LIVE UPDATES

Gjyqtarët e Shqipërisë me një zë: Shihemi si armiq! Të ketë forca sigurie në gjyaka, Kalaja-‘Dëshmor i Atdheut’

➤Është mbajtur sot në ambientet e Polit të Drejtësisë, një mbledhje me të gjithë gjyqtarët e vendit, e kërkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi. ➤Në mbledhje u vendos theksi te rënia e besimit në sistemin e drejtësisë, dhe sulmet e vazhdueshme që i bëhen magjistratëve nga politika dhe aktorë të tjerë. ➤Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi hodhi akuza dhe në drejtim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që sipas tij ka reagime të zbehta, përballë sulmeve që i bëhen gjyqtarëve. ➤Kreu i Gjykatës së Tiranës Gerd Hoxha, kërkoi shtimin e ambienteve të reja të punës, si dhe rritjen e numrit të magjistratëve.

5 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

Gjyqtarët në deklaratë: Kalaja të shpallet ‘Dëshmor i Atdheut’! Forcë të posaçme sigurie në gjykata

Gjyqtarët e Shqipërisë me një zë: Shihemi si armiq!
PAMJE NGA MBLEDHJA

TIRANË-263 gjyqtarë të Shqipërisë u mblodhën sot pas vrasjes së Astrit Kalasë, duke e cilësuar rastin si një goditje e rëndë për të gjithë sistemin. Në përfundim të mbledhjes gjyqtarët në një deklaratë të përbashkët kërkuan që gjqqtari Asrtit Kalaja të shpallet 'Dëshmor i Atdheut'. 

Figurat e drejtësisë duke marrë shkas nga ngjaraj e rëndë kërkuan hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave dhe vendosjen e një force të posaçme sigurie në gjykata. Gjyqtarët u ndalën edh enë dy pika të tjera sa i përket organizimit të brendshëm, si dhe kërkuan që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata.

DEKLARATA:

Në këtë ditë të rëndë për drejtësinë shqiptare, gjyqtarët e Republikës, të bashkuar në një zë, shprehin dhimbjen e thellë, tronditjen njerëzore dhe indinjatën institucionale për ngjarjen tragjike që i mori jetën kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja.

Kjo nuk është vetëm humbja e një njeriu të drejtësisë — është një plagë për gjithë sistemin, një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Vrasja e një gjyqtari në sallen e gjykimit është kufiri i fundit i cenimit të sigurisë dhe dinjitetit të drejtësisë. Në këtë moment dhimbjeje e reflektimi, ne deklarojmë me vendosmëri: Drejtësia nuk do të përkulet.

Asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë gjyqtarin shqiptar nga përmbushja e detyrës së tij kushtetuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje përmes ligjit. Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet të marrë fund.

Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje — kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës. Kjo ngjarje është një thirrje për veprim institucional. Sistemi gjyqësor po përballet me mungesë sigurie, godina të amortizuara, ngarkesë të papërballueshme pune dhe mungesë mbështetjeje. Drejtësia ka nevojë për forcim, për kushte të sigurta dhe për institucione që veprojnë, jo që heshtin. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të reagojë me forcë, përgjegjësi dhe guxim institucional. Kjo nuk është thirrje për konflikt, por për përgjegjësi.

Po kështu, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Në këtë frymë reflektimi dhe uniteti Mbledhja e Gjyqtareve të RSH shpreh vullentin e qartë mbi këto angazhime:

Siguria gjyqësore
- Krijimi i një Grupi Ndërinstitucional me përfaqësim nga KLGJ, KLP, MD, MB, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore.

- Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave.

- Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve.

-Hartimi dhe zbatimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore.

-Miratimi dhe zbatimi i menjëhershëm i masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike në gjykatë dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor.

Ndërhyrje të menjëhershme në ligjet ose aktet nënligjore që rregullojnë sistemin gjyqësor për të garantuar siguri fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave.

-Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e RSH.

-Inspektim kombëtar i gjykatave për siguri, akses dhe kushte pune. Standardizim i procedurave të sigurisë dhe trajnime për menaxhimin e krizave. Pajisja e të gjitha gjykatave me skaner dhe dedektor për garantimin e sigurisë në gjykata.

2. Përfaqësimi institucional dhe organizimi i brendshëm
- Krijimi i dy grupeve të përhershme pune pranë Këshilit të Lartë Gjyqësor për ideimin e nismës për ndryshime të akteve ligjore dhe nënligjore në lidhje me statusin e magjistratëve dhe për organizimin e sistemit gjyqësor.

-  Ndërgjegjësimi publik dhe bashkëpunimi me median

- Promovim i një komunikimi profesional që shmang gjuhën denigruese. Refuzim i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve si normalitet në diskursin publik dhe politik ndaj gjyqtarëve.

- Përgjegjësi dhe veprim institucional

- Nxitje për KLGJ që të ushtrojë me forcë mandatin kushtetues.

- Kërkesë që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata.

- Angazhime morale e profesionale të gjyqtarëve

- Përkushtim për gjykim në kohë, vendime të arsyetuara dhe qëndrueshmëri në jurisprudencë.

- Pranim i përgjegjësisë për forcimin e brendshëm të sistemit si themel i autoritetit moral të drejtësisë.

3.  Në kujtim të gjytarit të rënë në krye të detyrës, Astrit Kalaja

-Njohja e statusit “ Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit Astrit Kalaja.

-Salla e Mbledhjeve të Gjyqtarëve pranë godinës së KLGJ të marrë emrin e të ndjerit gjyqtar Astrit Kalaja.

Ngjarja e 6 Tetori nuk duhet të mbetet kujtesë e dhimbshme, por moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare.

Ne nuk kërkojmë keqardhje — kërkojmë veprim

Sepse një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur, dhe një drejtësi e pambrojtur është një qytetar pa shpresë. Ne angazhohemi solemnish që, pavarësisht tronditjes, të vijojmë të gjykojmë me paanshmëri, ndershmëri dhe kurajë. Drejtësia shqiptare nuk dorëzohet — ajo ringrihet.

Drejtësia nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë të veprojë me guxim, për të mbrojtur lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.

7 MUAJ ME PARE

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, kreu i GJKKO: Në Shqipëri mungon kultura juridike, shihemi si armiq

Gjyqtarët e Shqipërisë me një zë: Shihemi si armiq!
erjon bani

TIRANË- Kreu i Gjykatës së Posaçme Erjon Bani, në fjalën e tij në mbledhjen e gjyqtarëve në Polin e Drejtësisë, u shpreh se vrasja e Astrit Kalasë, është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin. Bani tha se kjo ngjarje tragjike do të duhet të shërbejë si një kthesë historike, për rritjen e besimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë. Bani tha se në vendet e zhvilluara, respekti për pushtetin gjyqësor është i pakushtëzuar, dhe askush nuk e vë në dyshim rolin e gjyqtarit si mbrojtës i ligjit dhe i të drejtave themelore të njeriut. Ndërsa në Shqipëri sipas tij, për fat të keq, ky respekt është gërryer me vite nga sulmet politike, nga mungesa e mbrojtjes institucionale dhe nga një frymë publike që shpeshherë e sheh gjyqtarin si armik, jo si garantues të drejtësisë.

Deklarata e plotë:

Ngjarja tragjike e datës 6 Tetor, në Gjykatën e Apelit, ku kolegu ynë i ndjerë, gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës, do të mbetet gjatë në kujtesën tonë si një plagë e thellë dhe një goditje e rëndë për sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë.

Kjo ngjarje, që tronditi jo vetëm trupën e magjistratëve por gjithë opinionin publik, duhet të shërbejë si pikë kthese historike për të rivlerësuar rrënjësisht mënyrën se si trajtohet siguria në ambientet e gjykatave dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi respektin ndaj institucioneve të drejtësisë.

Gjithashtu, kjo ngjarje është një moment kur më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Sot, jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka një plagë të hapur në raport me sistemin gjyqësor. Problemi nuk është i kufizuar vetëm brenda mureve të gjykatave, ai fillon nga mungesa e kulturës juridike në shoqëri, nga moskuptimi i rolit të drejtësisë si garanci e paqes sociale dhe përfundon tek një diskurs publik shpesh agresiv e denigrues ndaj gjyqtarëve. Është e papranueshme që një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian të ketë ende një perceptim publik kaq të paragjykuar ndaj gjyqësorit.

Në vendet e zhvilluara, respekti për pushtetin gjyqësor është i pakushtëzuar, askush nuk e vë në dyshim rolin e gjyqtarit si mbrojtës i ligjit dhe i të drejtave themelore të njeriut. Në Shqipëri, për fat të keq, ky respekt është gërryer me vite nga sulmet politike, nga mungesa e mbrojtjes institucionale dhe nga një frymë publike që shpeshherë e sheh gjyqtarin si armik, jo si garantues të drejtësisë.

Gjendja në të cilën ndodhet sot gjyqësori është e papranueshme dhe demoralizuese, por kjo mbledhje duhet të na shërbejë si moment bashkimi e reflektimi. Ne duhet t’i japim forcë njëri-tjetrit, të ringjallim idealin që na udhëhoqi që prej bankave të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, idealin për një Shqipëri ku sundon ligji, ku çdo qytetar është i barabartë përpara tij dhe ku çdo magjistrat mund të ushtrojë detyrën me dinjitet dhe në siguri të plotë.

Ky ndryshim duhet të nisë nga themeli i shoqërisë, nga shkollat, universitetet, familjet dhe sidomos media, për të krijuar një kulturë të re respekti ndaj ligjit dhe institucioneve të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të formohet brezi i ardhshëm që e sheh gjyqësorin si simbol të shtetit, jo si objekt presioni apo urrejtjeje.

Situata ligjore dhe rregullatore në Shqipëri

Kur flas për sigurinë në gjykata, nuk e kam fjalën vetëm për mbrojtjen fizike të gjyqtarëve. Mbrojtja përfshin çdo person që hyn në gjykatë apo që ushtron detyrën brenda gjykatës, duke përfshirë këtu punonjësit e administratës, palët në proceset gjyqësore, dëshmitarët, viktimat, ekspertët, gazetarët dhe publikun.

Shqipëria ka një kuadër ligjor që përcakton përgjegjësinë e Policisë së Shtetit për rruajtjen e rendit dhe sigurinë në sallat e gjykimit si dhe detyrimin e Këshillave të Gjykatave për detajimin e rregullave për ruajtjen e sigurisë (VKM nr. 333/2010, 932/2010, 538/2020 dhe neni 38 i ligjit nr. 98/2016). Megjithatë, kjo mbrojtje nuk është zbatuar ende në gjykatat e vendit. Është momenti që çdo Këshill Gjykate të përcaktojë rregullat e brendshme për ruajtjen e sigurisë dhe që Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor të hartojnë një politikë të mirëpërcaktuar për rregullin dhe sigurinë në ambientet e gjykatave sipas parashikimeve të nenit 49 të Ligjit nr. 98/2016.

Standardet ndërkombëtare.

Në këtë fjalim timin, dua të nënvizoj këtu reagimin e magjistratëve në SHBA, kur pas sulmit fatal në shtëpinë e gjyqtares federale Esther Salas në Neë Jersey më 19 korrik 2024, humbi jetën djali i saj dhe u plagos rëndë bashkëshorti. Menjëherë Konferenca Gjyqësore iu drejtua Kongresit Amerikan me kërkesën për një paketë masash sigurie, duke kërkuar fonde për përmirësimin e sistemeve të sigurisë në shtëpitë e gjyqtarëve dhe godinat federale, si dhe masa shtesë për mbrojtjen e informacionit personal të gjyqtarëve. Propozimet përfshinin instalimin e sistemeve moderne të alarmit, rritjen e numrit të policëve federalë, përmirësimin e kamerave të sigurisë dhe masa ligjore për të parandaluar publikimin e informacionit personal.

Ky rast nënvizon rëndësinë e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre dhe shërben si pikë referimi për shqyrtimin e situatës në Shqipëri.

Rekomandime për përmirësimin e sigurisë në gjykata

Në këtë kuadër, ky fjalimi i imi sot synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit të magjistratëve lidhur me sigurinë në gjykata dhe të ofrojë rekomandime konkrete për përmirësimin e saj. Ai bazohet në manualet e titulluar “Praktikat më të mira të sigurisë në gjykata” të Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore në SHBA (NCSC, 2022) dhe “Udhëzuesin e Shoqatës Kombëtare të Sherifëve” (NSA, 2020) mbi sigurinë në gjykata.

Mbështetur në këto udhëzues për të vlerësuar gjendjen e sigurisë fizike të gjykatave shqiptare, propozohet që të ndihen hapat si më poshtë vijon:

I.        Metodologjia e vlerësimit të situatës aktuale

Për të ndërtuar një sistem sigurie funksional në gjykatat shqiptare, hapi i parë është kryerja e një vlerësimi gjithëpërfshirës të situatës aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave dhe masave konkrete. Ky vlerësim duhet të përfshijë disa komponentë kryesorë:

1. Inspektimet fizike të infrastrukturës

•        Të gjitha gjykatat duhet të inspektohen në mënyrë sistematike për të identifikuar pikat e forta dhe dobësitë e tyre.

•        Inspektimi duhet të përfshijë hyrjet dhe daljet (përfshirë daljet emergjente), sallat e gjyqit, zyrat e administratës, hapësirat publike dhe parkimet.

•        Duhet të analizohet gjendja e kamerave ekzistuese, sistemeve të alarmit, pajisjeve kundër zjarrit dhe siguria e korridoreve për transportin e të pandehurve.

•        Ky proces duhet të bazohet në një checklist standarde sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të përmendura më sipër, për të siguruar që të gjitha aspektet të trajtohen në mënyrë uniforme.

2. Analiza e protokolleve dhe politikave ekzistuese

•        Të shqyrtohen dokumentet aktuale që lidhen me masat e sigurisë (urdhra të brendshëm, rregullore pune, marrëveshje me Policinë e Shtetit).

•        Të analizohet nëse ekzistojnë protokolle të mirëfillta për menaxhimin e incidenteve (p.sh., si duhet vepruar në rast të një kërcënimi me armë ose zjarr).

•        Të identifikohen boshllëqet midis praktikës aktuale dhe standardeve ndërkombëtare. Për shembull, shumë gjykata shqiptare nuk kanë procedura të standardizuara për kontrollin e vizitorëve, ndërsa kjo është praktikë e detyrueshme sipas praktikave ndërkombëtare.

3. Intervistimi i gjyqtarëve, stafit dhe personelit të sigurisë

•        Intervistat duhet të synojnë mbledhjen e informacionit mbi perceptimet dhe përvojat e tyre në lidhje me sigurinë.

•        Gjyqtarët dhe prokurorët mund të evidentojnë rastet e kërcënimeve apo presioneve, stafi administrativ mund të flasë mbi sigurinë e përditshme, ndërsa oficerët e sigurisë mbi praktikat operative.

•        Ky proces ndihmon në krijimin e një panorame reale dhe në identifikimin e rreziqeve të perceptuara dhe reale.

4. Testimi i reagimit ndaj skenarëve emergjentë përmes ushtrimeve praktike

•Të organizohen ushtrime simulimi (p.sh., evakuimi në rast zjarri, reagimi ndaj një personi të armatosur, menaxhimi i turmës).

•Ushtrimet duhet të testojnë jo vetëm personelin e sigurisë, por edhe gjyqtarët, stafin dhe publikun.

•Rezultatet e këtyre ushtrimeve shërbejnë për të identifikuar mangësitë në reagim dhe për të përmirësuar planet e emergjencës.

5. Krahasimi me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare

•Vlerësimi duhet të përfundojë me një analizë krahasuese, ku situata e gjykatave shqiptare vendoset në raport me standardet ndërkombëtare të përmendura më lartë që përcakton masa themelore, kritike dhe thelbësore dhe ku vihet theksi mbi domosdoshmërinë e një koordinimi ndërinstitucional, procedura uniforme dhe ndërgjegjësimin e publikut.

•Ky krahasim do të mundësojë hartimin e një plani kombëtar sigurie për sistemin gjyqësor, duke përshtatur praktikat ndërkombëtare me realitetin dhe burimet e brendshme.

II. Krijimi i një Këshilli Sigurie për Sistemin Gjyqësor

Ky Këshill, i përbërë nga gjyqtarë të të gjitha niveleve dhe juridiksioneve, do të kishte funksion këshillimor dhe mbikëqyrës, i ngjashëm me komitetet e sigurisë të rekomanduara nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore në SHBA në manualet e titulluar “Praktikat më të mira të sigurisë në gjykata”. Detyrat e tij do të përfshinin:

Miratimin e një metodologjie për analizimin e situatës aktuale dhe matjen e riskut

Sot mungon një mekanizëm unik për matjen e rrezikut. Metodologjia duhet të përfshijë inspektime fizike, intervista me personel, testime praktike dhe analiza krahasuese me praktikat ndërkombëtare.

Ngritjen në çdo gjykatë të qendrave të monitorimit

Gjykatat shqiptare kanë pak ose aspak sisteme të centralizuara monitorimi. Vendosja e qendrave të komandës me kamera, alarme dhe komunikime emergjente është një standard ndërkombëtar.

Standardizimi i procedurave të sigurisë në çdo gjykatë

Procedurat aktuale ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën. Standardizimi garanton barazi sigurie dhe përgjigje më të koordinuar ndaj incidenteve.

Uniformizimi i planeve të emergjencës

Aktualisht gjykatat nuk kanë plane emergjence të unifikuara. Nevojitet që çdo gjykatë të hartojë plane të personalizuara, të bazuara në analiza periodike risku.

Trajnimi i detyrueshëm dhe çertifikuar

Stafi gjyqësor në Shqipëri nuk ka trajnim të specializuar në siguri. Në përputhje me praktikat ndërkombëtare, duhet të kryhen trajnimet e çertifikuara mbi reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe sigurinë personale.

III. Vendosja e rolit të koordinatorit të sigurisë në çdo gjykatë

Sipas praktikave ndërkombëtare, një koordinator sigurie duhet të shërbejë si pika lidhëse mes gjykatës, policisë dhe institucioneve të tjera. Në Shqipëri, ky rol do të mund të caktohej nga administrata gjyqësore, duke pasur autoritet për të koordinuar protokollet e sigurisë dhe reagimin emergjent.

IV. Kryerja e auditimeve periodike të jashtme

Në sistemin gjyqësor shqiptar mungon një mekanizëm i pavarur vlerësimi. Auditimet nga ekspertë të jashtëm (kombëtarë ose ndërkombëtarë) do të garantonin matjen objektive të progresit, transparencë dhe identifikim të boshllëqeve. Kjo praktikë është theksuar nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore në SHBA si thelbësore për ruajtjen dhe mbajtjen e standardeve gjatë gjithë kohës.

VI. Bashkëpunimi ndërinstitucional

Siguria nuk është vetëm detyrë e gjykatës. Përvoja ndërkombëtare (NSA) tregon se bashkëpunimi i ngushtë mes gjykatave, policisë, shërbimeve shëndetësore, emergjencave civile dhe institucioneve të tjera është thelbësor. Në Shqipëri, ky bashkëpunim është shpesh sporadik dhe i paformalizuar, për rrjedhojë nevojitet protokoll bashkëpunimi i detajuar. Kur them bashkëpunim ndërinstitucional përfshij këtu edhe angazhimin real të institucioneve përgjegjëse për hartimin e projektbuxhetit të shtetit dhe miratimin e buxhetit.

VI. Edukimi i publikut mbi rregullat e sigurisë

Shumica e incidenteve në gjykatat shqiptare ndodhin për shkak të mosnjohjes së rregullave nga qytetarët. Programet e ndërgjegjësimit publik, si fletëpalosje, udhëzues vizualë në hyrje, njoftime elektronike dhe bashkëpunim me median, janë praktika ndërkombëtare që mund të përshtaten në Shqipëri. Kjo rrit respektimin e rregullave dhe ul tensionet.

Në këtë proces, media luan një rol vendimtar. Ajo duhet të jetë partner në informim, jo faktor presioni, të ndërtojë besim publik, jo paragjykim. Në vend të gjuhës denigruese apo të titujve sensacionalë, media duhet të ofrojë informacion edukues mbi rolin e gjyqësorit dhe të verifikojë informacionet që transmeton. Vetëm përmes një media të përgjegjshme dhe profesionale mund të ngrihet kultura e respektit ndaj drejtësisë, duke ndihmuar publikun të kuptojë se gjykatat janë institucione të shenjta të ligjit, jo arena për linçim publik.

Ndaj, është detyrë e çdo institucioni, çdo qytetari dhe çdo gazetari të kontribuojë për ngritjen e një fryme të re bashkëpunimi dhe respekti ndaj drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sistem gjyqësor të fortë, të sigurt dhe të respektuar, ashtu siç e meriton vendi ynë.

Për ta përmbyllur, ritheksoj se ngjarja e 6 Tetorit nuk duhet të mbetet vetëm një kujtesë e dhimbshme, por një moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare. Siguria në gjykata nuk është privilegj i gjyqtarëve, është kusht themelor për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Pa gjykata të sigurta, nuk ka pavarësi, nuk ka drejtësi dhe nuk ka shpresë.

Pas ngjarjes tragjike që tronditi sistemin gjyqësor shqiptar, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e vendit, e cila u mbajt sot në ambientet e Polit të Drejtësisë. 

7 MUAJ ME PARE

Sokol Sadushi akuza të forta ndaj KLGJ-së: Nuk mund të heshtni më, të drejtojmë gishtin dhe nga vetja

Gjyqtarët e Shqipërisë me një zë: Shihemi si armiq!
sokol sadushi

TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe politikanëve, ndërsa vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja e ka quajtur një ‘vdekje të paralajmëruar’. Sadushi nuk i kurseu kritikat në drejtim të politikanëve, që sipas tij i kanë fryrë dhe nxitur gjuhën e urrejtjes.

Më tej, kritikoi edhe vetë aktorët e drejtësisë: “Përpara se të drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne duhet të fillojmë nga vetja. Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete. Ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie. Një gjyqësor që nuk është i parashikueshëm në jurisprudencën e tij, humbet forcën e ligjit dhe respektin e publikut. Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin”.

Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh shumë kritik ndaj KLGJ-së: “Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme. Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale. Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit. KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato. Gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ne, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi. Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur; dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre. Do ta kuptojnë sa shumë kanë humbur për gjyqësorin që nuk e mbrojtën siç duhet dhe sa pak kanë bërë për të ndryshuar gjendjen që sot e denoncojnë me heshtje”.

Fjala e plotë e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi:

Ka çaste në historinë e drejtësisë kur fjala humbet peshën e saj, sepse dhimbja është më e madhe se çdo fjalë. Sot është një nga ato çaste. Vrasja e kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë kriminale. Ajo është një goditje në themel të asaj që përfaqëson drejtësia, një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë si njerëz dhe si gjyqtarë. Është një akt që ka tronditur jo vetëm trupën gjyqësore, por edhe shtetin, sepse ndodhi aty ku ligji duhet të jetë më i fortë, në sallën e gjyqit, vendin ku drejtësia merr formë dhe ku qytetari kërkon mbrojtje. Dhe pikërisht aty, ku duhej të mbretëronte ligji, ndodhi e pamendueshmja.

Kjo është një vdekje e paralajmëruar. Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj. Në vend që të ngrihej besimi te ligji, është lejuar që opinioni publik të helmohet nga gjuha e urrejtjes dhe paditurisë.

Kjo nuk është thjesht një klimë mosrespekti, por një fushatë e vazhdueshme goditjeje dhe denigrimi. Zëra të shumtë nga politika partiake e shtetërore, nga media joprofesioniste dhe nga individë që shfaqen si “juristë të shquar” pa pasur as kulturën më të thjeshtë juridike, janë bërë komentues të përditshëm të vendimeve gjyqësore, pa përgjegjësi, pa etikë dhe shpesh pa asnjë dije ligjore minimale. Ata japin gjykime si të ishin gjyqtarë, shpallin fajësinë apo pafajësinë e kujt të duan, interpretojnë Kushtetutën sipas interesit të momentit dhe shpërndajnë verdikte televizive nëpër studio që imitojnë sallat e gjyqit. Kjo nuk është liri fjale, është deformim publik i drejtësisë. Dhe kur shteti hesht, kur institucionet që duhet të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit heshtin, kjo heshtje bëhet bashkëfajësi morale.

Në këtë kakofoni zërash, politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore. Në vend që të respektojnë procesin ligjor, ata nguten të vendosin vetë “drejtësinë” në mikrofon e kamera, duke gjykuar magjistratin si të ishte palë politike.

Kjo gjuhë përbuzjeje nuk ndalet këtu. Ajo vazhdon të përhapet në rrjetet sociale, ku deformohet çdo vendim dhe ku shpërthejnë pa asnjë përgjegjësi fyerjet, shpifjet dhe urrejtja ndaj gjyqtarëve. Kështu, gjuha e politizuar është shndërruar në kulturë virtuale linçimi, që ushqen armiqësi ndaj magjistratit dhe helmon perceptimin e publikut për drejtësinë.

Kjo është e papranueshme. Kjo është e pafalshme, sepse nga kjo gjuhë e urrejtjes dhe kjo klimë helmimi, është ushqyer mosbesimi, është nxitur frika dhe në fund është goditur vetë shteti i së drejtës.

Ngjarja tragjike që na ka mbledhur sot është pikërisht pasoja më ekstreme e kësaj atmosfere të helmuar, një ngjarje që duhej parandaluar, sepse ishte paralajmëruar në çdo fyerje, në çdo deklaratë të papërgjegjshme, në çdo sulm publik ndaj një gjyqtari që bën vetëm detyrën e tij.

Por përpara se të drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne duhet të fillojmë nga vetja. Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete. Ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie. Një gjyqësor që nuk është i parashikueshëm në jurisprudencën e tij, humbet forcën e ligjit dhe respektin e publikut. Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin.

Shpesh harrojmë se çdo vendim gjyqësor nuk është thjesht një dokument juridik, por një mesazh për shoqërinë mbi forcën dhe seriozitetin e shtetit të së drejtës. Prandaj, përpara se të kërkojmë respekt, duhet të japim shembull. Duhet të kthejmë në standard profesional të përditshëm atë që sot e konsiderojmë virtyt të rrallë: gjykimin në kohë, vendimin e arsyetuar dhe qëndrueshmërinë në jurisprudencë. Ka vend për përmirësim, për reflektim, për përgjegjësi. Vetëm një gjyqësor që pranon dobësitë e veta dhe punon për t’u forcuar nga brenda, ka të drejtën morale të kërkojë llogari nga të tjerët. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia do të fitojë besimin e humbur dhe autoritetin moral që i takon.

Megjithatë, vetëkritika nuk mund të na verbojë përballë realitetit brutal në të cilin jemi lënë të punojmë. Ne e dimë mjaft mirë dallimin mes një opinioni kritik, që është i pranueshëm në një shoqëri demokratike dhe fyerjes apo akuzës personale që synon të delegjitimojë figurën e gjyqtarit. Ai nuk është i pakritikueshëm, por askush nuk ka të drejtë ta bëjë objekt të përbuzjes publike. Në çdo darkë televizive, në çdo panel ku përflitet drejtësia, zhvillohet një gjyq paralel ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të këtij vendi. Këta njerëz, pa përgjegjësi, pa etikë, pa dije juridike, e kanë kthyer fyerjen e gjyqtarëve në argëtim të përnatshëm, në spektakël të turmës. Ata janë bërë zëdhënës të emocioneve të momentit, jo të ligjit, dhe kanë helmuar opinionin publik duke rrënuar besimin e qytetarëve te drejtësia.

Përtej gjithë kësaj, ekziston edhe një tjetër pabarazi, po aq e dhimbshme. Gjyqtari nuk flet. Ai nuk replikon, nuk flet për veten dhe për vendimet e tij, nuk i përgjigjet akuzave dhe fyerjeve, sepse e kërkon vetë roli i tij, sepse heshtja është pjesë e dinjitetit të funksionit gjyqësor. Por ndërkohë që gjyqtari hesht, politika flet çdo natë, në çdo sallë, në çdo ekran, pa asnjë kufizim, me tone akuzuese, me gjuhë denigruese, me etiketime dhe verdikte. Ndërsa ne mbajmë peshën e përgjegjësisë, ata mbajnë privilegjin e fjalës. Kjo krijon një pabarazi morale, që në sytë e publikut e bën magjistratin më të dobët, më të pambrojtur, më të ekspozuar ndaj sulmit.

Ne nuk mund të lejojmë që kjo pabarazi të kthehet në normalitet. Ne nuk mund të heshtim përjetësisht përballë fyerjeve që bëhen ndaj sistemit, sepse heshtja institucionale, kur sulmohet drejtësia, nuk është më virtyt, është dorëzim. Mënyra si reagojmë duhet të jetë institucionale, e unifikuar dhe parimore, jo sporadike e rastësore. Nuk mund të ketë reagime të rastit, sipas presionit apo emocioneve të ditës. Gjyqësori ka nevojë për një zë institucional që të reagojë me dinjitet, maturi dhe forcë, sa herë që cenohen gjyqtarët dhe autoriteti i drejtësisë, sepse kur heshtet përballë padrejtësisë, humbet besimi. Dhe kur humbet besimi, rrënohet vetë drejtësia.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme. Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale. Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit. KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato. Gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ne, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi. Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur; dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre. Do ta kuptojnë sa shumë kanë humbur për gjyqësorin që nuk e mbrojtën siç duhet dhe sa pak kanë bërë për të ndryshuar gjendjen që sot e denoncojnë me heshtje.

Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur gjyqtari punon pa siguri. Nuk mund të ketë drejtësi të pavarur kur godina e gjykatës është në gjendje të mjerueshme. Nuk mund të ketë respekt për drejtësinë kur gjyqtari dhe qytetari hyjnë në të njëjtën derë, presin në të njëjtin korridor dhe zhvillojnë gjyqin në një zyrë pa audio e pa video, në kushte që nuk garantojnë as siguri, as solemnitet, as dinjitet institucional. Këto janë realitetet e dhimbshme të shumë gjykatave në vend. Shihni gjykatat e kryeqytetit, ku me një ngarkesë marramendëse, zhvillohen procese në zyra të ngushta dhe pa masa sigurie. Në rrethe të tjera, godinat janë të amortizuara dhe pa asnjë standard minimal sigurie. Në këto kushte, gjyqtari nuk është i mbrojtur. Dhe një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur.

Shteti nuk mund të vazhdojë të mbyllë sytë. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka detyrimin ligjor të garantojë kushtet e ushtrimit të funksionit gjyqësor, por prej kohësh ky detyrim është lënë pas dore. KLGJ ka ngurruar të marrë vendime të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve, për modernizimin e godinave të gjykatave dhe për plotësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore. Ka vonesa të pajustifikueshme në emërime, në ngritje në detyrë, në ndarjen e ngarkesave të punës. Ka mungesë koordinimi me organet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Askush nuk flet për sigurinë, për kushtet e punës, për dinjitetin e gjyqtarit.

Edhe pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ kanë përgjegjësinë e tyre. Nuk mund të ketë drejtësi moderne pa investim shtetëror. Nuk mund të kërkosh rezultate nga një sistem që punon me burime njerëzore të pamjaftueshme, me fonde të pakta dhe me infrastrukturë të shekullit të kaluar. Drejtësia nuk mund të funksionojë mbi bazën e propagandës. Ajo ka nevojë për garanci konkrete, për buxhet, për siguri dhe për respekt. Në këtë moment të errët, nuk mund të rrimë në heshtje. Duhet të ngremë zërin jo për ne, por për drejtësinë. Sepse një shtet që nuk mbron gjyqtarin, nuk mbron as qytetarin. Një shtet që lejon gjyqtarin të kërcënohet, lejon padrejtësinë të mbretërojë.

Kjo ngjarje tragjike nuk duhet të na përkulë. Ajo duhet të na bashkojë. Të na bëjë më të vetëdijshëm, më të fortë dhe më të vendosur për të mbrojtur jo vetëm veten, por gjithë sistemin që përfaqësojmë. Ne nuk kërkojmë privilegje. Ne kërkojmë siguri, respekt dhe dinjitet në ushtrimin e detyrës sonë. Kërkojmë që gjyqtari të mos ndihet i braktisur, i përbuzur apo i kërcënuar. Sepse një drejtësi e frikësuar është një drejtësi e paralizuar.

Ky është momenti për të vepruar. Të mos mjaftohemi më me fjalë, por të ndërmarrim hapa të dukshëm dhe të matshëm. Të krijojmë një Platformë Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore, ku të përfshihen të gjitha institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e gjyqtarëve.

Për këtë qëllim, të ngrihet një Grup Pune Ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe organeve të sigurisë, që do të hartojë dhe zbatojë këtë platformë.

Ajo duhet të përfshijë masa parandaluese, protokolle emergjente dhe standarde të detyrueshme sigurie për çdo gjykatë, si dhe një mekanizëm të përhershëm bashkërendimi institucional për monitorimin dhe raportimin publik të rezultateve. Të kërkojmë nga organet përkatëse miratimin dhe zbatimin e menjëhershëm të masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor. Të hartojmë Deklaratën e Solidaritetit të Gjyqtarëve të Republikës, që të shprehë publikisht unitetin tonë moral dhe profesional. Të vendosim një standard të ri të reagimit institucional, që asnjë akt dhune, kërcënimi apo fyerjeje ndaj gjyqtarëve të mos kalojë më pa reagim të përbashkët dhe të qartë nga gjyqësori. Këto nuk janë thjesht qëllime, janë angazhime konkrete për mbrojtjen e pavarësisë dhe dinjitetit të drejtësisë shqiptare.

Sot, në këtë sallë, drejtësia shqiptare nuk qan, ajo reflekton, ajo ngrihet. Ne flasim në emër të të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe nuk jemi këtu për t’u ankuar, por për të dëshmuar se drejtësia ka zemër që rreh dhe zë që flet me dinjitet. Gjyqtari shqiptar nuk kërkon mëshirë, ai kërkon respekt. Nuk kërkon privilegj, por kushtet për të mbrojtur ligjin. Nuk kërkon as duartrokitje, por sigurinë që i takon një njeriu që mbron të tjerët. Ne nuk do të dorëzohen përballë frikës. Nuk do të heshtim përballë padrejtësisë. Ne do të qëndrojmë, me dinjitet, me kurajë, me besim.

Le të jetë kjo mbledhje kthesa morale e gjyqësorit shqiptar. Le të jetë ky momenti kur heshtja kthehet në zë, kur frika kthehet në forcë, dhe kur dhimbja kthehet në angazhim për një drejtësi më të sigurt, më të drejtë, më njerëzore.

Në nder të kolegut tonë dhe në emër të çdo gjyqtari të Republikës, ne bëjmë sot një zotim solemn: të mos përkulemi, të mos dorëzohemi dhe të mos harrojmë kurrë se drejtësia është forca që mban gjallë shtetin, dinjitetin dhe shpresën e këtij vendi.

Dhe në emër të tyre, si Kryetar i Gjykatës së Lartë, dua të them qartë dhe pa ekuivok: Asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën. Asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit. 

Ky është angazhimi ynë moral dhe profesional. Ky është misioni ynë përpara qytetarëve dhe përpara historisë.

Ju faleminderit!

7 MUAJ ME PARE

Gerd Hoxha: Të ndalohet nxitja e urrejtjes ndaj gjyqtarëve, punojmë në godina që kanë qenë qendra trajnimi për qentë

Gjyqtarët e Shqipërisë me një zë: Shihemi si armiq!
gerd hoxha

TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Tiranës Gerd Hoxha, ka folur në hyrje të polit të Drejtësisë, në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ku tha se është e domosdoshme shtimi i numrit të magjistratëve, për shkak të volumit të madh të dosjeve stok. Po ashtu ai iu bëri thirrje politikanëve dhe funksionarëve të lartë që të shmangin deklaratat që nxisin urrejtjen ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Ndërkohë që Hoxha ka bërë dhe propozimet e tij në lidhje me masat që duhet të merren, gjatë mbledhjes së më shumë se 300 gjyqtarëve nga i gjithë vendi. 

Fjala e plotë e Hoxhës në mbledhje

Kam folur në biseda e takime formale e joformale, ku kemi qenë mbledhur së bashku, për të diskutuar të nxitur nga shumë probleme që na shqetësojnë, si: ngarkesa në punë e shtuar në mënyrë të palogjikshme nga një proces vetingu i paqartë e rraskapitës; trajtimi i papërshtatshëm financiar; mungesa e paarsyeshme e burimeve njerëzore; mungesa ulëritëse e ambienteve të përshtatshme të punës; mungesa frikshme e sigurisë për ne, familjet e pronat tona. Por, kurrë, kurrë nuk e kisha menduar që do të mblidheshim për të diskutuar se si do të mbrohemi nga rreziku i vrasjes në vendin e punës, aty ku mendohet se siguria e jetës dhe integritetit të gjyqtarit është e pacenueshme dhe gur i themelit për një vendimmarrje të drejtë.

Vrasja makabre e kolegut tonë të paharruar, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, të një prej gjykatave më të rëndësishme në vend, është një ngjarje tmerrësisht e rëndë, e cila ka shkaktuar një dhimbje aq të thellë, sa ka shqyer egërsisht shpirtin e çdo njeriu prej nesh kolegë të Titit, por edhe shpirtrat e çdo njeriu, i cili ka në themel të ekzistencës së tij dashurinë për jetën, respektin për njëri-tjetrin, bashkëjetesën e bazuar në moral e ligj.

Kjo ngjarje e rëndë, e pashembullt në 110 vite ekzistence të shtetit tonë, e padëgjuar në vendet ku sundojnë vlerat më të larta morale demokratike, mes sakrificave, përpiqemi çdo ditë të jemi pjesë, është një këmbanë alarmi drithërues për cilindo individ që jeton e punon në Shqipëri, shqiptar apo i huaj, për ta zgjuar nga agonia ku është zhytur morali i shoqërisë sonë, e ku përpëliten përpjekjet e dështuara të organeve shtetërore për një jetë më të sigurt, të cilat kanë detyrë kushtetuese e ligjore të garantojnë jetën dhe integritetin e gjyqtarëve e gjithë punonjësve të drejtësisë, si premisë e një jete të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe një ekonomie të shëndoshë.

Të nderuar kolegë!Të gjithë biem dakord se një sistem drejtësie i bazuar në sundimin e ligjit duhet të mbajë në konsideratë në radhë të parë parimet e barazisë para ligjit, të një gjykimi të drejtë e brenda një kohe të arsyeshme; të sigurisë juridike, të kontradiktorialitetit, të barazisë së armëve, të pafajësisë e proporcionalitetit në rast ndëshkimi, në çdo rast e ndaj cilitdo që është subjekt i një procedimi penal.

Trupa gjyqësore përshëndet qëndrimin parimor e mbështetës në disa raste dhe atë kritik konstruktiv në raste të tjera, të mbajtur deri sot nga përfaqësues të politikës dhe mediat. Jemi të bindur se në këtë mënyrë do të forcohet dhe rritet besimi i publikut tek organet e drejtësisë në përgjithësi dhe gjykatat në veçanti.

Ne mirëpresim dhe inkurajojmë çdo kritikë ndaj gjyqtarëve, punës së tyre, performancës dhe sjelljes së tyre brenda dhe jashtë zyrës.

Por situata e rrezikshme nga e cila kërcënohet sot jeta dhe integriteti i magjistratëve, veçanërisht gjyqtarëve, nuk erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Ajo është rezultat i klimës së thellë të urrejtjes ndaj çdo punonjësi të sistemit të drejtësisë: avokat, përmbarues, oficer policie gjyqësore, prokuror e veçanërisht gjyqtar. Kjo klimë dashakeqe, nxitëse jo vetëm e urrejtjes verbale, por tashmë e provuar, nxitëse edhe e veprimeve të drejtëpërdrejta kundër jetës dhe shëndetit të gjyqtarëve dhe palëve fituese në gjykim, prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri. Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Gjithashtu, ka vite që kjo klimë urrejtje dhe qasje negative ndaj sistemit gjyqësor kërkon me ngulm arritjen e dy objektivave kryesorë:
a) frikësimin e gjyqtarëve,
b) ndarjen e tyre,

të cilat janë element i qëllimit kryesor – kapjen dhe sundimin e sistemit gjyqësor nga përfaqësues të interesave antikushtetuese, antiligjore, antidemokratike e kriminale.

Ndaj është detyrim moral e ligjor i çdo avokati, përmbaruesi, oficeri policie gjyqësore, prokurori e gjyqtari të tregojnë se nuk frikësohen e nuk përcahen, por janë të vendosur, të bashkuar e të përkushtuar në punën e tyre për të dhënë drejtësi cilësore e në afate kohore të arsyeshme, bazuar në kushtet objektive ku punojnë.

Gjithashtu, është detyrim moral i çdo njeriu të lirë, që punon e jeton në Shqipëri, shqiptar a i huaj qoftë, që beson në vlerat e një sistemi shoqëror të bazuar në liri, demokraci e shtet të së drejtës; është detyrim moral ligjor i çdo institucioni vendas a të huaj, publik, shtetëror a privat, i çdo media e portali, të reagojë sa më parë e fuqishëm ndaj këtyre tendencave frikësuese e përcarëse, që kanë për qëllim kapjen dhe sundimin antikushtetues, antiligjor, antidemokratik e kriminal të sistemit gjyqësor.

Dështimi i shtetit në garantimin e kushteve më minimale të sigurisë, por edhe të punës nëpër gjykata, haset çdo ditë nga ne gjyqtarët e Republikës, por edhe gjithë përdoruesit e gjykatave dhe prokurorive. Mungesa e godinave të përshtatshme, veçanërisht për gjykata e juridiksionit të përgjithshëm në kryeqytet, është një gjendje e cila na shoqëron në mënyrë tallëse prej dekadash; gjykata, që prej dekadash, që funksionojnë në ambiente që janë përdorur dikur si fjetina apo si qendra trajnimi për kafshë polici, apo si ambjente pa asnjë lidhje me sistemin gjyqësor, janë sot vendi i punës së më shumë se 100 gjyqtarëve, qindra sekretareve gjyqësore e nëpunësve të tjerë; janë vendi ku takohen me mijëra njerëz, në konflikt mes tyre, për të zgjidhur problemet nga më të mprehta që njeh shoqëria; e ku si në asnjë institucion tjetër marrin zgjidhje, të cilat materializohen në dhjetra mijëra vendime.

Kjo Mbledhje nuk është mbivendosje apo anshkallim i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por tregues i forcës sonë vetëorganizuese, i përgjegjshmërisë ndaj fateve të shoqërisë sonë dhe i solidaritetit njerëzor. KLGJ ka mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese e ligjore, për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, si pjesë thelbësore e funksionimit të një sistemi gjyqësor të drejtë, të paanshëm e të pavarur.

Ndaj, kjo situatë skandaloze, kjo skamje vrasëse ambientale pune, burimesh njerëzore dhe kjo pasiguri e lartë për jetën dhe integritetin e gjyqtareve dhe përdoruesve të gjykatave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Nisur nga sa më sipër propozoj që:
a) t’u bëjmë thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithë aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore. Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.
b) t’i kërkojmë Qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjë urgjentisht në ligjet për sistemin gjyqësor, në aspektet që kanë të bëjnë me:
• rritjen e sigurisë në punë;
• me sigurinë e jetës, shëndetit e pronës të gjyqtarëve e punonjësve të gjykatave;
• me uljen e ngarkesës në punë e rritjen e cilësisë së gjykimeve dhe zvogëlimin e kohës së përfundimit të proceseve gjyqësore.

7 MUAJ ME PARE

Ekzekutimi i gjyqtarit brenda sallës së gjyqit, gjyqtarët e Shqipërisë në mbledhje urgjente

Gjyqtarët e Shqipërisë me një zë: Shihemi si armiq!
gjykata e lartë

TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e vendit. Kjo mbledhje vjen menjëherë pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, që tronditi sistemin gjyqësor. Takimi do të zhvillohet në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe synon të adresojë situatën e rëndë që ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri në radhët e gjyqtarëve.

Vrasja me armë brenda tempullit të drejtësisë ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gjyqtarëve dhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Lidhur me këtë, autoritetet pritet të marrin masa të menjëhershme për të garantuar mbrojtjen e trupës gjyqësore dhe integritetin e institucioneve gjyqësore.

Si ndodhi ngjarja?

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB