LIVE UPDATES

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte armë! PD padi në SPAK, përjashtohen Doda dhe Hoti

➤ Vazhdojnë edhe sot polemikat lidhur me ngjarjen e ndodhur dje në Kuvendin e Shqipërisë. ➤ Teksa opozita ende pretendon se efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nxorri armën e shërbimi dhe i kërcënoi, AMP ka bërë një sqarim. ➤ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka verifikuar se efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që u pretendua nga deputetët e Partisë Demokratike se u nxori armën, nuk ishte i armatosur. ➤ Të njëjtën gjë ka thënë nga Shkodra, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. ➤ Ndërkohë, Policia e Tiranës ka dërguar sot në SPAK disa prej deputetëve, duke ngritur ndaj tyre akuza penale. Më të rëndat i kishte Elda Hoti, e cila akuzohet se ka hedhur në Kuvend një lëndë të "paidentifikuar". ➤ Kjo e fundit dhe Petrit Doda janë përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. ➤ Edhe nga opozita ka pretendime. Kryetarja e Komisionit hetimor për shëndetësinë, Albana Vokshi kërkon masë disiplinore për Plarent Ndrecën, Erion Braçen dhe Ilir Metajn. ➤ Ka lajmëruar se do të dërgojë padi në SPAK edhe Gazment Bardhi, i cili kërkon të gjejë se kush lejoi futjen e FNSH-ve brenda Kuvendit.

7 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

Komisioni i 'Shëndetësisë'/ Ndreca vazhdon pa opozitën, Albana Vokshi padi në SPAK

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Ndreca dhe Vokshi

TIRANË- Hetimori i ‘Shëndetësisë’ ka vijuar 'normalisht' me mbledhjet edhe pse në sallë nuk mori pjesë asnjë nga deputetët e Partisë Demokratike, madje as vetë kryetarja e këtij komisioni Albana Vokshi. Nënkryetari Plarent Ndreca mori drejtimin e komisionit duke theksuar se detyra që ka ky komision duhet të vazhdojë të vazhdojë përpara dhe se gjithashtu duhet gjetur një balancë mes opozitës dhe respektimit të afatit që i është vendosur në dispozicion komisionit për të mbyllur hetimin.

“Ashtu si e theksuam në mbledhjen e shkuar që duhet të gjenim një balancë të drejtë të respektimit të kërkesave të opozitës dhe afateve të komisionit hetimor që përfundojnë më 22 tetor. Kemi shumë pak kohë në dispozicion, por nuk kemi shumë dëshmi për të marrë, por duhet të respektojmë këtë afat. Mendoj të vijojmë me rendin e ditës. Janë prezent 8 anëtarë të komisionit,”- tha Ndreca.

Dua të denoncoj taktikën e kryetares së këtij komisioni dhe minorancës në këtë komision për të zvarritur deri në bllokim, hetimin parlamentar me synimin për të krijuar alibi që kur të vijë momenti për të kërkuar shtyrje sërish të këtij komisioni të pretendojnë që është mazhoranca ajo që bllokon hetimin e nuk lufton hetimin. Ne ëndrrat pozitive të PD i realizojmë si mazhorancë. Këtë hetim do ta çojmë deri në fund” tha deputeti socialist Petro Koçi, duke akuzuar kryetaren Albana Vokshi se po zvarrit punën.

Gjatë kohës që mbahenin dëgjesat me dëshmitarët për koncesionin e sterilizimit, deputetja e Partisë Demokratike, lbana Vokshi u shpreh se mbledhjet e thirrura nga PS janë të pavlefshme. Ndaj ajo do të padisë në SPAK, Sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit dhe Gardën.

“Pasi është përfunduar orari zyrtar i Kuvendit, është bërë një njoftim, thirrje e mbledhjes së komisionit në mënyrë të njëanshme, e paadresuar kryetarit të kuvendit, vetë e shkruajnë, vetë e thërrasin. Kryetari i komisionit e thërret mbledhjen sipas rregullores. Ata refuzojnë të njohin opozitën në Komision dhe drejtimin e komisionit nga ana e opozitës. Jemi informuar nga përgjigja e kryetares së Kuvendit, mbledhja është thirrur në 10”, tha Vokshi në deklaratë për mediat.

Gjithashtu për përplasjet në Komision, ajo tha se ka kërkuar përjashtim të 3 deputetëve të PS, Plarent Ndrecën, Ilir Metajn dhe Erjon Braçen.

Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Hodhi 'benzinë' në Kuvend/ Komisioni i Etikës përjashton me 10 ditë Elda Hotin dhe Petrit Dodën

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Kuvendi 17 tetor 2024

TIRANË- Elda Hoti dhe Petrit Doda janë përjashtuar me 10 ditë nga Parlamenti për shkaka të situatave që krijuan ne senacën plenare të datës 17 tetor. Sipas kryeparlamentares, Elisa Spiropali Elda Hoti hodhi benzinë në Kuvend. Gjatë seancës, Hoti nxorri dy shishe nga çanta e saj, dhe me lëngun brenda spërkati gjithë sallën e Kuvendit. Menjëherë, reagoi Spiropali, e cila ngriti dyshimet se lënda ishte benzinë. Ndërsa, Hoti tha se ajo kishte parfum me vete dhe asnjë lëndë tjetër.

Ndërsa, Petrit Doda bllokoi Foltoren duke penguar kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit që të raportonte në Kuvendin e Shqipërisë.

Më herët këtë muaj, Sekretariati i Etikës mori masa dhe përjashtoi me 10-60 ditë 24 deputetët e opozitës për shkak të kaosit që shkaktuan në Kuvend në seanëcn e 30 shtator, ku dhe dogjën karriget e Kuvendit në formë proteste për dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Policia çon deputetët e PD në SPAK, Bardhi: S'luftojnë dot krimin, merren me deputetet femra

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një konferencë për media, komentoi akuzat që ka ngritur Policia e Tiranës ndaj tij dhe kolegëve të tjerë. Në fjalën e tij, Bardhi tha se kushdo që ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në ambientet e Kuvendit, do të mbajë përgjegjësi penale. Më pas, me ironi komentoi edhe akuzat e ngritura ndaj tyre nga Policia e Tiranës.

"Nuk i përgjigjem ushtarëve të bandave, unë u përgjigjem bandave. Këta të tjerët nuk janë në fokusin e punës time. SPAK nuk është ngritur për të sulmuar deputetët e opozitës që në krye të detyrës së tyre që sulmohen nga FNSH në oborrin dhe mjediset e oborrit të Kuvendit. Do të sjellë përgjegjësi penale dhe ligjore për cilindo që ka lejuar forcat speciale të Policisë së Shtetit. Lexova që është akuzuar Elda Hoti për kanosje...degradimi i Policisë së Shtetit është i pritshëm sepse një Polici që nuk lufton dot krimin e organizuar merret me deputetet femra të opozitës,"-tha Bardhi.

Policia e Shtetit ka çuar në SPAK deputetët e opozitës që shkaktuan kaos në Kuvendin e Shqipërisë. Dy vepra penale janë ngritur për deputeten Elda Hoti. Për "kundërshtim të punonjësve të Policisë" janë ngritur akuza për deputetët: Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi, dhe Saimir Korreshi./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kaosi në Kuvend, Policia e Shtetit çon në SPAK deputetët e opozitës

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Foto ilustruese

TIRANË- Policia e Shtetit ka çuar në SPAK deputetët e opozitës që shkaktuan kaos në Kuvendin e Shqipërisë. Dy vepra penale janë ngritur për deputeten Elda Hoti. 32-vjeçarja akuzohet për "kanosje" dhe "shkelje të rregullave mbi lëndët helmuese", pasi mesa duket është dalë në përfundimin që lënda që ajo ka hedhur dje në Kuvend ishte benzinë, ndryshe nga aromatizuesi që pretendonte deputetja e Partisë Demokratike.

"Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar,"-bën me dije Policia në njoftimin e sotëm. 

Për "kundërshtim të punonjësve të Policisë" janë ngritur akuza për deputetët: Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi, dhe Saimir Korreshi.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit: - E. H., 32 vjeçe, për veprën penale "Kanosja" dhe "Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese"; - F. N., 53 vjeç, B. N., 38 vjeç, G. B., 39 vjeç, D. S., 55 vjeç, L. B., 61 vjeç, dhe S. K., 43 vjeç, për veprën penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".

Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim. Materialet i kaluan Prokurorisë./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Pretendimet e PD-së, Ministri Hoxha: Efektivët nuk ishin të armatosur

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha nga Shkodra se punonjësit e Policisë së Shtetit nuk ishin të armatosur. Ai gjithashtu dënoi dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të Policisë dhe Gardës, ku tha se ata ishin aty për të kryer detyrën e tyre. Në lidhje me praninë e Policisë në Parlament, ai tha se është detyra e tyre për të mbrojtur instuticionet shtetërore.  

“Keqardhje për deputetët e opozitës, të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe punonjësve të Gardës që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e punonjësve të Policisë, kurse e drejta e dhunës, djegies dhe shkatërrimit nuk do të tolerohet. Në deklaratën e Policisë së Shtetit të dhënë dje, nuk ka pasur tentativë për nxjerrje të armës ndaj deputetit nga ana e punonjësve të Policisë. Dua të riktheksoj dhe njëherë në ligjin për tubimet, është përcaktuar shprehimisht rastet për përdorimin e armëve të zjarrit. Forcat e Policisë së Shtetit të cilët kanë qenë pjesë e planeve të masave të Drejtorisë së Policisë në Tiranë, nuk kanë qenë të armatosur me armë zjarri. Sulmi i deputetëve ndaj Policisë dhe Gardës së Republikës është i papranueshëm, ata janë aty për të mbrojtur instuticionet. Forcat e Policisë së Shtetit të cilët kanë qenë në shërbim për mbrojtjen e instuticioneneve”, tha Hoxha.

Dje deputetët e Partisë Demokratike pretenduan se punonjësit e Policisë i kërcënuan ata me armë zjarri gjatë tubimit. Por, ky pretendim u hodh poshtë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila në një deklaratë zyrtare tha se efektivët nuk ishin të armatosur. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kishte apo jo armë efektivi i FNSH jashtë Kuvendit? AMP del me sqarim zyrtar: Polici nuk ishte i armatosur

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Pamje nga përplasja

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka verifikuar se efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që u pretendua nga deputetët e Partisë Demokratike se u nxori armën, nuk ishte i armatosur. Dy deputetë e PD-së Bledion Nallbati dhe Luan Baçi pretenduan dje se gjatë protestës para Kuvendit, një nga efektivët e FNSH nxori armën drejt tyre, por pas verifikimeve të AMP-së ai nuk ishte i armatosur. 

Partia Demokratike është duke përdorur si kalin e saj të betejës, një incident mes deputetit të Partisë Demokratike Luan Baçi dhe një prej punonjësve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Teksa përplaseshin dhe shtyheshin me punonjësit e Policisë së Shtetit, deputetët e opozitës pretendojnë se një prej tyre u ka drejtuar një armë zjarri.  ZËRI ka verifikuar të gjitha pamjet filmike të televizioneve që kanë raportuar live protestën dhe në asnjë moment, efektivi në fjalë apo ndonjë efektiv tjetër nuk i kanë drejtuar asnjë send apo objekt të ngjashëm me armën deputetit Baçi dhe demokratëve të tjerë. 

I vetmi variant i pasqyruar nga pamjet filmike është ai se në momentin e shtyrjes, efektivi vendos dorën në jelekun e posaçëm aty ku ndodhet kryesisht spraji lotsjellës e shumë më sipër sesa pozicionit normal të armës së zjarrit.  Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili nxorri edhe videon pretendon se efektivi nxorri armën dhe ia drejtoi Luan Baçit. Vetë ky i fundit ka disa versione për ngjarjen. Njëherë pretendon se ka nxjerrë armën dhe ia vendosur në gjoks, në një moment tjetër pretendon se e kanë qëlluar. 

Pas pretendimeve të opozitës, i menjëhershëm ishte reagimi i Policisë së Shtetit. Këta të fundit fillimisht mohuan publikisht me reagim zyrtar, duke sqaruar se efektivët nuk mbajnë armë shërbimi gjatë protestave, përveç mjeteve të tjera, si shkopi i gomës apo spraj. Dhe në këtë video shoqëruese sqarohet më mirë se çfarë kishte në brez, te vendi i pistoletës efektivi dhe kolegët e tij. Në këtë rast, në vend të pistoletës kishte një spraj që përdoret në protesta, kur ka sulme fizike, kundërshtim dhe thyerje të rendit dhe perimetrit.

Edhe ligji për Tubimet sqaron qartë se Policët përgjatë protestave nuk shkojnë të pajisur me armë përtej shkopave të gomës, skafandrave apo sprajve për neutralizimin e protestuesve. Protokolli shtetëror në këto raste është i përcaktuar mjaft qartë, duke shtuar se në asnjë moment në pamje nuk vërtetohet e kundërta. Nuk ka patur një stimulim real nga ana e efektivit të FNSH në rastin konkret. Por edhe pse pretendimet e tyre janë rrëzuar me fakte, opozita vazhdon të ngulmojë në pretendimet e saj. Madje, kanë lajmëruar se Policia mashtron, pasi pretendojnë se në video ka pasur armën poshtë bomobolës së gazit.

Por, PD pretendon se deputetët u kanosën me armë zjarri nga një efektiv i FNSH-së, ndaj për këtë qëllim do bëjë kallëzim në SPAK për Elisa Spiropalin, Ilir Prodën, Ervin Hoxhën, e Tonin Vocajn dhe të tjerë drejtues të Policisë së Shtetit. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kaosi në Kuvend/ PS përgatit propozimin për të ndëshkuar deputetët e opozitës, mes tyre Hoti dhe Doda

Përplasja në oborrin e Kuvendit/ MB dhe AMP: Efektivi s'kishte
Bllokimi i foltores së Kuvendit

TIRANË- Partia Socialiste do të depozitojë në Kuvend kërkesën për marrjen e masave për përjashtimin e tre deputetëve të Partisë Demokratike, që penguan realizimin e seancën plenare dhe shkaktuan kaos në sallë. Mësohet se kërkohet masë për deputeten Elda Hoti, Albana Vokshi dhe Petrit Doda. Gjatë ditës së djeshme seanca plenare u pezullua për disa minuta, pas Hoti dyshohet se spërkati benzinë në dyshemenë e sallës, por ajo tha se ishte parfum. Ndërsa Doda mblodhi karriget pranë foltores për të pemguar deputetët të flisnin në sallë. Ndaj Vokshit është kërkuar marrja e masavem pasi sulmoi verbalisht dhe u afrua për t’i sulmuar apo penguar kolegët e saj të mazhorancës, veçanërisht Petro Koçin.

Gjithashtu më parë, Sekretariati i Etikës mori masa dhe përjashtoi me 10-60 ditë 24 deputetët e opozitës për shkak të kaosit që shkaktuan në Kuvend në seanëcn e 30 shtatort, ku dhe dogjën karriget e Kuvendit në formë proteste për dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB