LIVE UPDATES

‘Plumbi i artë’/ Tensione mes Nuredin Dumanit dhe avokatit të Xhixhës, Duzeni: Më kërcënoi! Shtyhet seanca

➤ Tensione dhe përplasje në sallën e gjyqit teksa zhvillohej seanca e radhës për dosjen "Plumbi i artë". ➤ Edhe sot, i penduari i drejtësisë,  Nuredin Dumani ka vijuar me deklaratat e tij në sallën e gjyqit. ➤ Kësaj herë zbuloi se me Erjon Alibejn, kishte folur edhe pasi u arrestua dhe mbahej në paraburgimin e Elbasanit. ➤ Madje ai akuzoi Suel Çelën se e ka "tradhtuar" duke e futur dy herë në kurth. Herën e parë kur u plagos dhe më pas, kur iu zbulua banesa ku kishte shkuar që të fshihej në Fier. ➤ Edhe për rastin e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha, Dumani pretendoi se në të vërtetë shënjestra ishte djali i tij. ➤ Sipas asaj që tha në sallën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me Suel Çelën e kishte lidhur Fatmir Troplini. ➤ Ndërkohë, avokati Ilirian Duzeni braktisi përkohësisht sallën e gjyqit, pasi pretendoi se Nuredin Dumani e kishte kërcënuar me jetë. Për këtë rast të pretenduar kërcënimi, prokurori i çështjes e "ftoi" që të bënte një kallëzim penal. ➤Në këto rrethana, seanca e radhës është shtyrë për në datën 22 prill.

4 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

LIDHJA- Dumani: Me Behar Bajrin flisja nëpërmjet Elton Bashës dhe Arlind Bushatit

‘Plumbi i artë’/ Tensione mes Nuredin Dumanit dhe avokatit
Behar Bajri, Arlind Bushati dhe Nuredin Dumani

TIRANË- I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar edhe sot në sallën e gjyqit lidhur me dosjen "Plumbi i artë". Dumani ka rrëfyer njohjet edhe me personazhë të rinj të botës së krimit, që deri më tani nuk i kishte përmendur më parë. Sot ishte rasti i Behar Bajrit, për të cilin u shpreh se e kishte prezantuar një mik nga Burreli. Në rrëfimin e tij, Dumani përmend edhe një nga viktimat e masakës së Dobraçit, Arlind Bushatin. 

“Elton Basha është një mik i imi dhe është nga Burreli. Rrinte në Durrës dhe kam 15 vite që e njoh. Në telefon e kam pas rregjistru me emrin ‘Bisha’. Me Behar Bajrin kam komuniku nëpërmjet Elton Bashës dhe nëpërmjet Arlind Bushatit. Çova Eltonin me një djalë tjetër në takim me Bajrat, këta të fundit shkojnë 10 veta me armë. Behar Bajri më kërkoi për të bërë goditje për Dorjan Dulin dhe Genc Tafilin dhe i kam dhënë mbi 1 mln e gjysmë euro. Ramë dakord për këtë marrëveshje. Nuk morëm asnjë lloj iniciative. Behar Bajrit i kam kërku Talo Çelën. Kishte thashetheme që Talo Çela rrinte te Suel Çela, por jo gjëra të vërteta. Me Behar Bajrin kam komuniku me SKY ECC,”-ka rrëfyer Dumani gjatë seancës në GJKKO.

Arlind Bushati ishte një nga viktimat e masakrës së Dobraçit, ku ndër personat që ndërruan jetë ishte edhe Hamza Lici, djalë i familjes kundërshtare të fisit Bajri. 

Masakra e Dobraçit ndodhi pasditen e 30 tetorit, kur 4 persona i zunë pritë automjetit në të cilin po udhëtonte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës dhe një person i tretë që është përfolur të ketë qenë vetë Ibrahim Lici, i cili mendohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit. Megjithatë, kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Kjo masakër u kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po ktheheshin nga puna në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Hamza Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë në spital./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Tentativa për të vrarë Mashën, Hoxhaj: Donim të ekzekutonim të birin, në varrimin e biznesmenit

‘Plumbi i artë’/ Tensione mes Nuredin Dumanit dhe avokatit
Henrik Hoxhaj

TIRANË- Bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani dhe ushtari i tij Henrik Hoxhaj kanë zbërthyer skemën për vrasjen e Lulzim Mashës. Dumani është shprehur se për vrasjen e Mashës i ka dhënë Henrikut 160 mijë euro. Por, Henriku thotë se qëllimi ka qenë vrasja e djalit të Mashës. Sipas tij, ata fillimisht do të vrisnin biznesmenin, në mënyrë që djali i tij të shfaqej në varrim.

Pjesë nga dëshmitë:

Nuredin Dumani: Henrikut ia dhashë porosinë në telefon, pastaj ka ardhur të më takojë, për vrasjen e Lulëzim Mashës. Henrikut i ofrova 160 mijë euro, e pagova 10 mijë kapar, 10 mijë më duket i mbajta për vete.

Henrik Hoxhaj: Është marrë porosia për vrasjen e djalit të Lulëzim Mashës, nuk u gjet ai. Dhe vajtëm te i ati në nënyrë që ai të vinte në varrim. Nuredin Dumani ma solli mesazhin me screenshot nga “sakati”, Aleksandër Baho. E kam shprehur këtë në deklarimet e mia.

Kjo është seanca e radhës që zhvillohet me rrëfimet e Dumanit.  Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyEÇ": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.

Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit.

1 MUAJ ME PARE

‘Plumbi i artë’/ 2 avokatë "tmerrohen" nga Dumani: Na kërcënon, prokurori dha besën! Dibra: Shpifje, shkoni dhe kallëzojeni!

‘Plumbi i artë’/ Tensione mes Nuredin Dumanit dhe avokatit
Nuredin Dumani

TIRANË- Avokati i Besian Xhixhës, Ilirian Duzeni ka braktisur sallën e gjyqit ku po zhvillohej seanca e radhës për dosjen "Plumbi i Artë". Kjo për shkak se pretendon se është kërcënuar me jetë nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas avokatit, i penduari i ka thënë "je në ofertë", duke nënkuptuar se po planifikohej një vrasje e tij, paralajmërim që e ka frikësuar përfaqësuesin ligjor të Xhixhës. Ndaj edhe ky i fundit ka zgjedhur që të largohet nga salla. Por jo pa kërkuar më shumë vëmendje, si nga prokurori i çështjes, edhe nga gjyqtari. 

"Nuredin Dumani më tha që 'jam në ofertë' (për ta vrarë). Presion dhe kërcënim nga Dumani, prokurori i SPAK hesht. Jam avokat, jam familjar, nuk kam gjë personale me asnjë. I bëj thirrje gjykatës që të jetë më e vëmendshme. Nuk mund të bëj shaka!,"-tha Ilirian Duzeni.

Pasi Duzeni u rikthye në sallë, edhe avokatja e Altin Ndocit, Elda Zotaj shtoi se po ashtu, edhe ajo ndjehej e kërcënuar nga i penduari i drejtësisë. Zotaj iu drejtua prokurorit të çështjes Behar Dibrës duke i thënë se i kishte premtuar “me besë” se asgjë nuk do t'i ndodhte. Por hetuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cilësoi si shpifje deklaratën e saj. Të dy avokatët që ndjeheshin të kërcënuar nga Dumani, i "drejtoi" që të bënin një kallëzim penal nëse do të kishin ankesa për zhvillimet në seancë. 

DEBATI NË SALLË:

Ilirian Duzeni: Ndoshta reagova gabim pak më parë. Duke qenë se dëshmitari është i prokurorisë, prokurori duhet të jetë i kujdesshëm me dëshmitarin e tij. Organi i procedurës duhet të jetë më i vëmendshëm. Dumani duhet të jetë korrekt, ai ndoshta e thotë me shaka, por unë nuk e përballoj dot, sepse ai është trim dhe unë jam frikacak. Duke qenë se është bërë shqetësim disa herë, ne kemi kontaktuar me kryetarin e dhomës së avokatisë dhe na kërkoi shtyrje të seancës. Nuk e tolerojmë më këtë sjellje. Kërkojmë shtyrje të seancës. Me vendimmarrje të plotë do i kerkojmë prokurorisë dhe gjykatës të zgjidhet kjo situatë. Kontaktuam me Maks Haxhian.

Elda Zotaj: Në zyrën e prokurorisë i kam kërkuar prokurorisë të nisë procedim për Nuredin Dumanin për kanosje. Prokurori më tha “je ne besë time, nuk të prek Nuredin Dumani. Kjo është situatë e rëndë.

Behar Dibra: Pse unë e krijova atë situatë? Duhet të shihni shkaqet që çuan në atë deklaratë. Dumani është i pandehur në këtë proces, jo dëshmitar. Të merren masa për personin që provokoi situatën. Për këtë që thotë avokatja janë shpifje, të përverteta. Ke të drejtën të ngresh kallëzim ndaj meje. Shko bëj kallëzimin atje ku duhet. Mer regjistrimin dhe shko kallëzoje ku të duash. Bëhet me qëllim të caktuara kjo. Ju lutem vazhdoni gjykimin.

Në këto kushte, Gjykata shtyu seancën për datën 22 prill, në orën 10.00./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Nuredin Dumani zbërthen komunikimet me Erion Alibejn: Për herë të fundit folëm pas vrasjes së Arjan Spahiut

‘Plumbi i artë’/ Tensione mes Nuredin Dumanit dhe avokatit
Nuredin Dumani

TIRANË- Bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka zbarthyer komunikimet që ka pasur me të arrestuarin Erion Alibej. Në seancën që po mbahet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani është shprehur se me Alibejn komunikonte në SKYECC dhe se herën e fundit ka folur me të pas vrasjes së Arjan Spahiut në Belgjikë.

“Me Erion Alibej komunikoja me ‘sky’. Nuk më kujtohet ku kam qenë kur është arrestuar Alibej. Në burgun e Elbasanit kam komunikuar me të. Hera e fundit ka qenë dy tre ditë pas vrasjes së Arjan Spahisë. U transferua Erioni dhe humba komunikimin. Për Kosovë jam larguar në 2020, kam qenë në kërkim për ngjarjen e vëllezëve Haxhia dhe Dorjan Shkozës. Kalova në doganë me makinë. Isha pasagjer, isha me dy miq të mi. S’na kontrolloi asnjërin, ishim të tre në kërkim. Ditën ka qenë. Kam qëndruar në Kosovë deri ditën kur i ra Rusia Ukrainës,”- deklaroi Dumani.

Kjo është seanca e radhës që zhvillohet me rrëfimet e Dumanit.  Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyEÇ": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.

Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit.

Poll

MOS HUMB