Protesta e opozitës/ Policia e Shtetit: 6 efektivë të lënduar, dërgohen për ndihmë mjekësore te Trauma dhe QSUT
TIRANË- Pas incidenteve gjatë protestës së zhvilluar sot nga Partia Demokratike, ku disa militantë sulmuan efektivët e Policisë me flakandanë dhe molotovë, Policia e Shtetit njofton se 6 punonjës janë lënduar.
Efektivët e dëmtuar janë pjesë e Forcave“Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe QSUT, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në shërbim për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike ishin të pranishëm rreth 1500 forca policie të cilët shoqëruan turmën e protestuesve në çdo pikë që lëvizën nëpër kryeqytet.
Njoftimi i Policisë:
"Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.
Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar. Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore."/ZËRI
SHERRI I PLOTË/ Si iu turrën Mziu, Noka& Boçi policëve, efektivi i Shqiponjave u godit me send nga protestuesi
TIRANË- Gjatë protestës së opozitës pranë Kuvendit, janë regjistruar momente të forta tensioni mes protestuesve, deputetëve të Partisë Demokratike dhe forcave të policisë. Deputetët Luciano Boçi, Xhelal Mziu dhe Flamur Noka tentuan të kalojnë përmes kordonit të sigurisë për t’u afruar drejt godinës së Kuvendit, por u ndaluan nga efektivët e rendit.
Në pamjet e publikuara shihet qartë Flamur Noka, Xhelal Mziu dhe Klevis Balliu teksa konfrontohen drejtpërdrejt me policët, në një situatë të tensionuar që përshkallëzohet nga debatet në shtyrje fizike.
Pjesë nga debati me policinë:
Boçi: Ske turp, hiqe uniformën. Si e ha bukë në darkë ti? Legena burracak. Para krimit jeni ushtarë. Merreni me deputetë e njerëz të thjeshtë ju. Legena.
Noka: Mos fol ti.
Boçi: Kë godet ti? Je burrë i mirë ti?
Noka:Jeni si bandë. Shkoni tutje ça doni këtu.
Boçi: Për Edi Ramën vini këtu ju?
Noka: Keni godit liderin e opozitës, një banditë ju, e kemi të filmuar do ta paguani. Largoni policët. Largoni tutje. /ZËRI
Mbyllet protesta, Berisha nga selia e PD: Si e nderuat ju 22 marsin... bravo, e tmerruat Edvin Ramën

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti mbështetësit nga selia e partisë pas protestës së sotme, duke e cilësuar si një “kryengritje paqësore” të shqiptarëve.
Berisha falenderoi qytetarët për qëndresën e tyre dhe për nderimin e 34-vjetorit të përmbysjes së diktaturës komuniste, ndërsa theksoi se protesta i ka dhënë një goditje qeverisë aktuale. Ai paralajmëroi se aksionet opozitare do të vijojnë dhe se për Edi Ramën nuk do të ketë paqe, duke premtuar protesta edhe më të mëdha në të ardhmen për ndryshimin e regjimit aktual.
Berisha: “Një përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme.
Me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë.
Por njëkohësisht i dhatë edhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme.
Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe u garantoj se tjetra do jetë dhe më e shkëlqyer dhe se për Edi Ramën nuk do ketë më strofull, nuk do ketë më vrimë miu ku do futet.
Kryengritja paqësore e shqiptarëve do u japë atyre ndëshkimin që meriton.
Do ta çojë tek etërit e tij mizorë.
Keni qenë të shkëlqyer... nuk di domethënë se si e nderuat kaq shumë sot 22 marsin.
E tmerruat Edvin Kristaq Ramën.
Prandaj dhe ne le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët kanë vjedhur dhe vjedhin si hijena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë.
Përdorin ligjet dhe mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre.
Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do përfundojnë në Lanë.
Do përfundojnë në koshat e plehrave të historisë.
E patë vetë ju si e kishte rrethuar nga të katër anët me policë.
Po ka rrethim që na pengon ne? kurrë mo kurrë!
Prandaj Edi Rama jep dorëheqjen sa më shpejt.
Jep dorëheqjen se do të tërheqim ashtu siç s’ta pret mendja.Bravo, si e mbajtëjt ju këtë protestë paqësore. Për Edi Ramën nuk do të ketë paqe, protesta tjetër do të jetë edhe më madhështore për përmbysjen e këtij regjimi.”
/ZËRI
Flakadanë dhe molotovë, plagosen dy efektivë të Shqiponjave nisen drejt Spitalit Ushtarak
TIRANË- Gjatë protestës së Partisë Demokratike, dy efektivë të Forcës “Shqiponja” janë plagosur si pasojë e hedhjes së molotovëve nga protestuesit drejt turmës së policëve në rrugën e Elbasanit.
Të dy efektivët janë transportuar menjëherë drejt Spitali Ushtarak, ku do të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë që protesta vazhdon dhe qytetarët po marshojnë në pikat kryesore në kryeqytet./ ZËRI
VIDEO: Lëndohet Berisha, i hidhet spary në sy- Makina e tij i vjen në ndihmë
TIRANË- Situata në protestën e Partia Demokratike e Shqipërisë është tensionuar më tej, pasi gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë është hedhur gaz lotsjellës.
Si pasojë e gazit, është lënduar edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili ndodhej në vijën e parë të marshimit së bashku me mbështetësit dhe deputetët e opozitës. Berisha ka shfaqur shqetësime shëndetësore nga ekspozimi ndaj gazit dhe spary-t. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur automjeti i tij, i cili e ka marrë për ta larguar nga zona e tensionuar, ndërsa bashkëpunëtorët dhe truprojat kanë ndërhyrë për ta shoqëruar në kushte sigurie.
Ndërkohë, përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë vijuar, me policinë që përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin në zonë./ZËRI
Protestuesit e PD në marshim por ish-Blloku është tërësisht i rrethuar, policia gardh para rrugicave që të çojnë te Vila 31
TIRANË- Protestuesit kanë vijuar marshimin drejt zonës së Blloku, një nga pikat kryesore të kryeqytetit, duke zhvendosur kështu fokusin e protestës. Gjatë lëvizjes së turmës, policia ka ndërhyrë duke bllokuar rrugën në afërsi të vilës së Enver Hoxhës, për të ndaluar avancimin e mëtejshëm të protestuesve dhe për të shmangur përplasje të mundshme.
Forcat e rendit kanë shtuar prezencën në zonë dhe po monitorojnë situatën nga afër, ndërsa tensionet mbeten të larta pas incidenteve të mëparshme gjatë protestës./ZËRI
Plas molotovi afër selisë së PS-ës, policia hedh gaz lotsjellës
TIRANË- Është përshkallëzuar ndjeshëm protesta e opozitës, ku qindra qytetarë janë drejtuar drejt Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së ku kanë hedhur mjete shpërthyese, përfshirë molotovë dhe fishekzjarrë, në drejtim të selisë së Partia Socialiste e Shqipërisë.
Si pasojë e tensioneve, flakët kanë përfshirë edhe një automjet policie, ndërsa në zonë janë krijuar momente paniku dhe tymi. Forcat e rendit kanë ndërhyrë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shuar zjarrin.
Paralelisht, protesta është zhvendosur në disa pika të kryeqytetit, ku janë raportuar incidente edhe pranë institucioneve të tjera shtetërore. Efektivët e policisë, përfshirë forcat speciale, vijojnë të jenë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzim të mëtejshëm./ZËRI
Tym e flakë, protestuesit hedhin molotovë drejt Kryeministrisë, policia përgjigjet me ujë
TIRANË- Protesta e Partisë Demokratike e Shqipërisë ka përshkallëzuar tensionet, ku drejt godisë së qeverisë janë hedhur molotovë. Pas hedhjes së molotovëve drejt Kryeministrisë, policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
/ZËRI
Nis protesta, qytetarët hedhin molotovë pranë lumit Lana
TIRANË- Ka nisur me tensione protesta e Partia Demokratike e Shqipërisë, ku qytetartët kanë hedhur molotovë pranë lumit Lana. Qindra militantë shoqërojnë Sali Berishën në marshimin drejt Kryeministrisë. Policia ka vendosur barriera dhe ka rritur patrullimet për të menaxhuar turmën dhe për të shmangur përshkallëzimin e dhunës. Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të shmangin zonën dhe bëjnë thirrje për qetësi./ZËRI
Policia rrethon vilën e Enver Hoxhës para protestës së opozitës

TIRANË- Pas rrethimit me gardh metalik të Kuvendit, Kryeministrisë dhe xhamisë së Namazgjasë, Policia e Shtetit ka rrethuar edhe vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në Bllok. Kjo masë vjen pas episodit të kaluar gjatë protestës së opozitës, ku militantët hodhën bomba molotov ndaj godinës, duke shkaktuar dëme materiale.
Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë gjatë protestës së sotme, ndërsa për pak minuta pritet që marshimi të nisë para godinës qeveritare./ZËRI
Berisha mbërrin në selin blu pak minuta para protestës, pritet nga qindra qytetarë (VIDEO)
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në selinë e PD-së dhe pritet të udhëheqë militantët drejt Kryeministrisë për nisjen e protestës së sotme të opozitës.
Rreth 1,500 efektivë policie do të jenë të pranishëm për të siguruar rendin dhe qetësinë publike, ndërsa Kuvendi, Kryeministria dhe xhamia e Namazgjasë janë rrethuar me gardhe metalike. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë gjatë protestës së sotme, ndërsa për pak minuta pritet që marshimi të nisë para godinës qeveritare./ZËRI
VIDEO/ Pak minuta para nisjes së protestës, "blindohet" me gardh metalik xhamia e Namazgjasë
TIRANË- Pak minuta para nisjes së protestës së opozitës sot, policia ka blinduar me gardh metalik xhaminë e Namazgjasë, e cila ndodhet në rrugën e Elbasanit, dhe ka shtuar prani të uniformave blu.
Kjo masë vjen pas incidenteve të mëparshme pranë kësaj xhamie gjatë protestave të mëparshme të opozitës, ku besimtarët janë përballur me tym dhe molotovë nga protestuesit, ku si pasojë kaosit, disa besimtarë u lënduan dhe u detyruan të ndërpresin lutjen gjatë muajit të kaluar.
Ndërkohë, masa janë marrë edhe për godinën e Kryeministrisë dhe të Kuvendit, ku rreth 1,500 efektivë policie do të jenë të pranishëm për të siguruar rendin dhe qetësinë publike. Sot në këtë protestë nuk do të mbahen fjalime, pasi nuk është ngritur podium, duke bërë që skenari që do të ndiqet nga opozita të mbetet i paqartë./ZËRI
Berisha mesazh qytetarëve pak orë para protestës: Të nderojmë 34-vjetorin e demokracisë, të dalim në shesh për të larguar Edi Ramën
TIRANË- Pak orë para nisjes së protestës së sotme të opozitës, kreu i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë edhe një herë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh për të rrëzuar qeverinë e Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, ai ka kujtuar 34-vjetorin e 22 Marsit 1992, si ditën kur shqiptarët votuan për ardhjen e demokracisë dhe lanë pas diktaturën komuniste. Berisha theksoi se vendi përballet sot me një “diktaturë autoritare” me në krye Ramën, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për ta rrëzuar.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare! Sot është 22 Marsi, dita e Sulltan Nevruzit. Me këtë rast, uroj nga zemra të gjithë bektashinjtë shqiptarë në këtë ditë dhe shpreh mirënjohjen time më të madhe për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.
Por 22 Marsi është edhe një ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri. Është dita në të cilën, 34 vite më parë, shqiptarët u ndanë nga diktatura komuniste me votën e tyre të lirë. Sot, pas 34 vitesh, Shqipëria ndryshon si nata me ditën krahasuar me atë të asaj kohe. Por, përsëri, ne e nderojmë këtë datë në kushtet e një diktature autoritare, apo autokracie elektorale.
Në kushtet e dhunimit të votës, të shndërrimit të zgjedhjeve në farsë, në kushtet e bashkëpunimit të pushtetit me kartelet e drogës dhe në kushtet e përdorimit të ligjeve për të mbrojtur korrupsionin dhe për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Ndaj, mënyra më dinjitoze për të nderuar 22 Marsin është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim dhe për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.
T’i dëshmojmë atij dhe botës se nuk pajtohemi me farsat zgjedhore, me përdorimin e mandateve të krimit dhe me ligjet që mbrojnë qeveritarët e korruptuar. Sot, le ta shndërrojmë këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre evropiane”, u shpreh Berisha.
/ZËRI
Blindohet kryeministria, PD, protestë pa fjalime
TIRANË-Partia Demokratike zhvillon sot protestën e radhës para Kryeministrisë. Sipas raportimeve , këtë herë nuk do të ketë fjalime për shkak të mungesës së podiumit. Zona është rrethuar me gardhe metalike dhe Policia ka njoftuar bllokimin e disa rrugëve. Ndërkohë, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë të ditur se deputetët do t’i bashkohen protestuesve në zonat e tyre.
Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”. Ndërsa, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”./ZËRI
Sot protesta e opozitës, Policia del me plan masash
TIRANË-Policia e Policia e Shtetit ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit që pritet të zhvillohet sot në orën 18:00, përpara Kryeministrisë në Tiranë. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se cilat do të jenë rrugët që do të bllokohen, në kuadër të protestës kombëtare të opozitës.
Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”. Ndërsa, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Njoftimi i policisë:
Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik në tubimin që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.
Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse rrugore. Konkretisht:
-Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.