LIVE UPDATES

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet në 20 min, miratohet programi i qeverisë

➤Kuvendi ka miratuar programin e qeverisë me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. ➤Seanca e parashikuar të zgjaste rreth dy ditë, zgjati rreth 20 minuta, ku programi qeverisës nuk u diskutua. ➤Kjo gjë erdhi pas tensioneve dhe kundërshtimet e opozitës për të dëgjuar kryeministrin Rama, me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi që procesi të kalonte direkt në votim. ➤Shkak për debatet u bë ndërprerja e fjalës së kryeministrit Rama, me një mesazh nga ministrja artificiale Diella.

8 artikuj për këtë temë.
8 MUAJ ME PARE

Tensionet në seancën plenare/ PD letër ambasadorëve, 'justifikon' kaosin: Rama na provokoi me Diellën!

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
PD-Diella-Kuvend

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar një letër zyrtare Trupit Diplomatik të Tiranë, ku denoncon situatën e tensionuar në seancën e sotme, duke e konsideruar antikushtetuese dhe të paprecedentë. Letra, firmosur nga Gazment Bardhi, akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Peleshi, me pretendimin se provokojnë opozitën me qëllim që të minojnë rolin e saj në jetën politike. PD shprehet se për herë të parë në 35 vite pluralizëm “debati u ndërpre qëllimisht”, duke e cilësuar si një nga momentet më të rënda për jetën parlamentare. PD kërkon të theksojë përmes letrës se, fjalimi i Kryeministrit Rama u ndërpre për të transmetuar një video nga një figurë virtuale, e ashtuquajtura “Ministrja e Inteligjencës Artificiale Diella”. Sipas opozitës, kjo përbën një akt propagandistik të pashembullt në historinë e legjislaturës shqiptare.

LETRA E PD-së

Shkëlqesi të nderuara.

Ju drejtohemi nëpërmjet kësaj letre për të sjellë në vëmendjen tuaj situatën e paprecedentë që ndodhi sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të thirrur për miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar, në të cilën ju ishit të ftuar edhe si pjesëmarrës.

Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë kaq flagrante dhe përçarëse.

Përmes veprimeve antikushtetuese dhe në shkelje të rregullores së brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe kreu i shumicës parlamentare, debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve u pengua qëllimisht, duke dëmtuar seriozisht demokracinë parlamentare dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime demokratike.

Si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë në Kuvend, vërejmë me shqetësim erozionin e përditshëm të autoritetit të institucionit më të lartë vendimmarrës, Kuvendit të Shqipërisë, dhe përpjekjen për ta transformuar atë në një zgjatim të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar plotësisht mbikëqyrjen parlamentare mbi shumicën dhe ligjet e paraqitura për shqyrtim dhe miratim.

Dinamika e ngjarjeve të sotme tregon qartë një plan të mirëorganizuar nga Kryeministri Rama që provokon hapur opozitën parlamentare. Përmes këtyre veprimeve të paprecedentë, në shkelje të Rregullores së Punës dhe duke anuluar parimet kushtetuese, e drejta e deputetëve të opozitës për një debat politik substancial dhe konstruktiv mbi programin dhe kabinetin qeveritar u mohua qëllimisht.

Gjithashtu, vërejmë me shqetësim ofendimin e rëndë që u është shkaktuar përfaqësuesve më të lartë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, të cilët morën pjesë në këtë seancë solemne, me rëndësi të veçantë për fillimin e çdo legjislature të re, nga Kryeministri Rama. Në dritën e delegjitimimit të seancës plenare dhe në mbrojtje të kushtetutshmërisë së procesit, deputetët e opozitës në Parlament kërkuan që të respektohet solemniteti i kësaj seance plenare.

Në përputhje me nenin 97 të Kushtetutës, dhe në përputhje me nenin 110, paragrafi 2 të Rregullores së Punës së Kuvendit, deputetët e opozitës i kërkuan vazhdimisht Kryetarit të Kuvendit për të lejuar Kryeministrin të vazhdojë fjalimin e tij, pasi ai u ndërpre në mënyrë të paprecedentë prej tij për të paraqitur një videomesazh të inskenuar nga e ashtuquajtura “Ministria e Inteligjencës Artificiale Diella”.

Në të gjithë historinë e pluralizmit parlamentar shqiptar, fjalimi i Kryeministrit gjatë seancës plenare për miratimin e programit politik dhe përbërjen e qeverisë nuk është ndërprerë kurrë për asnjë arsye. Për më tepër, Kryetari i Kuvendit, në shkelje të nenit 48, paragrafi 1 i Rregullores së Punës, nuk iu drejtua Z. Edi Rama në cilësinë e tij si deputet për ta thirrur në rend kur u largua nga thelbi i çështjes, pra, prezantimi, përmes inskenimit të një videomesazhi nga një personazh virtual, në një kohë kur ai duhet të kishte vazhduar pa ndërprerje prezantimin e programit politik.

Në kontekstin e mospërgjigjes së paprecedentë të Kryetarit të Kuvendit dhe kryerjes së këtyre shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës, Kryetari i Kuvendit krijoi një precedent të rrezikshëm për këtë legjislaturë të re duke krijuar standarde të dyfishta në dhënien e të drejtave procedurale. Z. Peleshi ia dha dy herë radhazi Kryetarit të grupit të shumicës parlamentare të drejtën procedurale, ndërkohë që ia mohoi këtë të drejtë, të parashikuar sipas nenit 49 të Rregullores, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kështu, në mënyrë antikushtetuese, Kryetari i Kuvendit miratoi një urdhër politik të ardhur nga Kryetari i grupit të shumicës duke mbyllur seancën plenare me miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar pa debat politik, në shkelje të nenit 97 të Kushtetutës dhe në shkelje të rëndë të nenit 110 të Rregullores.

Mohimi i së drejtës për debat parlamentar, shkeljet e përsëritura të ligjit themelor të vendit dhe shkeljet e rregullave të brendshme të Kuvendit tregojnë qartë një minim të qëllimshëm të rendit kushtetues dhe uzurpim të autoritetit legjitim vendimmarrës të institucioneve demokratike në vend. Në këtë situatë të paprecedentë, vërejmë me shqetësim minimin e jetës parlamentare, mohimin e së drejtës kushtetuese të deputetëve për debat politik dhe, mbi të gjitha, shpërfilljen e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë, duke tentuar anulimin total të organit më të lartë përfaqësues të vullnetit të tyre politik.

Me shqetësim të thellë vërejmë dobësimin e vazhdueshëm të rolit të Kuvendit si institucioni më i lartë vendimmarrës në Shqipëri. Zhvillimet e sotme demonstruan një plan të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare dhe për ta reduktuar Kuvendin në një zgjatim të thjeshtë të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar kështu mbikëqyrjen parlamentare mbi shumicën dhe ligjet e paraqitura për shqyrtim dhe miratim.

Prandaj, e ndiejmë si detyrë tonën të informojmë komunitetin diplomatik të akredituar në Tiranë për këto zhvillime të rënda, të cilat rrezikojnë seriozisht demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Shqipëri.

Ju lutem pranoni, Shkëlqesitë Tuaja, shprehjen e konsideratave të mia më të larta.

8 MUAJ ME PARE

Pas votëbesimit në Kuvend, ministrat e qeverisë “Rama 4″ betohen nesër në Presidencë

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
rama-begaj

TIRANË- Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar 'Rama 4' do të betohen nesër, paraditen e së premtes në Presidencë. Mësohet se ceremonia e betimit para presidentit Bajram Begaj do të kryhet nesër në orën 10:00. Sakaq, pas betimit ministrat do të shkojnë në këmbë në Kryeministri ku do kenë mbledhjen e parë të qeverisë.

Ministrat e kabinetit qeveritar "Rama 4":

Belinda Balluku - Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës.
Albana Koçiu - Ministria e Punëve të Brendshme
Elisa Spiropali- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Petrit Malaj - Ministria e Financave
Blendi Gonxhja - Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit
Sofjan Jaupaj - Ministria e Mjedisit
Mirela Kumbaro - Ministria e Arsimit
Evis Sala - Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Delina Ibrahimaj - Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
Besfort Lamallari - Ministria e Drejtësisë
Pirro Vengu - Ministria e Mbrojtjes
Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor
Majlinda Dhuka –  Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë
Adea Pirdeni  - Ministre e Shtetit për antikorrupsionin
Toni Gogu - Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin

Betimi i ministrave vjen një ditë pasi u votëbesuan në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, në një seancë që ishte parashikuar maratonë, por zgjati vetëm 25 minuta. Opozita pengoi fjalën e kryeministrit, i cili sipas rregullores hap seancën maratonë dhe më pas pasojnë të tjerët. Në këto kushte u hap votimi, ku programi u miratua vetëm me votat e mazhorancës. 

Mes tensionesh, Kuvendi votoi me vetëm 82 votat pro të mazhorancës, programin qeverisës dhe 16 ministrat e kabinetit Rama 4. Kjo është hera e parë që një program qeverie nuk prezantohet, por votohet direkt në një seancë rekord për më pak se 30 minuta.

Shkak për eskalimin e tensioneve u bë fjala e ministres artificiale Diella, e cila u vendos nga kryeministri. Fjala e ministres virtuale ndezi debatet, pasi opozita e konsideroi tallje. Ndërkohë, Rama njoftoi se brenda këtij viti, Diella, që sot mbajti fjalën e parë nga monitorët, do të jetë fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë./ZËRI

8 MUAJ ME PARE

Programi qeverisës u miratua pa debat, Rama: Shkeljet nga opozita do mbyllin seancat!

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbylljes së seancës maratonë për vetëm 25 minuta. Kuvendi miratoi mes tensioneve dhe bojkotit të opozitës, programin qeverisës dhe kabinetin. Në postimin e tij në Facebook, Rama ka paralajmëruar opozitën se shkeljet e sharjet do të çojnë automatikisht në përfundimin e parakohshëm të seancave parlamentare.

Edi Rama: 83 mandatet e 11 majit për ne, janë ndër të tjera edhe një detyrim për të respektuar zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre në Kuvend të gjithë hapësirën për të folur, po edhe një detyrim ndaj zgjedhësve tanë për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën e sharjet e rrugës si alternativë opozitare. Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian dhe opozita do të ketë e papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare. Ndërsa shkelja e atij kufiri për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës.

Seanca e sotme ishte parashikuar të zgjaste për më shumë se 24 orë, për shkak se të gjithë deputetët do të merrnin fjalën, për të diskutuar mbi programin qeverisës. Opozita pengoi fjalën e kryeministrit, i cili sipas rregullores hap seancën maratonë dhe më pas pasojnë të tjerët. Shkak për eskalimin e tensioneve u bë fjala e ministres artificiale Diella, e cila u vendos nga kryeministri. Në këto kushte u hap votimi, ku programi u miratua vetëm me votat e mazhorancës. 

Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili mbërriti me vonesë në Kuvend, pasi socialistët kishin votuar, u shpreh se Rama e ka poshtëruar parlamentin, dhe se duhet një reagim kombëtar kundër tij./ZËRI

8 MUAJ ME PARE

Mbërriti në Kuvend pasi socialistët e mbyllën, Berisha: As Maduro nuk e ka bërë këtë, akt prej Kim Jong-Uni

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
sali berisha ne kuvend

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili mbërriti me vonesë në Kuvend, pasi socialistët kishin votuar me nxitim programin qeverisës, u shpreh se Rama e ka poshtëruar parlamentin, dhe se duhet një reagim kombëtar kundër tij. Berisha u shpreh se akte të tilla nuk kanë guxuar ti bëjnë as liderë autoritarë si Maduro.

Berisha: As Maduro nuk e ka poshtëruar në këtë shkallë parlamentin, Rama është kryehorri i kombit dhe do marrë përgjigjen që meriton

Një akt tipik prej Kim Jong-Uni.

As Maduro nuk guxonte të bënte një akt të tillë.

As Maduro nuk guxonte të poshtëronte në këtë shkallë parlamentin, për çdo shqiptar ka vetëm një mision, shporrjen e tij një minutë e më parë nga pushtetit.

Kjo është një thirrje për çdo qytetar të ëtij vendi, të ngrihet në mision për të çliruar shqiptarët dhe Shqipërinë nga një kryehorr, i cili nuk ka asnjë dallim nga Elvis Doçi, nga Suel Çela, nga Bahri Bajri.

Nga një kryehorr që i vë drynin parlamentit sipas dëshirës së tij.

Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton.

Përgjigja është ajo që meritojnë të gjithë kryehorrat e kombeve.

Opozita do të marrë të gjitha vendimet. Opozita nuk do pajtohet kurrë me këtë dhunë ekstreme ndaj qytetarëve shqiptarë.
Nuk është dhunë ndaj parlamentit, është dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë.....

Atë për ambasadorët, le të flasin vetë ambasadorët. Unë nuk kam ndërmend të bëhem zëdhënës i askujt. Por unë bëhem zëdhënës i atij populli opozitar, dhe gjithë qytetarëve, i cili shkelmohet në këtë mënyrë nga një kryehorr, kryetar i një organizate kriminale që arrin në momentin më thelbësor të historikut të parlamentit, t’i vërë drynin brenda 5 minutave.

Me 82 vota pro, mazhoranca në Kuvend miratoi sot programin qeverisës dhe përbërjen e re të kabinetit të propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Seanca plenare u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi opozita bllokoi foltoren, duke penguar zhvillimin e debateve parlamentare. Shkak për debatet u bë ndërprerja e fjalës së kryeministrit Rama, me një mesazh nga ministrja artificiale Diella. /ZËRI 

8 MUAJ ME PARE

REKORD! Socialistët miratojnë programin qeverisës për 20 minuta, opozita tenton të godasë Ramën

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
seanca ne kuvend

TIRANË- Është mbyllur për 20 minuta seanca në Kuvend, për shkak se deputetët e opozitës nuk lejuan fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili do të prezantonte programin qeverisës. Seanca e sotme ishte parashikuar të zgjaste për më shumë se 24 orë, për shkak se të gjithë deputetët do të merrnin fjalën, për të diskutuar mbi programin qeverisës. Rama që në nisje të fjalës së tij, tha se nuk do të lejonte shfaqjet e dhunshme nga ana e opozitës. Shkak për eskalimin e tensioneve u bë fjala e ministres artificiale Diella, e cila u vendos nga kryeministri.

Pas ndërprerjes së seancës për 5 minuta, dhe vazhdimit të sjelles së opozitës duke bllokuar fjalën e Ramës, socialistët propozuan kalimin për votim të programit. 82 deputetë votuan pro, ndërkohë që deputetët e opozitës vijuan protestën e tyre, me thirrjet ‘parti Enver jemi gati kurdoherë’. /ZËRI 

8 MUAJ ME PARE

DIELLA ‘ndez’ Kuvendin- Opozita i ndërpret fjalën Ramës, Peleshi jep 5 minuta pushim

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
diella

TIRANË- Është ndërprerë për 5 minuta seanca në Kuvend, për shkak se deputetët e opozitës iu ranë tavolinave, në shenjë proteste gjatë fjalës së kryeministrit Edi Rama. Shkak për këtë u bë fjala e Diellës, e cila iu vendos deputetëve në sallë nga kryeministri Edi Rama.

Rama: Diella do të ushtrojë një ndikim vendimtar për përshpejtimin e këtij procesi të anëtarësimit. Ajo do të mbështetet nga AI 4 që do të ketë lirinë e plotë të operojë Akseleratori AI  4 do të bashkojë talentet më të mira brenda vendit, shqiptare ne diasporë, por edhe të huaj. Do të ndërtojë kompani që mund të kenë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë. Diella me akseleratorin e saj AI 4 do të pasqyrojë bukur Shqipërinë si një vend me ambicie. Do ta kthejë institucionet në platformat zhvillimore të AI. Jam i keq ardhur për kundërshtimet për Diellen si anëtare e kabinetit dhe me keqkuptimet për rolin. Duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e presidentit, atëherë para se të vazhdoj më tej kërkoj nga shërbimi i Kuvendit ti jap fjalën Diellës.

Kreu i qeverisë u kërkoi deputetëve të opozitës, konkretisht Fahri Balliut që të mos bëjnë zhurmuesin, pasi në të kundërt do të kalohet në votim të programit. Seanca e sotme supozohej të zgjaste më shumë se 24 orë por, u mbyll pas 25 minutash me bojkotimin e opozitës dhe miratimin nga mazhoranca të programit qeveritar./ZËRI

8 MUAJ ME PARE

Rama mesazh të prerë opozitës: Nëse harroni këmbët dhe duart, do keni kohë sa të doni të flisni në Kuvend

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
edi rama ne kuvend

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ka marrë fjalën në Kuvend, ku do të prezantojë programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Rama tha se nuk do të lexojë të gjithë programin qeverisës, pasi do të jenë ministrat ata që do të lexojnë pikat më të rëndësishme. Rama kishte një mesazh dhe për opozitën, që sipas tij nëse përdor argumentet, do të ketë kohë në dispozicion për të folur.

Rama: I nderuar Kuvend i Shqipërisë, si folësi i parë i kësaj legjislature të re, dua t'i përcjell urimin tim Niko Peleshit. Unë nuk jam këtu që të kryej një formalitet votëbesimi, 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në favorin tonë, është një borxh që duhet ta marrim përsipër çdo ditë, jo me fjalë, por me një qasje vetëkritike, me durim, energji të reja në çdo hap. Pakicës dua ti them që nuk është puna jonë çfarë bëni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë, do të keni të gjithë kohën që dëshironi, nëse do të harroni përdorimin e këmbëve, dhe rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt qëndrimi ynë këtu do të zgjasë aq sa i duhet një votimit.

Pas fjalës së tij të shkurtër, Rama i la vendin “Diellës”, e cila iu drejtua me një mesazh deputetëve që kanë pasur pretendime mbi kushtetuetshmërinë e saj. Rama ndërpreu fjalën pas zhurmës së krijuar nga deputetët e opozitës. /ZËRI

8 MUAJ ME PARE

Sot seanca maratonë më shumë se 24 orë, prezantohet programi qeverisës në Kuvend

Kaos në Kuvend! Opozita pengon fjalimin e Ramës! Kuvendi mbyllet
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Sot Kuvendi do të mblidhet në seancën maratonë, e cila pritet të zgjasë deri ditën e nesërme (19 shtator). Kjo është seanca e tretë plenare brenda kësaj jave.

Kryeministri Edi Rama do të paraqesë sot në Kuvend programin e ri qeverisës për mandatin e katërt. Në programin e qeverisë janë të theksuara 3 shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të gjithë. Siç edhe e ka bërë publike gjatë fushatës kryeministri Edi Rama, fokusi i reformave do të jetë procesi i integrimit.

Sipas vendimit të marrë një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve, çdo deputet do të ketë në dispozicion nga 10 minuta për të folur. Pas fjalës së kryeministrit, foltorja i kalon opozitës, ku pritet të marrë fjalën kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ose kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, në varësi të vendimmarrjes brenda grupit. Rregullorja e Kuvendit parashikon që vetëm kryeministri dhe kreu i opozitës gëzojnë të drejtën të flasin pa kufizim kohe ose në barazi kohore me njëri-tjetrin.

Në përmbyllje të debatit, do të zhvillohet votëbesimi i qeverisë së re, përfshirë kryeministrin dhe 16 ministrat, përmes miratimit të dekreteve të Presidentit Bajram Begaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB