PS rrëzon në Kuvend kërkesën e PD-PL për ngritjen e komisioneve hetimore për ARRSH dhe AKSHI-n
TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për AKSHI-n dhe ARRSH.
Me 75 vota kundër dhe 28 pro, Parlamenti ka refuzuar kërkesën e grupit PL-PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Si hyjnë flukset e valutës së huaj? Malaj nga Kuvendi: S'kemi të bëjmë me para të pista
TIRANË-Ministri Petrit Malaj nga foltorja e Kuvendit, raportoi se niveli i euros nuk ka rënë për shkak të hyrjes në vend të parave të siguruara nga aktiviteti kriminal. Duke folur me shifra, Malaj sqaroi skemën se si hyjnë në vend valutat e huaja, duke theksuar se janë para që kalojnë përmes sistemit bankar dhe që janë të mirë-monitoruara.
Petrit Malaj: Shqipëria si një vend kandidat për në BE, ndodhet në një fazë të rëndësishme të forcimit të shtetit ligjor. Remitancat për vitin 2025 sipas të dhënave të Eurostat u llogaritën në mbi 2 miliardë euro. Të ardhurat nga turizmi në 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë eurosh, me një rritje prej 14.5 % krahasuar me vitin 2024. Investimet e huaja direkte u rritën në nivelin më të lartë historik për 9 mujorin e parë të vitit 2025, në vlerën 1.6 miliardë euro. Kreditimi në valutë, pra në euro, në 2025 u shtua me 1.8 miliardë euro. Investimet e shtetasve të huaj për blerjen e pasurive të paluajtshme u llogaritën në masën 560 milionë euro. Këta tregues tregojnë se nuk kemi të bëjmë me para të pista që hyjnë në territorin shqiptar, por kemi të bëjmë me para që kalojnë përmes sistemeve bankare, që janë të mirë-monitoruara.
"'LUFRA' po na shkatërron", Braçe nxjerr SMS në Kuvend: S'na marrin qumështin, po hakmerren me ne
TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, mbajti një interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, lidhur me situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend. Nga foltorja e Kuvendit, Braçe deklaroi se kishte një fushatë deizinformimi, sipas tij, në javën e dytë të muajit janar për qumështin e fermerëve që ishte me aflatoksinë.
Gjatë interpelancës, Braçe lexoi edhe disa prej mesazhve nga grupe bujqish, që ankoheshin se kompanitë e qumështit po refuzonin qumështin e tyre. Mes tyre, mesazhet e blegtoreve të Bubullimës, të cilët ankohen se kompania LUFRA po i shkatërron dhe se nuk u merr prodhimin e qumështit.
”Një grup nga Bubullima shprehu shqetësimin se kompanitë po shkatërronin qumështin e tyre me pretendimin se ishte me aflatoksinë. Një tjetër mesazh nga Bubullima e Lushnjës kërkonte ndihmë për qumështin, pasi kompanitë nuk e pranonin. Një tjetër blegtor tha se qumështi pluhur merret më lirë nga kompanitë, ndaj ata nuk preferonin qumështin e fshatarëve. Po ashtu, disa blegtorë raportuan se kompanitë u bënë agresive dhe nuk merrnin pikë qumështi”, tha Braçe.
Por, pavarësisht denoncimeve, sipas Braçes, Lufra është bërë më agresive ndaj banorëve duke u refuzuar marrjen e qumështit të prodhuar.
Mesazhet që lexoi Braçe:
Mesazhi: Në janar një fushatë e tërë lajmëroi se lopët po prodhonin qumësht kancerogjen. U vura me dije nga një grup bujqish në Lushnjë, kërkonin ndihmë kudo. Mesazhet ishin zoti Braçe si jeni, jemi fermerë nga Bubullimës. Kompania e qumështit LUFRA po na shkatërron. Deri dje kishte skemë që gjoja i hedhim qumështit ujë. Çmimin e kishin ulur fare. Por tani kanë nxjerrë gjoja me aflatoksinë qumështin tonë. Duan të na përzënë fare. Ku të vemi, ku t’i çojmë lopët. Ku të mbyten?
Mesazhi tjetër: Jam nga Bubullima. Na ndihmo me qumështin e fshatarëve që e dorëzojmë te Lufra. Për fshatin e vetmja shpresë janë lopët. Të kam ndjekur. Po derdhim shumë qumësht në kanal, që për popullin janë gjaku i derdhur. Mesazhi i tretë: Lufra këto ditë ka lënë kudo radhë, psh, ose qumështin e mëngjesit ose të mbrëmjes. Besoj se do e kenë thënë të tjerë, pronarja e thotë hapur që e merr më lirë pluhurin se qumështin vendas dhe njerëzit hedhin misër.
Mesazhi tjetër: zoti Erjon na fal për shqetësimin, por jam një qytetar nga Bubullima, Lufra është bërë më agresive nga ajo që ti bëre problem me statusin tënd. Sot hakmerret me ne, s’na mori pikë qumështi dhe na la në shtëpi. Fill pas këtyre mesazheve i jam drejtuar institucioneve shtetërore”, thekson Braçe.
Në janar të këtij viti, Braçe ngritri alarmin për një krizë të re në sektorin e blegtorisë, duke deklaruar se fermerët po përballen me pamundësinë për të shitur qumështin e tyre. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Braçe bëri publik disa mesazhe denoncuese të qytetarëve, sipas të cilëve, 'Lufra' po kërkon t'i përzërë./ZËRI
Rëzohet pr/ligji i PD për naftën, "shpërthen" Bardhi e Bozdo: Na trajtoni me urrejtje...Se vini ujin në zjarr
TIRANË- Mazhoranca ka rrëzuar me 77 vota kundër kërkesën e PD për të nisur procedurën e përshpejtuar sa i përket projektligjit të propozuar për uljen e çmimit të naftës. Bëhet fjalë për propozimin e Partisë Demokratike që u dorëzua në Kuvend, një ditë më parë.
Në propozimin e PD-së drejtuar Kuvendit, kërkohët që TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës. Sipas PD, nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do ishte më i lartë se 180 lekë për litër.
Pas votimit në Kuvend, deputeti Gazment Bardhi reagoi i revoltuar. Bardhi akuzoi mazhorancën se nuk kalon asnjë propozim të PD-së, duke thënë se e trajton opozitën me urrejtje të madhe.
"Nuk bën sens votimi që sapo bëtë. Është paketë ligjore me 2 projektligje. Ligji që bën pjesë në këtë paketë të shqyrtohet me 16 prill. Me çdo gjë kërkoni që opozita të jetë dakord me çdo gjë që bëni ju. Çfarë shqetësimi ju sjell ju që i gjithë projektligji që është një paketë të shqyrtohet me 16 prill?! Me çdo gjë që propozon opozita ju direkt votoni me karton të kuq.
Ju keni edhe mungesën normale të etikës, që edhe një javë pasi keni votuar për ta rrëzuar, ia jepni një deputeti tjetër të mazhorancës ta propozojë dhe votoni të njëjtin propozim dy javë më vonë.
Ju opozitën e trajtoni me urrejtjen më të madhe e jo si kundërshtar politik”, tha Bardhi.
Gjithashtu, edhe deputeti tjetër i PD-së Eno Bozdo reagoi i revoltuar. Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë.
“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike; kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva.", tha Bozdo.
Kërkesa e PD:
Me shkresën nr. 1206 Prot., datë 19.03.2026, Grupi Parlamentar i PD, përmes Nënkryetarit të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, deputetit Enno Bozdo, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse". Shqipëria renditet ndër vendet me cmimin më të lartë të karburantit në Evropë dhe Botë, ndonëse renditemi në vendet e fundit të listës përsa i përket nivelit të të ardhurave të pergjitshme dhe për frymë. Një prej arsyeve kryesore të cmimit tejet të lartë të karburanteve, është pikërisht edhe niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila pasi ngarkohet edhe me normën e TVSH-së, përbën një peshë të konsiderueshme të cmimit final të litrit të karburantit.
Qëllimi i projektligjit "Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse" është krijimi i një kuadri të posaçëm ligjor për menaxhimin efektiv të krizave në sektorin e hidrokarbureve, të shkaktuara nga zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare, veçanërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Në kushtet e rritjes së pasigurisë në tregjet globale të energjisë dhe luhatjeve të forta të çmimeve të lëndëve djegëse, projektakti synon të pajisë Republikën e Shqipërisë me instrumente ligjore dhe institucionale për të garantuar sigurinë e furnizimit, stabilitetin e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe ekonomisë kombëtare.
Ai synon të adresojë mungesën aktuale të një mekanizmi të integruar reagimi ndaj krizave energjetike, duke vendosur procedura të qarta për shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e hidrokarbureve dhe për aktivizimin e menjëhershëm të masave përkatëse. Në këtë mënyrë, krijohet mundësia për një reagim të shpejtë, të koordinuar dhe proporcional ndaj situatave emergjente që ndikojnë në furnizimin dhe çmimet e karburanteve. Ky projektligj ka natyrë urgjente dhe synon mbrojtjen e interesit publik. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 83, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, KËRKOJMË: Shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të: 1. Projektligjit "Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse".
Duke mbajtur në konsideratë pikën 5 të nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që: 1. Projektligji "Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse", të përfshihet në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit për periudhën 13 Prill 2026 - 30 Prill 2026. Shqyrtimi dhe miratimi i tij të bëhet në seancën plenare të datës 16 Prill 2026. Ndërkohë që Komisionet Parlamentare të përfundojnë shqyrtimin dhe miratimin e tij brenda datës 14 Prill 2026. Me shpresën se secili deputet i Kuvendit të Shqipërisë bashkëndanë shqetësimin tonë për rritjen e papërballueshme të cmimit të karburanteve për cdo qytetarë shqiptarë, me pasoja edhe në rritjen e produkteve të tjera jetësore, kërkojmë miratimin e kësaj kërkese.
"E di ajo që është ministre?...Ta kërkojmë në rrugët e Tiranës! Korreshi ironizon Evis Salën: Njoftojeni që ka kaluar rroga

TIRANË- Deputeti i PD-së Saimir Korreshi nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, lidhur me mungesat e saj në inteperlancat e fundit. Korreshi tha se prej kohësh opozita kërkon interpelancë me të, por ministrja nuk i është përgjigjur kërkesës.
Deputeti i Lushnjës solli në vëmendje kushtet e pacientëve në spitale, të cilët përballen me peripeci të ndryshme dhe sipas tij, askush s’mban përgjegjësi. Me tone të forta ironie, Korreshi kërkoi që të paktën ta njoftojnë ministren që rroga ka kaluar.
“A është mirë ajo se duhet pyetur nga shëndeti se mirë interpelancat tona s’i keni futur në tenxhere për t’u zier? E di ajo që është ministre apo s’e di se nuk braktiset Kuvendi kështu? Po qe se nuk e dini ku është, ka emisione televizive, “Njerëz të Humbur”, ta kërkojnë në rrugët e Tiranës. Nuk pret sëmundja siç thotë ministrja, në fund të vitit, brenda këtij viti, nuk pret. Nëse s’e dini ku është, ta kërkojmë rrugëve të Tiranës. Ilaçet s’e dinte, çfarë pune bën kjo? Se për të marrë urgjencën, i bie 127 lidhem me Tiranën dhe ai kismet kur të lidhet me Lushnjen.
Nuk doja ta provoja te robtë e shtëpisë, por thojini ministres se ç’ndodh në spitalet shqiptare se nuk e ka idenë çfarë kalojnë pacientët. A e dini që s’ka as pambuk në Lushnje, as dorashka? Të vijë e ta shohë ç’ndodh! Kush mban përgjegjësi? Zhvendoset spitali e s’del leja e ndërtimit? Pse duhet t’i trajtojmë njerëzit si stallë derrash? Njoftojeni të paktën për rrogën që ka kaluar”, tha Korreshi./ZËRI
Miratimi i ligjeve të BE-së "përplas" mazhorancën dhe opozitën, Balla: Ju "dashnorët" e rinj të...Bardhi: Na jepni listën e akteve
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, propozoi që mocioni me debat për raportin e KE-së të zhvillohet në seancën e 14 majit.
Kryetari i parlamentit Niko Peleshi hodhi në votim për datën 14 maj diskutimin për zhvillimin e mocionit për debat, për raportin e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri. Me votat e mazhorancës, mocioni me debat u miratua.
Po ashtu, Balla replikoi edhe me PD, duke i cilësuar këta të fundit si ‘dashnorët e rinj’ të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas Ballës, që prej kur ka nisur legjislatura e re, nuk kanë dhënë asnjë votë pro ligjeve që kanë kaluar në Kuvend sa i përket procesit të anëtarësimit në BE. Ai shtoi se mazhoranca nuk e ha presionin e PD-së për miratimin me ngulm të propozimeve të tyre për ligje.
"Sa i përket çështjeve të mocionit me debat të kërkuar. Kemi bërë një KK në nëntor. Kemi bërë një bashkim të dy çështjeve raportin e DASH dhe mocionin me debat për nenin 18 të ligjit e Kuvendit në procesin europian. Duhet të vijmë te pjesa për këtë debat. diskutimi në Konferencën e Kryetarëve, kam thënë në datën 7 apo 14 maj të zhvillojmë debatin që ramë dakord. Ju thoni e duam menjëherë, ne themi ta zhvillojmë më 7 apo 14 maj. Ju thoni që mazhoranca u ka kufizuar, mohuar të drejtën që ju të sillni iniciativa ligjore, atë të miratimit të nismave.
Nuk di, që shumica aktuale mes CDU dhe SPD të miratojë nisma ligjore nga AfD apo Green. Nuk ndodh. Ju thoni biem propozime, ju miratoni. Jemi të gatshëm të miratojmë propozimet, por jo me dhunë. As më forcë dhe gërdufje. Duhet të vini dhe ta prezantoni, diskutojmë dhe hajde miratojmë. Sot ju dashnorët integrimit, e kemi filluar legjislacionin në fund të shtatorit. Prej asaj dite ja ku kemi ligjet e përafrimit të legjislacionit të parakushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, 23 ligje. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro e juaja. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e PD. Ju vini dhe thoni pse nuk votoni ligjet tona. Këto nuk janë ligjet tona, por janë ligje të përafrimit të Shqipërisë me BE. Ka nga radhët tona që në grupe nuk kanë qenë dakord, ka qenë e vështirë për mua për ta sjellë në gërmën e legjislacionit europian.
Nëse ju e doni integrimin, anëtarësimin, sillni propozimet tuaja, për ligje komisione hetimore, mocione me debat por me variantin që o pranojeni këtë o ne.. nuk e bëjmë dot. Presione nuk hamë. Sa i përket fasadës së normalitetit të rremë apo përjashtimin nga procesi. Kush ju ka përjashtuar ju? Ju keni përjashtuar veten. Një qëndrim i deputetëve të PD ishte të zhvillohet mocioni me debat por pa datë, propozimi ynë të zhvillohet me 14 maj. Për çështjet e Europës.", tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, reagoi ashpër pasi u miratua me shumicë votash mocioni me debat për raportin e DASH dhe integrimin më 14 maj. Bardhi u shpreh se opozita ende nuk është informuar se cila është lista e nevojshme me ligjet për t’u përafruar me legjislacionin e BE, ndërsa hodhi akuza se opozita është përjashtuar nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.
“Për kërkesën që sapo hodhët në votim ( mocionin për raportin e DASH) është në shkelje të rregullores së kuvendit, rregullorja e kuvendit, pika 2 e nenit 98, ju detyron që të propozoni kur nuk ka mirëkuptim një datë që nuk mund të jetë kurrë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Se di me matematikën tuaj e llogarisni 30 ditë 5 muaj, sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë apo të dytë të majit, në shkelje të rregullores.
Për të vijuar me listën që tundi kolegu, grupi i PD ka kërkuar listën e draftligjeve që ky kuvend duhet të miratojë në kuadër të integrimit. Ka kaluar në 6 muaj, se kush është lista e ligjeve të nevojshme në kuadër të procesit. E kemi kërkuar më shumë se 10 herë. Dhe vini këtu e tundni një listë ju nuk keni votuar ligjet. Nga ta dimë se kush janë ligjet ku jemi të përjashtuar nga procesi. Na i jepni t’i dimë se kush janë ligjet, ne nuk jemi këtu fasadë e juaj.“, tha Bardhi./ZËRI
"Lëre...muhabeti leshi"/ Sot interpelanca me ministrin e Bujqësisë, Braçe shkon në Kuvend me qese me domate (VIDEO)
TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, ka shkuar ndryshe sot në Kuvend. Pak para nisjes së seancës plenare, Braçe është paraqitur me një qese me domate me vete. Me këtë paraqitje, Braçe kërkon të reflektojë rritjen e çmimeve për shportën e ushqimeve në vendin tonë, një fenomen për të cilin socialisti ka reaguar vazhdimisht.
Ndëkrohë, së bashku me Braçen ishte dhe deputeti tjetër socialist Ulsi Manja. Teksa po hynin dhe po bisedonin, Braçe dëgjohet që i thotë Manjës: "Lëre tani paj Zotin, muhabete leshi".
Në seancën e sotme plenare Braçe do të zhvillojë një interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, kërkuar nga deputeti socialist./ZËRI
Nis seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, Niko Peleshi prezanton rendin e ditës
TIRANË- Ka nisur në Kuvend seanca e radhës plenare. Në nisje të seancën kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, prezantoi rendin e ditës.
Në rend dite parashikohet një interpelancë e deputetit Erion Braçe me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla. Më pas do të zhvillohet një seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
Gjithashtu, në rend dite parashikohet shqyrtimi i kërkesave të opozitës në lidhje me krijimin e dy komisioneve hetimore, për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e (AKSHI), për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes të së dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Rendi i ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 9.4.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.4.2026.
2. Njoftime.
3. Erion Interpelancë Braçe. me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputeti
4. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Erisa Xhxixho
5. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9710, datë 10.4.2007 “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë"”, i ndryshuar".
6. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar".
7. Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, "Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore".
8. Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH), për vlerësimin e sigurinë sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes të së dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s
9. Projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.
10. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen të Kuvendit shërbimet me anë e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e parlamentar që të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Sot Kuvend! Nga bujqësia, arsimi, te komisionet hetimore për rrugët dhe AKSHI-n, ç'pritet të diskutohet
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare. Në qendër të diskutimeve do të jetë interpelanca me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, me kërkeësë të deputetit socialist Erion Braçe për situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend. Kjo interpelancë zhvillohet në një kohë kur blegtorët kanë ngritur shqetësime dhe po protestojnë për mungesën e subvencioneve, duke pretenduar se skema e re kombëtare nuk i mbështet siç duhet.
Në vijim të seancës, do të mbahet edhe një sesion pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, i kërkuar nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Në fokus do të jetë çështja e pabarazisë në paga për mbi 11 mijë punonjës të sektorit arsimor.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje të rëndësishme, si ai “Për portet turistike”, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Po ashtu, edhe nisma për ngritjen e një Komisioni Hetimor për ARRSH dhe AKSHI, të cilat pritet të shoqërohen me debate në sallë.
Seanca e kaluar u karakterizua nga tensione dhe përplasje të forta mes palëve. Gjatë ndërprerjes, Flamur Noka kërcënoi dhe goditi me shishe Taulant Ballën. Po ashtu, Elda Hoti i mori kartonin e deputetes Bora Muzhaqi, ndërsa kjo e fundit pati një përplasje verbale me Albana Vokshin.
Pas këtyre incidenteve, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e Flamur Nokës nga punimet e Kuvendit për 20 ditë dhe të Elda Hotit për 10 ditë. Ndërsa, për deputetët Taulant Balla dhe Albana Vokshi nuk u morën masa disiplinore./ZËRI