Spiropali ngre zërin kundër Reformës Territoriale: Nuk është kjo reforma që duhet, s’jemi kartona
TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali ka shprehur në Kuvend kritika të forta ndaj reformës së re administrativo-territoriale, në një kohë kur mazhoranca pritet ta çojë draftin në votim.
Në fjalën e saj, Spiropali vuri në pikëpyetje mënyrën se si është konceptuar reforma, duke argumentuar se ndryshimi i hartës së bashkive nuk është i mjaftueshëm për të garantuar një pushtet vendor më funksional dhe më pranë qytetarëve.
Ajo kërkoi që debati të shtrihet përtej numrit të bashkive dhe të përfshijë decentralizimin kompetencat reale të pushtetit vendor autonominë e institucioneve dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit.
Spiropali kritikoi gjithashtu marrëdhënien mes pushtetit qendror, kryetarëve të bashkive dhe strukturave politike, duke theksuar se drejtuesit vendorë duhet të kenë më shumë autonomi dhe përgjegjësi.
Në një pjesë tjetër të fjalës deputetja socialiste ngriti shqetësime edhe për sistemin zgjedhor dhe mënyrën e përfaqësimit politik. Ajo kërkoi më shumë hapësirë për zgjedhjen direkte të përfaqësuesve dhe më shumë përgjegjësi nga deputetët.
Spiropali deklaroi se nevoja për reforma nuk duhet të shihet vetëm si një kërkesë që vjen nga opozita, por edhe si një domosdoshmëri brenda mazhorancës dhe vetë partive politike.
Reagimi i plote i Spiropalit:
“Me keqardhje shumë të madhe po e marr fjalën, kur shoh se jo vetëm në këtë Parlament vazhdohet të bëhet teatër, por edhe kemi jashtë njerëz që protestojnë. Po edhe më gjerë kemi një mungesë absolute kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu, te kontrata sociale, te shtyllat e shtetit. Së bashku kemi zhdukur çdo hapësirë normale komunikimi, besimi, mënyrë të ekzekutimit dhe të administrimit të pushtetit dhe politikës. Po e nis nga vetja, sepse besoj që secili prej nesh duhet ta nisë nga vetja.
Unë besoj se sot, Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki. A duhet të ketë një reformë territoriale pa një decentralizim të vërtetë? Unë mendoj se duhet të ndryshosh hartën, është e lehtë. Por a mund të ndryshojmë ne së bashku dhe të konceptojmë pushtetin? A ndihen sot qytetarët më pranë vendimmarrjeve?
Decentralizimi nuk është vetëm një çështje e pushtetit vendor. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kryetarët e bashkive, duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisjeje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa u folur për përqendrimin e pushtetit.
Këtu dua të kaloj te ushtrimi i pushtetit për të mirë dhe në favor të qytetarëve. Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Unë jam pjesë e kësaj shumice. Duhet t’u japim atyre kompetencën dhe peshën, sepse i përfaqësojnë të gjithë. Nuk mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen si vartës.
Më vjen shumë keq kur dëgjoj nga kolegë të mi që flasin pa vend sot për të folur me tone të tilla. Ne do i mundnim të gjithë, do i fitojmë të gjitha bashkitë… Jo mo, jo. Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë.
Nuk është puna te deputetët e bindur, por te ata të përgjegjshëm. Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura. Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi. Mënyra se si ju na drejtoheni është revoltuese. Revolta jonë duhet të jetë edhe e brendshme.
Ju bëni sikur jeni përfaqësues të qytetarëve. Ju thotë kryetari çfarë duhet të bëni dhe ju e bëni. Pavarësia e madhe ju.
Reforma nuk duhet të kërkohet vetëm nga kundërshtari, por edhe së brendshmi. Ne duhet ta meritojmë fitoren. Duhet të kemi guximin të reformojmë partitë tona. Bashkitë tona. Të zgjedhim njerëzit më të mirë që dalin nga proceset e brendshme të partisë.
Qëndrimi im nuk ka qenë personal. Në këtë pikë keni shumë për të bërë”, tha Spiropali./ZËRI
Nasufi uron Dimalin dhe Poliçanin, pavarësisht kundërshtive për hartën e re territoriale (VIDEO)
TIRANË- Deputeti socialist Fadil Nasufi ka konfirmuar mbështetjen e tij për reformën e re administrativo-territoriale, edhe pse gjatë fjalës së tij në Kuvend shprehu rezerva për mënyrën se si është hartuar harta e re.
Nasufi u ndal veçanërisht te bashkitë Dimal dhe Poliçan, të cilat sipas draftit të ri do t’i bashkohen Bashkisë Berat. Ai tha se i kupton kundërshtimet e banorëve dhe se vetë kishte pritur një tjetër organizim të njësive vendore.
“Realisht prisja një hartë territoriale që e sjell organizimin e pushtetit vendor në kufirin e bashkive metropolitane ose ish-rretheve. Jam i dakordësuar me banorët e Dimalit”, tha Nasufi.
Deputeti socialist ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përcaktuar kriteret për bashkimet e propozuara, duke kërkuar një trajtim të njëjtë edhe për bashki të tjera.
“Nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj.”, tha ai.
Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve dhe shqetësimeve që përcolli në Kuvend, Nasufi bëri të qartë se në votim do të mbështesë draftin e paraqitur nga mazhoranca.
“Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative”, tha Nasufi.
Në përfundim të fjalës, deputeti socialist iu drejtua me një mesazh edhe dy bashkive që pritet të bashkohen me Beratin, duke i uruar mirëseardhjen në strukturën e re territoriale./ZËRI
"Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve", Braçe kundër reformës, i fiket mikrofoni, PD: Lëreni të flasë (VIDEO)
TIRANË- Deputeti i PS Erion Braçe nuk ka ndryshuar qëndrim për reformën territoriale. Gjatë fjalës së tij në Parlament ai kundërshtoi propozimin për hartën e re territoriale duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm dhe duke ngritur kritika të forta për mënyrën se si është hartuar drafti, mungesën e transparencës dhe kompetencat që, sipas tij, u janë lënë bashkive.
Por fjala e Braçes u shoqërua edhe me tension në sallën e Kuvendit. Në përfundim të kohës së përcaktuar për diskutimin, mikrofoni iu ndërpre. Braçe nuk u largua nga foltorja dhe vijoi të fliste edhe pasi mikrofoni ishte fikur, duke kërkuar që të dëgjohej qëndrimi i tij.
Erion Braçe: Janë bërë eksperimente pas ekperimenti. Kam qenë këtu në këtë Parlament, kur kryetarët e bashkive u bënë edhe deputetë. Kur zonat elektorale kaluan kufijtë e bashkive. Qeverisja qendrore për shkak të definicioneve kushtetuese u vendos larg nga qytetari. Pushteti vendor është pushteti i qytetarit, sepse ai është më pranë tij. Reforma, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj, që vizaton një hartë të re territoriale. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrushme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar se harta është produkt i përfitimeve politike, më troç votës. Më e keqja është se këtu jemi edhe sot.
Edhe kjo hartë që me gjasë do të ndryshojë sot, do të marrë fuqi nga 2031. Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre? Bie dakord që populli ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë. Kjo kërkon përgjegjësi e përgjegjshmëri. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka patur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt.
Këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale. Prodhimi, transportimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë funksion i bashkive. Po seriozisht e thoni këtë? Po nuk kemi krijuar ne disa Sha që nuk janë nën kompetencë të bashkive? Ne po na mbysin lumenjtë në Lushnjë e Divjakë. Dua te ndalem edhe te thelbi. Aty flitet për decentralizim të kompetencave. Bujqësia, zhvillimi rural dhe pyjet, bashkitë kanë vetëm 6 kompetenca, pjesën më të madhe të të cilave i disponon edhe si buxhete qevera qëndrore. Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati", tha mes të tjerash Braçe./ZËRI
Protestë jashtë, debate brenda Kuvendit! 'Shkrihen' 15 bashki, 6 qytete të reja, HARTA e re 'ndez' vendin
TIRANË-Protestë, tensione, përplasje me Policinë, debate mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend...kjo është panorama e zhvillimeve të fundit në vend, ku shkak është bërë projektligji i Partisë Socialiste mbi Reformën Administrativo-Territoriale. Reforma e re pritet të miratohet në seancën e sotme plenare, për të cilën duhen 84 vota. Por si ndryshon harta e re e Shqipërisë.
Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, nuk do të jenë më bashki më vete, dhe nga 61 bashki në vend, numri ulet automatikisht në 46.
Sipas propozimit këto bashki do të 'shkrihen':
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
Veç bashkimit të bashkive, do të ketë dhe 6 qytete të reja.
Konkretisht, në qarkun e Shkodrës, në Bashkinë Malësi e Madhe, Kastrati do të marrë statusin e qytetit, ndërsa në Bashkinë Vau i Dejës, statusin e qytetit do ta marrë edhe Bushati. Po ashtu ndryshime ka edhe në qarkun e Dibrës, ku në Bashkinë Mat, e cila me hartën e re përfshin edhe Klosin, propozohet që statusin e qytetit ta marrë edhe Ulza. Në Bashkinë Bulqizë, Krasta do të marrë gjithashtu statusin e qytetit dhe do t'i shtohet Bulqizës. Ndërkohë edhe Golemi do të marrë statusin e qytetit, ndërsa në qarkun Lezhë shtohet qyteti Milot.
Zonat që marrin statusin e qytetit:
• Kastrati → qytet në Bashkinë Malësi e Madhe
• Bushati → qytet në Bashkinë Vau i Dejës
• Ulza → qytet në Bashkinë Mat
• Krasta → qytet në Bashkinë Bulqizë
• Miloti → qytet në Bashkinë Kurbin
• Golemi → qytet në Bashkinë Kavajë
Në orët në vijim pritet votim i hartës e re territoriale me 46 bashki.
'Pse jo 100 bashki?' Habit Manja: Edhe 46 janë shumë! Bardhi: Pse disa duhet të shkrihen (VIDEO)
TIRANË- Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, deklaroi se nisma për Reformën Territoriale do të çohet deri në fund. Nga foltorja e Kuvendit, Manja theksoi se projektligji i depozituar më datën 30 korrik është bërë në përputhje me nenin 68 dhe 69, pika 3 e Rregullores së Kuvendit.
Manja u ndal kryesisht te neni 108 pika 2 e Kushtetutës, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të 15 prillit 2015, lidhur me ‘Territorialen’ e vitit 2014. Sa i përket numrit të bashkive të propozuara, sipas Manjës edhe numri i 46 bashkive që parashikon reforma territoriale e socialistëve, është i lartë.
“Lind pyetja këtu pse 46 bashki e jo 100? Lojë kungulleshash! 46 bashki janë shumë, mendimi im personal! Ne do duhet të kemi një numër më të vogël bashkish duke ruajtur standardin e bashkive minoritare që na bëjnë krenar si shtet”, përfundoi deputeti.
Por, kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi insitoi në pyetjen se cilat janë kriteret dhe parametrat e ndjekur që disa bashki ruhen e të tjera shkrihen. Sipas Bardhit, opozita paraqiti 53 pyetje për reformën territoriale të socialistëve nuk morën asnjë përgjigje.
“Deputetët e opozitës u paraqitën nismëtarëve 53 pyetje, nga të cilat morëm 0 përgjigje. Kjo tregon shumë për cilësinë e projektit që është sjellë sot në seancë plenare. Mazniku duhet të na i shpjegojë këtu me parametra e tabelë se i ka shumë qejf, si janë parametrat e Divjakës dhe Vaut të Dejës. A ndjek kjo reformë parim e standarde? Të vijë e të na i shpjegojë", tha Bardhi./ZËRI
"Jemi më të fortë se kurrë", Klosi sfidon opozitën: S'do merrni asnjë bashki, Berisha: T'i blen votat bixhozi
TIRANË- Seanca e sotme plenare është ndezur teksa pritet votimi i Reformës Territoriale. Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me akzuat ndaj mazhorancës, ndërsa në përgjigje ndaj tij, këtë herë ka replikuar deputeti Blendi Klosi.
Klosi deklaroi se Partia Socialiste është më e fortë se kurrë dhe sfidoi drejtpërdrejt opozitën për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai tha se, nëse PS nuk do të bëjë gabime, do të fitojë të gjitha bashkitë që do të krijohen pas miratimit të reformës. Ndërkohë që Berisha ka reaguar ashpër, duke drejtuar edhe akuza ndaj deputetit socialist.
Pjesë nga debati:
Klosi: Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë se nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm do t’i fitojmë. Jemi këtu për tu përballur me argumenta, sepse mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta dhe u shërbehet më mirë qytetarëve. Le të hyjmë në diskutim të rregullt parlamentar. Mos bëni rrëmujë. Ose diskutoni, ose shkoni protestoni. Nuk keni asnjë shpresë, reforma do të votohet.
Berisha: Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton asnjë përgjigje. Është skllav i vesit të tij. Ndaj ftoj shqiptarët të shumëzojnë me zero diskutimin që bëri./ZËRI
Kaos jashtë Kuvendit, protestuesit sulmojnë me vezë e flakadanë Policinë, efektivët përgjigjen me spray me piper
TIRANË-Situata është përshkallëzuar jashtë Kuvendit, me protestuesit të ndodhur jashtë godinës të cilët kanë hedhur vezë, shishe uji e flakanda drejt kordonit të Policisë.
Efektivët kanë përdorur spray për të shpërndarë turmën, ku si pasojë qytetarët kanë pësuar lëndime në sy. Megjithatë qytetarët kanë vazhduar tubimin, duke u vënë flakën disa koshave të mbeturinave pranë qendrës tregtare krah parlamentit, por janë fikur nga efektivët.
View this post on Instagram
Krahas qytetarëve një protestë po zhvillohet edhe nga Partia Demokratike, ku grupi i opozitës është vendosur pranë Xhamisë së Namzgjasë./ZËRI
Rrëzohet kërkesa për heqjen e 'Territoriales' nga rendi i ditës! Berisha: Të shkojmë në referendum, Balla: Votohet sot
TIRANË- Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e PD-së për heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për reformën territoriale. Kryedemokrati Sali Berisha i kërkoi Partisë Socialiste të tërhiqet nga miratimi i reformës territoriale. Berisha kërkoi që reforma territoriale të mos miratohet pa u pyetur qytetarët, duke propozuar referendum.
“Në rast se ka mbetur një nanogram në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, hidheni poshtë këtë projekt armiqësor ndaj qytetarëve. Hidheni poshtë këtë projekt për të cilin nuk ka qytetar që e voton. Hidheni poshtë dhe lejoni të shkohet në referendum. Të pyesim qytetarët për këtë projekt madhor që ka të bëjë me të ardhmen e qytetarëve. Të dalim në referendum me dy variante dhe të lejojmë qytetarët të zgjedhin. Ju largoni qytetarët nga Shqipëria dhe si shushunja fryheni çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj Berishës duke deklaruar se reforma territoriale do të votohet sot.
“Sa i përket ligjit për Territorialen ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve shqiptarë në 11 maj 2025, sepse kjo ka qenë pika e parë e programit tonë 2030. Ftesa ime për ju sot nuk është të mos diskutojmë. Do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës", tha Balla./ZËRI
"Hetimet për SHISH, sukses"/ Përplasja në Kuvend, Balla 'korrigjon' Berishën: Andi Lila futbollist, jo kompozitor
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është përplasur me kryedemokratin Sali Berisha për skandalin e SHISH. Në replikë me Berishën, Balla i quajti hetimet ndaj kreut të SHISH si një sukses të drejtësisë, duke i kujtuar se ka marrë fund koha kur gjyqet bëheshin në Kuvend dhe asnjë nuk hetohej dhe dënohej nga drejtësia.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Berishës lidhur me videot intime të kompozitorit Andi Hila, për të cilat kryedemokrati tha se nuk janë asgjë krahasuar me ato që PS-ja ka me Ergys Agasin, Balla i tha se kompozitori ka tjetër emër. Balla e korrigjoi Berishën pasi ky i fundit ngatërroi emrin e personazhit kryesor të përfshirë në videot e përmendura gjatë debatit në Kuvend.
"Njëherë, dua të them se Andi Lila është futbollist dhe jo kompozitor, se ia ngatërroi emrin zotëria këtu. Lila është një person i nderuar. Si më i vjetri në këtë sallë, duhet të mos e përdorje atë mënxyrë, ku vajza e gra ndihen të fyera dhe besoj se gratë në parlament duhet të solidarizohen me gratë e përfshira. Kushdo që është mbrapa atyre videove, duhet të kërkohet dhe të shkojë përpara drejtësisë.
Ne e konsiderojmë SPAK-un si suksesin e drejtësisë së re, kurse zotëria e quan seksionin e PS-së. Zotëria thotë se kur më heton mua, SPAK është kështu e ashtu. Ka dhe hipokrizi, se vjen këtu dhe thotë “bazuar në informacionet e dosjeve”. Unë kam thënë se do jenë para drejtësisë ish-kryeministra, ish-ministra, ish-funksionarë publikë etj.
Qëndrimi ynë është që drejtësia e re ka punën e vet dhe politika të vetën. Kush që ka çështje, të shkojë tek SPAK. Ne besojmë tek organet e pavarura të drejtësisë. Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet, që një zyrtar është i pafajshëm, derisa të provohet fajësia. Qëndrimi ynë është që secili të marrë avokatin, bëni dhe ju si ne, mos e bëni partinë avokate.", tha Balla. /ZËRI
Protestuesit bllokojnë rrugën dhe përplasen me drejtuesit e automjeteve, shoferja zbret nga makina dhe...(VIDEO)
TIRANË- Situata mbetet e tensionuar jashtë Kuvendit, ku protestuesit kanë bllokuar disa prej rrugëve në kryeqytet në kuadër të protestës. Përveç përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, incidente janë regjistruar edhe mes qytetarëve dhe protestuesve, pasi këta të fundit janë grumbulluar pranë Xhamisë së Namazgjasë.
View this post on Instagram
Protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin te “Rruga e Elbasanit”, në drejtim të Xhamisë së Namazgjasë, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Në një moment, një drejtuese mjeti ka zbritur nga automjeti i saj dhe është përplasur me protestuesit, pasi ka kërkuar që të kalojë.
Megjithatë, protestuesit e kanë penguar dhe e kanë larguar nga zona./ZËRI
"Videot e Adi Hilës janë lule", Berisha-socialistëve: Mos qeshni...ato tuajat me Agasin janë turp i njerëzimit
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ishte i pari që mori fjalën në Kuvend, teksa akuzoi mazhorancën se ka refuzuar mocionin me debat për skandalin në SHISH.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Berisha iu drejtua deputetëve socialistë duke përmendur skandalin e videove intime të kompozitorit Adrian Hila. Sipas Berishës, videot e kompozitorit nuk janë asgjë krahasuar me videot që socialistët kanë me biznesmenin e arrestuar, Ergys Agasi.
“Ato videot e Adi Hilës janë lule çfarë janë videot e Ergys Agasit me ju. Videot e Ergys Agasit me ju janë turp i turpeve të njerëzimit dhe do dalin. Po po, mos qeshni se jeni aty. Arkiva juaj e krimit nuk ka fund ndaj edhe ju kërkoni të mbyllni çdo gjë dhe pranoni të shkelmoni kushtetutën”, tha Berisha./ZËRI
Tensionohet situata në protestën para Kuvendit, kryebashkiaku i Memaliajt përplaset me policinë (VIDEO)
TIRANË- Qytetarët dhe Partia Demokratike po mbajnë protesta jashtë parlamentit në kundërshtim për reformën territoriale, teksa nuk mungojnë incidentet dhe përplasjet. Në protestë marrin pjesë edhe banorë të bashkive që parashikohen të shkrihen sipas draftit të PS.
Banorët e Memaliajt ka zbritur sërish në protestë këtë të enjte, teksa mes tyre ndodhet edhe kryebashkiaku Albert Malaj. Ky i fundit është përplasur është përfshirë në përplasje me efektivët e policisë.
View this post on Instagram
Protestuesit janë grumbullur pak para nisjes së Kuvendit, ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar pasi paralelisht pritet të votohet në rend dite projektligji i Territoriale nga 61 në 46 bashki. /ZËRI
Në pikëpyetje për 84 votat? Detaje nga mbledhja e Grupit të PS: Rama: Kush nuk voton "Territoriale" le të ikë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama mblodhi Grupin Parlamentar të PS paraditen e sotme. Mbledhja u zhvillua vetëm pak minuta para nisjes së seancës plenare ku pritet të votohet projektligji për Territorialen.
Mbledhja që zgjati për gati 30 minuta ka përfunduar tashmë, teksa burime për TopChannel, kanë zbuluar se çfarë ka diskutuar kryetari i PS.
“Kush nuk voton reformën territoriale sot le të iki”, citohet të jetë shprehur Edi Rama./ZËRI
Vullnet Sinaj ndryshon qëndrim, bashkohet me grupin për “Territorialen”
TIRANË- Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me reformën e re territoriale. Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së Grupit të PS-së, pak para nisjes së seancës plenare, Sinaj ka votuar pro hartës së re territoriale.
Në mbledhjen e zhvilluar pas ditë më parë, Sinaj kishte votuar kundër draftit. Së bashku me deputetin Erio Braçe, Sinaj shprehu rezerva për propozimin që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 bashkive.
Ndërkohë që pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në senacë Erion Braçe, i cili më herët ishte shprehur kundër./ZËRI
"Territorialja" në Kuvend, Berisha: Do bëjmë gjithçka për të ndaluar miratimin, protesta pa simbole partiake
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka treguar prapaskenat e protestës së paralajmëruar para Kuvendit, teksa brenda në seancë pritet të votohet projektligji i PS për 'Territorialen'. Në një prononcim për mediat në hyrje të Kuvendit, Berisha deklaroi se protesta e sotme do të jetë pa simbole partiake, duke theksuar se është protesta e qytetarëve.
Lideri i opozitës deklaroi po ashtu se nuk do të ketë 'rrjedhje votash' për projkeligjin e socialistëve, teksa theksoi se se do të bëjnë çdo përpjekje që mos të miratohet.
"Opozita do të mbrojë deri në fund interesat e qytetarëve. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë. Do t'u sqarojmë shqiptarëve se si shkelen interesat e tyre për karrigen e Ramës, se si Rama, para fundit të pushtetit, është i aftë të ndërmarrë çdo akt.
Asnjë votë, asnjë votë! Asnjë deputet i PD-së dhe i opozitës nuk e voton.
Ai i ka mbledhur aty dhe po u ushtron terror. I ka kapur me libër dhe regjistër shtëpie: ti ke marrë atë tender, ti këtë favor. Po i nënshtron, sepse po bëhet një proces kafkian.
Protesta është e qytetarëve. Ne i kemi thirrur demokratët, por aty ka demokratë, socialistë. Është protestë rinore, qytetare. Janë protestues të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadrin e protestës qytetare, pa simbole partiake. Do të jetë protestë e njerëzve që shohin se po shkelen në mënyrë kriminale interesat e tyre.", tha Berisha./ZËRI
Dilema e "kartonave jeshilë" për "Territorialen", Grupi i PS mblidhet para nisjes së seancës

TIRANË- Pak para nisjes së seancës plenare, grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur në selinë e Kuvendit, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.
Teksa sot në Kuvend pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin, mbetet për t'u parë qëndrimi i dy deputetëve socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Këta të fundit, në mbledhjen e kaluar të grupit shprehën votën kundër draftit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse dy deputetët do ta mbajnë të njëjtin qëndrim edhe gjatë votimit në seancën plenare. Për miratimin e Reformës Territoriale nevojiten 84 vota, ndaj vota kundër e dy deputetëve socialistë mund ta vështirësojë sigurimin e shumicës së kërkuar për kalimin e draftit./ZËRI
Para nisjes së protestës, "blindohet" Kuvendi, "Shqiponjat" vendosen gardh
TIRANË- Pak para nisjes së seancës plenare, forca të shumta policie dhe automjete të uniformave blu kanë rrethuar dhe bllokuar hyrjen e Parlamentit.
Masat e shtuara të sigurisë janë marrë në kuadër të protestës së paralajmëruar, ndërsa efektivët janë pozicionuar në disa pika përreth zonës. Forcat e policisë janë vendosur nga Xhamia e Namazgjasë, përgjatë “Rrugës së Elbasanit”, deri në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Pranë Parlamentit është vendosur edhe një autobot uji, i cili mbahet në gatishmëri në rast nevoje për ndërhyrje gjatë protestës.
Seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa një prej çështjeve kryesore në rendin e ditës është projektligji për riorganizimin territorial të vendit. Projektligji i PS parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, me 15 bashki që pritet të bashkohen me njësi vendore më të mëdha./ZËRI
E enjtja "e zjarrtë": Sot seancë dhe protestë! Reforma Territoriale pritet të "ndezë" Kuvendin
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00, ku në fokus do të jetë harta e re territoriale, pjesë e projektligjit të PS-së që parashikon 46 bashki.
Projektligji është kundërshtuar tashmë jo vetëm nga opozita, pasi dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë dalë kundër ndarjes së re dhe shkrirjes së 15 bashkive. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të votave, në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, të cilët nuk dihen nëse do të jenë të pranishëm në sallë.
Ndërkohë, paralelisht jashtë Kuvendit do të zhvillohen edhe dy protesta. Njëra është thirrur nga opozita, ndërsa tjetra nga “Flamingot”.
Në rendin e ditës parashikohen edhe katër interpelanca. E para është një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Dy interpelanca të tjera janë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ndërsa interpelanca e katërt është me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Gjithashtu, edhe e 8 projektligje të tjera parashikohen në rend dite veç ‘Territoriales’ si dhe 2 projektvendime, një prej tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për ‘KAYO.’
Axhenda e plotë:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë"
8. Projektligji "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025".
9. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar".
10. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë"
11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, "Për sistemin e pagesave".
12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar".
13. Projektligji "Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale". 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare".
15. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, "Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë"
16. Projektvendim "Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, "Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake".
17. Projektvendim "Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'"". 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.