LIVE UPDATES

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet me armë 27-vjeçari! Policia dhe RENEA në kërkim të autorit të armatosur

➤Të shtëna me armë zjarri u regjistruan mesditën e sotme në Tiranë, në zonën e Kamzës, ku si pasojë humbi jetën 27-vjeçari Ardian Baloshi. ➤I riu humbi jetën në spitalin e Traumës, pas plagëve të marra. ➤Autori është 39-vjeçari Sadik Llanaj. ➤Ky i fundit dyshohet se është i armatosur, ndërsa në kërkim të tij janë vënë edhe forcat RENEA. ➤Policia ka nisur menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se një lojë kalçeto është shkak i nisjes së një konflikti banal mes personave të përfshirë, të identifikuar deri më tani. ➤Në njoftimin zyrtar, Policia sqaron se janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit, ndërsa sqaron se nuk ka të dëmtuar të tjerë nga të shtënat. 

8 artikuj për këtë temë.
3 ORE ME PARE

Vrau për një lojë kalçeto të riun në Kamëz! Sadik Llanaj i njohur për "blutë, i dënuar për drogë e vjedhje

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
sadik llanaj

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Kamëz, në rrugën “Dervish Luzha”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Ardian Baloshi, i cili dyshohet se u qëllua nga Sadik Llanaj.

Por, 39-vjeçari Sadik Llanaj nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë.

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
sadik llanaj

Në vitin 2015, kur ishte 28-vjeç, Llanaj u arrestua nga policia së bashku me tre pjesëtarë të familjes së tij. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe një sasi heroine e ndarë në doza të gatshme për shitje. Të përfshirë kanë qenë edhe prindërit e tij, të cilët u arrestuan asokohe në kuadër të operacioni policor. 

Gjithashtu, ai rezulton i dënuar edhe për veprën penale të vjedhjes.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së sotme në Kamëz, si dhe për sqarimin e rrethanave në të cilat ndodhi krimi./ZËRI

3 ORE ME PARE

Detaje nga vrasja në Kamëz: Autori zbrazi 10 plumba drejt 27-vjeçarit, tentoi të ekzekutonte shokun e tij

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
vendngjarje-sadik llanaj

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Kamëz, ku mbeti i vrarë Ardian Baloshi, i cili u qëllua për vdekje nga autori Sadik Llanaj.

Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një zonë të banuar. Dyshohet se Llanaj i është afruar viktimës teksa ai ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë dhe ka qëlluar me armë, duke u larguar menjëherë me automjetin e tij.

Burime bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 10 gëzhoja arme zjarri. Raportohet se vetëm një plumb në kokë e ka kapur viktimën.

Ndërkohë, mësohet se autori ka qëlluar me armë zjarri edhe në drejtim të shokut të Ardian Baloshit, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes. Fatmirësisht, ai nuk është kapur nga plumbat dhe ka arritur të shpëtojë pa lëndime.

Autori 39-vjeçar aktualisht është në kërkim nga autoritetet, të cilat kanë vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për çdo informacion të saktë që çon në prangosjen e Sadik Llanajt.

Sipas Policisë, autori i dyshuar, Sadik Llanaj, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur. Për këtë arsye, qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth u kërkohet të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin çdo përpjekje për ta ndaluar ose për t’u përballur vetë me të.

Policia e Tiranës:

Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.

Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.

6 ORE ME PARE

Kryepolici i Tiranës zbardh dinamikën e vrasjes në Kamëz: Të dy banorë të zonës, autori qëlloi nga një makinë...

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
oliger torba

TIRANË- Vrasja me armë zjarri e 27-vjeçarit ka tronditur Kamzën dhe ka vënë në alarm autoritetet për kapjen e autorit, i cili dyshohet se ndodhet ende në zonë, i armatosur.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Oliger Torba, zbardhi detaje duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur në rrugë, rreth orës 11:30. Ai deklaroi se të dy të përfshirët, autori dhe viktima, janë banorë të zonës. 

Sipas deklaratës së kryepolicit, autori dyshohet se ka qëlluar nga një automjet, ndërsa në atë moment, viktima ka qenë me shokët e tij.

Menjëherë pas ngjarjes, 27-vjeçari është transportuar në spital nga kalimtarë të rastit, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

“Rreth orës 11:30 në spitalin e Traumës është paraqitur pa shenja jete 27 vjeçari Ardian Baloshi. Ka pasur plagë të shkaktuar me armë zjarri. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e autorit të dyshuar, janë aktivizuar edhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë, të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet, ndërsa viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital. E kanë çuar kalimtarë të rastit”, deklaroi Torba. 

6 ORE ME PARE

Vrau në mes të ditës 27-vjeçarin në Kamëz, ky është autori Sadik Llanaj (FOTO)

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
Sadik Llanaj

TIRANË- Personi që shihni në foto është Sadik Llanaj, 39-vjeç, autor i vrasjes së 27-vjeçarit, Ardian Baloshi. Policia e kryeqytetit ka ngritur pika kontrolli për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Dyshohet se 39-vjeçari fshihet në zonë, ndërsa për kapjen e tij janë aktivizuar edhe forcat RENEA. 

7 ORE ME PARE

Vrasja në Kamëz, reagon Policia: Konflikti nisi për motive të dobëta, në kërkim të autorit

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
vendngjarje

TIRANË- Policia e Tiranës ka dalë me njoftim të zyrtar lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit në Kamëz, mesditën e sotme. Sipas njoftimit, bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dervish Luzha”, për motive të dobëta. 

Autori i ngjarjes dyshohet 39-vjeçari Sadik Llanaj, ndërsa për kapjen e tij janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore të vendit. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. 

Ndërkohë, blutë e Tiranë sqarojnë se nuk ka të dëmtuar të tjerë nga kjo ngjarje.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.

Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.

Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju informojmë në vijim për çdo gjë që lidhet me këtë ngjarje.

7 ORE ME PARE

Vrasja e 26-vjeçarit, Kamza në alarm! RENEA zbret në terren, në kërkim të autorit

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
pamje-vendngjarje

KAMËZ- Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kamzën, mesditën e sotme, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. 

Viktima është identifikuar si 26-vjeçari Ardian Baloshi, i cili nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, teksa u transportua në spitalin e Traumës. 

Menjëherë pas ngjarjes, situata në zonë është tensionuar, ndërsa Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli dhe ka rrethuar perimetrin ku ndodhi krimi.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe dyshimeve se autori Sadik Llanaj, mund të jetë ende i armatosur, në terren kanë zbarkuar edhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të saj./ZËRI

7 ORE ME PARE

Sherri në kalçeto përfundoi me vrasjen e 27-vjeçarit në Kamëz, dalin PAMJET nga vendngjarja (VIDEO)

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
kamez-vendngjarje

KAMËZ- Janë publikuar pamjet e vendit të ngjarjes, ku ndodhi vrasja në zonën e Kamëz. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje, ndërsa zona është rrethuar me shirita sigurie.

Lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Kamzën mesditën e sotme, sipas raportimeve paraprake, Sadik Llanaj dyshohet të jetë autori i krimit.

Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima është identifikuar si 26-vjeçari Ardian Baloshi. I riu u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por për shkak të plagëve të rënda nuk ka mundur të mbijetojë.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa personave, i cili ka nisur pas një loje kalçeto.

Megjithatë, deri më tani rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta për hetuesit, ndërsa pritet njoftimi zyrtar i autoriteteve. 

8 ORE ME PARE

Vritet me armë zjarri 26-vjeçari në Kamëz, i plagosur edhe një 19-vjeçar! Shkak një lojë në kalçeto? (EMRAT)

Sherr për një lojë kalçeto në Kamëz, ekzekutohet
pamje nga vendngjarja

KAMËZ-Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në Kamëz, ku një person ka humbur jetën. I plagosuri u paraqit në Spitalin e Traumës, por nuk ka mundur të mbijetojë. Viktima është Ardian Baloshi 26 vjeç.

Po ashtu, sipas burimeve, mësohet se ka mbetur i plagosur edhe një 19-vjeçar, i identifikuar si Françesko Sukai.

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se përplasja mes personave ka ndodhur gjatë lojës në një kalçeto.

Policia ka arritur që të identifikojë autorin dhe po punon për kapjen e tij. Bëhet fjalë për shtetasin Sadik Llanaj.

Ndërkohë, pritet edhe njoftimi zyrtar i Policisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB