LIVE UPDATES

Mbledhja e PS! Rama: Do publikojmë projektin e Zvërnecit e Sazanit! Kritika të 'vetëve': Kush fut njerëz në punë, do ndiqet penalisht

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij Rama u ndal në prezantimin e nismave të reja, mes tyre 'Pasqyrë Albania' dhe ‘Prania Besnike’. Në kuadër të 'Pranisë Besnike', do të mbahen takime me qytetarët çdo të premte në orën 17:00. Takimet do jenë pa kamera dhe shqetësimet e komunitetit do të mbahen shënim nga socialistët. Rama theksoi se deputeti nuk do jetë më sekser dhe të telefonojë drejtorët e institucioneve. Sa i përket 'Pasqyrë Albania', kreu i qeverisë u shpreh se do të jetë gati për pak javë dhe në të do të publikohen të gjitha dokumentat për projektin në Sazan e Zvërnec. Gjatë fjalës së tij Rama propozoi që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur një njeri në punë, të jetë vepër penale.

5 artikuj për këtë temë.
7 ORE ME PARE

“Po qesh? Rama i kthehet socialistit: Do hani një të shtyrë që do i luteni Zotit...

Mbledhja e PS! Rama: Do publikojmë projektin e Zvërnecit e Sazanit!
Edi Rama

TIRANË-Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kreu i qeverisë teksa prezantonte sistemet e reja të cilat do t’i dedikohen, reformimit të qasjes së shtetit me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave apo pakënaqësive ka patur edhe një 'përplasje' me një nga socialistët në sallë. 

Konkretisht teksa Rama ishte duke folur, në sallë një prej të pranishmëve ishte duke qeshur. Kreu i qeverisë e ka vë re dhe duke i tërhequr vëmendjen deklaroi se 'kush mendon që do e shtyjë sa ta shtyjë, do të hajë një të shtyrë që në fund do t’i lutet Zotit kur do bjerë në fund'.

Edi Rama: Po qesh dikush aty? Kanë ardhur kohë të këqija. Kush mendon që do e shtyjë sa ta shtyjë, do të hajë një të shtyrë që në fund do t’i lutet Zotit kur do bjerë në fund. Nuk shtyhet më kështu. Provimi nuk është vetëm një ekran, por sistem.

7 ORE ME PARE

"Kush do të qajë hallin e tij, vjen"! Rama: Takim me popullin çdo të premte në orën 17:00, pa kamera

Mbledhja e PS! Rama: Do publikojmë projektin e Zvërnecit e Sazanit!
Edi Rama

TIRANË-Nga 4 shtatori në orën 17:00, qeveria dhe grupi i PS do të nisin me takimet e Pranisë Besnike. Vetë kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e takimeve me qytetarët, të cilat do të zhvillohen çdo të premte. Rama u shpreh se 'Prania Besnike' është dëgjim me radhë, ballë për ballë, pa kamera. Kreu i qeverisë theksoi se çdo deputet dhe drejtues politik do të duhet të dëgjojë qytetarët e të mbajë shënim problemet e tyre, si dhe t’i ndjekin në rrugë institucionale. 

Edi Rama: Prania Besnike vendos rregull të thjeshtë, qytetari duhet ta dijë ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, me një kalendar të publikuar më parë. Dhe e premtja e kësaj jave në orën 17:00 është fillimi i një procesi të Pranisë në të gjithë territorin e republikës, s’do të ndalet asnjë të premte. Çdo të premte në orën 17:00 të gjithë ne që jemi këtu do jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij dhe do të marrë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Bensike refuzon përkatësinë partiake. Nëse ti do veshët tanë veshët tanë janë aty në orën 17:00, ditën e premte. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional.

8 ORE ME PARE

"Do t’ju shoh të gjithëve në sy", Rama paralajmëron: Çdo ndërhyrje e deputetëve për të futur dikë në punë të bëhet vepër penale

Mbledhja e PS! Rama: Do publikojmë projektin e Zvërnecit e Sazanit!
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit të PS-së deklaroi se deputetët duhet të jenë ura lidhëse mes problematikave reale në terren dhe institucioneve që duhet të japin zgjidhje. Kreu i qeverisë propozoi që ndërhyrjet e deputetëve për punësime në administratë të konsiderohen vepër penale. Sipas tij, punësimi dhe ngritja në detyrë duhet të bazohen te merita dhe jo te lidhjet politike apo personale.

Edi Rama: Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: “Fute këtë”, “shife atë”, të konsiderohet vepër penale. Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot.

8 ORE ME PARE

“Nëse qeveria nuk merret me veten, të hapë krahun!”Rama: Projekti i Sazanit dhe Nartës do të jenë në ‘Pasqyra Flamingo’

Mbledhja e PS! Rama: Do publikojmë projektin e Zvërnecit e Sazanit!
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste njoftoi se brenda pak javësh do të jetë gati "Pasqyra Flaming", ku do të ekspozohen me dokumenta projektet në Sazan dhe në zonën e Nartës-Pishë Poros. Rama theksoi se projektet do të pasqyrohen hap pas hapi bashkë me studimin mjedisor dhe gjithçka që do të duhet. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se qeveria duhet të përballet me të metat e veta dhe, nëse nuk arrin të përmirësohet, “duhet të hapë krahun.

Edi Rama: Së shpejti, kur them së shpejti është çështje javësh, shfaqja e parë e Pasqyrës, sepse është një punë goxha e madhe që po bëhet për ta ndërtuar këtë arkitekturë të re, por shfaqja e parë e Pasqyrës do të jetë një komponent i saj, që quhet ‘Pasqyra e Flamingos’, ku do të ekspozohen nga A te ZH të gjitha aspektet e mundshme që lidhen me një çështje të veçantë. Në rastin konkret, tema e Sazanit dhe e Nartës-Pishë Poros, jo Nartë-Vjosës, nuk ka Nartë-Vjosë. Nartë-Vjosa është në anën tjetër. Nartë-Pishë Poros, do të jetë e gjitha me dokumentet përkatëse. Me procesverbalet, me statusin e negociatave. Ajo do të pasqyrohet hap pas hapi me projektin, me studimin mjedisor, me gjithçka. Cilido, në shqip ose në anglisht, sepse kjo çështje ka një interes të madh edhe për anglishtfolësit, mund të futet aty dhe të gjejë gjithçka që lidhet me temën. ‘Flamingo Mirror’ është një pasqyrë aktive dhe është e gjallë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Një shtet që nuk mban mend se ça ka thënë dje, nuk kërkon dot besim sot. Një qeveri duhet të përballet me sfidën e vetë. Këto janë barrë e pushtetit, as e pasqyrës, as e qytetarit. Nëse qeveria nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Kjo është detyra e PS. 

8 ORE ME PARE

“3 plagë kemi”! Rama: Shqiptarët nuk gjejnë derën, administrata labirint…

Mbledhja e PS! Rama: Do publikojmë projektin e Zvërnecit e Sazanit!
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të ministrave. Rama ka renditur tre probleme që sipas tij kanë qytetarët me shtetin: administrata “labirint”, mungesa e memories institucionale dhe bindja se njohjet vlejnë më shumë se merita e ligji.

Edi Rama: Sot duhet të ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra tjetrën. Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet ti përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet vendoset por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit. Është shumë më tepër. Mungesa i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër se sa mund të imagjinohet. E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpesh herë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyrë Albania, Prania besnike, Besa dhe shkalla e meritës janë pjesë e pandashme e përpjekjes për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve

Poll

MOS HUMB