Mbahet në Vlorë ceremonia e Ngritjes së Flamurit! Rama, Begaj, Osmani dhe Peleshi të pranishëm

VLORË-Në Vlorë, aty ku përfaqësues të Vilajeteve shqiptare 113 vite më parë shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar, po mbahet zeremonia e ngritjes së Flamurit. I pranishëm është kryeministri Edi Rama, presidenti Bajram Begaj si dhe ajo e Kosovës, Vjosa Osmani. I pranishëm është edhe kryeparlamentari Niko Peleshi dhe Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Bruna Mersini.
Përkujtimi ka nisur në Memorialin e Pavarësisë në Vlorë, në sheshin e “Flamurit”. Më pas do të vijojë me homazhet në memorialin e Ismail Qemalit, simbolit të Pavarësisë.
Në qytetin pregdetar Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912. 28 nëntori u zgjodh sepse në vitin 1443 heroi kombëtar Gjergj Kastrioti me forcat e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin kuq e zi. Pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Arritja e kryengritjes shqiptare të 1912 u dha të kuptonte shteteve ballkanike se gjendja e Perandorisë Osmane ishte e dobët./ZËRI
113 vite shtet! Bota uron Shqipërinë-SHBA & BE:Gëzuar 28 Nëntorin! Kosova: Dy shtete, një komb, dy flamuj
TIRANË-Shqiptarët e të gjitha trevave festojnë sot 113 vjetorin e Pavarësisë! Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. Këtë moment historik e kanë nderuar me urime vende e figura politike nga e gjithë bota.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë uruar sot 28 Nëntorin, duke nënvizuar peshën e kësaj date për kombin shqiptar. Osmani theksoi se kjo ditë bashkon katër ngjarje që formësojnë identitetin shqiptar: Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, lindjen e Komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së.
Vjosa Osmani: Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare. Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër. Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!
Kryeministri Kurti solli një mesazh të gjatë dhe simbolik, duke e përshkruar 28 Nëntorin si datën që ka ndjekur fatin e kombit ndër shekuj.
Albin Kurti; Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.
Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!” Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka uruar sot të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë.
Në mesazhin e tij thuhet: “Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Delegacioni i BE-së ju uron festa të gëzuara!”
Një mesazh urimi për 113-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur edhe nga SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka vlerësuar bashkëpunimin me Shqipërinë.
Marc Rubio:Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.
Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.
Një mesazh urimi ka ardhur edhe nga Emiri i Lartë i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, i cili i ka dërguar një telegram urimi presidentit Bajram Begaj me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Një tjetër urim nga ndërkombëtarët ka ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit.
"Urimet tona më të ngrohta për Popullin dhe Qeverinë e Shqipërisë me rastin e Ditës Kombëtare. Gëzuar Ditën Kombëtare, Shqipëri!" postoi Ministria e Jashtme në X.
Ministria e Punëve të Jashtme në Turqi nëpërmjetë një postimi në X ka shprehur urimet për ditën e Pavarësisë.
"Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, aleatit dhe partnerit tonë strategjik, Shqipërisë,"-thuhet në urim.
Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë ka uruar Shqipërinë me rastin e 28 nëntorit, duke e cilësuar vendin tonë “mik dhe aleat”.
Në mesazhin e publikuar në kanalet zyrtare, MPJ polake shkruan: “Urime me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar Shqipërinë për 113-vjetorin e pavarësisë. Urimi i tij është përcjellë nga Presidenti Begaj, i cili në rrjete sociale ka falenderuar SHBA-të.
“Ndihem i nderuar t’u përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, dhe faleminderit.
@POTUS
Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë!“, shkruan Begaj në rrjete sociale.
Shqipëria feston Pavarësinë! Sot, 70 vite nga lindja e Adem Jasharit, komandanti që sfidoi Serbinë
TIRANË-Dita e Shpalljes së Pavarësisë, 28 nëntori shënon edhe ditën e lindjes së komandanti legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, si djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Kreu shkollën e mesme teknike në Skenderaj, ndërsa shumë shpejt u bë pjesë e strukturave të para të organizimit ushtarak shqiptar në Kosovë.
Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së. Së bashku me të vëllanë e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore-ushtarake jugosllave e sulmuan shtëpinë e tyre në mars të vitit 1998, ku ai ra heroikisht së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për të kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.
Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.
Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.
Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
113 vite më parë! Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi në Vlorë, shqiptarët festojnë sot Shpalljen e Pavarësisë

TIRANË-Sot 113 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
28 nëntori u zgjodh sepse në vitin 1443 heroi kombëtar Gjergj Kastrioti me forcat e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin kuq e zi. 106 vite më pas nga dita kur në Vlorë u ngrit Flamuri dhe Shqipëria u shpall e pavarur kanë kaluar kohë vërtetë të vrullshme.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti u mbaj më 28 nëntor 1912, me delegatët nga Gjakova, Plava, Gucia, nga Peja, Ohri dhe Struga, nga Tetova, Çamëria, nga Mitrovica dhe sipas disa të dhënave, në këtë Kuvend kishte delegatë dhe nga pakicat kombëtare, që jetonin në trojet shqiptare, proklamoi Pavarësinë e tokave Shqiptare, që deri në atë datë ishin nën pushtimin e Perandorisë Otomane dhe u ngrit flamuri Kombëtar Shqiptar.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Arritja e kryengritjes shqiptare të 1912 u dha të kuptonte shteteve ballkanike se gjendja e Perandorisë Osmane ishte e dobët.
Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.
Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli./ZËRI