5 minuta seancë/ Socialistët zgjedhin kryetarët dhe anëtarët e Komisioneve Parlamentare, opozita sërish bojkot
TIRANË- Kuvendi është mbledhur këtë pasdite për herë të dytë, në një seancë e cila zgjati vetëm 5 minuta. Gjatë kësaj seance, mazhoranca socialiste miratoi kryesitë dhe anëtarët e komisioneve të përhershme parlamentare, ndërsa opozita nuk mori pjesë duke bojkotuar sërish seancën.
Sakaq, Parlamenti, me prezencë vetëm të socialistëve, ka miratuar kryesitë me deputetët socialistë të komisioneve të përhershme parlamentare. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi lexoi emrat e sugjeruar nga mazhoranca për komisionet që do të drejtohen nga vetë ajo dhe me shumicë votash, projektvendimi u miratua.
Me 71 vota pro dhe 1 kundër u votua përbërja e këtyre komisioneve vetëm me deputetët e mazhorancës, ndërsa kryeparlamentari Peleshi e deklaroi seancën të mbyllur.
Ndërkohë, Partia Demokratike ende nuk ka depozituar në Kuvend emrat e katër kryetarëve të komisioneve që ka propozuar, ashtu si dhe të shtatë nënkryetarëve.
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të drejtohet nga Milva Ekonomi. Nënkryetar do të jetë Erion Braçe, ndërsa sekretare Zamira Sinaj.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të drejtohet nga Ulsi Manja. Nënkryetar do të jetë Damian Gjiknuri, ndërsa sekretare Aurora Mara.
Kryetar i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen do të jetë Bledar Çuçi. Nënkryetare do të jetë Olta Xhaçka, ndërsa sekretare Ilirian Pendavinji.
Drejtimi i Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet i takon opozitës. Nënkryetare do të jetë Evis Kushi, ndërsa sekretare Hatixhe Konomi.
Për Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale i takon opozitës të zgjedhë drejtuesin. Nënkryetar do të jetë Eduard Shalsi, ndërsa sekretare Enriketa Jaho.
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm drejtohet nga Anila Denaj. Nënkryetar do të jetë Ceno Klosi dhe sekretare Ilva Gjuzi.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – kryetari i takon opozitës. Nënkryetare do të jetë Iris Luarasi dhe sekretar Ardit Bido.
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural do të drejtohet nga Blendi Klosi. Nënkryetar do të jetë Fadil Nasufi dhe sekretar Saimir Hasalli.
Drejtimi i Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën i takon opozitës. Nënkryetar do të jetë Erion Malaj dhe sekretar Arkent Balla.
Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga Igli Hasani. Nënkryetare do të jetë Bora Muzhaqi, ndërsa sekretare Marjana Koçeku.
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikqyrjen Institucionale do të drejtohet nga Fatmir Xhafa, nënkryetar Ermal Elezi dhe sekretare Aulona Bylykbashi.
Votohet ndryshimi i rregullores së re, opozita kundër, largohet nga salla
TIRANË-Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet në Rregullore. Në momentin e votimit opozita braktisi seancën dhe është larguar. Teksa votimi u hap, kreu i PD, Sali Berisha ka dalë i pari nga salla, teksa opozitarët e tjerë e kanë ndjekur pas.
Seanca e radhës pritet të mbahet në orën 17:00, ku pritet diskutimi për zgjedhjen e kryesive të Komisioneve të përhershme të Kuvendit./ZËRI
“A ke këshilltarë që të lexojnë Kushtetutën?”, Berisha akuza Peleshit: Sekretar mjeran i Ramës
TIRANË- Ka rinisur me debate seanca në Kuvend, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se PS po shkel Kushtetutën për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, dhe strukturën e re të Komisioneve Parlamentare.
Berisha në parlament: Të fillosh detyrën duke shkelmuar Kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde, tregon se nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama.
Shkelmimi i Kushtetutës, është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të të gjithë spektrit, shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.
Si ka mundësi, a keni ju, çfarë të thuash, njerëz që lexojnë Kushtetutën? A ke ti këshilltarë që paguan që të të lexojnë ty Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, e cila për parlamentin është Kushtetuta e parlamentit, është ligji më i rëndësishëm i vendit, pas Kushtetutës.
Pra, aq peshë sa ka parlamenti në jetën e një shteti dhe të vendit.
Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit. Ky është një provokacion i ulët, që ju i bëni qytetarëve të këtij, që i bëni opozitës së këtij vendi.
Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë?
Prandaj dhe merr vendimin, mblidhi këshillat dhe të zbatohet Kushtetuta.
“Jeni kthyer në noterë të qeverisë”, Bardhi akuza deputetëve socialistë: T’ju vijë turp
TIRANË- Seanca e sotme e Kuvendit, e cila u ndërpre deri në orën 12 e 30, u shoqërua me debate, edhe pse në sallë mungonte kryeministri Edi Rama. Opozita ka kundërshtuar ndryshimin e rregullores së Kuvendit, si dhe komisioneve parlamentare, duke e cilësuar këtë një tentativë të mazhorancës për kapjen e të gjithë sektorëve. Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, u shpreh se deputetët e PS-së janë kthyer në noterë të qeverisë.
Bardhi u shpreh se në Kuvend po votohen ligje klienteliste dhe të propozuara nga oligarkët.
Kreu i Grupit të PD-së theksoi se “ky është shqetësimi që ka Kuvendi, keni kaluar lige të shkruara në kompjuterin e Klodian Zotos, nuk ka shqetësim Kuvendi në organizohet në 8 apo 10 Komisione”.
Gazment Bardhi: Nuk mund të ecim tha parafolësi me strukturën e vjetër të Komisioneve Parlamentare, a thua se shqetësimi i vetëm që ka ky Kuvend. Ky krah i shumicës parlamentare janë kthyer në noter të qeverisë, në këtë Kuvend me vota të maxhorancës votohen ligje klienteliste, të propozuara nga oligarkët.
Ky është shqetësimi që ka Kuvendi. Keni kaluar lige të shkruara në kompjuterin e Klodian Zotos, nuk ka shqetësim Kuvendi në organizohet në 8 apo 10 Komisione.
Sa i takon ndryshimeve të Rregullores, duhet t’ju turpërojë si Kryetar i Kuvendit. Ndryshimet diktohen nga kreu i ekzekutivit, pasi gjithë verës i diktoi strukturat pushtetit lokal, pasi i dikton vendimet gjyqtarët e prokurorëve, e i sulmon. Kuvendi i diktohet ekzekutivit. Ku ndodh dhe del Kryeministri thotë që Kuvendi organizohet sipas Këshillit të Ministrave. Nuk është një partiak. Doli dhe tha që ju kemi lënë më shumë fusha përgjegjësie.
Marrin jetë strukturat e reja në Kuvend, deputetët që do të jenë në krye të ‘’rregullores” dhe “legjislacionit”
TIRANË- Parlamenti ka zyrtarizuar përbërjet e reja të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, si dhe të Këshillit të Legjislacionit, dy struktura kyçe në funksionimin e brendshëm institucional. Pavarësisht pretendimeve për jolegjitimitetin e Kuvendit, opozita ka bërë propozimet e saj për anëtarët e këtyre dy këshilllave.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet
Ky këshill, i cili luan një rol kyç në interpretimin e rregullores së Kuvendit dhe shqyrtimin e mandateve të deputetëve, përbëhet nga:
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste:
Niko Peleshi
Taulant Balla
Ulsi Manja
Bledi Çuçi
Bledi Çomo
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike:
Gazment Bardhi
Oerd Bylykbashi
Elda Hoti
Gent Strazimiri
Saimir Korreshi
Zëvendësues:
Nga PS: Antoneta Dhima, Arkend Balla
Nga PD: Ivi Kaso, Greta Bardeli
Këshilli i Legjislacionit
Ky këshill ka për qëllim shqyrtimin e projektligjeve dhe përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Përbërja e tij është si më poshtë:
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste:
Fatmir Xhafaj
Damian Gjiknuri
Olsi Komici
Erjon Malaj
Aulona Bylykbashi
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike:
Ivi Kaso
Arjan Ndoji
Gjin Gjoni
Greta Bardeli
Blendi Himçi
Zëvendësues:
Nga PS: Ani Dyrmishi, Erjona Ismaili
Nga PD: Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi
PS çon në Kuvend ndryshimin e rregullores, Balla: Nuk i kemi marrë opozitës asnjë Komision
TIRANË- Kreu i grupit të PS, Taulant Balla edhe njëherë i kërkoi opozitës që të mbështesë propozimin e mazhorancës për riformatimin e komisioneve parlamentare, si dhe për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Sipas Ballës, opozitës nuk i është marrë asnjë komision, teksa shtoi se ky riformatim bëhet në bazë të nevojave që ka vendi, drejt synimit kryesor të anëtarësimit në BE.
“Ky nuk është një propozim, por për herë të parë është depozituar i plotë dhe ka të bëjë me transformimin e Kuvendit sipas nevojës që ka vendi dhe Kuvendi. Nuk mund të vazhdonim me një ndarje komisionesh që në një sektor risillte një emërtesë nga Kuvendi Popullor i 88. Jemi në 2025, kjo mazhorancë dhe ky kryeministër javë votuar për të jetëzuar vizionin tonë për Shqipërinë në BE në 2030.
Puna në kuvend të reflektojë kapitujt, me fokus në disa fusha ku opozita ka rëndësinë. Nuk i kemi marrë opozitës asnjë komision, i kemi shtuar fusha jetike. Është jetike të drejtojë komisionin për arsimin, shëndetësinë dhe ndër më të rëndësishmit atë të të drejtave të njeriut”, tha Balla.
Jozefina Topalli ende në atmosferën e dasmës, vonohet për betimin në Kuvend
TIRANË- Seanca e sotme parlamentare, ka nisur me betimin e 3 nga 4 deputetëve që munguan në seancën e të premtes. Ajo që ka rënë në sy është vonesa në seancën e sotme e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila duket se ende është e ‘dehur’ nga dasma luksoze e djalit të saj Genarit, me modelen Cindy Marina, e cila u mbajt fundjavën e kaluar në Itali.
3 deputetët që u betuan që në nisje të seancës së sotme ishin Albana Vokshi, Fatmir Mediu dhe Oerd Bylykbashi, ndërsa Topalli mbërriti me vonesë në Kuvend. Në seancën e sotme në Kuvend, PS ka zyrtarizuar propozimin e saj për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, ndërsa opozita refuzon ndarjen e re të komisioneve parlamentare. /ZËRI
Kuvendi nuk humbet kohë, mbahen sot dy seanca
TIRANË-Parlamenti është gati për të filluar me punimet, ku sot Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot dy seanca plenare. Seanca e parë nis në orën 10:00 dhe do të ketë në fokus zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, sekretariateve dhe përbërjes së Byrosë së Kuvendit.
Ndërsa seanca e dytë, e parashikuar për në orën 17:00, do të diskutojë dhe miratojë përbërjen e kryesive të komisioneve të përhershme parlamentare.
Në mbledhjen e parë, pritet të zgjidhen nënkryetarët e kuvendit, sekretariatet dhe përbërja e Byrosë së Kuvendit. Ndërkohë në seancën e dytë, do të diskutohet për zgjedhjen e kryesive të Komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Një ditë më parë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mblodhi krerët e grupeve parlamentare të partive për një takim konsultues për strukturën e re dhe drejtimin e komisioneve. Partia Socialiste i ka gati emrat e saj, për 7 komisionet e posaçme, ndërsa opozita nuk ka paraqitur ende kandidaturat e saj. Mbetet për tu parë nëse Partia Demokratike do të bojkotojë këto komisione, përsa kohë që nuk ishte dakord me reformimin e tyre./ZËRI