Moti i keq godet vendin, të paktën 110 banesa të përmbytura, Dibra, Korça dhe Mirdita pa drita
TIRANË-Moti i keq ka goditur vendin dhe reshjet e shiut priten të vijojnë deri më 22 nëntor. Deri tani raportohet për të paktën 110 banesa me prani uji në Durrës dhe Lezhë. Në bashkinë Dibër raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë si dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën. Edhe në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi.
DEKLARATË PËR SHTYP MBI SITUATËN E MOTIT
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë punën për normalizimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit. Në disa zona janë shënuar problematika, ndërsa në shumicën e qarqeve situata paraqitet e stabilizuar.
Qarku Dibër
Në bashkinë Dibër raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë si dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën. Grupet e OSHEE po punojnë për riparimit e defekteve. Intensiteti i reshjeve në qark është në rënie.
Qarku Durrës
Në Sukth janë prekur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ku ka edhe rrugë të bllokuara. Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji.
Në bashkinë Krujë, në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë po punohet për hapjen e kanaleve dhe zhbllokimin e rrugëve, ndërsa në lumin e Drojës po forcohet argjinatura për të shmangur daljen nga shtrati. Niveli i ujit ka nisur të bjerë.
Qarku Lezhë
Në bashkinë Kurbin vijojnë ndërhyrjet për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, ku raportohen 50 banesa me prezencë uji dhe 12 të tjera në njësinë Milot. Po punojnë strukturat e bashkisë dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Në bashkinë Mirditë ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësisë Rubik. Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Qarku Kukës
Në disa akse rrugore ka pasur rënie inertesh, ndaj kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin. Në zona të thella malore ka mungesë energjie, dhe ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Qarku Shkodër
Nuk raportohen problematika. Vijojnë punimet në kanalin e Gurit të Zi dhe në segmentin pranë urës së Dajçit për garantimin e qarkullimit të ujërave. Në zonën e “Harkut të Berdicës” po kryhet pastrim i depozitimeve që pengojnë rrjedhën. Bashkitë e tjera nuk raportojnë probleme.
Në qarqet e tjera si: Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat, Tiranë nuk raportohen problematika nga reshjet. Në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në monitorim të vazhdueshëm dhe në kontakt me strukturat vendore të mbrojtjes civile, me qëllim marrjen e të gjitha masave të nevojshme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Lumi Drojë del nga shtrati, përmbyten disa banesa në Kurbin, rrugët kthehen në ‘lumenj’
KURBIN- Reshjet e shiut kanë vërshuan edhe në Bashkinë e Kurbinit, ku raportohen probleme në banesa dhe qarkullimin e rrugëve. Vërshimi i ujërave malorë ka përmbytur banesa dhe biznese, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa raportohen përmbytje në Gjorm dhe Zheje.
Lumi Drojë ka dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje të disa banesave në tre lagje të fshatit Drojë. Ndërkohë, moti i keq ka dëmtuar rrjetin elektrik në disa zona, duke sjellë mungesë energjie kryesisht në fshatra.
View this post on Instagram
Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë Kurbin, Mailinda Cara, ka deklaruar se mjetet dhe ekipet e bashkisë ndodhen aktualisht në terren, ndërsa deklaroi se situata është nën monitorim,
“Reshjet kanë qenë me intensitet të lartë. Reshje të shumta në kohë shumë të shkurtër. Një ndër zonat problematike është në fshatin Zhej ku po bëjmë dhe ndërhyrje për shkak të prurjeve të menjëhershme të përrenjve nga malet. Në koordinim me bordin e kullimit në Lezhë, po ndërhyjmë dhe me mjetet e bashkisë. Problem kemi pasur argjinaturën e lumit Droji. Dhe atje kemi mjete që po ndërhyjmë. Këto janë pikat kryesore. E kemi nën monitorim gjithë situatën”, tha Majlinda Cara.
Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut. Menjëherë nga Bashkia e Kurbinit janë dërguar mjete për izolimin e argjinaturës ku dhe kanë patur probleme nga dalja e ujërave./ZËRI
Përmbytje në Mat/ Banesa iu mbush me ujë, evakuohet një familja me shtatë anëtarë
MAT- Pamje dramatike vijnë nga Mati për shkak të reshjeve intensive të orëve të fundit. Një banesë në fshatin Rreth Baz është përmbytur nga uji, ndërsa familja me 7 anëtarë është evakuuar. Në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikësit dhe mjete të tjera për largimin e ujit dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Gjithashtu raportohet problematika me qarkullimin, ku rruga nacionale Burrel–Skuraj paraqet rrezik serioz, duke vënë në rrezik automjetet që kalojnë. Firma kontraktore për pastrimin e rrugës dhe eliminimin e çdo rreziku të shtuar për drejtuesit e mjeteve.
Probleme janë raportuar edhe në Bashkinë Dibër, ku disa njësi administrative janë pa energji elektrike. Mungesa e furnizimit me energji ka prekur njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe një pjesë të njësisë Arras–Fushë Çidhën.
Rrufeja shkrumbon banesën në Malësinë e Madhe
SHKODËR- Një shtëpi banimi është shkrumbuar si pasojë e flakëve, në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe.
Zjarri mësohet se ka rënë rreth orës 02:00 të natës në shtëpinë dykatëshe të shtetasit Zef Preknicaj.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrëfikësve banesa në fjalë është shkrumbuar plotësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale ndërsa nuk ka persona të lënduar në njerëz.
Shkaku i rënies së zjarrit nga hetimet paraprake mendohet të jenë shkarkesat elektrike për shkak të kushteve atmosferike të përkeqësuara në 24 orët e fundit.
Grupet e punës të bashkive, bashkë me Emeergjencat Civile dhe Forcat e Ushtrisë, grupet e OSHEE dhe të institucioneve të tjera janë në gatishmëri për çdo situatë emergjente.
Vendi nën "pushtetin" e ujit/ Nga veriu në jug, reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje
TIRANË- Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë vendin që prej orëve të mëngjesit, ndërsa përmbytjet e para janë raportuar në Lezhë. Që prej mesnatës, reshjet kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane, ku sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”.
Përmbytje janë raportuar edhe në disa segmente të aksit Lezhë–Shëngjin. Në rrugën drejt Shëngjinit është rrëzuar një peme, e cila ka rënë në rrugë dhe ka dëmtuar linjën elektrike. Pothuajse, në pjesën më të madhe të territorit raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike.
Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe Qarkun e Kukësit, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në disa zona rurale. Prefektura e Kukësit njofton se megjithë rënien e gurëve dhe inerteve në disa segmente, rrugët nacionale janë mbajtur funksionale falë ndërhyrjes së vazhdueshme të subjekteve kontraktore.
Probleme raportohen edhe në Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuc etj. Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje, dhe nëse vijojnë me të njëjtin intensitet rrezikohen banesa dhe biznese.
Vlora është përfshirë gjithashtu nga reshjet dhe erërat e fuqishme, duke rrëzuar një pemë shumë vjeçare në zonën pranë rrugës kryesore, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet. Gjithashtu disa pisha janë rrezuar nga era duke bllokuar segmentin që të shkon në fshatin Zvërenc, ndërsa qarkullimi është vështirësuar deri në ndërhyrjen e strukturave bashkiake. Ndërkohë, edhe në rrugën e Plazhit të Vjetër, një pemë e madhe ka rrezikuar kalimtarët dhe automjetet. Ndërkohë që situata me përmbytjet deri më tani duket e qetë.
Deri më tani, situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash.
Deklaratë për shtyp mbi situatën e motit në vend
Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore!
Nga Emergjencat Civile bëhet me dije se në terren janë disa grupe të OSHEE që po punojnë për riparimin e dëmeve, ndërsa bashkitë kanë nxjerre mjete dhe punonjës për të larguar intertet aty ku ka prezencë të tyre dhe se situata po monitorohet./ZËRI
Moti i keq/ Reshje intensive, shtrëngata e dëborë, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes dalin në terren
TIRANË- Sot priten që pjesa më e madhe e vendit të përfshihet nga moti i keq. Vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu, të cilat mund të shtojnë rrezikun për përmbytje, por reshje me intensitet të lartë deri dhe në formën e shtrëngatave priten në qendër e jug dhe dëborë në zona të thella malore.
Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar qytetarët në disa zona të vendit, se si pasojë e motit të keq, mund të rrezikohen përmbytje në disa zona. Ndwrkohw gjatw natws, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes kanë dalë në terren. Ministri Pirro Vengu ka shpërndarë pamjet e punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët janë gati të përballojnë kushtet e këqija të motit, duke iu ardhur në ndihmë qytetarëve.
“Gjithmonë gati. Foto e orëve të vona me personelin e stacionuar në Regjimentin e Kembësorisë së Veriut”, shkruan ministri.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është e angazhuar në monitorimin, koordinimin e masave parandaluese dhe reagimin në kohë në rast të përshkallëzimit të situatës./ZËRI