Trump kërkon anije ushtarake nga aleatët për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera aleate që t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara në dërgimin e anijeve ushtarake për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Në një postim në platformën Truth, Trump deklaroi se pavarësisht përpjekjeve të Iranit për të bllokuar këtë kalim strategjik, SHBA do të sigurojë që ai të mbetet i hapur.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, së shpejti do ta hapim Ngushticën e Hormuzit, të sigurt dhe të lirë”, shkroi ai.
Sipas raportimeve të BBC, tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pasi gjashtë anije u sulmuan në Gjirin Persik brenda më pak se 48 orësh gjatë kësaj jave. Ndërkohë, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, në deklaratën e tij të parë publike u zotua se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të bllokuar ngushticën./ZËRI
'Ajdeni në Paris', Macron thirrje Izraelit për bisedime të drejtpërdrejta me Libanin
FRANCË-Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Izraelit të pranojë bisedime të drejtpërdrejta me autoritetet e Libanit dhe me të gjithë përbërësit politikë të vendit, duke ofruar që këto negociata të zhvillohen në Paris. Në një mesazh të postuar në X, presidenti francez tha se të premten foli me disa udhëheqës libanezë, përfshirë Joseph Aoun, kryeministrin Nawaf Salam dhe kryetarin e parlamentit Nabih Berri.
Macron theksoi rëndësinë e nisjes së dialogut që përfshin "ekzekutivin libanez dhe të gjithë komponentët" e vendit.
“Duhet bërë gjithçka për të parandaluar që Libani të zhytet në kaos”, tha Macron. Ai gjithashtu i bëri thirrje Hezbollahut që “të ndalojë menjëherë sulmin e tij të pamëshirshëm”, ndërsa i kërkoi Izraelit të shmangë një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë dhe të ndalojë sulmet e tij të rënda në Liban.
Macron paralajmëroi për ndikimin humanitar të luftimeve, duke vënë në dukje se qindra mijëra njerëz tashmë kanë ikur nga bombardimet në disa pjesë të Libanit. Sipas tij, vetëm një zgjidhje diplomatike mund të parandalojë destabilizimin afatgjatë të vendit.
"Populli është i zemëruar", Irani hakmerret për goditjet ndaj Kharg, sulmon Emiratet e Bashkuara Arabe
IRAN-Forcat detare iraniane nisën “disa valë të njëpasnjëshme” sulmesh ndaj forcave amerikane në dy baza ushtarake në rajon. Në shenjestër janë vendosur baza al-Dhafra në Abu Dabi dhe baza Sheikh Isa në Bahrein. Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se “këto janë objektiva legjitime” pas sulmeve të ushtrisë amerikane ndaj ishullit Kharg në Gjirin Persik, përmes të cilit kalon rreth 90% e naftës së eksportuar,
“Ne kemi të drejtën legjitime të godasim vendet e lëshimit të raketave armike në disa zona të qyteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ushtria amerikane ka goditur porte, doket dhe bunkerë dhe ka kryer sulme raketore ndaj ishujve iranianë Abu Musa dhe Kharg,” thuhet në deklaratë.
Ndërkohë në një intervistë për rrjetin mediatik rus Sputnik, Kazem Jalali, ambasadori i Iranit në Moskë, ka paralajmëruar SHBA-të që të mos përpiqet të vrasin liderin e ri suprem të Teheranit, Mojtaba Khamenei. Jalali tha se iranianët kërkojnë “hakmarrje me gjak” pas vrasjes së babait të Mojtabës, Ali Khamenei.
“Populli është i zemëruar dhe kërkon hakmarrje për gjakun e derdhur”, tha ai. “Natyrisht, amerikanët kanë përjetuar dhe do të përjetojnë hakmarrje të ashpër në të ardhmen.”
SHBA godet ishullin Kharg, “xhevahirin” e naftës iraniane
IRAN-Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se forcat amerikane “shkatërruan” objektiva ushtarake në ishullin Kharg, një qendër kritike lidhëse e naftës së Iranit në Gjirin Persik. Sipas presidentit amerikan, sulmet kanë goditur baza ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe vende të lëshimit të raketave, por infrastruktura e naftës në ishull nuk është shënjestruar. Ai theksoi se ky vendim është marrë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në rajon.
Ishulli Kharg, një ishull i vogël por strategjik 15 milje larg bregdetit të Iranit në Gjirin Persik, është shtëpia e një terminali nafte që transporton 90% të eksporteve të naftës së vendit. Atje ka edhe kapacitete ushtarake , duke përfshirë mbrojtje ajrore dhe mina të varrosura nën tokë.
Ishulli Kharg është "shtylla kurrizore" e infrastrukturës së tregtisë së naftës në Iran, sipas një analisti, i cili tha se Irani fitoi 53 miliardë dollarë amerikanë në të ardhura neto nga eksporti i naftës në vitin 2025, rreth 11% të PBB-së vjetore të vendit.
Nga ana tjetër agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars njoftoi se sulmet amerikane nuk kanë shkaktuar dëme në infrastrukturat e naftës në ishullin Kharg. Burime nga vendi i ngjarjes, të cituara nga Fars, raportojnë për të paktën 15 shpërthime që pasuan sulmet, të cilat kishin si objektiv një post të mbrojtjes ajrore, një bazë detare, kullën e kontrollit të aeroportit dhe hangarin e helikopterëve të një kompanie naftësore offshore./ZËRI
'Irani të dorëzohet"! Trump: Po më luten për një marrëveshje, por unë nuk e dua
SHBA-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se Irani është “plotësisht i mposhtur” dhe po lutet për një “marrëveshje”, por ai nuk e dëshiron një të tillë.
"Mediat e lajmeve të rreme urrejnë të raportojnë sa mirë u soll ushtria e Shteteve të Bashkuara kundrejt Iranit, që u mund plotësisht, dhe se Irani dëshiron një marrëveshje, por jo një marrëveshje që unë do ta pranoja! Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore, as aftësinë për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lindjen e Mesme apo, në fakt, botën! Ushtria iraniane dhe të gjithë të tjerët e përfshirë në këtë regjim terrorist do të bënin mirë të heqin armët dhe të shpëtojnë atë që ka mbetur nga vendi i tyre, që nuk është shumë,'-shkroi Trump në Truth.
Më herët Trump tha se ushtria amerikane kishte goditur të gjitha objektivat ushtarake iraniane në Ishullin Kharg. Ishulli Kharg është një nga pikat më të rëndësishme të Iranit pasi 90% e eksporteve iraniane të naftës nisen nga ky ishull./ZËRI