Moti i keq në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Situata po shkon drejt normalizimit

TIRANË- Vendi ynë është përfshirë sot nga reshje shiu me intensitet të lartë që preken disa zona të vendit ku shkaktuan probleme me qarkullimin dhe energjinë elektrike. Ministria e Mbrojtjes njofton se situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit.
Më tej, shton se ekipet e OSSH-së janë në terrendhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.
“Pas reshjeve me intensitet të lartë që prekën disa zona të vendit, situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit.
Lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim.
Qendrat e banuara nuk kanë pasur probleme serioze për shkak të reshjeve. Në disa raste të izoluara, pemë të rrëzuara nga era e fortë janë larguar nga strukturat operacionale të emergjencave civile në bashki.
Për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë, ekipet e OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civil, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes civile në prefektura dhe bashki”, njofton Ministria e Mbrojtjes. /ZËRI
Moti i keq në vend/ Probleme me energjinë elektrike dhe qarkullimin, zonat më problematike

TIRANË- Moti i keq ka përfshifrë vendin tonë ku si pasojë disa zona kanë mbetur pa energji elektrike ose është bllokuar qarkullimi. Më problematike shfaqet zona e Shkodrës, Durrësit, Fierit, Lushnjes, Elbasanit dhe Krujës. Si pasojë e reshjeve intensive 6000 banorë kanë mbetur pa drita në Krujë, ndërsa në Fier situatata paraqitet problematike në disa zona, si Topojë, Frakull dhe Mbrostar, ndërsa po punohet për rikthimin e saj.
Nga ana tjetër, raportohet se ka disa probleme me qarkullimin në Lushnje, më problematike shfaqet në zona si kryqëzimi i spitalit, bulevardi kryesor dhe disa pika të tjera. Po ashtu ka probleme me energjinë elektrike jo vetëm në zonat rurale, por edhe në qytetin e Lushnjes.
Gjithashtu problematike shfaqet dhe situata në qytetin e Elbasanit, ku rrugët e qytetit janë të mbushura me ujë dhe shfaqen probleme në qarkullim. /ZËRI
Reshje të dendura dhe erë e fortë, policia apel shoferëve: Tregoni kujdes

TIRANË- Nisur nga moti i keq, me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë, Policia Rrugore apelon për:
Kujdes maksimal për përdoruesit e rrugës:
Moderoni shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit;
Jepini përparësi këmbësorëve dhe respektoni sinjalistikën rrugore;
Mos përdorni telefonin gjatë drejtimit të mjetit dhe vendosni rripin e sigurimit;
Mos kryeni parakalime të gabuara.
Drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave: Të veshin jelek fosforeshent gjatë natës për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore.
Këmbësorët: Të tregojnë kujdes maksimal kur kalojnë nga njëri kah i rrugës në tjetrin
Moti i keq në Shqipëri/ Ministria e Mbrojtjes: Disa akse të bllokuara, 10 zona pa energji elektrike

TIRANË- Për shkak të motit të keq në vend, disa akse në vend janë bllokuar. Situata shfaqet më problematike në zonën e Shkodrës, ku dhe po punohet për hapjen e rrugës. Në aksin Prekal-Kir autoritetet po punojnë për të hapur rrugën, po ashtu edhe rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve.
Ndërsa disa zona të tjerë në vend janë pa energji elektrike për shkak të defekteve në rrjet. Disa nga zonat më problematike janë Tirana, Durrësi, Elbasani, Berati, Vlora, Korça, Gjirokastra, Kukësi, Shkodra dhe Burreli.
“Reshjet e shiut, që në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet të lartë kanë shkaktuar bllokim të disa akseve rrugore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës.
Por, përgjithësisht, situata është pa problematika serioze sa i përket infrastrukturës kombëtare.
- Në aksin Prekal – Kir, strukturat po punojnë për hapjen e rrugës.
- Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.
Si pasojë e motit të keq, disa zona janë pa energji për shkak të defekteve në rrjet. Rajone të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin, po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Punonjësit e OSSH janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji në këto zona.
Situata po ndiqet me vëmendje nga strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. #AKMC është në kontakt me të gjitha prefekturat dhe bashkitë, për të koordinuar punën në çdo rast nevoje”, njofton Mbrojtja Civile. /ZËRI
Moti i keq/ Anulohen lundrimet Durrës-Bari dhe anasjelltas

DURRËS- Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike në vendin tonë, është anuluar lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas. Autoriteti Portual i Durrësit njoftoi se lundrimet do të nisin më datë 23 nëntor, pasi ka përmirësim të kushteve atmosferike.
"Si pasojë e kohë së keqe në Adriatikun Jugor, në det të hapur, i shoqëruar me dallgë dhe erë të fortë, autoritetet detare shqiptare në koordinim dhe me ato Italiane, kanë vendosur anulimin e lundrimeve mbrëmjen e sotme nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas. Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve të tyre do bëhet në orar (pra, deri në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme), ndërsa tragetet “AF Franchesca” dhe “Rigel VII” do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, dt.23.11.2024. Trageti “Af MIA”i linjës Durrës-Ankona mbërrin ne oren 19:00 dhe do të niset në orën 22:00, mbrëmjen e sotme,“- njofton Autoriteti Portual i Durrësit. /ZËRI
Moti i keq/ Probleme me furnizimin me energji në Lezhë, probleme edhe në Shkodër

TIRANË- Moti i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar probleme me furnizimin me energjie elektrike në Lezhë dhe Shkodër. Stuhia dhe erërat e forta kanë dëmtuar linjat e energjisë elektrike. Dëmtimi i linjave ka lënë pa energji disa fshatra në zonën e Zadrimës dhe Ishull-Lezhë. Për shkak të motit të keq, është pezulluar edhe lundrimi në Shëngjin.
Po ashtu, ka rritje të nivelit të prurjeve në lumenjtë Drin, Mat dhe Gjadër, por aktualisht nuk përbëjnë rrezik për përmbytje.
Ndërkohë që në Bashkinë e Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe, vijojnë reshjet, por nuk raportohen probleme. Në disa fshatra të bashkisë së Vaut të Dejës, konkretisht Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak, mungon plotësisht energjia elektrike. Edhe në territorin e bashkisë së Pukës, vijojnë reshjet e shiut dhe era e fortë, por pa probleme.
Sipas të dhënave të bëra deri më tani, situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga emergjencat civile. Gjithashtu, grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë./ZËRI
HARTA LIVE: Parashikimi i motit, vranësira dhe reshje shiu në të gjithë vendin

TIRANË- Instituti i Gjeoshkencave ka bërë parashikimin e motit për ditën e sotme. Sipas IGJEUM, këtë të premte vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Në të gjithë vendin do të ketë mot të vranët dhe reshje shiu, të cilat do të bëhën prezente që prej orëve të mesnatës me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, mund të krijojnë probleme të ndryshme. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Vlorë, dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
HARTA LIVE:
Nga orët e mesditës deri pasdite reshjet parashikohen me intensitet mesatar deri të lartë. Temperaturat do të variojnë 11 / 18 °C në bregdet; në vendet e ulëta: 6 / 18 °C; ndërsa në vendet malore: 2 / 13 °C. Sa i përket erës, ajo do të fryjë intensive me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 3-12m/s./ZËRI