Ervin Demo pas mbledhjes së qeverisë, tha se sot do të mblidhet Bordi i Transparencës. Demo shtoi se po merret informacion për ndryshimin e çmimeve dhe Bordi do të dalë sot me një vendimmarrje. Demo u shpreh se prioritet është garantimi i transparencës në mënyrë që kjo situatë të mos përdoret në kurriz të qytetarëve.
“Sa i përket Bordit, Bordi sot do të mblidhet. Po merret informacioni për ndryshimin e çmimeve. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot. Kuptohet që rritja e çmimit të naftës dhe inflacioni që sjell në produkte, kërkon një kohë të caktuar. E para, të garantojmë transparencën, jo vetëm me produktet bazë, por edhe me produktet si nafta, ose që kanë të bëjnë me energjinë. Në treg nuk mund të përdoret kjo situatë, në kurriz të qytetarëve”, theksoi ai.
Qeveria pritet të caktojë sot anëtarët e Bordit të Transparencës, strukturë e ngritur prej 19 marsit, kur çmimi i naftës kërceu në 217 lekë për litër. Pas kësaj rritjeje qeveria vendosi të rikthejë Bordin e Transparencës, i cili cakton çmimet tavan. Bordi do të vendosë marzhet e fitimit për shoqëritë e tregtimit të karburanteve, në 3 lekë për litër (shumicë) dhe 12 lekë për litër në pakicë, duke synuar më shumë transparencë dhe kontroll.
Detyra e këtij bordi është monitorimi i kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët, vendosjen dhe ruajtjen e çmimeve, monitorimin e subjekteve me qëllim shmangien e rasteve abuzime. Kompanitë kishin afat deri më datë 24 mars që të dorëzonin pranë ministrit përgjegjës për Ekonominë përfaqësuesit e tyre në përbërje të këtij bordi.
Pothuajse një muaj nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë ka pësuar vetëm rritje në vazhdimësi. Pas rritjes së çmimit të karburanteve qeveria ngriti Task-Forcë për kontrollin e tregut të hidrokarbureve me qëllim për të shmangur abuzimin me çmimet. Kërkesa për rishikimin e taksave është bërë dhe nga Konfidustria pasi në një litër naftë rëndojnë 4 taksa: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit./ZËRI
"Paketa e Maleve, prioritet"! Sulmi kibernetik ndaj Postës Shqiptare, Demo dhe institucioni: Shërbimet vijojnë normalisht!
TIRANË- Sot është zhvilluar mbledhja e qeverisë, ku ministrat do të raportojnë për vendimet e marra. Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, bëri me dije se gjatë mbledhjes u diskutua edhe për Paketën e Maleve, duke u ndalur specifikisht te tre bashki: Pukë, Bulqizë dhe Lezhë.
Ministri sqaroi se paketa e maleve, nuk është nisëm për zgjidhjen e pronësisë, ndërsa theksoi kushtet për çdo aplikant. Demo e cilësoi nismën, prioritet të qeverisë për zhvillimin e territorit.
“Paketa e maleve është më e gjerë se lokacioni lokal. Janë vetë bashkitë që vazhdojnë procesin në zonat ku e sheh të arsyeshme, janë ata që ndjekin procedurat. Paketa e maleve nuk është nisëm për zgjidhjen e pronësisë. Është instrument për zhvillimin lokal. Bëhet fjalë që një aplikant duhet të plotësojë dy kushte, duhet ta ketë zotëruar të paktën 10 vite, ose të jetë e tij, i kanë ndarë tokat, por që nuk ka letrat e nevojshme. Bashkia pasi bën verifikimet jep afat 45 ditë. Garancia më e madhe është bashkia, që të garantojë”, tha Demo.
Ministri u pyet edhe në lidhje me sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës teknologjike të institucioneve, më i fundit ndaj Postës Shqiptare.
“Po zhvillohet një analizë e detajuar nga AKSHI, si dhe nga ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet e postës vijojnë normalisht. Do të presim raportin përfundimtar për atë që ka ndodhur në Postën Shqiptare. Bazuar edhe në të dhënat e institucioneve të rendit, Shqipëria ka bërë progres të madh në vitet e fundit”, theksoi ai.
Lidhur me incidentin kibernetik, ka reaguar edhe Posta Shqiptare, e cila bën të ditur se situata është vënë nën kontroll dhe janë marrë masat e menjëhershme. Në reagim, bëhet me dije se sipas vlerësimeve paraprake, nuk janë konstatuar dëmtime të të dhënave apo ndërprerje ndaj shërbimeve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Reagim mbi incidentin kibernetik ndaj Postës Shqiptare:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon opinionin publik se, më datë 25 mars 2026, është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.
Bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK ka ndërrmarë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për:
* analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm;
* identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC);
* analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike;
* izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.
Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.
Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
AKSK do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente mbi zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përmbylljes së analizës.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të AKSK.
Disa ditë pas hakerimit të faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i “Homeland Justice” pretendon se ka sulmuar edhe sistemet e Postës Shqiptare. Përmes një mesazhi të ndarë në “Telegram”, “Homeland Justice” shkruan se disponon të gjitha të dhënat e Postës Shqiptare./ZËRI