Opozita bojkotoi votimin, Niko Peleshi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë: Besimin e dhënë e pranoj me përulësi!
TIRANË- Niko Peleshi është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Pas një votimi të fshehtë nga deputetët e pranishëm në seancë, Peleshi u zgjodh për ta drejtuar Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme, pasi grumbulloi 84 vota pro, 3 kundër, nga 87 deputetë që morën pjesë në votim.
Peleshi mbajti fjalën e tij përshëndetëse para Parlamentit, teksa e konsideroi postin e tij të ri 'një nder e përgjegjësi të madhe', të cilin e pranon me përulësi.
“Të dashur qytetarë të Shqipërisë. Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të institucioneve të pavarura. Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë. Besimi që më dhatë sot, duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit, është një nder e përgjegjësi e madhe, të cilin e pranoj me përulësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës në parlament, dijet dhe energjitë e mia do të vijnë në shërbim të këtij Kuvendi, të Shqipërisë, qytetarëve“, tha ai.
Më tej, Peleshi i shprehu falenderimet Kryeministrit Edi Rama që e propozoi për postin. Peleshi nuk la pa përmendur paraardhësen Elisa Spiropali së cilës i shprehu vlerësime për kontributin e vyer, teksa i uroi suksese në përgjegjësinë e saj të re shtetërore.
"Jam ftuar nga Kryeministri Edi Rama dhe mbështetur më pas nga Partia Socialiste për të kryer këtë detyrë shtetërore të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Një moment që do të mbahet mend gjatë, ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin e dhënë dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Znj. Elisa Spiropali, për kontributin e vyer, standardin e lartë të punës dhe dedikimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Ndaj i uroj Elises suksese të sinqerta në përgjegjësinë e re shtetërore që e pret.", u shpreh Peleshi.
Ndërkohë, në nisje të votimit për kryetar, opozita bojkotoi procesin. Deputetët e opozitës refuzuan të votonin me fletët e votimit. Në vend të tyre, ata hodhën pankarta të ndryshme ironizuese në kutinë e votimit. Kreu i demokratëve Sali Berisha doli përpara foltores së Kuvendit me një poster 'McGonigal' në dorë, të cilën e hodhi në kutinë e votimit.
Vetëm pak minuta më herët, përpara se të niste votimi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gament Bardhi deklaroi se kjo shumicë nuk ka legjitimitet, teksa lëshoi akuza dhe ndaj Niko Peleshit. “Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur Kryetarin. Ne nuk marrim pjesë fare në këtë proces”, tha Gazment Bardhi.
Megjithatë, disa deputetë nuk e zbatuan 'rregullin'. Mesila Doda bojkotoi plotësisht procesin, teksa nuk iu drejtua kutisë së votimit. Rregullin e theu edhe Tritan Shehu, që mori fletën e votimit dhe iu drejtua kutisë së fshehtë. Ndërkohë, Ana Dajko, deputetja e “Shqipëria Bëhet”, mori fletën e votimit për të bërë zgjedhjen e saj.
Partia Socialiste, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, propozoi emrin e Niko Peleshit gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare /ZËRI
Legjislatura e XI-të e Kuvendit/ Betohen 138 deputetë, heqin dorë nga mandati Tom Doshi dhe Sabina Jorgo
TIRANË- Parlamenti hapi sot dyert për 140 deputetët e Legjislaturës së 11-të, të cilët u rikthyen në Kuvend në seancën e pasditen, ora 17:00, për t'u betuar mbi Kushtetutë. Vasil Llajo i PS-së PS, si deputeti më i vjetër, pas Sali Berishës dhe Tritan Shehut nga PD-ja, lexoi formulën e betimit, ndërsa të gjithë deputetët, njëri pas tjetrit, u ngritën në këmbë dhe bënë betimin solemn për të respektuar nen për nen Kushtetutën e Shqipërisë.
Në këtë seancë u betuan 138 deputetë, pasi 2 të zgjedhur njoftuan se kanë hequr dorë nga mandati. Kryetarja e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, Milva Ekonomi, bëri të ditur se pranë këtij komisioni janë depozituar dy shkresa për heqje dorë nga mandati i deputetit, konkretisht nga Tom Doshi dhe Sabina Jorgo. Sakaq, pas dorëheqjes së tyre, mandati pritet t’i kalojë dy më të votuarve në qarkun Shkodër, Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku.
Ndërkohë, pas betimit të deputetëve, pritet që të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Niko Peleshi është propozuar nga mazhoranca gjatë Asamblesë Kombëtare. Votimi do të jetë i fshehtë, ndërsa opozita refuzoi të marrë pjesë në këtë proces. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se filozofia e mazhorancës socialiste është vjedhje, krim e korrupsion. “Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur Kryetarin. Ne nuk marrim pjesë fare në këtë proces”, tha Gazment Bardhi./ZËRI
Dekretohet 'Diella', Ministrja 'robot' në përgjegjësinë e Ramës (DOKUMENTI)
TIRANË- Edi Rama ndodhej në Presidencë ku u dekretua nga Kreu i Shtetit, Bajram Begaj si kryeministër të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Në dekretin e tij, pjesë është edhe 'Diella', ministrja virtuale, e cila do të drejtojë Prokurimet Publike. Në nenin 2 të dekretit që Begaj i dorëzoi ditën e sotme Ramës, përveç mandatimit si kryeministër, Rama do të jetë përgjegjës për funksionimin e 'Diellës'.
Sipas ligjit që një Ministë të dekretohet duhet të jetë shtetasi shqiptar; që ka mbushur 18 vjeç; dhe sipas nenit 45 dhe 103 të Kushtetutës, të jetë i aftë mendërisht. Në këto kushte përgjegjësia i ka kaluar kryeministrit, pasi ministrja Diella është një robot i krijuar përmes modeleve të inteligjencës artificiale virtuale.
Pas mandatimit si kryeministër, Rama do t’i dërgojë Begajt edhe dekretet e ministrave të rinj, të cilët i shpalli një ditë më parë, më 11 shtator, në Asamblenë e Partisë Socialiste./ZËRI
“Rama 4”/ Kryeministri mbërrin në presidencë, pritet nga Begaj
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Presidencë, ku është pritur nga Bajram Begaj, për t'i dhënë mandatin për qeverinë e katërt. Takimi mes dy krerëve të shtetit shënon hapin formal që i paraprin nisjes së punës nga kabineti i ri qeveritar, i cili pritet të miratohet më pas në Kuvend. Kuvendi do të mblidhet sërish pasditen e sotme, ku do të bëhet dhe betimi i 140 deputetëve, pas verifikimit nga Komisioni i Mandateve.
Kabineti i ri u shpall një ditë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama.
Kryetar Kuvendi- Niko Peleshi
Zv.kryeministre dhe Ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku
Ministria e Brendshme, Albana Koçiu
Ministria e Jashtme, Elisa Spiropali
Ministria e Financave, Petrit Malaj
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja
Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro
Ministria e Shëndetësisë, Elis Salaj
Prokurimet publike, Diella
Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj
Ministër i Drejtësisë, Besfort Lamallari
Ulsi Manja, Komisioni i ligjeve
Ministria e Mbrojtjes, Pirro Vengu
Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, kryebashkiak i Cërrikut
Ministër i shtetit për pushtetin vendor, Ervin Demo
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu
Majlinda Dhuka, ministre e shtetit për negociatat me BE
Adea Pirdeni, Ministre për Antikorrupsionin
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar. /ZËRI
Rama ‘flet’ me Diellën dhe thumbon Berishën: Humbës nuk është kush rrëzohet…
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka nisur ‘bashkëbisedimin’ me Diellën, ministren e tij virtuale, e cila tashmë duket se do e këshillojë dhe për qëndrimet që ai do të mbajë në raport me kundërshtarët e tij politik. Duke iu referuar Berishës që zaptoi sërish sot foltoren e Kuvendit, Rama tha se humbës nuk është ai që rrëzohet, por ai që gërmon aty ku ra, duke cituar fjalët e ‘Diellës’.
Rama: Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon!
Seanca e sotme parlamentare, e para për legjislacionin e ri nisi me debate. Opozita refuzoi që të jepte propozimet e saj për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, ndërkohë që seanca do të rifillojë në orën 17:00. Në nisje të seancës së sotme, ishin të pranishëm në sallë ambasadorët më të rëndësishëm në vendin tonë, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentare të PS, Taulant Balla në bazë të nenit nr. 2 të rregullores paraqiti emrat e PS për komisionin, mes tyre Milva Ikonomi, Olsi Komnici, Aulona Bylykbashi, Hatixhe Konomi dhe Alkend Balla. Komisioni do përcaktojë kryetarin dhe më pas do verifikojë figurën e 140 deputetëve dhe mandatin e tyre, për t’ia paraqitur më pas Kuvendit në seancën që u shty në orën 17:00. /ZËRI
Berisha zapton foltoren e Kuvendit, Rama e Balla të ngrysur nga vendi
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e parë e Kuvendit, me Sali Berishën që zaptoi foltoren, edhe pse nuk lejohen diskutimet. Opozita refuzoi që të jepte propozimet e saj për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, ndërkohë që seanca do të rifillojë në orën 17:00. Në nisje të seancës së sotme, ishin të pranishëm në sallë ambasadorët më të rëndësishëm në vendin tonë, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë.
Seanca e sotme u drejtua nga deputeti Vasil Llajo, si deputeti më i vjetër në moshë, pas refuzimit të Sali Berishës dhe Tritan Shehut. Në Kuvend do të ulen për herë të parë 72 deputetë.
Opozita refuzoi që të paraqiste emrat e saj për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, ndërsa Berisha zaptoi foltoren së bashku me një pjesë të deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike.
“Kryesuesi i seancës nuk lexoi emrat e Bahri Bajrit, Pëllumb Gjokës. Nuk lexoi pra emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, PS-së, por vetëm prestanomet. Lexoi Lubi Ballukun, mbi të cilën...,” tha Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentare të PS, Taulant Balla në bazë të nenit nr. 2 të rregullores paraqiti emrat e PS për komisionin, mes tyre Milva Ikonomi, Olsi Komnici, Aulona Bylykbashi, Hatixhe Konomi dhe Alkend Balla.
Komisioni do përcaktojë kryetarin dhe më pas do verifikojë figurën e 140 deputetëve dhe mandatin e tyre, për t’ia paraqitur më pas Kuvendit në seancën që u shty në orën 17:00. /ZËRI
A duhet ta kishit nisur Kuvendin me protesta? Berisha: Zgjedhjet për Tiranën edhe mund t’i bojkotojmë

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se parlamenti, në të cilin do të betohen 140 deputetët është jolegjitim, por opozita do të marrë pjesë, si pjesë e betejës dhe e qëndresës. Berisha tha se zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk ka, dhe bojkoti mund të jetë pjesë e skenarit të opozitës, edhe pse do të ishte rruga më e lehtë.
Berisha: Ky parlament është jolegjitim, ky është parlamenti i karteleve të drogës, ky është parlamenti i miliarda eurove të vjedhura të shqiptarëve, ky është parlamenti i dhunimit të fjalës së lirë, të farsës elektorale.
Pra në këtë kontekst hap më legjitim se kjo që bën sot PD nuk ka por ne e kemi betejë.
Ne zotohemi të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha forcat tona gjer në realizimin e tij...
... Unë jam i bindur që Edi Rama do të bëjë gjithçka për të fshehur krimet e tij, por detyrimi ynë dhe vendosmëria jonë është absolute. Ne do bëjmë gjithçka për të nxjerrë në dritën e diellit, krimet e shëmtuara të tij...
... Mendoj se fitorja vjen vetëm me betejë, me luftë me përpjekje dhe jo me tërheqje.
Tani se si mund ta kishim në shumë forma, por ju garantoj se kjo është prova e ekzistencës së opozitës dhe ekzistencës së demokracisë në Shqipëri.
Shikoni, nuk është një çështje këtu se, opozita është në këtë apo atë situatë, demokracia shqiptare është në agoni, shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e mafias.
Këtu çdo qytetar shqiptar që do të jetojë me ndershmëri dhe dinjitet është në një diktaturë autoritare.
Tani të gjitha vendimet do të bëhen të ditura, por e kam thënë dhe e them se, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka kurrë të lira...
Ka dy taktika, edhe ajo është një taktikë por nuk mund të them asgjë se cili do jetë qëndrimi.
Zgjedhjet mund t’i bojkotojmë, mund t’i bojkotonim zgjedhjet e përgjithshme, nuk kishim asnjë kusht, por në përpjekjen e betejës bojkoti, është edhe ajo një armë, është një formë, por ndofta forma më e lehtë...
Shikoni çfarë ndodh. Edi Rama për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në parlamentin e karteleve të drogës, në parlamentin e krimit dhe korrupsionit, nxorri përsëri nga qelia Erion Veliajn dhe do të tërheqë mediat me problemin e bashkisë së Tiranës dhe Veliajt dhe përmallimin e madh të Ogertës.
A e patë ju se si u shkri në dënesë Ogerta kur mori vesh lajmin se do të kandidohet. Mos u udhëhiqni nga gjëra të tilla se janë krejtësisht, janë shashka mediatike.
Janë shashka për mediat dhe opozitën, ndaj ne do të mbajmë drejtimin tonë kryesor, betejën për rikthimin e votës së lirë, fjalës së lirë të shqiptarëve.
A jeni më i qartë pse ju shkarkoi Rama? Manja: Kjo prandaj është Partia Socialiste, është laborator!
TIRANË- Socialistët kanë qenë të parët që kanë ngjitur sot shkallët e Kuvendit, ku 140 deputetët do të betohen me dorën mbi Kushtetutë, në nisje të legjislaturës së re parlamentare. Ulsi Manja, i cili tashmë e gjen veten jashtë qeverisë, u shpreh se Partia Socialiste është një laborator, dhe përherë ka vend për përmirësime.
I pyetur nga gazetarët nëse kishte një përgjigje më të qartë se pse Rama e shkarkoi, Manja tha se ishte i kënaqur me detyrën e re, atë të kreut të Komisionit të Ligjeve.
Ulsi Manja: Dua t'iu uroj mbarësi kolegëve deputetë, qoftë një legjislaturë e mbarë. Kryetar i Komisionit të Ligjeve jam, do të jetë Komisioni me peshën më të madhe për integrimin në BE. Kjo prandaj është Partia Socialiste, është laborator!
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama prezanroi emrat e ministrave për mandatin e katërt të së majtës në pushtet. Në krye të Ministrisë së Drejtësisë në vend të Ulsi Manjës, Rama propozoi Besfort Lamallarin, i cili deri tani ka mbajtur postin e zv.ministrit të brendshëm. /ZËRI
PARLAMENTI i ri! Sot betohen 140 deputetë, Peleshi në krye të Kuvendit, Berisha refuzon të hapë seancën
TIRANË-Sot mbahet seanca e parë plenare në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit. Kuvendi fillon në orën 10:00, ku takimi i parë do të jetë thjesht konstituive, pa debat dhe pa agjendë. Deputetët socialistë bashkë me ata të opozitës do t’i drejtohen Parlamentit për t’u betuar.
Seanca drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që i takon kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, që është 81 vjeç. Por, Berisha ka vendosur të refuzojë privilegjin që ia njeh rregullorja e Kuvendit. Seanca pritet të hapet nga Vasil Llajo i PS-së, pasi Tritan Shehu të cilit i takonte pas Berishës e ka refuzuar. Më i vjetri që do të hapë edhe seancën, do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite.
Më pas Kuvendi verifikon mandatet dhe 140 deputetët e rinj bëjnë betimin. PS hyn me 83 deputetë, nga të cilët 53 i ka emra të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë, 14 prej tyre prurje të reja. PSD hyn me 3 deputetë, partia Mundësia me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet. Deputetja më e re është Marjana Koceku, vetëm 24 vjeçe, ndërsa Deputeti më i vjetër mbetet Sali Berisha.
Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili është Niko Peleshi. Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një. Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit. Në seancën e sotme nuk lejohen debatet me opozitën.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës.
Kabineti i ri u shpall një ditë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama.
Kryetar Kuvendi- Niko Peleshi
Zv.kryeministre dhe Ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku
Ministria e Brendshme, Albana Koçiu
Ministria e Jashtme, Elisa Spiropali
Ministria e Financave, Petrit Malaj
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja
Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro
Ministria e Shëndetësisë, Elis Salaj
Prokurimet publike, Diella
Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj
Ministër i Drejtësisë, Besfort Lamallari
Ulsi Manja, Komisioni i ligjeve
Ministria e Mbrojtjes, Pirro Vengu
Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, kryebashkiak i Cërrikut
Ministër i shtetit për pushtetin vendor, Ervin Demo
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu
Majlinda Dhuka, ministre e shtetit për negociatat me BE
Adea Pirdeni, Ministre për Antikorrupsionin
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar
Nga ana tjetër edhe reu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar emrat e drejtuesve të Grupit Parlamentar të PD-s.
Berisha ka rikonfirmuar kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhin. Nënkryetar vendosi që të jetë Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti. Elda Hoti do të jetë sekretare e Grupit Parlamentar, ndërsa zëdhënëse do të jetë Ledina Aliolli. Ndërkohë, deputeti Agron Gjekmarkaj do të vijojë të mbajë postin e Nënkryetarit të Kuvendit.