Përfundon mbledhja, Kolegjet e Bashkuara tërhiqen pa afat për vendimin
TIRANË- Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë përfunduar mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, ku në fokus ishte çështja e unifikimit të praktikës për masën e sigurisë “arrest në burg”. Pas diskutimeve, trupa gjykuese është tërhequr për vendimmarrje, pa dhënë një afat të saktë se kur do të shpallet vendimi përfundimtar.
Gjatë seancës, përfaqësues të prokurorisë dhe avokatë paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me mënyrën e aplikimit të kësaj mase, duke evidentuar problematikat dhe interpretimet e ndryshme në praktikë.
Që prej mëngjesit të sotëm, Kolegjet e Bashkuara u mblodhën për 4 orë ku shqyrtuan nismën e kryetarit Sokol Sadushi, që kërkon të ndryshohet praktika për masën "arrest me burg". /ZËRI
Mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara, avokati Hasneziri: Masa "arrest me burg" duhet të jetë alternativa e fundit
TIRANË- Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën për 4 orë për shqyrtimin e ndryshimit të praktikës gjyqësore për vendosjen e masës së arrestit në burg. Avokati Luan Hasneziri ka dhënë qëndrimin e tij, i cili ka theksuar se praktika e aplikimit "arrest me burg" duhet të ndryshojë.
Sipas avokatit, "arresti me burg" duhet të jetë vetëm masa e fundit, kur çdo masë tjetër alternative është e papërshtatshme.
“Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Kjo klauzolë ligjore tregon qartë kushtet kur vendoset kjo masë. Masa e’ arrestit në burg’ sipas ligjit duhet të jetë alternativa e fundit. Praktika e aplikimit vetëm në arrest në burg duhet të ndryshojë. Llogarisni një intelektual që dyshohet për një vepër e mbyll jetën në masë arresti në burg. Përse vetëm arrest në burg?”, tha ai.
Paraburgimi, jo më masë e parë? Prokurori Koça sqaron rregullat e arrestimit me burg: Debati gjyqësor vendimtar
TIRANË- Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për rishikimin e praktikës gjyqësore për aplikimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhe kohëzgjatjen e tij. Kolegjet e Bashkuara janë mbledhur që prej orës 09:30, ndërsa janë zbardhur diskutimet brenda në sallë.
Gjykata kërkoi nga prokurori, Arqile Koça të shpjegojë arsyet për ndryshimin e praktikës. Sipas prokurorit, masat alternative shpesh janë të pazbatueshme. Prokurori Koça argumentoi se barra e provës për caktimin e masës i takon prokurorit, por vendimi nuk mund të bazohet vetëm tek sjellja e të pandehurit. Ai shtoi se gjykata duhet të jetë më kërkuese dhe të shqyrtojë në çdo rast interesin publik dhe të drejtat e njeriut.
Pjesë nga diskutimet në mbledhje
Gjykata e lartë pyet prokurorin: Pse duhet ndryshuar praktika?
Prokurori: Barra për caktimin e masës së arrestit në burg i takon prokurorit, por vendimi nuk mund të bazohet vetëm në provat për sjelljen e të pandehurit. Gjykata vlerëson këtë masë në harmoni me provat e tjera dhe merr vendimin pas një debati gjyqësor. Verifikimi bëhet në seancë me debat, ku palët diskutojnë nëse masa duhet të vazhdojë apo jo. Çdo dy muaj, gjykata ka një kufizim kohor dhe duhet të arsyetojë vendimin më gjerësisht. Standarti i Strasburgut i drejton prokurorit pyetjen: “Çfarë keni bërë këto dy muaj dhe pse duhet të zgjasë hetimi?” Kjo nënkupton se gjykata duhet të jetë më kërkuese. Parimi është që vetëm pavlefshmëritë e pariparueshme duhet të çojnë në rigjykim, ndërsa ato të riparueshme vlerësohen dhe korrigjohen brenda të njëjtit gjykim.
Gjykata e Lartë: Atëherë nëse pranojmë parimin qe barra e provës i takon pakurorit në raport me caktimin e masës së kërkuar, pse ka detyrim gjykata të shqyrtojë përshtatshmërinë e masave të tjera.
Prokurori: Problemi është tek harmonizimi, kemi problem mos kalohet tek ekstremi tjetër se ne mbrojmë interesin publik, jam i interesuar për të drejtave njeriut por në fund të fundit mbrojmë interesin publik
Prokurori: Masat alternative në realitetin shqiptar shpesh bëhen të pazbatueshme. Mjaftohet me faktin jo më burg të dalë jashtë: Ok të dalë po si do ta zbatojmë masën alternative?
Rishikimi i praktikës "arrest me burg"! Kolegjet e Bashkuara tërhiqen për vendim, zbardhen diskutimet në sallë

TIRANË- Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën sot në orën 09:30 për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës mbi masën e arrestit në burg, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës.
Pak para nisjes, prokurori Arqile Koça kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se i pandehuri është nën hetim. Avokati Luan Hasnëziri pranoi pjesërisht këtë kërkesë, duke theksuar se, megjithëse çështja ka interes publik, diskutimi konkret mund të bëhet pa praninë e mediave.
Diskutime brenda sallës:
Prokurori Arqile Koça: Çështja e sotme mbart me vete që lidhen me dy pikat kryesore, së pari me njësimin e praktikës dhe po ashtu edhe çështjen konkrete, ne kërkojmë që seanca të jete me dyer të mbyllura, për shkak të problematikave që ka çështja. Për sa i përket njësimit të praktikës të jetë e hapur aq sa mund te lejohet, por për çështjen të mos jene të pranishëm mediat.
Avokati Luan Hasneziri: Jam dakord me prokurorin, që për çështjen konkrete të zhvillohet diskutimi me dyer të mbyllura.
Pas konsultimit, Kolegji vendosi që seanca do jetë e hapur për debatin juridik, ndërsa për pjesën e diskutimeve që lidhen me hetimet paraprake do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në përfundim të seancës, Kolegjet e Bashkuara janë tërhequr për të marrë vendimin, i cili pritet të ketë ndikim në mënyrën se si do të interpretohen dhe zbatohen masat e sigurisë në vijim.
Mblidhen Kolegjet e Bashkuara, do marrin vendim për masën e sigurisë "arrest me burg"
TIRANË- Kolegjet e Bashkuara mblidhen sot në orën 09:30 për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës lidhur me qëndrimin që do të mbahet për masën e arrestit në burg, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës.
Sipas burimeve, zëvendësprokurori i përgjithshëm, Arqile Koca, ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kërkesa lidhet me faktin se çështja që ka vënë në lëvizje gjykatën është aktualisht në shqyrtim në një seancë paraprake po në Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Pika kryesore e mbledhjes është rishikimi i vendimit unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të 'arrestit në burg' dhe kohëzgjatjen e saj.
Konkretisht vendimi i vitit 2011 thotë se “kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme”.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë ky vendim duhet të ndryshojë për disa arsye. Në dokument nënvizohet se vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, për të argumentuar se pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative; duhet të jetë gjykata ajo që të japë prova se pse duhet vazhduar një arrest me burg dhe jo e kundërta; si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale.
Në nismën e ndërmarrë analizohet se për të provuar një person nga liria duhet të plotësohen disa kushte, si dyshimet e arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, rrezikshmëria që ai paraqet, rreziku për t’i shmangur drejtësisë, apo për të prishur provat ose intimiduar dëshmitarët.
"Në këtë kuadër, rishqyrtim të posaçëm kërkojnë sidomos disa formulime të vendimit unifikues nr. 7/2011, ndër të cilat veçohen këto qëndrime: Së pari, qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit "arrest në burg", "gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme".
Së dyti, qëndrimi sipas të cilit, në rastin e procedimeve penale për kryerjen e krimeve të rënda apo që kanë sjellë pasoja të rënda, "për vetë natyrën e këtyre veprave penale, të mënyrës së kryerjes e të pasojës së ardhur, është i pranishëm elementi i shkallës së lartë apo të rëndësishme të rrezikshmërisë së autorit të tyre sipas nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale", si edhe formulimi sipas të cilit "rreziku i largimit" mund të lidhet "edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, e sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj".
Së treti, qëndrimi sipas të cilit masa e sigurimit "arrest në burg" mund të çmohet e papërshtatshme "vetëm nëse ai ose mbrojtësi i tij i paraqesin gjykatës prova pozitive që tregojnë se kjo gjendje rreziku nuk është e pranishme, apo që nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë të zbatueshme masën e sigurimit arrest në burg".-thuhet në dokument.
Aktualisht në burgje janë 4503 të burgosur nga të cilët 2573 janë të paraburgosur, për të cilën nuk ka ende një vendim fajësie./ZËRI