LIVE UPDATES

Konferenca në Tiranë/ Bashkëpunimi me FBI? Braho dhe Keta: Na ka ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar

♦Sot, në Tiranë u mbajt Konferenca e 42-të e ish-Studentëve Europianë të Akademisë së FBI-së në Tiranë (42-të të FBINAA European Chapter). ♦Kreu i SPAK, Klodian Braho mbajti fjalën e tij, teksa vlerësoi bashkëpunimin me ndërkombëtarët duke theksuar se institucioni që ai drejton ka fituar më shumë përvojë. ♦Braho thotë se SPAK ka fituar njohur për goditjen e krimit të organizuar. ♦Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, shprehu nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, teksa bëri thirrje për strategji të reja. ♦Kreu i BKH-së, Joni Keta, foli për krimin e organizuar, i cili sipas tij po ndryshon vazhdimisht. ♦Keta, gjithashtu, vlerësoi dhe kërkoi forcmin e bashkëpunimit, duke theksuar se FBI ka kontribuar shumë në Policinë e Shtetit dhe BKH. 

4 artikuj për këtë temë.
8 ORE ME PARE

Nga konferenca e FBI-së, Hita: Partneritetet ndërkombëtare, rruga e vetme për të luftuar krimin e organizuar

Konferenca në Tiranë/ Bashkëpunimi me FBI? Braho dhe Keta: Na ka
skender hita

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBINAA European Chapter), me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve të FBI-së dhe punonjësve të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga vendet e Evropës dhe më gjerë.

Gjaë fjalës së tij, Hita vuri theksin te partneriteti i ngushtë i Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar. Hita shprehu rëndësinë e bashkëpunimit me partneritetet ndërkombëtare duhet të vijojë me më shumë shkëmbim informacioni, koordinim dhe reagim të shpejtë përballë krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Sipas Hitës, partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

Është kënaqësi e veçantë dhe përgjegjësi për mua të marr pjesë në Konferencën e 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, me temën kaq aktuale, ndërtimi i partneriteteve ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, për një mjedis më të sigurt.

Në emër të Policisë së Shtetit, ju uroj mirëseardhjen në Shqipërinë e dëshirës, vullnetit dhe vendosmërisë për të qenë pjesë aktive e përpjekjes së përbashkët kundër fenomeneve kriminale që nuk njohin kufij.

Fakti që Shqipëria është mikpritëse e kësaj konference të rëndësishme ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, tregon nivelin e bashkëpunimit dhe besimit që Policia Shqiptare ka ndërtuar me agjencitë ligjzbatuese partnere në Evropë, SHBA dhe më gjerë, veçanërisht përballë sfidave dhe kërcënimeve që nuk njohin kufij shtetërorë.

Për të arritur këto standarde, Policia e Shtetit ka përshkuar një rrugë të gjatë dhe të vështirë.

Por ajo ka gjetur forcë dhe ka ditur të ringrihet. Së pari, është ringritur mbi gjakun dhe sakrificën sublime të 232 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës. Kujtimi i tyre është betimi ynë i përditshëm për të mos u tërhequr kurrë përballë krimit.

Sot, Policia e Shtetit është një polici ndryshe. Është një polici moderne, profesionale dhe me teknologji të avancuar. Kemi investuar në modernizimin e strukturave, në digjitalizimin e shërbimeve, në teknologji, në analizën e të dhënave, në hetimin kibernetik, në strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit.

Rezultatet e operacioneve tona të përbashkëta me FBI-në, DEA-n, EUROPOL-in, Interpolin dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me partnerët e tjerë euroatlantikë, janë prova të transformimit dhe të profesionalizmit të Policisë Shqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës,

Rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë, lëvizin paratë dhe njerëzit nga një shtet në tjetrin dhe përshtaten me shpejtësi ndaj çdo mekanizmi të kontrollit. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq globale.

Kjo është arsyeja pse partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar.

Informacioni që shkëmbehet në kohë, ekspertiza që ndahet dhe besimi që ndërtohet mes agjencive mund të bëjnë diferencën në parandalimin e një krimi, në identifikimin e një rrjeti kriminal apo në çmontimin e një strukture që vepron përtej kufijve.

Akademia Kombëtare e FBI-së ka krijuar ndër vite një komunitet profesionistësh që tejkalon kufijtë dhe që e sheh sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët.

Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e temës së kësaj konference: krimi i organizuar ka kapërcyer kufijtë, ndaj edhe partneriteti ynë duhet t’i kapërcejë ata. Nuk mund ta përballojmë këtë kërcënim të vetëm. Duhet të ndajmë informacionin, ekspertizën dhe përgjegjësinë, për të ndërtuar një përgjigje të përbashkët dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt.

Pavarësisht se mund të kemi sisteme, përvoja dhe mënyra organizimi të ndryshme, përballë krimit të organizuar kemi një sfidë dhe përgjegjësi të përbashkët, sepse krimi nuk respekton kufijtë, ndërsa siguria duhet t’i kapërcejë ata.

Ndërveprimi dhe krijimi i rrjeteve të bashkëpunimit në çdo nivel që kërkohet është mesazhi më i rëndësishëm që do të dalë nga kjo konferencë.

Ju siguroj se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht dhe me profesionalizëm me të gjithë partnerët ligjzbatues kombëtarë e ndërkombëtarë dhe të kontribuojë në çdo përpjekje të përbashkët që i shërben sigurisë së qytetarëve dhe sundimit të ligjit.

Ky është angazhimi ynë: më shumë besim, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë koordinim dhe veprim më i shpejtë përballë krimit.

Ju falënderoj për rikonfirmimin e besimit ndaj Policisë shqiptare, duke e sjellë këtë konferencë në Tiranë.

Jam i bindur se diskutimet dhe përvojat e ndara gjatë kësaj konference, por edhe njohjet personale ndërmjet jush, do të shërbejnë për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të na bërë më solidë, më të shpejtë dhe më të vendosur në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin.

10 ORE ME PARE

"FBI na ka ndihmuar, por duhet...", kreu i BKH-së zbulon sfidat: Krimi i organizuar po ndryshon

Konferenca në Tiranë/ Bashkëpunimi me FBI? Braho dhe Keta: Na ka
joni ketqa

TIRANË- Kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, vlerësoi se krimi i organizuar po ndryshon vazhdimisht, sipas tij në format më të sofistikuara. Keta theksoi se zhvillimi i teknologjisë nga grupet kriminale kërkon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe strukturave hetimore.

Po ashtu, Keta vlerësoi gjithashtu kontributin e Akademisë Kombëtare të FBI-së në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe BKH-së.

“Krimi i organizuar po ndryshon vazhdimisht, teksa po përdor forma të zhvilluara të lëvizjes së parasë jashtë vendit. Ai po përdor teknologjinë dhe forma gjithnjë e më të zhvilluara të lëvizjes jashtë kufijve. Kjo kërkon një bashkëpunim bashkë me hetuesit, oficerë të Policisë së Shtetit, oficerët ndërlidhës. Por, pavarësisht se po përdorim mjete të sofistikuara për ta hetuar atë, pas çdo hetimi është edhe gjykimi apo hetimi profesional dhe këtu është njeriu. Akademia Kombëtare e FBI-së ka kontribuar shumë tek Policia dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Ne po zhvillojmë përpjekje të vazhdueshme për të luftuar krimin trans-nacional”, u shpreh Keta, drejtues i BKH-së.

10 ORE ME PARE

Lufta kundër krimit, Olsian Çela: Duhet të ndryshojmë strategji dhe të krijojmë ekipe të përbashkëta hetimi

Konferenca në Tiranë/ Bashkëpunimi me FBI? Braho dhe Keta: Na ka
olsian cela

TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela gjatë fjalës së ti në Konferencën e 42-të të FBINAA European Chapter në Tiranë, bëri thirrje për strategji të reja në luftën kundër krimit të organizuar.

Çela u shpreh se zhvillimet e shpejta në botë kanë sjellë edhe forma më të sofistikuara të kriminalitetit, duke përmendur pastrimin e parave përmes metodave të reja dhe përdorimin e kriptomonedhave. Sakaq, ai theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rëndësinë e krijimit të ekipeve të përbashkëta të hetimit. 

“Sfidat janë bërë më komplekse se më përpara. Bota po ndryshon shpejt dhe kështu edhe krimi. Duhet të ndryshojmë strategjitë tona në luftën kundër krimit. Jetojmë në një botë, ku tashmë pastrimi i parave bëhet me mënyra më të sofistikuara, tanimë kemi edhe kriptomonedha. Duhet të jemi më afër me njëri-tjetrin që të shkëmbejmë eksperienca. Kërkohet një strategji e qartë, që të luftojmë krimin transnacional, me strategji që përfshin kapacitete teknologjike dhe njerëzore.

Duhet të krijojmë ekipe të përbashkëta hetimi. Bashkëpunimi ndërkombëtar është një prioritet për Shqipërinë. Letër-porositë që ne bëjmë janë dy herë më të larta se ata që na bëjnë partnerët tanë. Ne kemi mundësi për të rritur kapacitetin tonë dhe kjo do e bëjë më të lehtë për të kaluar vështirësitë. Duhet të bashkëpunojmë për të luftuar krimin e organizuar”, u shpreh Çela./ZËRI

10 ORE ME PARE

Bashkëpunimi me FBI-në, Braho: Thelbësor për SPAK, kemi fituar njohuri për goditjen e krimit të organizuar

Konferenca në Tiranë/ Bashkëpunimi me FBI? Braho dhe Keta: Na ka
klodian braho

TIRANË- Konferenca e ish-Studentëve Europianë të Akademisë së FBI-së u zhvillua sot në Tiranë, ku morën pjesë dhe mbajtën fjalën e tyre përfaqësues të institucioneve kryesore të drejtësisë shqiptare.

Në fjalën e tij, kreu i SPAK, Klodian Braho, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar. Braho deklaroi se për SPAK, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një çështje prioritare. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe rëndësinë e përvojës së përbashkët të fituar në Akademinë e FBI-së.

“Për SPAK, bashkëpunimi ndërkombëtar është çështje prioritare për ne. Është shumë e rëndësishme që të njohësh institucionin që drejton. Përvoja e përbashkët në Akademinë e FBI-së bën që të jemi më profesionalë në punën e përditshme. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka ndihmuar në goditjen ndaj krimit të organizuar. Një informacion që vjen nga Shqipëria mund të ndihmojë në vendet tuaja dhe e anasjellta. Falënderoj partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin me SPAK.

Në Shqipëri kemi bërë përparim me hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë proces. Me hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën se si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre.

Këto njohuri mund të ndihmojnë edhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja. Për së paku, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona.

Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj. Një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri”, tha Braho.

Poll

MOS HUMB