LIVE UPDATES

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur! Berisha: Mbroni votat! Demokratët pranojnë humbjen

➤ Reagimet post-zgjedhore nuk kanë munguar as pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. ➤ Në opozitë duket se ka një dorëzim të "armëve". Në Dibër duket se është pranuar humbja e mandateve, edhe pse numërimi vazhdon. ➤ Në këto kushte, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkon nga komisionerët që të numërojnë çdo votë, por duket se nuk ka asnjë shenjë prej tij për dorëheqje. ➤ Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër duket se ka pranuar fitoren dhe po përgatitet për eventin që do të mbahet më 15-16 maj në Tiranë me gjithë liderët e vendeve të Bashkimit Europian. ➤ Nga terreni, ende vijojnë deklaratat.

15 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Rama largohet nga selia rozë, nuk jep koment për zgjedhjet

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Edi Rama

TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama është larguar nga selia rozë, ndërkohë që numërimi i votave po vijon në qarqet e vendit. Deri më tani janë numëruar mbi 50% e votave, ku Partia Socialiste ka epërsi me 83 mandate. Teksa ka dalë nga selia e PS, Rama nuk ka dhënë asnjë koment për zgjedhjet.

Deri më tani PS është forca politike triumfuese. Ndërsa në disa bashki në vend ka përfunduar numërimi i votave, ku PS kryeson listën. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

"Rezultati i diasporës brenda javës"/ Celibashi: Numërimi i votave nuk po shkon mirë në disa qarqe

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Ilirjan Celibashi

TIRANË- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi gjatë një prononcimi për mediat ka folur për vijueshmërinë e procesit të numërimit të votave. Celibashi u shpreh se numërimi nuk po shkon mirë në disa qarqe në vend. Më konkretisht në Tiranë, Durrës, Berat dhe Dibër. Celibashi ia atruboi këtë lodhjes së komisionerëve.

“Ritmet janë të ulëta për shkak të performancës së grupeve të numërimit, janë të lodhur, ka prej tyre që janë 48 orë nonstop. Meriton të merret në konsideratë thirrja për partitë për ndyshimin e grupeve. Është e pamundur ta përballojnë. Janë 24 KZAZ që e kanë përfunduar procesin e numërimit dhe për subjektet zgjedhore dhe kanë vendosur të nisin nesër me procesin e numërimit të votave për kandidatët e listës së hapur. Kemi patur ndërprerje në KZAZ-të e Fierit, ka rifilluar procesi i numërimit të votave. Në disa KZAZ, Pustec dhe Devoll ka përfunduar numërimi për partitë dhe koalicionet, ashtu edhe për kandidatët. Procesi i numërimit ka shkuar shumë mirë, por edhe sikur në zgjedhjet e tjera kemi probleme me ecurinë dhe vazhdimësinë normale të këtij procesi. Në pjesën me të madhe kjo ecuri e ngadaltë është kushtëzuar nga lodhja e numëruesve dhe anëtarëve të KZAZ-së. Një pjesë e tyre kanë qenë komsionerë dhe kur ka përfunduar votimi u është dashur të kryejnë edhe detyrën e numëruesit. Partitë të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Ata e dinë se cilët njerëz kanë të propozuar dhe angazhuar dhe duhet të ndërtojnë një sistem me trune. Nuk mund të lejojmë ndërprerjen e procesit të numërimit të votave", tha Celibashi.

Sa i përket votave të diasporës, Celibashi u shpreh pritet që rezultati të dalë brenda kësaj jave. Më tej, ai shtoi se edhe votat nga Greqia do t’i nënshtrohen procesit të numërimit të votave dhe se ato nuk janë përjashtuar. Ai u shpreh se do të vendoset së shpejti në lidhje me këtë proces.

"Duke përfshirë edhe votimin nga jashtë besoj, brenda kësaj jave do ta kemi. Varet shumë, thashë s’e kam për të justifikuar, shumë nga mënyra edhe sesi partitë politikë që kanë të angazhuara njerëz në procesin e numërimit nga jashtë do të organizojnë njerëz në këtë proces. Nuk e di se është kompetencë e KAS, dhe respektoj vendimarrjen. Por dua të bëj të qartë se vendimi që kam marrë si komisioner nuk ka të bëjë me do të apo nuk do të numërohen apo jo votat e ardhura nga Greqia. Është vendim që ka synuar të administrojë procesin, ku ky proces i vlerësimit të votave zhvillohet nga numëruesit dhe komisioni përkatës. Vetëm kaq kemi urdhëruar, jo më shumë. Komente s’do të preferoja të bëja mbi mendimet e kujtdo politikani. Ne do të vendosim në lidhje me gjithë procesin e votimit nga jashtë, përfshirë edhe votat e Greqisë, sikurse çdo fletë votimi që i është nënshtruar deri tani numërimit dhe vlerësimit. Nuk ka vendim që ka përjashtuar apriori mbi votat që kanë ardhur nga Greqia. Procesi është duke vazhduar, vendimi që kam marrë si komisioner e ka ndihmuar procesin sepse ka qenë e kotë në kushtet kur përbërja e grupeve të numërimit është e balancuar, përbërja e komisioneve është e balancuar, do të kishim ngecur deri sot në debatin ndërmjet anëtarë të grupeve të numërimit dhe komisionerëve për fletët e votimit nga Greqia. Meqense njëra palë e kontestonte këtë votim, kemi vazhduar me pjesën tjetër. Do të vendosim për ecurinë. Nuk janë të përjashtuar. Do të shqyrtohet fleta e votimit. Votat nga Greqia do t’i nënshtrohen numërimit, sikurse nga vendet e tjera, është vetëm çështje kohe. Me këtë rast do të shqyrtohen edhe pretendimet e gjithkujt me votën e Greqisë dhe diasporës në tërësi”, tha Celibashi./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

OSBE/ODIHR: Abuzimi me burimet shtetërore dhe mungesa e medias së pavarur krijuan garë të pabarabartë

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Foto ilustruese

TIRANË- Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR deklaroi të hënën në gjetjet paraprake se gara zgjedhore në Shqipëri ishte “e pabarabartë” për shkak të “keqpërdorimit masiv të burimeve shtetërore dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet” si dhe nga mungesa e medias së pavarur, e cila nuk siguroi që votuesit të ishin të mirëinformuar mbi zgjedhjen që bënë.

Ndërsa zgjedhjet u menaxhuan mirë, dëshmitarët afatgjatë dëshmuan frikësim masiv dhe abuzim të burimeve shtetërore gjatë fushatës elektorale,” deklaroi ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit.

Raporti shënon një kthesë të fortë në gjetjet e misioneve të vrojtimit të zgjedhjeve të shkuara, ku zakonisht vëzhguesit janë mjaftuar duke vënë në dukje se problemet “janë raportuar”, ndërsa në këtë rast, ata vënë në dukje se ata vetë “i kanë dëshmuar” rastet e frikësimit të votuesve dhe abuzimit të burimeve shtetërore.

“Zgjedhjet u shënuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve publike dhe fuqive institucionale të partisë në pushtet ndërsa raportime të shumta mbi presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit e tjerë si dhe rastet e frikësimit [të votuesve] ishin shqetësuese,” thuhet në deklaratë.

Duke folur jashtë tekstit të deklaratës së shkurtër, Farah Karimi, koordinatorja e vëzhguesve afatshkurtër theksoi shqetësimet mbi median dhe po kështu, ambasadori Zannier vuri theksin se monitorimi i medias shqiptare prej tyre zbuloi përdorimin masiv të materialeve të gatshme, si dhe faktin që informacioni i ofruar nga Autoriteti i Medias Audiovizive “nuk ishte i përdorshëm” dhe se kjo ngre pikëpyetje mbi “pavarësinë e AMA-s”.

Raporti theksoi se rastet e abuzimit me burimet shtetërore “u mbajtën shënim” dhe se kjo është “e papërputhshme me standardet ndërkombëtare”.

“Garuesit në përgjithësi ishin të lirë të kryenin fushatën e vet por fusha e lojës ishte e pabarabartë,” thuhet në raport. “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjithëpërhapur i burimeve administrative dhe mekanizmave institucionalë, përfshirë heqjen e gjobave pak para ditës së zgjedhjeve, ndërsa zyrtarët e lartë të qeverisë u angazhuan shumë në një numër aktivitetesh zyrtare që shpesh mbivendoseshin me mesazhet e fushatës,” shkruhet më tej në raport.

“Aludimet për presion mbi punonjësit publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqbërdorimi i rrjeteve të patronazhimit u vërejtjën, gjë që është jo në përputhje me standardet ndërkombëtare,” shkruhet më tej.

Shqiptarët votuan në zgjedhje të dielën, zgjedhje të cilat partia në pushtet i fitoi me shumicë votash dhe me shumicë akoma më të lartë mandatesh. Kjo është maxhoranca më e madhe e krijuar ndonjëherë në Shqipëri që nga viti 2001, kur zgjedhjet u zhvilluan gjithashtu nga Partia Socialiste dhe të cilat, vëzhguesit ndërkombëtarë i dënuan si të pabarabarta.

Kritika të forta vëzhguesit bënë veçanërisht në drejtim të medias.

“Mjedisi mediatik ishte shumë pengues, me pavarësinë, larmishmërinë dhe integritetin e përmbajtjes së lajmeve të minuar nga financimet jotransparente, përqendrimi i pronësisë, ndërhyrja në autonominë editoriale dhe ndikimi politik,” shkruhet në raport.

Procesi i numërimit nuk ka mbaruar ende por deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, Partia Socialiste duket se ka siguruar rreth 53% të votave dhe rreth 60% të parlamentit./BIRN

1 MUAJ ME PARE

Fitore e thellë në Berat, PS kërkon mandatin e 6, Demo: Ky rezultat na bën të ndihemi borxhli

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Ervin Demo

BERAT- Partia Socialiste ka shënuar një fitore të thellë në disa qarqe të rëndësishme të vendit, duke përfshirë edhe Beratin, ku aktualisht socialistët marrin pesë mandate, kundrejt dy që i shkojnë PD-së. Ky rezultat kaq pozitiv dhe me përmirësim krahasuar me vitin 2021, sipas kandidatit për deputet Ervin Demo vjen nga fushata pozitive që PS ka kryer në qarkun e Beratit.

“Ishim shumë të sigurt për këtë rezultat, kemi qenë të përfshirë në fushatë prej muajsh. Besimi ynë vinte si nga ndjekja e fushatës, dhe bërja e një fushate pozitive, ne nuk jemi marrë fare me kundërshtarët. Qartazi ne kemi bërë një rezultat spektakolar duke filluar nga Skrapari, Berati është në trendin që ka pasur gjithmonë si bashki. Presim një përmirësim të jashtëzakonshëm edhe në Kuçovë por edhe Dimali ka sjellë një rezultat pozitiv. Raporti 5 me 2 është një raport shumë i vështirë për t’u marrë për shkak se numrat janë shumë të vegjël”, u shpreh Demo në një intervistë për Top News.

Demo do të jetë tashmë deputet i Beratit në Parlament, pas mandatit në krye të Bashkisë së Qytetit. Ai tha se një rezultat kaq pozitiv e bën atë edhe më borxhli, për atë çka duhet t’i ofrojë tashmë të pesta bashkive të Beratit.

Unë i përkas Bashkisë së Beratit dhe do i përkas edhe më shumë. Ky rezultat na bën të ndihemi borxhli për atë çka duhet të bëjmë në të pesta bashkitë”, tha ai.

Në qarkun e Beratit, Partia Socialiste ka arritur që të mbledhë 25318 mijë vota, përkundrejt 13 mijë që ka marrë opozita me Partinë Demokratike./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

“Ishim përgatitur për kushte normale”, Xhelal Mziu dorëzohet: I paarritshëm mandati i 3-të

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Xhelal Mziu

TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu duket se është dorëzuar. Në një prononcim për "Top Channel", Xhelal Mziu tha se partia që ai përfaqëson nuk do të arrijë të kapë mandatin e tretë me këtë trend.

Xhelal Mziu: Ne kemi qenë të përgatitur për rezultatin që do të merrnin, por flas për kushte normale. Por ne 3-4 ditët e fundit jemi përplasur me makina të pafundme në lagje, po rrezikohet vota e qytetarëve. Kemi tentuar që t'i çaktivizonim. Aktualisht po tentojmë që të kapur 3 (mandate), por me këtë trend më duket i paarritshëm.

Aktualisht, në të gjithë qarkun e Dibrës, Partia Demokratike ka siguruar 10995 vota, ndërkohë që Partia Socialiste ka arritur që të mbledhë 16696 vota./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Vota e diasporës/ Topalli: Manipulim! Në 2 kuti të Beratit vetëm PS, edhe Enver Hoxha do e kishte lakmi

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Jozefina Topalli

TIRANË-Përveç numërimit të kutive brenda vendit, procesi ka filluar edhe për votat e ardhura nga diaspora. Partia Socialiste është në epërsi në Berat, Fier, Lezhë dhe në Elbasan. Blu për momentin është Kukësi dhe Shkodra, duke shënuar kështu një kohezion me votat që janë numëruar deri më tani nëpër Qendrat e tjera të Numërimit. 

Në lidhje me rezultatin një reagim ka ardhur edhe nga drejtuesja e Partisë Demokratike të PD për diasporën, Jozefina Topalli, e cila u shpreh se në kutitë e diasporës po dalin vota vetëm për PS si ne kohën e diktaturës.

Jozefina Topalli: Sapo ka filluar numërimi i i kutive dhe unë isha duke para qendrat e Beratit. U numërua qendra e parë e Beratit dhe doli mbi 90 për qind për PS. U numërua edhe qendra tjetër, kutia tjetër e Beratit dhe doli po në ato shifra. Nga këtu unë nuk kamë çfarë të them diçka tjetër sepse Enver Hoxha do ja kishte lakmi. Po them që është 90 për qind e më shumë për PS. Nuk ekziston asnjë forcë tjetër politike përveç Partisë Socialiste. Ky është standardi i këtyre zgjedhjeve për dy kutitë e para të Beratit. Që i kam parë unë. Nuk jemi ende duke folur për Greqinë sepse unë besoj se ajo do të dalë 123 për qind për PS.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Aktualisht, janë numëruar 3591 nga 194.889 zarfe në total që kanë mbërritur në vendin tonë  dhe po numërohen tek Parku Olimpik “Feti Borova”. Por numërimi ende nuk ka nisur për zarfat e mbërritur nga emigrantët me vendbanim në: Dibër, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Tiranë dhe në Vlorë./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet/ OSBE-ODHIR: Proces transparent, por klima e polarizuar! Partia në pushtet përfitoi nga administrata

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Foto ilustruese

TIRANË- Misioni i OSBE-ODHIR ka vlerësuar si transparente dhe të rregullta procesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri, por flasin edhe për një klimë të polarizuar. Në konferencën për shtyp, vëzhguesit e OSBE-ODHIR prezantuan përfundimet paraprake për procesin zgjedhor në Shqipëri, ku theksuan se qytetarët treguan përkushtim ndaj demokracisë, por shtuan se ishin të "zhgënjyer" nga përqindja që ka marrë pjesë në votime. Sipas OSBE-ODHIR zgjedhjet u mbajtën në një klimë të thellë polarizimi, ndërsa kandidatët nuk gëzuan kushte të barabarta gare. Po ashtu, OSBE-ODHIR vuri në dukje rolin pozitiv të SPAK, i cili kontribuoi ndjeshëm në hetimin e rasteve të korrupsionit zgjedhor. Ndër të tjera theksuan se problem ishte gjithashtu përdorimi i administratës. 

Koordinatorja Speciale të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri, Farah Karimi, në konferencën për shtyp, vlerësuan rolin e SPAK për krimet zgjedhore. Ajo tha se ka pasur një efekt frenimi.

"Populli shqiptar tregoi angazhim të fortë ndaj demokracisë, klimë tejet të polarizuar, ata dolën, morën pjesë dhe bënë që zëri i tyre të dëgjohet. Që nga votuesit që votuan për herë të parë, deri tek votuesit nga jashtë shtetit, deri tek vëzhguesit, ata janë zemra e këtij procesi demokratik. Në këtë frymë, në respekt të njerëzve do ndaja disa nga pikat e konstatimeve. Zgjedhjet e 2025, ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, ndodhën në një klimë tejet të polarizuar dhe kandidatët nuk patën mundësi të barabarta. Patën mundësi të bënin fushatë në mënyrë të lirshme edhe pse disa raportuan se kishin pasur intimidim. SPAK luajti rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ashtu edhe mekanizmi i ri koordinues që mundësuan shkëmbim më të mirë informacioni lidhur me krimet zgjedhore. Megjithatë u pa se pati një efekt të mundshëm frenimi. Me lejoni që të siguroj se do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me parlamentin dhe forcat politike për interes të popullit shqiptar. Legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata nuk parandaloi abuzimin. Krijoi autocensurë. Dy partitë kryesore ishin ato që dominuan mbulimin e gazetarëve. Pati edhe mungesë të autoritetit për të monitoruar fushatën zgjedhore online. Mekanizmi i ri ndërinstitucional për të ndaluar krimet zgjedhore është një zhvillim që mirëpritet, por është e nevojshme të ketë persistenë në ndalimin e praktikave abuzive. Pati mosrespektin të proceduarve, intimidim. Këto janë pikat kryesore. Më lejoni të flas më tej për disa gjetje dhe konkluzione të tjera. Një ditë shumë pak para datës së zgjedhjeve, u falën gjobat, vendim i 2024 dhe të tjera vendime afër zgjedhjeve.Fushata u fokusua në sulme armiqësore dhe personale, sidomos nga drejtuesit e dy partive kryesore në vend, jo debatin e ideve,”- tha ndër të tjera përfaqësuesja e OSBE.

Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, ambasadori Lamberto Zannier, Lamberto Zannier tha në konferencën për mediat se disa rekomandime të ODIHR mbeten ende të paadresuara. Zannier u shpreh se pavarësisht ndryshimeve në sistem, ende nuk ka një reformë elektorale gjithëpërfshirëse.

Pavarësisht ndryshimeve në sistem, rekomandimet e mëparshme të ODIHR mbeten të paadresuara. Ende nuk ka pasur një reformë elektorale gjithëpërfshirëse. Ne pamë se përgatitjet për zgjedhjet efiçente përgjithësisht dhe të menaxhuara mirë. Patëm bashkëpunim të mirë me KQZ, administrata zgjedhore ishte transparente në përputhje përgjithësisht me afatet ligjore. Në ditën e zgjedhjeve kishte zgjedhës të pafamiljarizuar që s’e dinin se si të votonin në disa qendra votimi. Trajnimi i komisionerëve mund të ishte më eficent dhe efikas. Për votimin elektronik, në disa qendra tregojnë nevojën për përmirësimin e informimit të zgjedhësve për përdorimin e këtyre zgjedhjeve. Vëzhguesit tanë mundësi të shihnin disa aktivitete zgjedhore. SPAK ngriti një task forcë për hetimin e krimeve si edhe platformën online për raportimin nga publiku, kjo përfshin edhe mundësinë që prokurorët dhe hetuesit të bashkëpunojnë me autoritetet lokale. Fushata në rrjete sociale mbetet e parregulluar. Pikëpamjet e amplifikuara në rrjete sociale ishin të dukshme dhe nuk pati autoritet për të manipuluar përmbajtjen politike online. Na u ankuan për mbylljen e TikTok para zgjedhjeve. Financimi i fushatës mbetet sfidë e rëndësishme, nga 2020 ka pasur ndryshime të kufizuara lidhur me rregullat e financimit të fushatës. Pozitive është që KQZ e shpërndau në kohë fondet publike. Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe transparente vëzhguesit panë se votimi në përgjithësi ishte i rregullt. Procedurat nuk u ndoqën si duhet dhe kjo çoi në disa vlerësime më negative. Pati një numër indicentesh intimidimi të vëzhguesit të partive, dhe pretendime për shitblerje vote. Aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara mbetet problem. Transmetimi i të dhënave dhe rezultateve u anulua dhe pati vonesa në dërgimin e votave nga jashtë. Zyra e OSBE do të vazhdojë deri në 22 maj për të ndjekur dhe procesin e apelimeve dhe ankimimeve. Raporti përfundimtar pas disa muajsh.”

Michael Gahler, vëzhgues i OSBE-ODIHR tha se Shqipëria nuk do të futet në BE kështu siç është sot. Ndaj edhe u rekomandoi të gjithë aktorëve përkatës t’i marrin rekomandimet seriozisht.

“Rekomandimet dhe këto që do të vijnë nga Parlamenti Europian unë absolutisht që do sugjeroja që aktorët e interesuar këtu, por do të doja ë kisha konsensus të gjerë të partive politike, për përmirësimin e procesit zgjedhor. Kjo është një nga aspektet qe çon drejt BE. Çështja të tjera që përmendët që kanë të bëjnë me korrupsionin, të tjera gjëra që shkojnë përtej zgjedhjeve sigurisht që do të adresohen të jeni të sigurt. Ky vend nuk do të futet në BE kështu siç është sot, ama ka shumë gjëra që mund të përmirësohen dhe zgjedhjet janë të rëndësishme. Unë rekomandoj me forcë të gjithë aktorëve përkatës t’i marrin rekomandimet seriozisht,”- tha ai.

OSBE/ODIHR vlerësoi punën e punonjësve të qendrave të votimit, të cilët, sipas raportit, kanë administruar në mënyrë të shkëlqyer procesin në 95% të qendrave./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

PS dominon zgjedhjet/ Erion Braçe shfaqet indiferent nga ‘Njësia 5’: S’jam kurioz fare

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Erion Braçe

TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka shkuar mesditën e kësaj të hëne te “Njësia 5” në Tiranë për të ndjekur nga afër procesin e numërimit të votave. I pyetur nga gazetarët si e si e komenton rezultatin e Partisë Socialiste, Braçe ka zgjedhur të mos e komentojë, duke u shprehur se nuk e ka ndjekur procesin e numërimit.

“Po numërohen vota nuk ka koment tani. Me thënë të drejtën unë s'kam qenë këtu. Nuk kam parë rezultate kam qenë shumë i lodhur. Nuk jam kurioz fare, erdha të shoh se janë njerëzit këtu dhe po shoh”, tha Braçe për mediat.

1 MUAJ ME PARE

Sara Mila ironike për Berishën: Më bëri reklama fantastike, do e falenderoj!

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Sara Mila

ELBASAN- Kandidatja e Partisë Socialiste në Elbasan, Sara Mila ka përmendur kryedemokratin Sali Berisha. Në një prononcim për "AbcNews", Sara Mila tha se ishte kryedemokrati ai që i bëri "reklamë" duke i përmendur emrin gjatë gjithë fushatës elektorale. Ndaj duke qeshur u shpreh se sapo të kishte mundësi do ta falenderonte kreun e PD për promovimin që i ka bërë.

"Mendoj që Berisha do mbahet mend si Berisha që më bëri mbiemrin nga Mila në Mile. Të rinj që kam takuar gjatë kësaj fushate më njohin pas përmendjes së Berishës, reklama ka qenë fantastike duhet ta falenderoj në një moment. Përtej humorit, PS është një parti e organizuar shumë mirë, vështirë të na rrëzosh. PS nuk bën fushatë për dy muaj, është krijuar një frymë e mirë. PS ka dhënë ofertën e një partie të re, është një lloj rotacioni janë votuar figura të reja. Kemi një rifreskim, strategjia e PS ka funksionuar. Asgjë për t’u habitur, është e gjitha e rezultat i një pune shumë të mirë PS,"-tha në fjalën e saj Sara Mile./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Rezultati i zgjedhjeve/ Këlliçi: Nuk kemi dalë ashtu siç e prisnim, por s'janë numëruar të gjitha kutitë

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Belind Këlliçi

TIRANË-Drejtuesi politik i Partisë Demokratike Belind Këlliçi njëherësh dhe kandidat për deputet ka kometuar rezultatet e deritanishme nga numërimi i votave. Këlliçi është shprehur se rezultati nuk është ai që priste opozita, por theksoi se është ende herët për të folur.

"Natyrisht që nuk është rezultati që do të donim të kishim, por është ende herët për të folur për një rezultat pasi janë numëruar deri tani 12 apo 13 për qind e votave dhe ka ende shumë të tjera pa u numëruar”, u shpreh Këlliçi.

Nga rezultatet e deritanishme, Partia Socialiste kryeson me 296737 vota, ose 52.55 % të totalit të votave të numëruara deri më tani, ndërsa Partia Demokratike renditet e dyta me 193608 ose 34.29 %.

Nga ana tjetër, zyrtari demokrat foli edhe për incidentin me socialistin Erion Braçe dhe ekipin e PS-së, një ditë më parë.

“Është shumë zhgënjyese kur shikon që Erioni kërkon t’i ngjajë adashit të tij Erion Veliaj për sa i përket përdorimit të gënjeshtrave”, tha Këlliçi.

1 MUAJ ME PARE

Rama merr urimet e para, kompjuteri i zbulon 'sekretin' (FOTO)

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Kryeministri Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama duket se ka nisur të marrë urimet e para për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Edhe pse numërimi i votave nuk ka mbaruar akoma, Rama ka postuar një foto ku shihet se po zhvillon një telefonatë. Krah fotos, Rama bën me dije se ka marrë një telefonatë nga Hashim Thaçi, të cilin e konsideron vëlla.

“Telefonata e vëllaut tim Hashim ishte tejet prekëse dhe Komandanti ishte në formën e vet më të mire,”- shkruan Rama për ish-Presidentin e Kosovës që ndodhet në Hagë.

Ajo që shohim në kompjuter na lë të kuptojmë se kreu i qeverisë po përgatit fjalimin me të cilin do tu drejtohet qytetarëve pas përfundimit të numërimit. 

1 MUAJ ME PARE

S'ka shenja dorëheqjeje! Berisha thirrje komisionerëve: Të mbrohet çdo votë! Vetëm Zoti na ndalon...

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Sali Berisha

TIRANË- Pas disa orësh në seli, kreu i PD Sali Berisha bëri daljen e parë publike, ndërsa rezultatet e numërimit tregojnë një humbje të thellë të Partisë Demokratike në këto zgjedhje parlamentare. Por nga kryedemokrati duket se nuk ka asnjë shenjë dorëheqjeje. Në fjalën e tij para mediave nga selia e Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk bëri asnjë koment për humbjen, por u dha kurajo numërusve të numërojnë çdo votë të hedhur në kuti. 

Berisha: Iu bëj thirrje të gjitha strukturave të PD që të bëjnë gjithçka që të mbrohet çdo votë me përkushtimin më të madh sepse çdo votë kundër regjimit meriton nderimin dhe vlerësimin më të madh. Unë sot, këtë kisha qëllimin kryesor të paraqitjes para jush. Një thirrje për demokratët dhe opozitarët që të mos kenë asnjë ndikim nga asgjë. Kjo është detyra më e rëndësishme për demokratët sot. PD ju ka thënë shqiptarëve dhe botës së çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Mos të ketë kush asnjë iluzion se ato konkluzione kanë qenë politike. 

DEKLARATA E BERISHËS:

Për PD-në, procesi elektoral është procesi themelor i një shoqërie të lirë dhe i njerëzve të lirë. Pra, është procesi më serioz. Në këtë kontekst jam këtu së pari për të shprehur mirënjohje, falënderim të madh për të gjithë ata komisionerë, vëzhgues, numërues që e gdhinë gjatë natës duke numëruar votat e qytetarëve. Së dyti, u bëj thirrje të gjithë strukturave të PD, komisionerëve, vëzhguesve, kandidatëve, drejtuesve, që të bëjnë gjithçka që të numërohet çdo votë me përkushtimin më të madh sepse çdo votë kundër regjimit meriton nderimin më të madh dhe vlerësimin më të madh. Unë këtë kisha qëllimin tim të paraqitjes para jush, në mënyrë edhe njëherë, një thirrje për demokratët, opozitarët të tregojnë përkushtimin dhe seriozitetin tonë maksimal në numërimin dhe vlerësimin e çdo vote të hedhur në kuti dhe të mos kenë asnjë ndikim nga asgjë. Kjo është detyra më e rëndësishme për demokratët sot. PD u ka thënë shqiptarëve dhe botës se çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Këtu të mos ketë askush iluzione se ato konkluzione kanë qenë politike. Jo, ato kanë qenë të bazuara dhe të certifikuara tashmë nga forume politike ndërkombëtare. Ndaj dhe të durojmë për të përfunduar edhe numërimi i votës së fundit. Atëherë PD do të bëjë të gjithë vlerësimin e saj. PD do e bëjë të gjithë vlerësimin e saj. Kësaj here, ju që pyesni e keni shumë të thjeshtë, mjafton të lexoni kriteret. Në qoftë se mbillen dhjetëra mijëra hektarë kanabis për votë. Në qoftë se punësohen dhjetëra mijëra punonjës për votë. Në qoftë se siç e patë vetë... dhe dua të bëj një falënderim për gazetarët për raportimet e shkëlqyera dhe sakrificat që kanë bërë... në qoftë se ju patë qendrat e votimit të rrethuara nga patronazhistë në të katër anët dhe zyrat ilegale të PS të ngritura pranë qendrave të votimit. Në qoftë se patë faljen dy net para të rreth 150 milionë euro gjoba të mbi 170 mijë qytetarëve, atëherë emrin zgjedhjeve ua vini vetë. Por unë nuk jam këtu për këtë. Unë jam këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve që të numërojnë çdo votë. Ne të tregojmë përgjegjësi para atyre që kanë votuar duke numëruar çdo votë. Ky është qëndrimi ynë... ...Edhe njëherë, asnjë njeri para këtij procesi nuk mund të bëjë automatin, nuk mund të bëjë sikur këto nuk kanë ndodhur. Ju jeni dëshmitarë se këto që thashë unë, katër prej tyre janë me vendime zyrtare qeverie, janë publike, nuk janë private. Ka kritere për zgjedhjet. Janë shkelur në mënyrën më të pamëshirë. Përveç të tjerash, Xhabaftët, Poja, Suel Çela, nuk ka asgjë këtu të fshehtë. Në këto kushte nuk ka njeri që mund të vërë në dyshim këto që themi ne. Por unë jam këtu sot për të kërkuar nga strukturat e PD, pavarësisht nga çdo gjë, është në detyrimin tonë të numërojmë çdo votë. Në qoftë se kryeministri firmos dhuratën kryeministrore 100 euro për votë, nuk është përgjegjësi e opozitës kjo.
Në qoftë se kryeministri firmos mbjelljen e dhjetëra mijëra hektarëve kanabis për votë, nuk është përgjegjësi e opozitës kjo. Në qoftë se kryeministri firmos faljen e 150 milionë gjobave dy ditë para zgjedhjeve, kjo nuk është përgjegjësia e opozitës. Cila është këtu përgjegjësia e opozitës? Çfarë mendoni ju se të jetë opozita të jetë symbyllur ndaj këtyre? E pamundur. Asnjë njeri i qytetëruar nuk mund të mbyllë sytë përpara këtyre. Por këto që janë të njohura. Pavarësisht, çdo votë duhet të numërohet. Ky është qëndrimi ynë. Tani, edhe njëherë, nuk janë dhënë kurrë 138 licenca për mijëra hektarë kanabis. Nuk janë dhënë kurrë 100 euro për votë publikisht. Nuk duhet të na pengojë mjegulla të shohim drurët. Nuk ka ndodhur kurrë që të falen dy ditë para zgjedhjeve 150 milionë euro gjoba. Nuk ka ndodhur kurrë që në një vit elektoral të arrestohen ose të jenë në proces politik tre liderët e partive opozitare. Nuk kanë ndodhur ndonjëherë këto. Ka një rekord historik ky vend. Kjo është hera e parë. Besoj se jemi dakord. Kështu që asnjë prej tyre nuk pajtohet me një proces zgjedhor të drejtë.
Nuk pajtohet me parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira. Por kjo prapë nuk duhet që asnjë demokrate e demokrat, të shmangë apo të tregojë lodhjen më të vogël, megjithëse lodhja është normale, në vlerësimin dhe numrin e çdo vote. Besoj se përgjigjja ishte shteruese.

1 MUAJ ME PARE

Mziu nga Dibra: S’e pranojmë rezultatin, janë hedhur miliona euro për votën

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Xhelal Mziu

DIBËR- Xhelal Mziu, kandidati për deputet i Partisë Demokratike ka ngritur akuza për shit-blerje votash. Në një deklaratë për Euroneës, Mziu tha se nuk do ta pranojnë rezultatin.

“Nuk mund të pranojmë një rezultat ku janë hedhur miliona euro në këmbim të votës, besoj që kushdo e kupton. Shoh një tendencë të zonave të cilat duhet të kishim një rezultat të thellë, shpresoj ta ruajmë mandatin e tretë në Dibër, por varet nga shuma që kanë hedhur,”- u shpreh Mziu.

1 MUAJ ME PARE

PS kryeson bindshëm, Rama poston foton 'pikante': Çfarë agimi ky sot!

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Edi Rama

TIRANË-Teksa procesi i numërimit të votave vijon, kryeministri Edi Rama ka postuar një foto, ku të agimit mbi kryeqytetin shqiptar me një ‘pëlhurë’ të purpurtë.

“Çfarë agimi ky sot!”,-shkruan kreu i qeverisë, duke nënkuptuar fitoren e thellë të PS-së në të gjithë vendin, teksa e shoqëron edhe me një emoji “pesëshe”, dorën me numrin 5 të fletës së votimit.

Partia Socialiste kryeson thellë me 232931 vota në total në rang kombëtar, ose ndryshe 83 mandate deputeti në Kuvend.

1 MUAJ ME PARE

Rezultati i votimit elektronik në Vorë, Spiropali: Kemi fituar me diferencë të thellë

Numërimi vazhdon...PS e qetë drejt fitores, Rama ende s'ka folur!
Elisa Spiropali

VORË- Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali ka folur për mediat nga Vora, duke shpallur edhe njëherë fitoren e PS-së. Në deklaratën e saj për mediat, Spiropali tha se ende presin rezultatin, duke shtuar se për ta parashikohet një fitore e thellë. 

“Edhe pse rezultati duhet të kishte dalë që mbrëmë, ne investuam në numërimin elektronik për Vorën dhe njësinë 10 për të dhënë rezultatin në kohë reale, ku bashkia e Vorës do të kishte qenë e para që do të shpallte fitoren e thellë për PS. PS ka fituar në Vorë siç pritej me diferencë të thellë për shkak të punëve të mira që kemi bërë këtu. Punës së madhe në terren, PS që është shumë pranë qytetarëve çdo ditë të vitit. Ky rezultat reflekton besimin e madh që Vora, qarku i Tiranës dhe gjithë Shqipëria i ka dhënë Ramës dhe PS. Sapo morën rezultatin tonë, dhe i takon KQZ të shpallë rezultatin të asaj që ishte numërim elektronik. Kemi diferencë të thellë,”- tha Spiropali./ZËRI

Poll

MOS HUMB