34-vjeçarja në burg me foshnjën, reagon Drejtoria e Burgjeve: Janë ndjekur të gjitha procedurat, ja si po trajtohen...(FOTO)
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht lidhur me rastin e 34-vjeçares së dënuar me dy muaj burg. Në reagim, sqarohet se 34-vjeçarja me inciale D.S., është akomoduar në IEVP Pojskë së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe, në përputhje me legjislacionin në fuqi që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës.
Sipas njoftimit, foshnja është sistemuar në ambiente të posaçme, jashtë regjimit të brendshëm të burgut. Drejtoria e Burgjeve thekson se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe administrative, ndërsa për nënën dhe foshnjën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje.
Krahasa reagimit, janë publikuar edhe disa foto nga ambientet ku po qëndrojnë nëna dhe foshnja.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës, në IEVP Pojskë është akomoduar e dënuara me inicialet D. S., e dënuar me 2 (dy) muaj burgim, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.
Gjatë procedurave të pranimit në institucion, shtetasja me inicialet D. S. ushtroi të drejtën e parashikuar nga Ligji nr. 81/2020 "Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve" dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm, ambiente të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.
Për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike dhe sociale.
Zbatimi i këtij plani monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit, me synimin për të garantuar mirëqenien e nënës dhe të fëmijës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi.
Në burg me foshnjën 7-muajshe, dalin PAMJET nga ambienti ku po qëndron nëna 34-vjeçare (FOTO)
POGRADEC- Këto janë pamjet nga dhoma e burgut të Pojskës, ku po mbahet 34-vjeçarja bashkë me foshnjën e saj 7 muajsh.
34-vjeçarja u arrestua në Aeroportin e Rinasit sapo u kthye nga Gjermania, në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, të dhënë në mungesë në vitin 2023, për veprën penale "Dhunë në familje" ndaj vjehrrit të saj. Pas arrestimit, ajo është dërguar në burgun e Pojskës, ku po mbahet e izoluar bashkë me foshjën 7 muajsh.

Sipas familjarëve, 34-vjeçarja është nënë e tre fëmijëve të mitur. Fëmija 4-vjeçar vuan nga probleme shëndetësore, ndërsa një tjetër është 2-vjeç.
Ndërkohë, priten zhvillime në lidhje me rastin, pas reagimit të Presidentit Bajram Begaj, i cili deklaroi se ka kontaktuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka kërkuar një propozim zyrtar për dhënien e amnistisë personale.
Gjithashtu, edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili ka shkuar sot në ka shkuar sot në burgun e Pojskës dhe ka inspektuar ambientet ku po mbahet nëna dhe foshnja. Ai deklaroi se çështja po hetohet për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me shkelje. Shabani u shpreh se pret që 34-vjeçarja të lirohet gjatë ditës së nesërme, teksa shtoi se në të kundërt do të ishte përpara një shkeljeje të procedurave./ZËRI
Nëna 34-vjeçare me foshnjën në burg, Avokati i Popullit në burgun e Pojskës: Ka dyshime...nëse nuk lirohet nesër...
POGRADEC- Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka inspektuar pasditen e sotme ambientet e burgut të Ponjskës ku po mbahet nëna 34-vjeçare dhe foshnja e saj, pasi u arrestua në Rinas, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Pas inspektimit, Shabani deklaroi se rasti është duke u hetuar, pasi dyshohet për shkelje procedurale në mënyrën e trajtimit të çështjes, si për vendimin, edhe për urdhrin e ekzekutimit
Avokati ngre dyshimeve pasi zonja ka kaluar kufirin, ka ardhur në Tiranë pa u ndaluar nga policia, duke lënë të kuptohet se 34-vjeçarja s'mund të ketë qenë në kërkim.
Sipas Avokatit të Popullit, ka dyshime se kemi të bëjmë 'në rastin më të mirë, të një neglizhence të punës'. Ai u shpreh se pret që 34-vjeçarja të lirohet gjatë ditës së nesërme, teksa shtoi se në të kundërt do të ishte përpara një shkeljeje të procedurave.
Fjala e Avokatit
Që kur jemi vënë në dijeni dje, kemi nisur hetimin e çështjes. Kemi çuar një grup inspektimi në Komisariatin Nr. 6 dhe në bllokun e sigurisë për të verifikuar fazën e parë, ku ne dyshojmë që mund të jemi para shkeljes së procedurës. Duhet kuptuar a është problem sistemik apo është vetëm një rast, sepse një nënë me fëmijën në gji është mbajtur në bllokun e sigurisë për 72 orë, mbase ka dalë një vendim i formës prerë, ka qenë e panevojshme.
Po e hetojmë këtë çështje për të kuptuar këtë hallkën e parë. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit është paraqitur këtu në IEVP-në përkatëse, ka kontaktuar të ndaluarën, ka kontaktuar administratën e burgut. Unë kam ardhur bashkë me dy komisionerët, me komisionerin Besnik Deda të sektorit të veçantë që merret me burgjet dhe me policinë, dhe me drejtuesen e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi.
Bëmë inspektimin e kushteve ku po mbahet fëmija, kushteve ku po qëndron nëna dhe kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet, prokurorinë, kemi kërkesë edhe për gjykatën. Në bindjen time, ditën e nesërme nëna do të lirohet. Nëse nuk lirohet, do të jemi para shkeljeve procedurale sepse nuk mund të mbahet është e pamundur, qoftë nga dispozitat e Kodit Penal, qoftë nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, është e pamundur që për veprën për të cilën është dënuar, fëmija që ka në gji të mbahet në këtë IEVP.
Padyshim kushtet këtu janë më të mira sesa në IEVP-të e tjera, unë i inspektova vetë po deshët kemi bërë dhe fotografi për t'i parë kushtet ku po mbahet.Këto janë kushtet ku po mbahet fëmija dhe nëna, por kjo nuk ka rëndësi, ajo nuk duhet të ishte këtu. Në vlerësimin tonë, në interpretimin që ne i bëjmë Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ajo duhet të lirohet sa më parë. Dhe unë besoj që nesër para orës 12:00 ajo nuk do të jetë më këtu.
Pikërisht,prandaj po hetojmë dhe do vëmë në dijeni Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, qoftë për prokurorët ose gjyqtarët, nëse ata kanë qenë në shkelje. Unë nuk dua të nxitohem në konstatime paraprake. Ka dy amnisti penale ndaj të cilave, të cilat mund të kishte përfituar zonja, e vitit 2024 dhe e vitit 2025.Ka argumente që mund ta shpjegojnë pse ajo nuk ka përfituar nga kjo amnisti, qoftë për shkak të veprës penale që është dhuna në familje, qoftë për shkak të një interpretimi që gjykata ka bërë ku e ka trajtuar zonjën si person që i është larguar drejtësisë.
Ne nuk duam të hyjmë në vendimin gjyqësor, sepse ajo është kompetencë e gjykatës dhe apelohet në gjykatë më të lartë, por ka disa pikëpyetje. Pikëpyetja e parë është: nëse vendimi ka dalë në datë 13 maj, pse ka marrë formë të prerë mbas 49 ditësh? Ndërkohë që do duhet të kishte marrë formë të prerë brenda dy javësh. Dhe nëse do kishte marrë formë të prerë brenda dy javësh, do të ishte brenda afatit të amnistisë së vitit 2026.
Pse nuk është përfshirë në amnistinë e vitit 2024? Pra ka disa pyetje për të cilat ne, para se të flasim dhe të japim një konstatim, jemi duke hetuar.
Por ka pikëpyetje. Ka pikëpyetje dhe, në vlerësimin tonë, ajo sot nuk duhet të ishte sot këtu. Është këtu mbase për shkak të neglizhencës, por ndoshta për shkak sepse askush nuk ka ndaluar për të parë që mbas letrave ka një nënë dhe një fëmijë në gji që nuk duhet të ishte në burg. Dhe shpesh dhe kjo tregon dhe burokracinë shtetërore, që shpesh shikohen letrat, kalohet nga një procedurë në tjetrën, nga një letër në tjetrën, dhe askush nuk ndalon për të pyetur: 'Ky person që do ta vuajë këtë dënim, kush është? Në çfarë rrethanash është?' Sepse rrethanat në të cilat është zonja, edhe sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, për veprën për të cilën akuzohet, në rrethanat ku është, nuk duhet të ishte bashkë me foshnjën e saj në në burg.
Ne në intervistën që ne i bëmë nuk pati asnjë pretendim të tillë.Nuk ka pasur asnjë ankesë. Të paktën Avokatit të Popullit nuk i është ankuar për këtë çështje. Por është domethënës fakti që zonja ka kaluar kufirin, ka ardhur në Tiranë pa u ndaluar nga policia, që do të thotë nuk kemi të bëjmë me një person që ka qenë në kërkim. Prandaj them që ka disa pikëpyetje edhe për vendimin, edhe për urdhrin e ekzekutimit.
Nga pretendimet e zonjës, është njoftuar kur ka qenë në Gjermani që duhet të paraqitet në komisariatin e policisë. Ka ardhur vullnetarisht dhe është paraqitur në Komisariatin Nr. 6 vullnetarisht. Këtë po e verifikojmë. Kemi një grup inspektimi të Avokatit të Popullit që aktualisht ka përfunduar inspektimin në Komisariatin Nr. 6 dhe është tek blloku i sigurisë.
Por, nëse këtë pretendime qëndrojnë të cilat zonja i ka dhe ne po i verifikojmë nuk jemi përpara një personi që ka qenë në kërkim ose që ka treguar shenja që i është larguar drejtësisë. Megjithatë, thashë, nuk dua të interpretoj vendimet e gjykatës. Për këtë është një gjykatë më e lartë, është Gjykata e Apelit, ama ka disa standarde që janë pikërisht aty për t'u zbatuar si nga prokurorët, nga punonjësit e policisë, nga oficerët e policisë gjyqësore dhe nga gjyqtarët.
Ky është një koment politik që unë do të doja ta shmangja për shkak të detyrës që mbaj. Por për mua, të drejtat e zonjës janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe prandaj kam ardhur sot këtu, prandaj kam dy komisionerët me vete, për t'u garantuar që të drejtat e saj të respektohen.
Kemi dyshimet tona që këtu jemi përpara një në rastin më të mirë, të një neglizhence të punës. Thashë, ndodh shpesh burokracia, shikojnë letrat, kalojnë nga njëra zyrë në tjetrën, nga njëra tavolinë në tjetrën dhe kërkush nuk ndalon për të parë interesin më të lartë të fëmijës, i cili, nëse do të ishte parë, zonja nuk do të ishte këtu me foshnjën e saj për veprën për të cilën akuzohet është dënuar në fakt.
Nesër ka pasur një kërkesë për rritjen e dosjes të së drejtës së ankimimit në Gjykatën e Apelit. Në kontaktet që ne kemi patur, bindja ime është që zonja nesër para orës 12:00 do të jetë e lirë. Ne do ta ndjekim në çdo rrethanë dhe aty ku do të konstatojmë që është shkelur ligji, është abuzuar me procedurën, do të kërkojmë nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë marrjen e masave dhe pastaj, respektivisht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor.
34-vjeçarja në burgun e Pojskës bashkë me foshnjën, Presidenti Begaj kontakton ministrin e Drejtësisë për procedurat e lirimit
POGRADEC- Rasti i 34-vjeçares së arrestuar në Rinas ka tërhequr vëmendjen e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili është interesuar pranë institucioneve ligjzbatuese për situatën e saj.
Burime bëjnë me dije se kreu i shtetit, menjëherë pasi është njohur me rastin, ka kërkuar informacion me qëllim që çështja të marrë zgjidhje dhe nëna e tre fëmijëve të mitur të lirohet.
Sipas të njëjtave burime, Presidenti ka kërkuar të verifikohet nëse 34-vjeçarja përfiton nga amnistia. Nëse rezulton se nuk përfshihet në të, ai i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë një propozim zyrtar për dhënien e amnistisë personale, duke marrë parasysh faktin se ajo është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve vuan nga probleme shëndetësore.
34-vjeçarja u arrestua një ditë më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Murrqanit, në kthim nga Gjermania e akuzuar për dhunë ndaj vjehrrit të saj./ZËRI
E dënuar me 2 muaj burg u nda nga fëmijët...foshnja i bashkohet nënës në Pojskë, pritet vizita e Avokatit të Popullit
POGRADEC-Nëna 34-vjeçare e arrestuar një ditë më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Murrqanit, në kthim nga Gjermania e akuzuar për dhunë ndaj vjehrrit të saj, është bashkuar me një nga tre fëmijë, foshnjën 7-muaj. Foshnja është dërguar sot në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ku ndodhet e ëma e tij, 34 vjeçe, e cila po vuan një dënim prej dy muajsh burg.
34-vjeçarja është nënë edhe e dy fëmijëve të mitur, njëri 4 vjeç dhe ka probleme shëndetësore, ndërsa i dyti është 2 vjeç. Familjarët pretendojnë se vjehrri e ka falur 34-vjeçaren dhe se dënimi prej dy muajsh burg duhej të ishte përfituar nga ligji i amnistisë. Pavarësisht këtyre pretendimeve, urdhri i ekzekutimit të vendimit gjyqësor është zbatuar nga institucionet përgjegjëse.
Rasti u raportua nga gazetarja Anila Hoxha, e cila ndau detaje nga arrestimi i vështirë sapo 34-vjeçarja hyri në Shqipëri. Ajo kërkoi që fëmijët të qëndronin me të, duke deklaruar se nuk kishte kujt t’ua linte.
Gjatë ditës së sotme pritet që Avokati i Popullit të zhvillojë një vizitë në burgun e Pojskës për t'u takuar me 34-vjeçaren dhe për t'u njohur nga afër me rrethanat e rastit, si dhe me kushtet në të cilat po qëndron fëmija i mitur së bashku me nënën e tij.
'Policët qanë" Gazetarja Anila Hoxha: Nëna e tre fëmijëve, e dënuar për dhunë, arrestohet në Rinas: U lut të merrte në qeli foshnjën
TIRANË-Gazetarja Anila Hoxha ka denoncuar një rast që e cilëson absurd, ku një nënë e tre fëmijëve, të moshave 4 vjeç, 2 vjeç dhe 7 muaj, është arrestuar sapo ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit.
Nëna e tre fëmijëve rezultonte e dënuar me dy muaj burg për dhunë ndaj vjehrrit të saj. Arrestimi u ekzekutua me vështirësi pasi 34-vjeçarja kërkoi që fëmijët të qëndronin me të, duke deklaruar se nuk kishte kujt t’ua linte. Autoritetet vendosën që gruaja të dërgohej në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ndërsa foshnja 7-muajshe mbeti me të.
Anila Hoxha:
Një 34 vjecare ka qenë gjatë gjithë ditës së sotme një ushtrim I vështirë për autoritetet. Jo sepse ajo ishte e kërkuar dhe u arrestua sapo mbërriti në aeroport. Jo sepse ishte e rrezikshme. Por për shkak të fëmijve , njëri 4 vjec i sëmurë, tjetri 2 vjec dhe më I vogli afro 7 muajsh. Në kthim e sipër nga Gjermania ku kishte lindur dy më të vegjëlit, gruaja duhej arrestuar; sepse duhet të shlyente 2 muaj burg të shpallura në mungesë ndaj saj.
Akuza - dhunë në familje ndaj vjehrrit
Problemi për policinë, më pas për prokuroren që lëshoi urdhërin e egzekutimit e më pas për burgjet ishte, ku do venin fëmijët e saj? Nëna kërkonte me insistim që fëmijët të qëndronin me të, sepse sipas saj nuk kishte ku ti linte.
"Së paku fëmijën më të vogël, ma lini – u lut ajo.
Por edhe 2 vjecarin dua ta kem pranë u përgjërua. Po edhe të tretin se është sëmurë.
Prokurorja mat, vendimi duhej egzekutuar , gruaja duhet të shlyejë 2 muajt e burgut
Kuptohet , policia zbaton nuk diskuton dot. Gjykata nga ana tjetër ka folur me kohë.
Deri sa mbërriti babai, dhe gjyshi - edhe ai donte që gjendja të zgjidhej
Po si te vepronin autoritetet se ligji do bindje, gruaja duhet të mbyllej në burg
Askush nuk e diskutoi që dënimi prej 2 muaj burg , përfshihet në ligjin e amnistisë. Por u vlerësua se i është shmangur dënimit.
Ndaj burg
Zgjidhja; gruaja përfundoi në Pojskë
Policët u ligështuan dhe qanë pak bashkë me të rruges Tirane - Pogradec.
Te voglin ja lane ne gji , fëmija tjeter 2 vjec pritet ti dorëzohet neser ne burg.
Vjehrri natyrisht e ka falur
Edhe shteti me gjase e ka falur me amnistinë, por ajo sonte është në burg , në pritje ti bashkohet nesër edhe fëmija tjeter
Ja pra ligjet funksionojnë….