Policia largon me forcë çadrën/ Arrestohen disa protestues, Lapaj lëndohet në dorë
TIRANË- Një protestë që nisi paqësisht në orën 12:00 dhe përfundoi pak çaste më parë, e organizuar nga “Shqipëria Bëhet”, me Adriatik Lapajn në krye, u mbyll me heqjen e çadrës së ngritur nga aktivistët para godinës së qeverisë që prej datës 8 dhjetor. Në rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” mbetën të shpërndara sendet personale të aktivistëve, të cilët kaluan ditë dhe netë në atë çadër.
Për shkak të përplasjeve me policinë, disa protestues u shoqëruan nga forcat e rendit, ndërsa disa persona u lënduan lehtë. Mes tyre ishte edhe Lapaj, i cili, siç duket edhe në foto, ka marrë dëmtime në dorë.
Edhe pse kjo ishte një nga protestat që solli përplasje mes protestuesve dhe policisë, Lapaj u bëri thirrje mbështetësve që të rikthejnë sërish karrige dhe çadra për të vijuar rezistencën, së bashku me protestat në ditët në vijim./ZËRI
VIDEO/ Përplasje mes protesteve dhe policisë për çadrën, Lapaj: Doni Ballukun ju, hajduta
TIRANË- Teksa Adriatik Lapaj po mbante protestën para Kryeministrisë, policia ka ndërhyrë në turmë për të hequr çadrën e protestuesve, të cilat ishin vendosur që prej 8 dhjetorit para godisë qeveritare. Lapaj reagoi me tone të ashpra ndaj efektivëve të policisë, duke i akuzuar për veprime të diktuara politikisht nga Belinda Balluku.
“Merrni Belindën, se ajo ua fut juve. Doni Belinda Ballukun, hajdutja! Keni marrë sot një oficer që është doktor shkencash, se do Belinda Balluku. Nuk më doni mua që ju respektoj, doni ata që vijnë me molotovë,” -tha Lapaj.
Ndër të tjera shtoi se protesta e organizuar prej tij dhe mbështetësve të tij ka qenë paqësore dhe pa incidente, ndërkohë që lajmëroi se nuk do largohen nga Kryeministria edhe nëse efektivët do të përdorin dhunë ndaj tyre. Ndërhyrja e policisë u shoqërua me tensione verbale, ku një egektiv policie raportohet se është lënduar./ZËRI
Protesta para Kryeministrisë/ Adriatik Lapaj: Dorëheqje për njeriun më të korruptuar të Europës, 10 mln euro çokollata
TIRANË- Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, gjatë protestës së organizuar para Kryeministrisë, akuzoi qeverinë për abuzime me paratë publike në dëm të qytetarëve. Ai kritikoi shpenzimin e 10 milionë eurove për çokollata, ndërsa buxheti për luftën kundër kancerit konsiderohet i pamjaftueshëm.
Lapaj theksoi se qëllimi i protestës është largimi i “njeriut më të korruptuar në Europë” dhe se 83 mandatet e Ramës nuk kanë vlerë, pasi sipas tij populli e di se qeveria i përdor për të vjedhur. Në përfundim të fjalës së tij, ai njoftoi se protesta do të vazhdojë, duke qëndruar në shesh deri në dorëheqjen e Ramës.
“Erdhi për të zhbërë modelin e oligarkisë së Berishës, por nuk është zhbërë… Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Europë. A ja dha populli 83 mandate që ta vjedhë? Ato mandate kanë zero vlerë sepse populli e di të vërtetën që ata na vjedhin. Ju këtu jeni njerëz të lirë, shqiptarët meritojnë të jetojnë me dinjitet. Kemi 27 net që flemë në këtë shesh. Regjimi hajdut i Ramës nuk ka dërguar asnjë ambulancë… Për ata ne jemi njerëz që nuk duhet të ekzistojmë… Këta kanë blerë 10 mln euro çokollata, por buxheti kundër kancerit nuk është 10 mln euro në këtë vend. Me një firmë të zv/kryeministres kanë vjedhur 50 mln euro, ndërsa fëmijët në shkolla dridhen nga i ftohti,” -tha Lapaj.
/ZËRI
VIDEO: Rama jep dorëheqjen, burgu po ju pret/ Nis protesta e Shqipëria Bëhet para Kryeministrisë
TIRANË- Ka nisur pak minuta më parë protesta e thirrur nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e udhëhequr nga Adriatik Lapaj. Dhjetra qytetarë janë mbledhur në orën 12:00 para Kryeministrisë, me pankarta në duar ku shkruhet: “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Edi Rama o hajdut”.
Në fjalën e tij, kreu i kësaj lëvizjeje e ka akuzuar qeverinë Rama për korrupsion, pas skandalit Balluku, duke kërkuar drejtësi në emër të qytetarëve.
Që prej datës 8 dhjetor, Adriatik Lapaj është “ngujuar” poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Ai e nisi protestën vetëm, por dhjetra qytetarë i janë bashkuar rezistencës, e cila, sipas Lapajt, do të zgjasë deri në rrëzimin e qeverisë./ZËRI
E para për 2026-ën! Adriatik Lapajt proteston para Kryeministrisë, Policia publikon planin e masave
TIRANË- Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, do të zhvillojë ditën e sotme, në orën 12:00, protestën e parë për këtë vit përpara Kryeministrisë.
Në lidhje me tubimin, Policia e Tiranës ka bërë publike masat e ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e protestës. Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 11:00 e paradites deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin rrugor nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”. Policia bën me dije se, në varësi të ecurisë së protestës dhe numrit të pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore në zonën përreth.
Njoftimi i Policisë:
Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 12:00. Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes, Konkretisht: -nga ora 11:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës apelon qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim shmangien e pengesave në qarkullim dhe garantimin e lëvizjes së lirë të pjesëmarrësve në tubim./ZËRI