3 fëmijët e braktisur në Durrës! Shërbimi Social vë në provë nënën: Do i ofrohet kurs prindërimi dhe punë 8 orarëshe
DURRËS-Pas situatës së rëndë të raportuar nga Durrësi ku tre fëmijë të mitur të moshës 5, 10 dhe 12-vjeç dyshohet se u braktisën nga nëna e tyre 33-vjeçare Blerina Basha, Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit ka dalë në disa përfundime.
Në përfundim të mbledhjes u vendos që menjëherë t'u vihet në ndihmë familjes duke i dërguar veshmbathje në spital fëmijëve dhe sigurimin e të gjitha medikamenteve për trajtimin e sëmundjes, ku rezultuan të infektuar me zgjebe. Gjithashtu raportohet se do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës. Nënës, nëpërmjet Zyrës së Punës, do ti ofrohet sërish një punë dinjitoze në mënyrë që të mos punojë 16 orë sikundër pretendon por 8 orë në mënyrë që të mirërrisë fëmijët e saj.
Nënës gjithashtu do t'i ofrohen kurse prindërimi në funksion të mirërritjes së fëmijëve. Për çdo ditë do të kryhen kontrolle mbikqyrje nga shërbimi për mbarëvajtjen e familjes. Pra ajo do të jetë në provë për të parë nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj fëmijëve apo jo.
Njoftimi:
Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit nëpërmjet drejtoreshës së saj Diola Xhango bën me dije se pak më parë ka përfunduar mbledhja e GTN(Grupi Teknik Ndërsektorial)ku bëjnë pjesë: vetë shërbimisocial OJQ, Policia, Shëndetësia etj. Lidhur me ndihmën për 3 fëmijët dhe nënën e tyre Blerina Basha.
U vendos që menjëherë tu vihet në ndihmë atyre duke i dërguar urgjent në spital të 3 fëmijëve veshmbathje, të gjitha medikamentet për trajtimin e sëmundjes. Do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës. Këto i morën përsipër ti financojnë ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë familja do të ndihmohet që ta zhvendosë regjistrimin nga Vau i Dejës(pasi me letra janë banorë të Malsisë së Madhe) dhe të regjistrohen si banorë të Durrësit. Duke u bërë banorë të Durrësit,bashkia do ta regjistrojë në listën e atyre që do të strehohen në banesa sociale.
Nënës, nëpërmjet Zyrës së Punës, do ti ofrohet sërish një punë dinjitoze në mënyrë që të mos punojë 16 orë sikundër pretendon por 8 orë në mënyrë që të mirërrisë fëmijët e saj. Nënës gjithashtu do ti ofrohen kurse prindërimi në funksion të mirërritjes së fëmijëve. Për çdo ditë do të kryhen kontrolle mbikqyrje nga shërbimi për mbarëvajtjen e familjes. Pra ajo do të jetë në provë për të parë nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj fëmijëve apo jo.
3 fëmijët e braktisur me zgjebe! Ish-vjerra sherr me nusen: Lekë për thonjë e qerpikë ka...E reja: Fotot në Dubai, të montuara
DURRËS-Ish-vjerra dhe ish-nusja janë përballur 'live' pas rastit të rëndë nga Durrësi, ku 3 të mitur u gjetën të braktisur në rrethana të vështira në banesë. Blerina Basha akuzohet se ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur, duke i lënë vetëm në një banesë me kushte të rënda hidro-sanitare.
Ish-vjehrra dhe gjyshja e tre fëmijëve është shprehur ndaj ish-nuses, duke thënë se “ajo nuk mund të thotë se nuk ka mundësi ekonomike, kur ajo ka para për të bredhur”.
“Kam folur me mamin tënd live dhe kam thënë që nuk mund t’i lëmë fëmijët në atë gjendje. Ka thënë që burri nuk më sjell lekë. Kërkoje ndihmë sociale. Po për të bredhur për të bërë qerpikët, për të bërë vetullat, për të bërë thonjtë, flokët a kishe lekë ti. More në qafë tri fëmijë, po më plas shpirti. 10 muaj jetonin fëmijët me mua në Itali. Në muajin e 5 ajo ka ikur dhe është larguar 5 muaj dhe s’ka ardhur. Ndoshta në Dubai nuk ka qenë, por në Kosovë ka qenë. Nëse fëmijët janë në atë gjendje, që bën thonjtë, e flokët, dhe qerpikët, e për të ngritur vetullat, mos kërko ndihmë nga shteti. E di kur kërkoj unë ndihmë, kur jam sëmurë. Ndihmë i kanë dhënë të gjithë. Por siç është në pamjet e jashtme, ashtu duhet të jetë dhe në shtëpi. Zgjeben s’ia solla unë nga Italia me valixhe asaj”, ka thënë ish-vjehrra në emisionin “Me zemër të hapur” në News24.
Nga ana tjetër nëna e 3 fëmijëve i ka hedhur poshtë deklaratat e ish-vjerrës dhe shprehet se është kujdesur për fëmijët dhe se nuk i ka braktisur kurrë. Sa i përket disa fotove që kanë qarkulluar në media pas bërjes publike të rastit, e reja Blerina Basha i ka mohuar se janë bërë në Dubai, por sipas saj, janë montuar. Ajo tha se të gjithë po lëshojnë lumë urrejtjesh ndaj saj.
“Janë foto të montuara. Janë të bëra nga aplikacionet, mund të montohen. Ka pasur mosmarrëveshjet, debatet. Fëmijët e mi nuk janë ushqyer kurrë me urrejtje ndaj babait dhe gjyshes së tyre. Këta persona po japin kaq urrejtje ndaj meje. Fëmijët e mi kanë ndenjur 2-3 muaj në Itali, pasi unë nuk mund të shkoja për shkak të dokumenteve, dhe dëgjoja, se e kam me video, ku fëmijët më shanin dhe flisnin me fjalë të ndyra. Të ndikuar nga ish-burri im.”, tha Blerina Basha.
3 fëmijët u lanë në gjendje të mjerueshme! Ish-vjehrra përballet ‘live’ me nusen: Çfarë pashë në atë shtëpi, as në TV s’e kisha parë
DURRËS- Një përballje e fortë ka ndodhur në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, mes Blerina Bashës, e cila akuzohet se ka braktisur në gjendje të mjerueshme 3 fëmijët e saj, dhe gjyshes së tyre, personi që bëri dhe denoncimin në media. Në një lidhje telefonike, gjyshja e 3 fëmijëve është shprehur se kushtet në të cilat ata jetonin ishin tejet të rënda, dhe Blerina ishte ndihmuar ekonomisht qoftë nga babai i tyre, qoftë edhe nga ajo vetë.
“Kam jetuar në Itali. Kam 33 vite. (Qan) kisha një vaki. U ktheva në Durrës. Dhe u ktheva atje. Shkova të takoja nipërit. Mendova se do ishte nusja atje, do lante do pastronte. Hapa derën. Dhe ma hap djali i dytë. Kur hapet dera dhe pash ca bidona. Dhe ndjeva një erë të keqe. U shokova. Pashë fëmijët e mbuluar në krevat me batanije.
Çuni i madh tha; nëna më merr në Itali. I dridhej mjekra. Ça kam parë aty, as në TV s’kisha parë. Hyra në banjo…ca të shihja. I pyeta e keni lekë; më tha çuni i madh kam 50 mijë lekë. Unë i dhashë lekë. S’rrija dot atje. Ika nga shpia…mora djalin në telefon dhe i thashë; fëmijët po vdesin. Më pas mora në telefon policinë. Më pas pati reagim. Hymë në shtëpi dhe panë gjendjen. Shkova me fëmijët në polici. Zonja pasdite erdhi aty. Ajo tha; zotëri duhet të punoj 16 orë se skam mundësi që t’i mbaj. Për sëmundjen mora vesh se ajo mori në telefon djalit dhe i tha; fëmijët janë të sëmurë me zgjebe. Hera e parë që shkoja. Se jetoj në Itali. Në verë i kisha takuar. Kishte ditëlindjen dhe u bashkuam të gjithë. Se dija. Ajo tha që do i mbaj unë fëmijët. I thash të marr në Itali. I hipa autobusit dhe e mbajta atje, me autobus e mora. Edhe pse ishte e ndarë. Ajo vinte për gati 5 muaj në Shqipëri, dhe se dinte as shtëpia e saj. Në Itali i mbaja unë, ajo ikte vinte. I kam mbajtur unë. Ajo i ka braktisur dmth.
Fëmijët i kam bërë dokumente në Itali. Ajo tha se do i mbante vet fëmijët, se kishte marrë një lokal dhe ishte biznesmene. Merrte 1 mln lekë. Gjykata ia dha kujdestarinë fëmijëve. Pse u divorcuan? S’do çuni që të bëhen publike disa gjëra. Kush është ai burrë që ndan nënën e fëmijëve? Se këto janë gjëra private. Divorci u bë me marrëveshje. Nuk doja që t’ia hiqja nënës tre fëmijët nga gjiri, se jam vetë nënë. Ne e kemi ndihmuar financiarisht. Ia kam dhënë unë çdo gjë. Edhe sot i ndihmoj. I kam veshur fëmijët dhe nusen madje. Djali im kur ka qenë në moshën 18 vjeç dhe është dënuar në atë kohë, 8 muaj burg. Ai është në rregull, punon elektricist”, tha ish-vjehrra.
Ndërkohë që në emision ndërhyu dhe vetë Blerina e cila tha se ish-vjehrra e saj ishte duke gënjyer. Ajo tha se fëmijët nuk i ka lënë në atë gjendje që shfaqej në video, dhe sipas saj dikush tjetër e ka kthyer shtëpinë përmbys.
“Unë këtë gjë ia kam lënë policisë, shtetit dhe po merren ata. Fëmijët janë shumë mirë,. Nuk i kam braktisur kurrë. Nëse do t’i kisha bërë do t’i kisha braktisur me kohë. Në bari më kanë kthyer sepse kisha mbushur tre muaj atje. Unë jam punonjëse në lokal. Gjendja e fëmijëve është shumë e mirë”, tha ajo, duke shtuar: “Kam kërkuar mjekim dhe më kanë thënë që nuk marr dot. Kanë pasur infeksion lëkurë dhe kam marrë mjekime”./ZËRI
Horror në Durrës/ U braktisën dhe u lanë të paushqyer në banesë, 3 të miturit të infektuar me zgjebe, nënës mund t’i hiqet kujdestaria!
DURRËS- Një rast i pazakontë u raportua nga Durrësi, ku 3 të mitur u gjetën të braktisur në rrethana të vështira në banesë. Rasti vuri në alarm autoritet shtetëore, teksa Shërbimi Social në Durrës mori menjëherë fëmijët në kujdes. Ndërkohë, e ëma e tyre Blerina Basha është kallëzuar në polici nga ish-vjehrra (gjyshja e fëmijëve), duke çuar dhe policinë në shtëpinë ku u gjetën 3 të miturit.
Pak pas publikimit të lajmit në media, nuk ka vonuar reagimi i 33-vjeçares, e cila ka mohuar akuzat për braktisjen e fëmijëve 5, 10 dhe 12-vjeç. Sipas saj, situata nuk përbënte braktisje, por ishte pasojë e vështirësive ekonomike dhe jetës së saj të përditshme.
Ajo është shprehur se është e divorcuar prej 5 vitesh, teksa rrëfen vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë, të cilat e detyrojnë që të qëndrojë larg fëmijëve. 33-vjeçarja akuzon ish-vjehrrën se i ka hyrë pa leje në shtëpi dhe ka ndikuar te fëmijët që të flasin keq për të, duke e vendosur në një situatë të vështirë ligjore. Blerina rrëfen që njëri nga fëmijët ka vuajtur nga epilepsia dhe ka kaluar periudha të gjata trajtimi në spitale. Ajo thotë se nuk e ka pasur as mbështetjen financiare nga ish-bashkëshorti për fëmijët, për të cilin shprehet se prej 5 vitesh ka qenë i burgosur në Itali.
Sipas dëshmisë së 33-vjeçares për mediat, një vit më parë ajo dhe bashkëshorti kishin tentuar ribashkimin për të jetuar në Italinë, por nuk kishte funksionuar. Në kushte të tilla, ajo është rikthyer në Shqipëri bashkë me fëmijët dhe i ka regjistruar në shkollë. Por, pa mbështjen e askujt, as të familjarëve të saj të cilët ndodhen në Francë, e reja Blerina thotë se as Bashkia nuk i ka ndihmuar edhe pse ajo ka kërkuar ndihmë prej tyre. Aktualisht sipas nënës së tre fëmijëve ai kontribuon vetëm me 180 mijë lekë të vjetra në muaj për ushqimin e tyre.
“Kam 5 vjet e divorcuar. Punoj banakiere dhe të tre fëmijet i lë sëbashku kur iki në punë. Paguhem 400 mijë lekë të vjetra në muaj dhe paguaj 300 mijë lekë qiranë. E kam të pamundur që të rri me fëmijet se s’kam të ardhura me se të paguaj qiranë dhe t’i ushqej. Ky është kurth nga ish-vjerra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bej këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijet të flasin keq kundër meje. Nuk e di por kjo është e patolerueshme. Si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do mbroj fëmijet se babai i fëmijeve ka qenë në burg ne Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijet 180 mije lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj? Unë fëmijet nuk i braktis kurrë se jam nënë. Djali i dytë vuan nga epilepsia dhe kam shkuar në spitale për kurim për një kohë të gjatë. Tani është më mirë. Veshkën e shes e femijet nuk i braktis. Fëmijet nuk i lë në jetimore.
Kam punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, sepse nuk kam pasur asnjë mbështetje familjare. Prindërit e mi jetojnë në Francë dhe nuk kam asnjë të afërm këtu që të më ndihmojë për kujdesin ndaj tyre. Në vitin 2025, ish-bashkëshorti më propozoi të bashkoheshim për të ikur në Itali. U bashkuam dhe ai u përgatiti dokumentet fëmijëve. Në shtator më tha se nuk do të qëndronte më në Itali dhe m’i la fëmijët mua. Më kërkoi të rrija me të, duke thënë se nuk i mbante dot vetëm. Unë qëndrova rreth tre muaj në Shqipëri për procedurat e dokumenteve dhe, sepse nuk mund të rrija pa fëmijët, i mora me vete për t’u kthyer. Diskutuam që fëmijët të qëndronin me të atin në Itali, por unë nuk mund t’i lija larg, ndaj i mora dhe i regjistrova në shkollë këtu.
Në nëntor vjet, shkolla më njoftoi se dy djemtë nuk po shkonin në shkollë, pasi nuk kisha mundësi t’i çoja çdo ditë. Në atë periudhë, fëmijët rezultuan edhe me zgjebe. U komunikova situatën dhe kërkova ndihmë nga bashkia, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve sociale që të merrnin masa për rastin tim. Bashkia nuk ka vepruar. Më thirrën në shkollë për mungesat e fëmijëve dhe u shpjegova se nuk kam mundësi të qëndroj e mbyllur në shtëpi me ta, pa punuar. U thashë se, nëse do të më ndihmonin konkretisht me shërbime sociale, do të qëndroja me fëmijët, por në kushtet kur nuk kishte ndihmë reale, isha e detyruar të punoja. Nuk qëndrova tek ish-bashkëshorti, sepse nuk mund të jetoj me një person nga i cili jam e ndarë. Ai më ka dhënë vetëm 180 mijë lekë të vjetra si ndihmë për tre fëmijët, një shumë që nuk më mjaftonte, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të shkoja në punë.”, ka deklaruar ajo.
Fëmijët kishin 1 muaj që nuk shkonin në shkollë dhe ishin 3 ditë të paushqyer.. Pas ekzaminimeve të kryera në spitalin e Durrësit, atje ku po mbahen 3 fëmijët bashkë me nënën, ka rezultuar se ata janë të infektuar me zgjebe. Mësohet se autoritetet pritet t’i heqin 33-vjeçares kujdestarinë e të miturve, por ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Shërbimi Social./ZËRI