LIVE UPDATES

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona, të tjerat janë pa leje! (REFORMAT)

➤ Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot drejtuesit politikë, drejtorët e Bashkisë dhe deputetët e qarkut të Tiranës. ➤ Në takim kryeministri Edi Rama foli për reformat që pritet të ndërmarrë qeveria me disa projektligje për ngritjen e një ndërmarrje kombëtare për shpërndarjen e ujit, por përmendi edhe trajtimin e mbetjeve dhe furnizimin me naftë dhe barna. ➤ Për kryeministrin, furnizimi i naftës me shtetin si protagonist në furnizimin me naftë. ➤ Gjithashtu përmendi se sot ka filluar procesi i kontrolleve dhe konfiskimit të qumështit dhe bulmetrave pa faturë e pa siguri ushqimore. ➤ Por nuk la pa diskutuar edhe shembjet në Theth. Sipas Ramës, qeveria e ka mbajtur premtimin e saj për legalizimet, me 300 leje për subjektet në Theth, por nuk do të tolerojë ndërtimet pa leje. ➤ I pari i qeverisë tha se aksioni për lirimin e hapësirave publike nuk do ndalojë, duke njoftuar edhe një akt normativ për këtë.

9 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

Pas naftës, qeveria lajmëron se do të bëjë edhe importin e ilaçeve me kompani shtetërore

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama, kryeminister

TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shteti do të marrë një rol më aktiv dhe të ri në ekonomi, duke nisur nga sistemi i furnizimit me barna, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

“Gjithë sistemi i furnizimit me barna do të pësojë ndryshim, me shtetin si palë dhe protagonist,” deklaroi Rama gjatë një komunikimi publik. “Ka ardhur koha që shteti të kalojë në një rol të ri në ekonomi, duke u bërë palë aktive,” shtoi ai.

Ky është sektori i dytë ku Rama paralajmëron përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit, pas sektorit të naftës. Ende nuk janë bërë të ditura planet konkrete të qeverisë, por sipas deklaratave të kryeministrit, pritet që kompani shtetërore të importojnë drejtpërdrejt si karburant, ashtu edhe barna./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

A do ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë? Çfarë tha Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama

TIRANË- A do të ketë zgjedhje të pjesshme të parakohshme në Tiranë? As kryeministri Edi Rama nuk e ka një përgjigje! Në mbledhjen e sotme me drejtuesit politik të qarkut të Tiranës, drejtorët e bashkisë Tiranë dhe të gjithë deputetët, Rama foli për faktin që Bashkia aktualisht është pa një kryetar të zgjedhur nga votat e qytetarëve. Në mbledhjen që aktualisht po zhvillohet me dyer të mbyllura, burime për “Top Channel” bëjnë me dije se kryeministri është ndalur shumë shkurt në zgjedhjet e parakohshme. 

“Nuk i dihet nëse do kemi zgjedhje të parakohshme në Tiranë tani apo pas dy vitesh,”-raportohet të ketë thënë Rama në mbledhje me dyer të mbyllura, duke e lënë me kaq këtë çështje. Por shtoi se u ka kërkuar drejtuesve politik së bashku me dy deputetë të ngrenë grupe pune për të rifreskuar burimet njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen, Ajola Xoxa ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

"I joshën dhe i shkatërruan"/ Rama i përgjigjet famulltarit Palaj për shembjet në Theth: Si hyn një njeri i Zotit në këtë histori?

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Famulltari Dom Vlash Palaj-Edi Rama

SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka komentuar reagimin e Famulltarit Dom Vlash Palaj, i cili mbajti një qëndrim të ashpër gjatë meshës të së dielës në Shkodër lidhur me aksionet e fundit për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit.

Palaj kritikoi sjelljen e autoriteteve, duke i akuzuar për mashtrim dhe braktisje të banorëve të zonës, ndërsa kryeministri Rama sqaron se nuk është prerë në besë askush. Ndër të tjera, ai shpreh habinë për faktin se si një njeri i Zotit ndërhyn në një çështje të tillë, duke i cilësuar fjalët e tij si joshje dhe rrena. Kreu i qeverisë thekson ndër të tjera se premtimi i vetëm i bërë në këtë zonë, ka qenë legalizimi i pronës së gjyshërve dhe kjo është që po tentohet të arrihet. 

“Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift çuditërisht dje dhe u habita se si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena, dhe më pas i premë në besë. Ne s’kemi prerë në besë askënd. Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë dhe me Fondin shqiptar të zhvillimit dhe me agjencinë e Kadastrës dhe që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve.”, tha Rama.

Kujtojmë se gjatë fjalës së tij famulltari Dom Vlash Palaj kërkoi dialog si e vetmja rrugëzgjidhje për situatën e krijuar. Ai u bëri thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të reflektojnë thellë mbi mënyrën se si sillen me njëri-tjetrin, duke veçuar rastet me komunitetet e vogla ku besimi dhe solidariteti janë jetikë.

"Vërejmë në vendin tonë të kundërtën, siç thashë kërkojmë të shfrytëzojmë tjetrin. Pse ndodh kjo gjë? Sepse jemi të varfër, nuk kemi kuptuar të duamë të afërmin. Një konflikt i madh në Theth, më vjen shumë keq, sepse i joshën, i rrejtën, i shfrytëzuan, i vjelën dhe në fund i hodhën dhe i tradhëtuan, i dogjën, i shkatërruan. Do i gjobisin dhe do i burgosin. Faik Konica thotë një fjalë që duhet të na bëjë të reflektojmë: E keqja e madhe e Shqipërisë janë shqiptarët. Merre përpara vëllaun tand, ule dhe kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Nuk të dëgjon? Mos e gjyko as paragjyko sepse nuk je ti Zoti i tij. Thirri dhe 2-3 dëshmitarë, nëse prapë nuk dëgjon, ftoje krejt bashkësinë. Kur e ke bërë edhe tentativën e tretë, atëherë lëqite. Sepse ai nuk e do të mirën. Unë ftoj të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gjë. Bindni njëri-tjetrin dhe gjeni një rrugë-zgjidhje. Nuk është ligji mbi çdo gjë. Mes vëllezërisht duhet gjithëmonë me u marr vesh. Ata që janë skllevër nuk marrin parasysh se kujt i shkatërrohet jeta. Ka prapë shumë ligësi dhe nuk dinë me u marr vesh për të mirën.", tha Doma Vlash Palaj.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Ndërkohë, përmes një postimi Famulltari Palaj kishte bërë një tjetër reagim të ashpër:

“Edhe kyt kishim mangut…!

Regjimi i asaj kohe detyroi kyt t’shkretë popull të HA barë, ky i sotshmi të PI barë. Dallim i vogel…!

Po, si kshtu more, t’marroftë Zoti, ti që për 30 vite nuk legalizove pronen, për 30 ditë legalizon kanabisin!?

Siguria në kulm… Kanabis i legalizuar në pronë të palegalizuar.

Dhe çka asht ma e keqja, prap fajin e ka populli.

Në fakt populli e ka fajin…!

Jo më kotë Konica thoshte: “ Shqiptari asht por sdin me thanë jam!”

Deri kur…”./ZËRI/

10 MUAJ ME PARE

Rama njofton konfiskimin e një pallati në Vlorë: S’do ketë legalizime në shkelje

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar konfiskimin e një pallati në qytetin e Vlorës, si pjesë e operacionit kundër ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me ligjin. Në takim me drejtuesit politikë të PS në Tiranë, drejtorët e bashkisë por edhe me deputetët e qarkut, kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se qeveria e tij nuk do të ketë më asnjë tolerancë ndaj ndërtuesve informalë.

"Kjo po bëhet edhe në zonën e bregdetit. Ka pasur një sërë goditesh edhe prishje ndërtimesh nga ato të të ashtuquajturëve oligarkë. Po ato nuk dalin në televizor se nuk i nxjerrin. Por ka pasur edhe gjoba shumë të rënda për shkelje të kantierëve. Sot do të bëhet një konfiskim të një gati pallati në ndërtim në qytetin e Vlorës që është në shkelje dhe ky proces synon të bashkojë dy gjëra dhe ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur. Kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji. Historia ndërto sot që të legalizosh nesër, nuk do të eci më. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë asnjë ndalim më në këtë proces,”- tha Rama.

Ndërkohë që Rama lajmëroi aksionin që po zhvillohet në Vlorë, nga terreni dolën pamjet e forcave të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Terrenit që kanë mbërritur në zonë për të nisur nga puna. Por ende nuk dihet se kujt i përket objekti që po ngrihet shumë pranë zonës së Lungomares./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Rama i heq bashkive menaxhimin e ujësjellësve: Do krijojmë operatorin e shpërndarjes

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka hequr Bashkive të vendit kompetencat për shpërndarjen e ujit të pijshëm. Në një takim me deputetët dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës, kreu i qeverisë, ashtu siç e kishte paralajmëruar bëri me dije se do të krijonte një operator kombëtar i ngjashëm me OSHEE-në për të menaxhuar ujin. Gjatë mbledhjes, Rama u shpreh se si reforma për ujin, ashtu edhe të tjerat, do të nisin që të implementohen në Tiranë si model. 

“Tani kemi lënë disa detyra për Tiranën që shtohen përditë dhe kanë të bëjnë me shërbimet. Kemi ngritur punët për të bërë një reformë të re organizative dhe për një reformë në shërbime. Dua të vë theksin te shërbimi me ujin, ku duhet të kalojmë te një fazë tjetër, ku do të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit siç është bërë OSHEE, ku të adresojmë investimet, donatorët, me gjithë ato që janë për momentin ‘lesh e li’. Mbas 30 vitesh është e kotë të presim rezultate nga kjo mënyrë. Nuk mund të rrimë të presim. Qoftë për ujin dhe për trajtimin e mbetjeve duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe të krijojmë sinergji me ndërmarrje kombëtare më të larta,”-tha Rama.

Po ashtu, pak ditë më parë, Rama premtoi reforma në menaxhimin e mbetjeve, furnizimin me naftë dhe ilaçe e disa pika të tjera që sipas tij janë të domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

‘Kjo është Rilindja Urbane 2.0’, Rama: Tirana, zona më e nxehtë, nuk ka lagje pa zaptuesin e saj

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
edi rama

TIRANË- Në një mbledhje me deputetë dhe drejtues vendorë të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të intensifikojë aksionin kundër ndërtimeve të paligjshme në të gjithë vendin, veçanërisht në zonat urbane.

“Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë,” deklaroi Rama.

Ai theksoi se Tirana mbetet zona më problematike, duke u shprehur se “nuk ka lagje që të mos ketë zaptuesin e vet”.

Sipas Kryeministrit, puna ka nisur tashmë në terren dhe do të shtrihet më tej përmes një plani veprimi të strukturuar, që përfshin edhe mbledhjen e të dhënave nga vetë deputetët.

“Ka filluar të bëhet një punë e mirë dhe të gjitha të dhënat që po mblidhen nga deputetët duhet të zbatohen nëpërmjet një plani veprimi me 60 arkitektë,” shtoi ai.

Kryeministri kërkoi angazhim të drejtpërdrejtë nga deputetët e mazhorancës, duke i cilësuar ata si pjesë e skuadrës që “mori së bashku 83 mandate” dhe që duhet të jetë pranë komuniteteve për të ndihmuar në evidentimin e shkeljeve dhe në zbatimin e ligjit./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

A qëndrojnë investitorët strategjikë pas operacionit në Theth? Rama: Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama

TIRANË- Në një takim të zhvilluar me deputetë dhe zyrtarë lokalë të PS në Tiranë, Kryeministri Edi Rama është ndalur sërish tek operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Parkun Kombëtar të Thethit, ku janë prishur dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje.

Duke iu përgjigjur zërave nga opozita, Rama tha se nuk ekziston asnjë plan për të lejuar ndërtimin e resorteve në këtë zonë apo përfshirjen e investitorëve strategjikë pas përfundimit të aksionit.

“Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark. Aty nuk bëhet fjalë që do lejohen ndërtime dhe resorte. Është jashtë çdo lloj opsioni,” deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se spekulimet e bëra lidhur me këtë operacion janë “për të ardhur keq” dhe nuk kanë lidhje me realitetin në terren.

“Thethi dhe banorët e tij nuk janë shfaqur nëpër ekrane. Ata janë një grup njerëzish që nuk kanë lidhje me këtë histori,” vijoi ai, duke nënkuptuar se ndërtuesit pa leje janë individë të jashtëm dhe jo banorë tradicionalë të zonës.

Rama njoftoi gjithashtu se qeveria ka përgatitur një program të posaçëm për mbështetjen e banorëve në zonat e thella malore, të quajtur “Pakoja e Maleve”, që parashikon lehtësira për ata që posedojnë prona dhe kërkojnë t’i zhvillojnë në përputhje me ligjin.

“Ne do t’i mbështesim ata që kanë prona nëpër male, me kusht që t’i drejtohen institucioneve,” u shpreh Kryeministri./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

S’kemi prerë në besë askënd”, Rama për Thethin: Legalizuam shtëpitë e gjyshërve, ndërtesat e prishura janë ndërtuar muajtë e fundit

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama

TIRANË- Në mes të polemikave për ndërtimet pa leje në një nga zonat më të bukura dhe të mbrojtura të vendit, Kryeministri Edi Rama tha se qeveria nuk ka pasur kurrë asnjë marrëveshje të heshtur me askënd për ndërtim në Theth.

“S’kemi prerë në besë askënd,” tha Rama gjatë një takimi me deputetë dhe drejtues vendorë, duke iu referuar akuzave që shteti po shemb ndërtime të njerëzve të thjeshtë. Ai e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se qeveria e ka mbajtur fjalën aty ku e ka dhënë: legalizimi i shtëpive të trashëguara nga gjyshërit e banorëve të vjetër të Thethit.

Sipas tij, janë rreth 300 legalizime të përmbyllura në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Agjencinë e Kadastrës. Por ajo që ka ndodhur më pas, thekson ai, nuk ka lidhje me këtë proces.

“Ndërtesat që janë prishur, janë ndërtuar në muajt e fundit. Nuk janë banesa për të futur kokën, por ndërtime për fitim. Shumë prej tyre janë ngritur nga njerëz që s’kanë lidhje fare me Thethin,” deklaroi Rama.

Ai foli për një valë ndërtimesh të egra, që ka zaptuar “zemrën e parkut”, duke e cilësuar situatën si një pushtim të organizuar, jo si mbijetesë e banorëve. Në këtë histori, shtoi ai, nuk mungon as përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë.

Në qendër të kritikës, Kryeministri vuri prokurorinë e Shkodrës, e cila sipas tij ka injoruar një numër të madh kallëzimesh të bëra nga policia për 40 subjekte ndërtuese.

“Policia ka çuar denoncimet, prokuroria s’ka bërë asnjë veprim. Tani presim vendimin e KLP-së për këtë çështje,” u shpreh ai./ZËRI/

10 MUAJ ME PARE

"Zemra e Thethit është pushtuar”, Rama: Nuk janë as banorë, ka dhjetëra kallëzime dhe prokuroria nuk ka vepruar

Rama për Thethin: Nuk i premë në besë! Legalizuam 300 prona,
Edi Rama

TIRANË- Në një takim të mbajtur me deputetët e qarkut Tiranë dhe drejtues të pushtetit vendor, Kryeministri Edi Rama ndali vëmendjen tek një nga aksionet më të debatueshme të verës, ndërhyrja brutale në peizazhin e mbrojtur të Thethit.

Ai e cilësoi situatën si një “pushtim kriminal të zemrës së Thethit”, duke u shprehur se ndryshe nga sa po tentohet të perceptohet në opinionin publik, ndërtimet nuk janë bërë nga banorë të zonës që kërkojnë të mbijetojnë, por nga persona të jashtëm, të panjohur, që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin vendas. “Janë ndërtuar jo shtëpi për strehim, por struktura për fitim”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe valës së komenteve që kritikojnë shtetin për ndërhyrje të vonuar, duke theksuar se përgjegjësia institucionale nuk mohohet, por nuk mund të përdoret për të amnistuar ata që kanë shkelur ligjin në mënyrë të hapur.

“Po flitet për të ‘shkretë’ që kanë ndërtuar me djersën e ballit, por në fakt kemi të bëjmë me njerëz që s’janë as banorë, që nuk kanë shfaqur asnjë pretendim, që janë futur tinëz dhe kanë ndërtuar pa asnjë dokument,” tha Rama.

Ai theksoi se policia është në hetim të plotë për të zbuluar se kush fshihet pas këtyre veprimeve dhe cilët janë aktorët e vërtetë të këtij “pushtimi”. Në këtë kuadër, u përmend edhe rasti i prokurores Anita Gjeli, e cila sipas Ramës ka neglizhuar çështjen, duke mos ndjekur kallëzimet e paraqitura për më shumë se 40 subjekte ndërtuese. Vendimi për të, sipas Ramës, tashmë i përket Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Ka dhjetëra kallëzime, dhe prokuroria s’ka lëvizur. Kjo është arsyeja pse është përfshirë dhe KLP,” shtoi ai, duke lënë të kuptohet se mosveprimi institucional ka qenë pjesë e problemit./ZËRI/

Poll

MOS HUMB