Rama- protestuesve: Çuna dhe goca po dëmtoni turizmin
TIRANË-Kryeministri Edi Rama tha sot se protestat kundër investimit në Tiranë dhe qytete të tjera, po dëmtojnë turizmin. Sipas kreut të qeverisë, për shkak të këtyre tubimeve, operatorët turistikë kanë njoftuar anulimet e para të rezervimeve të bëra nga turistët e huaj.
Edi Rama: Kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit. Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy.
/ZËRI
“Projekti në Zvërnec do bëhet patjetër”/ Rama: PS shpëtoi flamingot, 10 vite më parë haheshin
TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim”, ka theksuar se projekti në Zvërnec do të bëhet. Sipas tij 10 vite më parë, flamingot ishin viktima të gjuetisë së paligjshme dhe pyjet shkatërroheshin pa kontroll, ndërsa sot situata ka ndryshuar falë punës së PS-së.
Edi Rama: Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia. Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin. 10 vjet më parë, kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh venin e vinin vargan-vargan lart e poshtë, nga veriu në jug? 10 vjet më parë, kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se edhe zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë. Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini superfuqi energjetike e rajonit? Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet, ne të mos e kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% të territorit të Shqipërisë etj.? Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë.
Raportimet e mediave të huaja për çështjen e Zvërnecit, Rama: Nuk e kanë me zogjtë e Shqipërisë, e kanë secili për agjendën e vet
TIRANË-Kreyministri Edi Rama në podcastin e tij 'Flasim', ka komentuar edhe artikujt e mediave ndërkombëtare lidhur me protestat në Shqipëri, kundër ndërtimit të projektit në Zvërnec. Rama u shpreh se mediat e huaja raportojnë për axhendat e tyre dhe jo për mjedisin e Shqipërisë, ku sipas tij disa e kanë me Izraelin, të tjerë sepse janë kundër Amerikës dhe presidentit Donald Trump dhe e treta sepse janë konkurrentë dhe kundër projekteve në vendin tonë.
Edi Rama: Dhe, ndërkohë, kam edhe diçka tjetër për të shtuar lidhur me atë që po ndodh. Kini parasysh një gjë: gjithë kjo lukuni e madhe videosh dhe gjithë këta gazetarë, gjithë këta lloj-lloj ndërkombëtarësh në media që papritur u bënë të interesuar për Shqipërinë, për mjedisin, për zogjtë e Shqipërisë, nuk e kanë fare me mjedisin dhe me zogjtë e Shqipërisë. E kanë secili për agjendën e vet në vendet ku janë.
Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë të famshëm në Lindjen e Mesme për sukseset dhe investimet e tyre dhe që vijnë nga Katari, një vend që s’ka as marrëdhënie me Izraelin. Disa të tjerë e kanë kundër atij në Amerikë, presidentit të Amerikës, të cilin gjysma e duan, gjysma e urrejnë dhe ndaj të cilit mediat dhe të gjitha sistemet online turren për çdo gjë.
Disa të tjerë e kanë sepse nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë, normal! Të vijnë 4 miliardë në Shqipëri dhe, me këto emra, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas, në rast se ne e humbim këtë mundësi.
Po, ndërkohë, mos harroni që ka një mundësi shumë të madhe që gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media, nëpër rrjete online, ndryshe nga çfarë është realiteti këtu, që ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe që jetojnë me “like”. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë.
Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem.
'Protesta do të dëmtojë turizmin', Rama: Në Zvërnec takova njerëz që u masakruan nga “flamingot online”
TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij 'Flasim' ka komentuar takimin me banorët e Zvërnecit në Vlorë. Rama edhe njëherë përsëriti se shumë vende nuk e duan projektin në Zvërnec, sepse janë konkurrentë. Sipas kreut të qeverisë protestat do të dëmtojë turizmin.
Edi Rama: Shqipërisë i është besuar që të drejtojë Forest Europe. I është besuar nga Gjermania dhe vende të rëndësishme europiane. Kjo, sepse ne kemi bërë shumë për ta mbrojtur natyrën. Marrim stafetën nga Suedia, me bekimin e të gjitha vendeve të BE-së. Liqeni i Shkodrës është përfshirë në biosferën e UNESCO-s. Në Shqipëri qeveris një forcë që e mbron natyrën. Takova banorët në Zvërnec dhe vlen shumë më shumë se manipulimi nga çorba e ditëve të fundit. Atje takova njerëz, që u masakruan nga flamengot, ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Takova ata që e kanë interesin drejtpërdrejtë mbi vendin aty, për të drejtën e tyre që të zhvillohen. Dhe njëherë Izraeli është futur kot fare në këtë mes, ndërkohë që investitorët kryesorë janë nga Katari. Disa e kanë me presidentin amerikan, të cilin gjysmën e urrejnë dhe gjysmën e duan. Disa vende nuk e duan projektin, sepse janë konkurrentë. Ka lloj-lloj njerëzish në protestë, ka djem dhe vajza që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre. Por kjo turma normale kthehet në mijëra njerëz, mund të dëmtojë turizmin. Mbase mund të humbasim shumë turistë këtë vit. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë për ekonominë tonë.