SPAK heton bllokimin e pagave, shefja e Thesarit: Pagesat e gushtit ishin kryer
TIRANË- Bllokimi i pagave të magjistratëve për muajin gusht është tashmë pjesë e hetimit të SPAK, ndërsa në Prokurorinë e Posaçme po merren në pyetje zyrtarë që kanë pasur rol në procesin e pagesave.
Mes personave të pyetur është edhe përgjegjësja e Thesarit Tiranë, Elmira Peti e cila, sipas dëshmisë së saj ka mohuar të ketë kryer shkelje apo abuzim me detyrën.
Peti ka deklaruar se listëpagesat për muajin gusht, përfshirë ato të gjyqtarëve, prokurorëve dhe administratës civile, ishin përpunuar nga Thesari. Sipas saj, pagesat ishin kryer në sistem, por më pas nuk kanë përfunduar në llogaritë bankare të punonjësve.
SPAK ka verifikuar sistemin elektronik të Thesarit për të kontrolluar versionin e dhënë nga zyrtarja. Sipas të dhënave të raportuara nga dëshmia pagesat rezultonin të regjistruara, ndërsa më pas është ndërhyrë për bllokimin e tyre.
Në këtë pikë në dëshmi përmendet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gentian Këri. Sipas deklarimeve të Petit, urdhri për bllokimin e pagesave është dhënë në fazën e fundit të procesit.
Nga ana tjetër Gentian Këri sipas raportimeve mbi marrjen e tij në pyetje ka argumentuar se pezullimi lidhej me pritjen e hyrjes në fuqi të projektligjit për pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në kohën kur pjesa më e madhe e gjykatave dhe prokurorive nuk kishin marrë pagat e gushtit, pagesat për disa institucione, mes tyre SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës, rezultuan të kryera.
Çështja ka kaluar në SPAK pas kallëzimit të bërë nga drejtues të 18 gjykatave dhe përfaqësues të organizatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj Sekretarit të Përgjithshëm Gentian Këri dhe drejtuesve të degëve të Thesarit. Kallëzuesit pretendojnë se bllokimi i pagave lidhet me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë hetim për disa vepra penale.
Ministri Petrit Malaj ka deklaruar publikisht se veprimet e Ministrisë së Financave lidhen me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e fondeve publike.
Në paralel me hetimin e SPAK, Kuvendi ka miratuar formulën e re për pagat e magjistratëve. Përplasja mes institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbetet kështu në qendër të debatit, ndërsa tashmë SPAK po verifikon edhe zinxhirin administrativ që çoi në bllokimin e pagesave./ZËRI
Pagat e gjyqtarëve u rritën sa 2% e rrogës së tij, magjistratët kundër vendimit të Kuvendit: E çojmë në Kushtetuese
TIRANË-Pas miratimit në Kuvend të draftit të PS për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë, gjyqatarët do të marrin hapin e radhës. Në një deklaratë të përbashkët, katër organizata që përfaqësojnë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare, kanë njoftuar dërgimin urgjent të ligjit për pagat e magjistratëve në Gjykatën Kushtetuese.
Shoqatat do të kërkojnë në Kushtetuese, pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi. Sipas tyre nuk bëhet fjalë vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Deklarata:
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.
Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.
Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.
Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.
Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.
Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion.
'Të ulemi në tryezë', Rama fton gjyqatarët të bisedojnë për ligjin e ri të pagave: Nëse kemi mosdakordësi, na takon neve...
TIRANË-Pas miratimit në Kuvend pas mesnate të draftit të PS për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë, kryeministri Edi Rama u ka bërë ftesë përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor që të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët diskutimi.
Me anë të një postimi në platformën X, Rama njofton se në fokus të diskutimit do të jetë ligji i ri për piramidën e pagave në drejtësi, të cilin e paralajmëroi në Kuvend gjatë seancës plenare. Kreu i qeverisë nga Parlamenti njoftoi se qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave, për të cilin kanë filluar edhe kontaktet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
Rama tha se pret që drejtuesit e dy këshillave të drejtësisë dhe institucionet e tjera të gjyqësorit t’i përgjigjen pozitivisht ftesës, me synim adresimin e çështjes së sistemit të pagave të magjistratëve.
Edi Rama: Unë besoj se përfaqësuesit e gjyqësorit, duke filluar nga drejtuesit e dy këshillave dhe nga ana tjetër drejtuesit e institucioneve gjyqësore, do t'i përgjigjen pozitivisht ftesës për t'u ulur së bashku në një tryezë pune pa vonesë, me qëllim që të adresohet çështja e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithmonë, duke siguruar njëkohësisht ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave. Tryeza jonë do të mirëpresë gjithashtu pjesëmarrjen e ekspertëve nga Këshilli i Evropës, si dhe kontributin e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë. Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet të harrojnë se niveli i tyre i pavarësisë deri më tani i paimagjinueshëm dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon nuk kanë rënë nga qielli, por mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por bashkëpunim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. Dhe nëse kemi mosmarrëveshje, na takon neve t'i adresojmë ato me mençuri dhe durim, duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë dhe në të njëjtën kohë për partnerët e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në mesnatë me 84 vota projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
Pagat e gjyqtarëve u rritën sa 2% e rrogës së tij, presidenti Begaj dekreton ligjin e ri të miratuar me votat e PS
TIRANË-Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për pagat e magjistratëve, që u miratua në orët e para të mëngjesit me votat e PS-së në Parlament. Në njoftim argumentohet se dekretimi me urgjencë i pagave të reja në Drejtësi, justifikohet nga urgjenca e rrethanave dhe nevojave rreth kësaj çështje.
NJOFTIMI:
Presidenti i Republikës nxorri sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.
Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.
Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.
Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.
Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.
Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.
Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit.
Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kryeministri Edi Rama votoi pro, kryedemokrati Sali Berisha mungoi, ndërsa deputetët e PD votuan kundër. KLGJ dhe KLP kishin kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh. Ndërkohë qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve./ZËRI
‘Jurist i panjohur’! Çështja "Becchetti” përplas Himçin me Ramën: S'ka për të marrë asnjë kokërr leku, jeni bërë si ‘zhelet e gabit’
TIRANË-Arbitrazhi me biznesmenin Francesco Becchetti solli një përplasje në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së, Blendi Himçin. Demokrati akuzoi qeverinë se nuk po zbaton vendimet gjyqësore, duke iu drejtuar Ramës se nuk e njeh vendimin ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit dhe sipas tij e njëjta histori po ndodh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pagat e punonjësve.
Në replikë Rama tha se qeveria e njeh vendimin e arbitrazhit dhe theksoi se Becchetti nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe nuk ka për të marrë. Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se vendimi nuk është ekzekutuar dhe çështja ka marrë edhe një tjetër zhvillim për shkak të përfshirjes së SPAK.
Blendi Himçi: Zoti kryeministër, ju e dini shumë mirë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, ku Shqipëria është aderuese, janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Tani më dëgjoni deri në fund, ju dëgjova me shumë vëmendje. Po pse e keni gjithë këtë acarim? Vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit as ankimohen dhe as janë thjesht të zbatueshme për atë shtet. Ju si qeveri, pavarësisht se thoni ‘do të marrë zero lekë’, nënkuptoni me këtë shprehje që nuk e njihni atë vendim ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit.
Edi Rama: E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, i dashur jurist i panjohur, sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka për të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është objekt i së drejtës penale, qoftë këtu, qoftë edhe jashtë. Kjo është e vërteta për këtë pjesë dhe paratë e bllokuara të Albcontrol-it janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Ndërkohë, po ju përsëris që edhe vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje, pikërisht sepse ne qysh në krye të herës kemi qenë shumë të qartë. Unë ju kam thënë qysh në krye të herës që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ‘ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë’, sepse, po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Prandaj aq mirë e llogarit edhe sa vleni ju, sa në çdo zgjedhje jua ul çmimin dhe jua ka bërë si rroba të gabit. Kështu jeni bërë ju në politikën shqiptare: rroba të gabit ose, siç thoshte fort e nderuara Jozefinë, ‘zhele të gabit’.
Konflikti me Francesco Becchettin
Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Beçhetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020. Pas këtij vendimi, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Beçhetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë. Por në prill 2023, Beçhetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.
Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Beçhetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beçheti për të çuar çështjen në Arbitrazh. Ndërsa në shkurt të vitit 2022 Gjykata e Tiranës dënoi me 17 vite burg sipërmarresin italian Francesco Beçhetti./ZËRI
'Shqiptarët do ua japin ballit', Rama debat me opozitën në orët e para të mëngjesit: Ju përzënë nga protesta-amanet mushkat...
TIRANË-Seanca plenare e 17 shtatorit, vijoi deri në orët e para të mëngjesit, ku pas votimit të draftit të Partisë Socialiste lidhur me pagat e magjistratëve, diskutimet u hapën mes kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në Kuvend dhe opozitës. Një nga çështjet që hapi debatin mes Ramës dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Gazment Bardhit ishte arbitrazhi me Francesco Becchettin. Bardhi kundërshtoi deklaratën e Ramës se biznesmeni nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe i kërkoi llogari edhe për pagat e magjistratëve. Nga ana tjetër kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka asnjë lekë nga shteti shqiptar ndaj kompanisë Albcontrol, pa u zgjidhur çështja njëherë e mirë.
Gazment Bardhi: Fillimisht the që s’ka vendim arbitrazhi. Doli që kishte vendim arbitrazhi. Fillimisht the që subjekti në fjalë ka marrë zero lekë nga buxheti i shtetit. Pas 30 sekondash, ‘ato që i ka marrë nga Albcontrol-i’, a thua se ato nuk janë të shqiptarëve dhe të buxhetit të shtetit, ‘do t’i kthejë kokërr më kokërr’. Pra, do të thotë që kthehet një gjë që është marrë, se në qoftë se nuk është marrë, nuk ka çfarë kthen. Por do bëje mirë që t’i përgjigjeshe akuzës së kolegut, jo për këtë çështje, se këtë çështje ke 10 vjet që na thua ‘do t’i ndodhë një gjë atij, se ai po hetohet’. E kemi dëgjuar këtë përrallë dhjetëra herë këtu në seancë plenare.
Edi Rama: Churchill thoshte se hajvani nuk ndryshon as mendje dhe as argument. Ai njeri nuk ka marrë asnjë lekë e nuk do marrë. Fondi është një fond i ngrirë, deri në fund të procesit. Ai që u kthye hero, që u bë i tillë duke bërë heronj plehrat, ndërsa sot nuk ka marrë asnjë lekë e ne jemi në disa procese. Shqiptarët do ua japin ballit sa të vijnë zgjedhjet, sepse nuk janë budallenj.
Rama ironizoi opozitën edhe lidhur me protestën e qytetarëve, e cila vijon prej më shumë se 100 ditësh. Kreu i qeverisë duke iu referuar demokrates Jorida Tabaku, tha se është demokratike të protestohet kundër qeverisë, ndërsa opozitën po e përzënë.
Edi Rama: Do të doja që dikush t’ia përcillte fjalën time Tabakut, meqë nuk është, sepse foli me pasion për protestën, dhe t’i thotë që të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci, kurse të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta quhet ‘amanet mushkat, se kuajt ikën.
KUVENDI pas mesnate! Miratohet drafti i PS për pagat e magjistratëve! Rama ngre kartonin jeshil: KLP dhe KLGJ kanë falimentuar
TIRANË-Kuvendi miratoi me 84 vota pro projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kryeministri Edi Rama votoi pro, kryedemokrati Sali Berisha mungoi, ndërsa deputetët e PD votuan kundër. KLGJ dhe KLP kishin kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh. Ndërkohë qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
Rama tha se rritja e pagave të magjistratëve pas reformës në drejtësi ka krijuar një raport të pabalancuar me pagat e tjera në administratën publike. Ai kundërshtoi gjithashtu kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë. Kreu i qeverisë njoftoi se ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave.
Edi Rama: Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku. Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten sa herë rriten pagat e tjera. Duke folur për debatin e gjerë mbi pagat në drejtësi, Rama theksoi se askush nuk mund t’i vendosë afate Kuvendit.
Edi Rama: Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë. Të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, në orët e vona, Rama e cilësoi SPAK-un dhe GJKKO-në si dy suksese të reformës në drejtësi, ndërsa tha se KLP dhe KLGJ kanë falimentuar.
Edi Rama: Nëse reforma në drejtësi ka shumë arsye për të qenë të inkurajuar, dhe për t’ju sqaruar të gjithëve, nga ana ime unë dy suksese shoh në reformën në drejtësi: SPAK-un dhe GJKKO-në, me të gjitha problematikat që kanë. Dy suksese. Por, nëse ka një faliment, janë ato dy këshilla atje. Dhe nëse ka një arsye për t’u shqetësuar Kuvendi i Shqipërisë, është pikërisht të reflektojë mbi reformën në drejtësi. Dhe jo mbi atë pjesë të reformës që është bërë lajtmotivi kryesor përditë e përditë: ‘Burg, burg, burg, burg, burg!’, por mbi atë pjesë të reformës që është lajtmotivi i jetës së atyre dhjetëra mijëra njerëzve që janë kthyer në dosje të mbuluara me pluhur.