LIVE UPDATES

Në kërkim të Altin Ndocit! Nisin hetimet: 'skanohen' takimet e 6 muajve të fundit, kontrollet 'zhvendosen' në Pukë

➤Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në lidhje me transferimin e 34-vjeçarit Altin Ndoci në paraburgimin e Durrësit, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë. ➤Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit. ➤Prokuroria do të marrë në hetim të gjithë personat që e kanë vizituar Ndocin gjatë kohës kur ka qenë në qeli, për të kuptuar nëse dikush prej tyre e ka ndihmuar në planin e arratisjes. ➤Gjatë ditës së sotme, kontrollet e policisë janë zhvendosur në zonën e Pukës, ku po kalojnë në sitë dhjetra banesa. ➤Në pyetje pritet që të merret ish-drejtori i burgjeve dhe zyrtarë të tjerë, që kanë firmosur për transferimin e Ndocit drejt paraburgimit të Durrësit. ➤Pas arratisjes spektakolare të të paraburgosurit Altin Ndoci, ka nisur zhvendosja e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë nga Burgu i Durrësit drejt burgjeve të sigurisë së lartë. ➤Mbrëmjen e djeshme, 15 prej tyre, përfshirë ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u transferuan drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin.

4 artikuj për këtë temë.
4 MUAJ ME PARE

Ndoci mungoi në seancën e "Plumbit të Artë", GJKKO njoftohet nga Burgjet: Është në arrati! Avokati: Mund të jetë në shtëpi...kohë pa e takuar!

Në kërkim të Altin Ndocit! Nisin hetimet: 'skanohen'
altin ndoci

TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ishte parashikuar të mbahej sot seanca për personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, mes të cilëve edhe Altin Ndoci, i cili dy ditë më parë u arratis nga spitali i Durrësit. Mësohet se në nisje të procesit gjyqësor, gjykata ka lexuar shkresën e Drejtorisë së Burgjeve, e cila e kishte njoftuar se Ndoci nuk mund të shoqërohet, pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia”, citoi gjykata shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Burime bëjnë me dije se pasi u lexua shkresa e Burgjeve, avokati i Ndocit dhe Aldo Shkëmbit, i ka kërkuar gjykatës që të dërgoi sipas procedurës njoftimin për mbajtjen e seancës dhe tek banesa e të pandehurit, pasi mund të ndodhet dhe atje.

“I kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij, në këtë nuk e dimë”, tha avokati Shkëmbi.

Ndërkohë, prokurori i SPAK Behar Dibra është përgjigjur, duke u shprehur se mungesa e tij nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës, duke pasur parasysh se vetëm 1 herë që është paraqitur në këtë proces.

"Ky shtetas ka dijeni për datën dhe orën e gjyqit, i është shmangur  gjykimit dhe fakti është që në seancat që janë bërë më herët ai nuk paraqitur shpesh por përfaqësohej nga avokatët kështu qe mund të përfaqësohet nga avokati i tij. Mund të ndodhë dhe kështu do ndodhë, që megjithë kërkimet qe do bëjnë nuk do ta gjejnë. Ndaj për të mos zvarritur gjyqin të vazhdojmë me gjyqin përmes përfaqësimit të avokatit", është shprehur Dibra. 

Nga ana tjetër, prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu ka kërkuar të merret informacion nga Policia e Shtetit lidhur rezultatet e kërkimit deri në tani për Altin Ndocin. Në përfundim, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të mbahet më 20 janar. 

Ndërkohë, në mbyllje të seancës, avokati i Ndocit është shprehur për mediat se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të klientit të tij, duke shtuar se kishte kohë pa e takuar. 

"Paraprakisht ky është një gjyq maratonë, qëndrimin tonë në lidhje me mbrojtjen e tij ne e kemi konsoliduar, nuk kemi pasur dijeni as para dhe as pas për veprimet e tij. Policia dhe GJKKO janë njohur me faktin e largimit të tij nga ambientet e spitalit, unë kam shumë kohë që se kam takuar. Kemi pasur një marrëdhënie shumë formale dhe shumë profesionale me klientin.', tha avokati i Ndocit për mediat. 

Dy dië më parë, i burgosuri Altin Ndoci, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, u arratis nga Infektivi i Spitalit të Durrësit, ku kishte shkuar për një vizitë mjekësore. Ndoci akuzohet nga SPAK për vrasje, pjesëmarrje dhe grup kriminal. Ai mbahej që prej vitit 2020 i izoluar në qendrën e paraburgimit të Durrësot me urdhër të SPAK për vrasje dhe vepra të tjera penale. /ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Arratisja e Altin Ndocit, nën hetim të gjithë personat që e takuan, ku u pa për herë të fundit makina që e largoi nga spitali

Në kërkim të Altin Ndocit! Nisin hetimet: 'skanohen'
ALTIN NDOCI DHE MAKINA QE E LARGOI NGA VENDNGJARJA

DURRËS- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit, në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit, nga ambientet e spitalit infektiv, ku ishte dërguar për kontroll mjekësor. Prokuroria do të marrë në hetim të gjithë personat që e kanë vizituar Ndocin gjatë kohës kur ka qenë në qeli, për të kuptuar nëse dikush prej tyre e ka ndihmuar në planin e arratisjes. Ndërkohë që makina tip Audi që largoi Ndocin nga vendi i ngjarjes është parë për herë të fundit në autostradën Tiranë-Durrës, dhe prej andej ka humbur çdo gjurmë. Gjatë ditës së sotme, kontrollet e policisë janë zhvendosur në zonën e Pukës, ku po kalojnë në sitë dhjetra banesa. Ndërkohë që ditën e djeshme kontrollet u përqëndruan kryesisht në Tiranë, ndërsa familjarët e tij pretendojnë se nuk kanë pasur asnjë dijeni për planin e arratisjes.

Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI 

4 MUAJ ME PARE

Prokuroria nis hetimet! Si u transferua në Durrës Altin Ndoci, do të merren në pyetje ish-drejtori i burgut dhe zyrtarë të tjerë

Në kërkim të Altin Ndocit! Nisin hetimet: 'skanohen'
altin ndoci

DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në lidhje me transferimin e 34-vjeçarit Altin Ndoci në paraburgimin e Durrësit, në një kohë që konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë, për shkak të veprave të rënda penale për të cilat ai ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ndoci u transferua në burgun e Durrësit në Maj të vitit 2020, ndërkohë që prokuroria ka sekuestruar të gjithë praktikën që është ndjekur në rastin e trasferimit të tij. Në pyetje pritet që të merret ish-drejtori i burgjeve dhe zyrtarë të tjerë, që kanë firmosur për transferimin e Ndocit drejt paraburgimit të Durrësit. Burgu i Durrësit është i sigurisë së zakonshme, dhe për këtë shkak ditën e djeshme Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka urdhëruar një rivlerësim të të gjithë të dënuarve që janë aktualisht në burg. Mbrëmjen e djeshme, 15 prej tyre, përfshirë ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u transferuan drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin.

Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit, ministria e Drejtësisë shkarkoi dje drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më herët njoftoi se ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të burgut, ndërsa 8 persona u vunë në pranga. Në mesin e personave të arrestuar është shefi i komanduar i policisë së burgjeve, si dhe kryeinfermieri i i burgut, i cili ka firmosur raportin se i burgosuri kishte nevojë për vizitë spitalore. 

Ata akuzohen për shkelje të rënda të detyrës gjatë shoqërimit të Ndocit për vizitën mjekësore, duke mos informuar as drejtorin e burgjeve dhe as policinë e shtetit për itinerarin e planifikuar. Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis gjatë mesditës së të martës, ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Pasi goditi rojet, ai zbriti përmes një dritareje në katin e tretë të spitalit, dhe më pas u largua me një “Audi” të zi që po e priste në parkingut e spitalit. /ZËRI 

4 MUAJ ME PARE

Nga Lulzim Berisha te Orges Molla, dhe të dënuar brazilianë/ Më të rrezikshmit e burgut të Durrësit transferohen në Peqin

Në kërkim të Altin Ndocit! Nisin hetimet: 'skanohen'
altin ndoci, juxhin koka dhe lulzim berisha

DURRËS- Të paktën 15 të dënuar, kryesisht me rrezikshmëri të lartë janë zhvendosur mesnatën e djeshme nga burgu i Durrësit, në drejtim të Peqinit, pas ngjarjes që tronditi sigurinë e Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit, ku Altin Ndoci arriti që të arratisej nga spitali infektiv i Durrësit. Në mesin e të dënuarve VIP që janë zhvendosur nga burgu i Durrësit janë edhe ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ish-efektivi i policisë Orges Molla, i përfshirë në një grup kriminal të trafikur të drogës, Juxhin Koka, i ekstraduar nga Spanja, si dhe dy shtetas brazilianë, dhe një tjetër nga Venezuela.

Transferimi i tyre u krye nën masa të rrepta sigurie, pas urdhrit të dhënë nga Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, i cili ndër masat e para që mori ishte dhe ajo për shkarkimin e drejtorit të burgut të Durrësit. Kanë qenë gjithsej 206 të dënuar dhe paraburgosur, që u rivlerësuan për shkallën e rrezikshmërisë, ndërsa më problematikët u përzgjodhën për dërguar në Peqin, i pajisur me seksione të posaçme të sigurisë së lartë, përfshirë dhe regjimin 41 Bis.

Aktualisht, në Burgun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë ish-deputeti Jurgis Çyrbja, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, si edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të akuzuar nga SPAK dhe në proces gjykimi.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të hartojë një plan të ri dhe të rishpërndajë nëpër seksione të burgosurit, bazuar në rrezikun shoqëror që kanë. Në deklaratën e tij, Lamallari i kërkoi drejtorit të burgjeve që të paraburgosurit dhe të dënuarit me rrezikshmëri të lartë, të transferohen nga Durrësi, në burgje të tjera. 

“Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.  Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsiduruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë. Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë. Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde. Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre”, deklaroi dje Lamallari.

Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB