Apeli 'skenë krimi'! Autori me armë i kaloi “nën hundë” rojes, xhaxhai nxiti nipin të ekzekutonte gjyqtarin
TIRANË-Gjykata e Apelit u kthye në një skenë krimi mesditën 6 tetorit, ku gjyqtari, Astrit Kalaja u vra me armë zjarri, pasi u qëllua me tre plumba brenda sallës së gjyqit. Prokuroria e Tiranës ka rindërtuar dinamikën e ngjarjes së rëndë, se çfarë ndodhi brenda dyerve të Gjykatës.
Sipas Prokurorisë autroi Elvis Shkambi është nxitur nga xhaxhai i tij, Gjon Shkambi që të vriste gjyqtarin, Astrit Kalaja. Xhaxha e nip, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42, ndërsa skaneri ka sinjalizuar prezencën e armës.
Nga pamjet filmike rezulton se në ekranin e detektorit janë ndezur dritat e kuqe (që sinjalizojnë prezencën e metaleve), ndërkohë roja, Banush Koxhaj me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrike dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të Elvis dhe Gjon Shkambit apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës. Koxhaj po hetohet për “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Më pas, autori i ka drejtuar armën edhe Rakip e Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët mbetën të plagosur.
Pas vrasjes, autori Elvis Shkambi i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë i qetë në oborr, u arrestua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.
Gjyqtari i ndjerë, Astrit Kalaja po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Gjon Shkambi pretendonte se ishte pronari i godinave ku jetonin të paktën 31 familje. Banorët e kishin hedhur në gjyq dhe akuzuar për marrjen e pronave. Por Shkambi pretendonte se i kishte me dokumentacione dhe i ka fituar përmes proceseve gjyqësore. Ai ka kërcënuar publikisht edhe familjarët që ishin në proces gjyqësor për godinën e ish-shkollës së rezervave në Shkodër. Por procesi gjyqësor ka vijuar me një vendim që solli përgjakje fatale.
Një çështje pronësie e pazgjidhur prej vitesh, 'u vulos' me ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe me prangosjen e palës që pretendonte prej kohësh, se prona e tyre ishte uzurpuar nga pala tjetër me dokumente të falsifikuara./ZËRI
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Prokuroria zyrtarizon akuzat, "arrest me burg" për Elvis Shkambin dhe 2 të tjerët
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për 3 persona lidhur me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Konkretisht, janë ngritur akuzat penale ndaj autorit Elvis Shkambi, për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”, Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe shtytës në ngjarje dhe Banush Koçiu, punonjës sigurie në gjykatë, për “Shpërdorim detyre”. Për tre të arrestuarit prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë "arrest me burg".
Prokuroria ka rindërtuar dinamikën e ngjarjes bazuar edhe në këqyrjen e pamjeve filmike, duke bërë me dije se Elvis dhe Gjon Shkambi, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42 të asaj dite, ndërsa skaneri nuk ka sinjalizuar prezencën e armës. Ndërkohë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Më pas, autori i ka drejtuar armën edhe Rakip e Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët mbetën të plagosur.
Ndërkohë, masa "arrest me burg" është kërkuar edhe për xhaxhain e autorit Gjon Shkambi, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni se nipi i tij ka patur armë me vete dhe ka qenë në dijeni të planeve të tij për të vrarë gjyqtarin e Apelit nëse do jepte një vendim në dëm të tyre.
Sakaq, punonjësi i sigurisë, ndaj të cilit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontroll fizik apo regjistrimin e këtyre personave në librin e protokollit.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 10.08.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.7416, për veprën penale “Vrasje e fuksionarëve publik”, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.Sh., “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese”, kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, ndaj shtetasve R.K. dhe E.K, në ngarkim të shtetasve E. Sh. dhe G.Sh, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”, parashikuar nga neni, 278 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit E.Sh dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit B. K.
Në datën 06.10.2025, rreth orës 15:38, u mor njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, se në ambjentet e brendshme të Gjykatës se Apelit të Juridiksionit për Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri, gjyqtari A.K.
Menjehërë pas marrjes së njoftimit, u formua grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, në drejtimin e Prokurorisë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrjes së deklarimeve, etj, ka rezultuar se: më datë 06.10.2025, rreth orës 15:35 në ambjentet Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar seanca gjyqësore, me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R. K.,etj. Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A. K., shtetasi E.Sh. që ndodhej në sallë, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit i cili si pasojë e të shtënave është rrëzuar në tokë. Pas këtij veprimi, shtetasi E.Sh. i ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët tentuan të dalin nga salla dhe qëlloi me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të tyre, ku si pasojë, shtetasi E. K., është dëmtuar në dorën djathtë, ndërsa shtetasi R.K. në trup.
Menjehërë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.
I ndjeri u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë pas marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit. Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike të ruajtura në sereverin NVR e Gjykatës, rezulton se në datë 06.10.2025, në orën 13:42, në ambjentet e sallës së pritjes për publikun të gjykatës kanë hyrë dhe kanë kaluar pajisjen skaner (detector), njëri pas tjetrit, shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., dhe në ekranin e detektorit vërehet që janë ndezur dritat e kuqe (që sinjalizojnë prezencën e metaleve), ndërkohë që shtetasi B.K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrike dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës.
Sa më sipër, nga veprimet paraprake hetimore u krijua dyshimi i arsyeshëm se shtetasi E.Sh., ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje e fuksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, në dëm të viktimës A.K., me detyrë gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R.K. dhe E.K. dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”, parashikuar nga neni, 278 i Kodit Penal.
Shtetasi Gj.Sh., ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe indicie se ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilesuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R. K. dhe E. K. Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij E.Sh., madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gj.Sh., gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të pasqyruara në sistemin deepsee (të administruara me procesverbal), për kanosjet me jetë që u janë bërë nga shtetasi Gj. Sh.
Sa i përket shtetasit B.K., krijohet dyshimi i bazuar se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga hetimi rezultoi se ai qëndron i ulur në karrike dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës, duke sjellë si pasojë hyrjen me armë të shtetasit E. Sh. në sallën e gjyqit dhe kryerjen më pas të vrasjes prej këtij të fundit.
Të tre këta shtetas janë arrestuar në flagrancë si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura dhe për ta është paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesa për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.
Homazhe në nder të Kalasë, kreu i GJKKO-së: Duhen godina të reja për gjykatat
TIRANË- Kreu i GJKKO-së Erjon Bani mori pjesë në homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja. Në një prononcim për mediat, Bani u shpreh se gjykatat kanë nevojë edhe për siguri. Bani tha se gjykatat kanë nevojë për godina të reja, pasi 99% të gjykatave nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë.
“Në 99% të gjykatave, nuk plotësohen kushtet e sigurisë. Asnjë gjykatë si plotëson kushtet e sigurisë pasi duhen ndërtuar nga filimi. Gjykatat duhet të kenë siguri. Pa pasur siguri, gjykatësi nuk ka si të marrë një vendim profesional. Gjykatat duhen ndërtuar nga e para, që të kemi godina të reja. Nuk mund të lihen gjykatat në këtë situatë. Kjo kërkon një analizë të thellë, gjykatësit do diskutojnë dhe do adresohen problemet në organet kompetente”, tha Bani.
Homazhet për Astrit Kalanë, Ulsi Manja: Drejtësia ka humbur një gjyqtar me integritet
TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mori pjesë në homazhet që po zhvillohen në nderim të firgurës së gjyqtarit Astrit Kalaja. Pasi i dha nderimet e fundit mikut të tij të vjetër, Manja është shprehur për mediat se drejtësia humbi një gjyqtar me integritet, teksa kujtoi kohën kur Kalaja ishte gjyqtar në Shkodër ndërsa Manja drejtonte Prokurorinë.
“Jam këtu për t’i dhënë nderimet e fundit një mikut tim të vjetër me të cilin na ka bashkuar puna në sistemin e drejtësië në ditë të vështira. Në vitet 2002-2007, kur Kalaja ishte gjyqtar në Shkodër ndërsa unë drejtoja prokurorinë e Shkodrës. Drejtësia ka humbur një gjyqtar me intregritet, njeri model ndërsa ne kemi humbur një shok të mirë. Ngjarja është tronditëse, kam deklaruar se është akt barbar, dhe këmbanë alarmi për sigurimin e punonjësve të drejtësisë. Le të shëbejë kjo ditë si homazh për të gjithë punonjësit e drejtësisë.”, u shpreh Manja.
“Një gjyqtare më tha se na kanë nxjerrë në pritë”, Maks Haxhia: U vra i gjithë sistemi i drejtësisë
TIRANË- Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka bërë një deklaratë të fortë pas homazheve që bëri në Pallatin e Kongreseve në nderim të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja. Haxhia tha se kjo nuk është vetëm vrasje e gjyqtarit, por është një goditje e sistemit të drejtësisë në tërësi.
“Kjo nuk është thjesht një ngjarje tragjike, por një vrasje e sistemit të drejtësisë”, deklaroi Haxhia për mediat. “Nuk bëhet fjalë vetëm për bojkot, por duhet të ndalet ky alarm, që prek sistemin, nga gjyqtari më i lartë deri te avokati më i thjeshtë. Në shoqërinë tonë është mbjellë një urrejtje e thellë ndaj njerëzve të drejtësisë, që duhet çrrënjosur sa më shpejt”.
Ai nënvizoi se frika në sistem është bërë kaq e madhe saqë një gjyqtare i rrëfeu se “na kanë nxjerrë në pritë”.
“Ky është një mesazh i qartë që tregon se ne kemi nevojë për masa drastike që të dalim nga kjo gjendje e rëndë. Nuk është vetëm çështje e gjyqtarëve, por edhe e avokatëve që duhet të analizojnë thellë rolin dhe përgjegjësitë e tyre në këtë proces, duhet tiua shpjegojmë qytetarëve që në një proces gjyqësor ka një palë fituese dhe një humbëse”.
Maks Haxhia e përshkroi Astrit Kalajën si “një njeri familjar dhe shumë human, që përfaqësonte vlerat më të mira të sistemit të drejtësisë”, duke shtuar se humbja e tij është një goditje e madhe për të gjithë profesionistët e drejtësisë në Shqipëri.
“Kjo ngjarje duhet të jetë thirrja jonë për të gjithë: avokatë, gjyqtarë, dhe çdo aktor i sistemit të drejtësisë. Populli duhet ta dijë se në një proces gjyqësor, gjysma e palëve do të humbasë, prandaj ne duhet të përpiqemi të ruajmë dinjitetin dhe sigurinë e të gjithë aktorëve në këtë proces”, përfundoi Haxhia.
Presidenti Begaj në homazhe, nderon gjyqtarin Astrit Kalaja
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë në homazhet në nderim të figurës së gjyqtarit Astrit Kalaja. Begaj la dhe shënimin në librin e përshtypjeve. Më herët në homazhe, mbërriti edhe kryeministri Edi Rama bashkë ministrin e drejtësisë. Besfort Lamallari.
Homazhet në nderim të gjyqtarit Kalaja, kanë nisur paraditen e sotme në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa të pranishëm kanë qenë krerët më të lartë të shtetit, dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI
Homazhet për Astrit Kalanë, Sokol Sadushi: Siguria e gjyqtarëve është zero
TIRANË- Janë duke u mbajtur në ambientet e Pallatit të Kongreseve, homazhet në nderim të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Pjesë e homazheve ishte edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili në një deklaratë për mediat u shpreh se kjo gjendje nuk mund të vijojë, pasi gjyqtarët kanë nevojë për siguri që të japin drejtësi.
“Duhen marrë masa pasi gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria në nivelin zero. Një gjendje e tillë nuk mund të lejohet më. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, tha ai.
Homazhe në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja do të mbahen edhe në Shkodër, ku ai do të prehet në varrezat e qytetit.
Konferenca e Kryetarëve, zbardhet kërkesa e opozitës: Gjyqtari Astrit Kalaja të shpallet "Dëshmor i Atdheut"!
TIRANË- Opozita ka kërkuar zyrtarisht në Konferencën e Kryetarëve që gjyqtari i ndjerë, Astrit Kalaja të shpallet "Dëshmor i Atdheut". Në mbledhjen që po zhvillohen në Kryesinë e Kuvendit, deputetët opozitarë kërkuan që institucionet shtetërore të nisin proceduat në lidhje me gjyqtarin e ndjerë, i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Opozita e konsideron këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë dhe kërkon që shteti të nderojë figurën e gjyqtarit që humbi jetën në krye të detyrës, duke i dhënë statusin më të lartë të nderimit për shërbimin ndaj vendit.
Kërkesa vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ambientet e Gjykatës, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi, teksa lexonte një vendim gjyqësor në Gjykatën e Apelit të Tiranës./ZËRI
Rama bëhet pjesë e homazheve për gjyqtarin Kalaja, nuk jep asnjë koment për mediat
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet në nderim të gjyqtarit të vrarë të Apelit, Astrit Kalaja. Rama u bë pjesë e homazheve së bashku me ministrin e drejtësisë Besfort Lamallari, ndërsa nuk pranoi të bënte asnjë koment për mediat, që ishin të pranishme në hyrje të Pallatit të Kongreseve.
Homazhet në nderim të gjyqtarit Kalaja, kanë nisur paraditen e sotme në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa të pranishëm kanë qenë krerët më të lartë të shtetit, dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit ditën e hënë, pasi po jepte një vendim për një çështje pronësie. Për ngjarjen u arrestua Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte pjesë në proces. Ai gjithashtu plagosi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.
Policia arrestoi edhe xhaxhain e Elvisit, Gjon Shkambin, i cili ishte i pranishëm në sallë kur ndodhi vrasja. Gjithashtu u arrestua edhe roja i sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i cili akuzohet se ka lejuar Shkambin të futet në gjykatë me armë, pa i kryer kontrollet e duhura./ZËRI
Sot i jepet lamtumira e fundit Astrit Kalasë/ Sot homazhet, gjyqtari do të prehet në qytetin e tij të lindjes
TIRANË- Sot do të mbahen homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pasi u qëllua me armë brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ishte në krye të detyrës. Homazhet do të mbahen në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 11:00.
Përfaqësues të lartë të shtetit, kolegë nga sistemi gjyqësor, familjarë dhe miq do t’i japin lamtumirën e fundit gjyqtarit Kalaja. Ndërkohë, vizitat në qytetin e Shkodrës priten në shtëpinë funerale “Bushati”, prej orës 14:00-16:00. Ndërsa pas përfudimit të ceremonisë në Tiranë, arkivoli me trupin e tij do të përcillet drejt qytetit të lindjes, Shkodrës, ku në orët e pasdites (14:00–16:00) do të bëhet edhe varrimi.
Por, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja?
Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Kalaja ishte një emër i njohur në sistemin gjyqësor shqiptar, me një karrierë të gjatë e të respektuar, prej gati 32 vitesh. Ai është emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor të vitit 1993 në Shkodër. Aty, ai shërbeu për shumë vite, para se të emërohej në Gjykatën e Apelit Tiranë.
62-vjeçari shërbente si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ai kishte kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke vijuar ushtrimin e detyrës si pjesë e trupës gjyqësore që kishte kaluar filtrat e reformës në drejtësi.
Kalaja, e ka kaluar Vettingun në vitin 2019 dhe u rikonfirmua në detyrë. Por, pavarësisht rikonfirmimit, komisioneri publik kërkoi shkarkimin e Kalajës nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke. Bëhej fjalë për një një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60m2.
Në vitin 2022, gjyqtari u konfirmua në detyrë nga KPA-ja. Po kështu, Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.
Ndërkohë, sa i përket jetës personale, Astrit Kalaja ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Ndërsa sipas burimeve, Kalaja ishte bërë gjysh vetëm pak kohë më parë.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI