Italia dhe Greqia vijnë në ndihmë për shuarjen e flakëve në Lurë e Dukat
TIRANË- Pas kërkesës së Shqipërisë për ndihmë nga BE, përmes aktivizimit të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, Italia dhe Greqia kanë ardhur në ndihmë më trupa dhe avionë zjarrfikës. Ministria e Mbrojtjes njofton se Italia ka dërguar trupa dhe dy avionë zjarrfikës "Canadair", të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës, ku vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive. Gjithashtu, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.
Ndërkohë, Minsitria e Mbrojtjes bën me dije se pas një pune intensive është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Blesh, të cilat rrezikonin zonat e banuara. Në operacion morën pjesë forcat zjarrfikëse dhe ndërhyrja me dy helikopterë nga ajri.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Pas një operacioni të koordinuar dhe intensiv është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë si dhe angazhimit të dy mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të FA u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.
Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.
Ndërkohë, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës. Kjo ndërhyrje synon të përshpejtojë shuarjen e vatrave aktive në këtë zonë me rëndësi të lartë natyrore. Po përmes Mekanizmit Evropian te Mbrojtjes Civile, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.
Forcat operacionale, nën koordimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në vatrat e tjera, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës./ZËRI/
Zjarri në Dukat- Përkeqësohet situata, asfiksohen 3 zjarrfikës! Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së
VLORË- Zjarri në malin e Dukatit në Vlorë vijon të jetë aktiv prej disa ditësh, ndërsa terreni i vështirë e ka bërë edhe më të pamundur ndërhyrjen nga forcat e emergjencës. Situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi 3 zjarrfikës janë asfiksuar nga tymi i zjarrit dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës. Mësohet se efektivët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe fatmirësisht janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Për shkak të situatës problematike të zjarrit në Dukat të Vlorës, Shqipëria ka aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuan ndihmën e BE-së. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pasi vizitoi në Spitalin e Vlorës tre zjarrfikësit që pësuan lëndime, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë. Avionët zjarrfikës të BE-së në ndihmë të Shqipërisë pritet të mbërrijnë gjatë orëve në vijim.
Raportohet se zjarri, u favorizuar edhe nga erërat e forta, ka përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore. Ndërkohë që forca të shumta zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje, ku prej ditësh luftojnë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave me vlera të larta natyrore, si Parku Kombëtar i Llogarasë.
Në vendngjarje janë të angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura si edhe 17 efektivë të zjarrfikësve por edhe punonjës të emergjencave civile Vlorë dhe të pyjores./ZËRI/
VD- Tjetër vatër zjarri në vend, flakët përfshijnë pyjet në hyrje të Dibrës
DIBËR-Zjarret vijojnë të djegin sipërfaqe të mëdha pyjore. Së fundmi një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në Dibër. Në pamjet më poshtë shihen flakët në hyrje të qytetit.
Zjarri favorizohet edhe nga era e fortë dhe tempreatuart e larta, gjë që ka sjellë që flakët të përhapen me shpejtësi duke përfshirë pyjet.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim./ZËRI
Zjarret në vend! Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra zjarri janë ende aktive
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e përditësuara lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë në 24 orët e fundit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES:
Situata e zjarreve në rang vendi
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Kurbin, Mirditë, Devoll, Korçë, Mallakastër, Fier, Gjirokastër, Selenicë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Lezhë.
Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:
• Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv zjarri, i cili po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra.
• Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Relievi shkëmbor është shumë i thyer dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete. Në ndihmë janë edhe 30 efektivë nga FA.
• Qarku Vlorë, në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar dje. Zjarri është shumë intensiv, me shkurre dhe fier që digjen poshtë pyllit me pisha. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorat e pishës duke e bërë gjendjen problematike. Në terren ndodhen edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar, i cili kreu 3 misione.
• Qarku Elbasan. Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një pyll gështenje në fshatin Shmil, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd.
• Qarku Lezhë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Vazhdon puna për krehjen e të gjithë vatrës së zjarrit. Në operacion u bashkua dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, i cili kreu 2 misione.
• Qarku Korçë. Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kaluar varrezat e fshatit, dhe duke shkuar pranë kufirit me shtetin grek. Vijon puna e forcave operacionale në terren për shuarjen e zjarrit.
• Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre.
Në monitorim: • Bulqizë: Në “Livadhin e Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.
• Qarku Fier. Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ka vazhduar të mbetet nën monitorim vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë. Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 269 hektarësh të djegur dhe rreth 30 rrënjë ullinj. Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 440 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 157 forca nga FA me 21 mjete dhe 2 helikopterë, të cilët kryen 5 misione. Ditën e sotme nga FA në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 155 forca ushtarake me 21 mjete. Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve - Sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”. Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse./ZËRI
Zjarri në Dukat/ Ndërhyrje nga toka dhe ajri për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Llogarasë
VLORE- Prej disa ditësh, zjarri që ka përfshirë malin e Dukatit në Vlorë vijon të jetë aktiv dhe po përbën një sfidë të madhe për ekipet e emergjencave dhe forcat e sigurisë. Ndërhyrjet po zhvillohen kryesisht nga toka, për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe të thyer, por në varësi të kushteve pritet edhe angazhimi i mjeteve ajrore.
Në vendngjarje ndodhen 30 efektivë të Forcave të Armatosura, 17 zjarrfikës dhe punonjës të emergjencave civile dhe shërbimit pyjor të Vlorës, të cilët po punojnë intensivisht për të lokalizuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt zonave me vlera të larta natyrore, si Parku Kombëtar i Llogarasë.
Autoritetet theksojnë se qëllimi kryesor mbetet ndalimi i përhapjes së zjarrit për të ruajtur ekosistemet dhe biodiversitetin e këtij parku të rëndësishëm, ndërsa vijojnë monitorimin e situatës me kujdes të veçantë.
Në varësi të zhvillimeve, pritet të ketë edhe ndërhyrje nga ajri, me helikopterë apo avionë zjarrfikës, për të përballuar më mirë situatën dhe për të parandaluar përkeqësimin e zjarrit./ZËRI