LIVE UPDATES

"Bela" për ndërtuesit! Rama krijon listën e zezë: Ndërtimet pas 2020 s'do legalizohen! Vepër penale kush bllokon rrugën

➤ Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me deputetët fitues në zgjedhjet e 11 Majit dhe me drejtorët e Bashkisë së Tiranës. ➤Rama ka parajmëruar një sërë aktesh normative për reformën e territorit. ➤Kreu i qeverisë ka paralajmëruar ndërtuesit dhe investitorët që shkelin ligjin, abuzojnë me territorin dhe nuk respektojnë lejet e ndërtimit. ➤Rama u shpreh se do të krijohet me ligj një listë e zezë ku do të përfshihet e gjithë kjo kategori investitorësh. ➤Në fjalën e tij, kryeministri kritikoi edhe kantieret e ndërtimeve në vend, të cilat tha se janë ngritur në mosrespektim të asnjë kriteri sigurie apo të mbrojtjes së mjedisit.➤ Po ashtu ai ka deklaruar se asnjë ndërtim i bërë pas 2020 nuk do të legalizohet. ➤Kryeministri paralajmëroi po ashtu se do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve 90’.➤ Në fund kryeministri njoftoi edhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

3 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

Rama: Asnjë ndërtim pas vitit 2020 nuk do legalizohet

"Bela" për ndërtuesit! Rama krijon listën e zezë:
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zhvilluar me deputetët e zgjedhur në Tiranë ka deklaruar se asnjë ndërtim i bërë pas 2020 nuk do të legalizohet. Rama theksoi se procesi i legalizimeve ka përfunduar zyrtarisht në vitin 2020 dhe çdo përpjekje për ta keqpërdorur këtë proces për përfitim personal do të ndëshkohet.

Edi RamaLegalizimi, është një terminologji abuzive e përdorur nga individë, subjekte që për qëllim fitimi fillojnë zaptime të hapësirave publike dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin që i fut si individë në proces legalizimi. Procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në vitin 2020, që asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk legalizohet. Do t’i konsiderojmë të pavlefshme të gjitha vetëdeklarimet për godinat apo ngrehinat me qëllim fitimi, nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë e familjeve që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, dhe interesi publik do prevalojë në të gjitha rastet kur do duhet të bëhet një ndërhyrje dhe askush nuk mund të nxjerrë një copë letër të thotë jam në proces.

10 MUAJ ME PARE

"Listë e zezë për ndërtuesit" Rama: Kuturisin pa marrë leje dhe ngrenë pallate, do ju gjejë belaja!

"Bela" për ndërtuesit! Rama krijon listën e zezë:
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në mbledhjen me të gjithë deputetët e zgjedhur të qarkut të Tiranës si dhe me të gjithë drejtuesit e Bashkisë vendore, ka paralajmëruar ndërtuesit dhe investitorët që shkelin ligjin, abuzojnë me territorin dhe nuk respektojnë lejet e ndërtimit.

Ai theksoi se po përgatit një nismë ligjore për krijimin e një “liste të zezë” që do të përfshijë subjektet problematike në industrinë e ndërtimit. Rama përmendi raste kur ndërtuesit kanë penguar të futen në banesat e tyre qytetarët (blerësit) ose duke i lënë pa dokumentacion të rregullt hipotekor apo ata të cilët bëjnë shitje të dyfishta të apartamenteve. Rama kritikoi edhe kantieret e ndërtimeve në vend, të cilat tha se janë ngritur në mosrespektim të asnjë kriteri sigurie apo të mbrojtjes së mjedisit.

Edi Rama: Do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të investitorëve që abuzojnë dhe shkelin ligjin. Kushdo që hyn në këtë listë, do të humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe do të penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit. Do të merren masa për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, si ata mashtruesit në zonën ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, të cilët nuk linin banorët të futeshin në pallat, apo, fatkeqësisht, edhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë, pa dokumente hipotekore. Masat do të jenë drastike dhe u bëj thirrje të nxitojnë ta zgjidhin këtë problematikë para se të dalë akti, sepse do të përballen me pasoja të rënda dhe do ta kenë shumë të vështirë. Ne na intereson që të zgjidhet problemi. Kemi problem me kantiere ndërtimi që s’kanë as respekt për të tjerët, as për mjedisin, as për hapësirën, kantiere që nuk janë realisht kantiere. Dhe për këtë arsye, do të bëhet një ndërhyrje edhe në raport me këto kantiere, për të bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushin. Ka edhe një “sport” tjetër që zhvillohet sidomos në Tiranë dhe në bregdet, ndërtues që marrin leje dhe, ende pa u zbardhur leja, kuturisin të fillojnë punimet, hapin gropa dhe bëjnë sikur po përgatisin kantierin. Abuzohet me një nen që lejon fazën paraprake, por në fakt kanë ndërtuar edhe pallate pa leje. Dhe për këtë, masat do të jenë drastike.

Kryeministri paralajmëroi së do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve 90’. Gjithashtu ai theksoi se do të konfiskohen edhe objektet në të cilat është shkelur leja e ndërtimit përtej masës 2% të kufirit të parashikuar në leje.

Edi Rama: Do të konfiskohen të gjithë godinat e braktisura që nga vitet '90 në të gjithë Shqipërinë. Kur vjen puna për shkeljen e lejes së ndërtimit mbi 2% mbi lejen e ndërtimit, atëherë kjo do të prodhojë sekuestrim të menjëherë të të gjithë ndërtimit. Paligjshmëria është e plotë, nuk është e pjesshme, bëhen me muaj dhe me vite nga njëherë janë me vetëdije të plotë ndaj ligjit. Kemi një problem të madh të patolerueshëm, kantieret e ndërtimit. Të cilat nuk kanë asnjë respekt as për mjedisin as për sigurinë. Për këtë arsye do të bëhet ndërhyerje kuptimplotë edhe në raport me kantieret e ndërtimit. Një tjetër sport që zhvillohet në Tiranë dhe zonat bregdetare, që ende pa marrë lejen nisin të bëjnë gati kantierin dhe përdorin një nen për punime paraprake. Edhe për këtë masat që do të merren do të jenë drastike. 

Ligji i ri për ndërtimin sipas Ramës, do të kalojë përpara pushimeve verore. Në fund kryeministri njoftoi edhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Rama bën "bilancin" në terren/ Kush bllokon rrugë e vendos tra për banorët, do konsiderohet vepër penale

"Bela" për ndërtuesit! Rama krijon listën e zezë:
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama po mban një mbledhje në kryeqytet me të gjithë deputetët e zgjedhur të qarkut të Tiranës si dhe me të gjithë drejtuesit e Bashkisë vendore. Rama bëri me dije se vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë janë inventarizuar 1463 problematika, nga më të ndryshimet, por pjesa më e madhe lidhen me lirimin e hapësirave publike.

Kryeministri deklaroi se qeveria është e angazhuar në një proces të thelluar reformash dhe ndërhyrjesh në territor, përmes disa grupeve pune të strukturuara dhe të specializuara. Rama bëri me dije gjithashtu se ai është pjesë e një tjetër grupi pune që po merret me Paketën e re të Reformës së Territorit, e cila do të zhvillohet në dy faza.

Edi Rama: Kjo përmbledhje këtu ka 1463 çështje të identifikuara. Shumica janë të lidhura me zonën e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Bashkinë e Tiranës. Dua të falenderoj IKMT Tiranë që po bën një punë intensive dhe po përpiqet që t’i adresojë problematikat në mënyrën e duhur. Volumi është tejet i madh dhe duhet t’u them edhe qytetarëve që është shumë e qartë që kanë krijuar një lloj pritshmërie dhe çojnë vazhdimisht ankesat e tyre. Të gjitha do të adresohen, por duan pak kohë, edhe për faktin që edhe në shumë raste kur IKMT duhet se erdhi në bllok, bëri gjë, lihet procesverbal, njoftime, u lihet mundësia që atyre që largohen, t’i çmontojnë vetë. Ka filluar e njëjta gjë edhe një pjesë te qytetet e tjera, Durrës, Shkodër, që i kam parë edhe më afër edhe për shkak të detyrimit si deputet dhe për shkak të situatës që ngriti siparin e kësaj përpjekjeje që u krijua me ndërtimet e paligjshme në Theth. Për të mos u zgjatur nga ana ime në këtë pjesë, dua vetëm t’ju informoj që kemi një axhendë të ngjeshur, pasi kemi disa grupe pune. Është në radhë të parë ky grup i madh i këtyre deputetëve që janë kthyer në terren. Përveç kësaj skuadre janë edhe një sërë të tjera, janë disa grupe pune: një grup që drejtohet nga zv.kryeministri në lidhje me analizën e shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave, një grup që koordinohet nga drejtues.

Në fjalën e tij, Rama paralajmëroi dorë të hekurt ndaj të gjitha atyre që bllokojnë hapësira të përbashkëta mes pallateve, duke vendosur tra, do të konsiderohet vepër penale. 

“Është okupuar një territor brenda hapësirës së një komuniteti me pretendimin se është prona ime. Kjo do konsiderohet vepër penale. Në rast se dikush vendos tra për të marrë para nga njerëzit që jetojnë aty se është prona e vetë mes pallateve, kjo është vepër penale. Çdo lloj okupimi tjetër, zënie tjetër e rrugës, çdo lloj bllokimi që u shkaktohet njerëzve, është vepër penale, e kemi konsultuar me të gjitha legjislacionet dhe nuk ndodh në një qytet me rend ligjor që dikush në emër të pronës së vetë të bëjë ç’të dojë kur nuk është në pyll, por është në qytet. Kemi adresuar me ligjin e fundit për bashkëpronësinë, një element shumë të rëndësishëm që prej kohësh nuk është adresuar dhe prandaj ka prodhuar probleme, elementin e bashkëpronësisë përreth truallit të një godine”, u shpreh Rama.

Ndërkohë prej ditësh ka filluar aksioni i lirimit të hapësirave publike në kryeqytet dhe jo vetëm. Rama ka paralajmëruar bizneset për rikthimin e hapësirave që janë zaptuar duke penguar kështu kalimin dhe qarkullimin e qytetarëve. Aksioni po zhvillohet nga Jugu në Veri. Godinat pa leje janë prishur, ndërsa të tjera janë vendosur që t'i kalojnë në pronësi shtetit. Të paktën ky ishte rasti i një pallati pa leje që u konfiskua në Vlorë./ZËRI

Poll

MOS HUMB