LIVE UPDATES

Mbi 1 orë protestë- PD hap 'Parlamentin' para Kryeministrisë! Berisha: Nisim “Foltoren 2”, do mblidhemi çdo javë

➤Partia Demokratike mbajti sot protestën para Kryeministrisë, tubim të cilin opozita e ka quajtur “Parlamenti para Kryeministrisë”. Protesta zgjati 1 orë e 30 minuta. ➤Kryedemokrati Sali Berisha mbajti fjalën i pari nga 'Parlamenti i PD' i hapur sot para kryeministrisë, ku theksoi se misioni i folrores është të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.➤Aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit. ➤Sipas opozitës ky tubim vjen për aferën e Tunelit të Llogarasë, për të cilën është marrë e pandehur zv/kryeministrja Belinda Balluku, dhe për ngushtimin e hapësirave në Kuvend për opozitën. ➤Berisha theksoi se kjo protestë do të zgjasë çdo javë deri sa kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku të japin dorëheqjen.

6 artikuj për këtë temë.
6 MUAJ ME PARE

'Barzia Gjinore'! Berisha nga protesta: Atë ligj shqiptarët nuk do e pranojnë kurrë

Mbi 1 orë protestë-  PD hap 'Parlamentin' para
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën para kryeministrisë ka deklaruar opozita nuk do të pranojë kurrë ligjin për Barazinë Gjinore, i cili u miratua në Kuvend me votat e socialistëve. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku se po kërkojnë të shkatërrojnë institucionin e familjes. Kreu i PD-së theksoi se familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë.

Sali Berisha: Atë ligj votoi parlamenti. Atë ligj, shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë. Sepse ai ligj është shpërbërja e familjes. Po u shpërbë familja, Shqipëria shpërbëhet, kombi shpërbëhet, zhduket, siç janë zhdukur kombet në histori. Ndaj dhe ne sot këtu jemi të betuar se atë ligj nuk do e pranojmë kurrë. Se familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari. Familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë. Kjo familje, këtë komb e ka sjellë gjer ditën e sotme nga lashtësia. Kjo familje, këtë familje, Edi Rama dhe Lubia kërkojnë ta shkatërrojnë. Kjo familje do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Të gjithë ju dhe ata të cilët nuk janë sot me ne për një arsye apo një tjetër sepse nuk kanë pasur mundësi të vijnë, e keni për detyrë të ulemi me çdo shqiptar. Të ulemi sepse platforma parlamentaro-qytetare është platformë e qytetarëve shqiptarë, demokratë, pa parti, por edhe e socialistëve që e duan familjen, që e duan Shqipërinë, që e duan vendin. Kjo platformë është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë, rreth familjes. Ndaj dhe nga kjo platformë, që do vazhdojë gjersa Rama dhe Belinda të shporren nga ai vend, do të shndërrohet në uraganin e fuqishëm, në uraganin e shpresës, në uraganin e besimit, në uraganin e fitores. Rrofshi ju. Rroftë opozita. Rroftë Shqipëria!

Ligji për “Barazinë Ligjore” u votua në Kuvend në seancën e 6 nëntorit me 77 vota pro të Partisë Socialiste dhe 36 vota kundër. Projektligji kaloi vetëm me votat e Partisë Socialiste, pasi opozita votoi kundër. Miratimi i këtij ligji është shoqëruar me diskutime dhe kundërshti edhe mes analistëve të cilët e kanë cilësuar si ligj anti kombëtar./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

'Të sëmurët me kancer mbetën pa mjekime se ishin shumë', Berisha për deklaratën e Ramës: Paratë i përdor për avion taksi

Mbi 1 orë protestë-  PD hap 'Parlamentin' para
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestën e thirrur para kryeministrisë, e ka cilësuar krun e qeverisë Edi Rama si një njeri pamëshirë, pasi sipas tij ka lënë pa ilaçe të sëmurët me kancer. Sipas tij, Rama dy ditë më vonë deklaroi se pacientët me kancer mbetën pa trajtim për shkak se ishin shumë dhe buxheti nuk kishte fonde të mjaftueshme. Berisha akuzon Ramën se paratë i përdor për të udhëtuar, për të blerë makina superluksoze dhe shishe vere.

Sali Berisha: Dhe dy ditë më vonë, Edi Rama me cinizmin më ekstrem që do ta kishte lakmi çdo njeri i pashpirt dhe çdo diktator, u thotë shqiptarëve se të sëmurët me kancer mbetën pa mjekime se ata ishin shumë dhe ne nuk kishim para. A ka krim më të shëmtuar se të pohosh këtë? Sigurisht që para kishte dhe jo aq sa kërkonin ata, por u garantoj ju edhe 10 herë më shumë. Asnjë vështirësi. Dhe nuk ka vend në Europë as Afrikë ku ato të mungojnë. Dhe se mungesa e atyre ilaçeve përbën krim të vërtetë. Por paratë i përdor Edi Rama për t’i depozituar në bankat offshore. Paratë i rrëmben për t’i transportuar me aeroplanin e tij në dispozicion. Paratë i përdor për të udhëtuar me avion taksi 22 milionë euro.
Për të ndërtuar këtu pas kryeministrisë Kopshtin e Edenit për të kënaqur sytë e tij dhe për të vjedhur bashkë me autorin e tij. Paratë i përdor për të blerë vetura superluksoze dhe super të kushtueshme. Shishe vere 34 mijë euro. Paratë i transporton ai me avionin e tij. Natyrisht për të sëmurët nuk mbeten para. Për të sëmurët mbetet dënimi i asaj sëmundje. Dhe siç e dëgjuat, duke iu drejtuar këtyre të sëmurëve, u thotë se unë kam edhe eksperiencë të hidhur personale Tani do i them këtu, nuk ka pafytyrësi më të madhe se kjo që bëre ti. Se ajo eksperienca personale që ke ti, dhe unë uroj ta kalojë me sukses të plotë, ka marrë çdo mjekim që ekziston mbi botë. Kurse ata ishin të njerkës, qytetarët e thjeshtë i le në spital pa ilaçe. Dhe ka pafytyrësi të thuash se ke eksperiencë personale. Ke pafytyrësi personale, pamëshirësi të plotë.

6 MUAJ ME PARE

Berisha ngjitet i pari në ‘foltoren’ para Kryeministrisë: Jemi para pallatit të krimit shtetëror

Mbi 1 orë protestë-  PD hap 'Parlamentin' para
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në protestën para kryeministrisë, ku inaguroi platformën parlamentare-qytetare. Në nisjen të protestës së sotme, ai mbajti një fjalim përpara mbështetësve demokratë, duke thënë se kryeministri Edi Rama ka përzënë më shumë shqiptarë sesa çdo pushtues.

Sali Berisha: Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës. Miqtë e mi. Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit.
Para pallatit të krimit shtetëror, ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare. Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit. Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës. U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve. Terroristë të votës. U përballën me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike, të gjithanshme të shtetit mafioz, të narkoshtetit vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është frikë, tmerr nga krimet që kanë kryer.

/ZËRI

6 MUAJ ME PARE

Prag proteste! Forcat e rendit 'blindojnë' Kryeministrinë

Mbi 1 orë protestë-  PD hap 'Parlamentin' para
PAMJE NGA VENDNGJARJA

TIRANË-Pak minuta para nisjes së protestës së opozitës, forcat e rendit rrethojnë kryeministrinë. Në orën 18:00, PD dhe aleatët do të zhvillojnë protestën e parë, që do çelë një sezon protestash, tashmë para kryeministrisë. Aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit.

Në protestë janë thirrur qytetarët e të gjithë vendit dhe është e para që mbahet përballë zyrës së Edi Ramës, që pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Protesta, sipas demokratëve, nis për shkak të marrjes si e pandehur të zv.kryeministres Belinda Balluku./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

Protesta e opozitës, blindohen dyert e kryeministrisë, policia: Akset rrugore që do të bllokohen

Mbi 1 orë protestë-  PD hap 'Parlamentin' para
godina e kryeministrise

TIRANË- Policia e Tiranës ka njoftuar masat e ndërmarra për protestën që do të mbajë sot Partia Demokratike përpara kryeministrisë.

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e sotme, nga ora 18:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, konkretisht:

-nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Ndërkohë që masa janë marrë dhe në godinën e Kryeministrisë, e cila është blinduar, për shkak të frikës nga aktet e mundshme të dhunës në protestë. Dyert e godinës së Këshillit të Ministrave janë blinduar, ndërsa është hequr po ashtu instalacioni i kërpudhës, për të shmangur dëmtimin e saj si në protestat e shkuara./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

PD "hap" sot "Parlamentin para Kryeministrisë", detaje nga protesta

Mbi 1 orë protestë-  PD hap 'Parlamentin' para
Partia Demokratike

TIRANË- Partia Demokratike mban sot protestën para Kryeministrisë, në orën 18:00. Organizimi i të hënës, të cilin PD e ka quajtur si “Parlamenti para Kryeministrisë”, ndërsa shënon tubimin e parë të PD-së pas zgjedhjeve të 11 majit. Siç është bërë me dije pak ditë më parë nga selia blu, aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit, dhe është radha e skenarit për protesta kombëtare.

Sipas opozitës ky tubim vjen për aferën e Tunelit të Llogarasë, për të cilën është marrë e pandehur zv/kryeministrja Belinda Balluku, dhe për ngushtimin e hapësirave në Kuvend për opozitën.

Kryedemokrati Sali Berisha e cilëson si hapin më të rëndësishëm kundër narkoparlamentit të kontrolluar nga RamaduroNë një postim në rrjetin e tij social, Facebook, Berisha shprehet se fillimi i platformës parlamentare përpara kryeministrisë! Kjo është alternativa e vetme që mbetet, në kushtet kur opozita nuk lejohet të flasë në Parlament. 

“Nesër Partia Demokratike ndërmerr hapin më të rëndësishëm kundër narkoparlamentit të kontrolluar nga Ramaduro. Fillimi i platformës parlamentare përpara kryeministrisë! Kjo është alternativa e vetme që mbetet, pasi parlamenti kalon qeverinë, programin dhe buxhetin pa debat! Në kushtet që opozita lejohet të flasë vetëm 1 herë nga 9 seanca parlamentare,” shkroi Berisha.

Ndërkohë, disa orë më parë, në prag të protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike, Kryeministria është "blinduar". Godina e Qeverisë është 'veshur' me mbrojtëse metalike dhe struktura hekuri./ZËRI

Poll

MOS HUMB