Tensionet para Kuvendit! 4 prej protestuesve mbeten në qeli, avokati thirrje Ramës: Qytetarët duhet të lirohen
TIRANË-20 protestues u shoqëruan nga uniformat blu pas tensioneve të zhvilluar para Kuvendit. Ndërsa katër nga protestuesit do të qëndrojnë në paraburgim deri në daljen para Gjykatës së Tiranës. Njoftimi u bë i ditur nga avokati i protestuesve, Alban Duraj i cili deklaroi për mediat se ata akuzohen për tre vepra penale: shkatërrim prone, pengim i qarkullimit dhe prishje e qetësisë publike.
Avokati i protestuesve i ka bërë thirrje edhe Kryeminstrit Rama, duke deklaruar për mediat se qytetarët nuk kanë bër asgjë shkelje, dhe duhet të lirohen e të kthehen te familjarët. Avokati u shpreh se arrestimet e tyre janë të paligjshme dhe se SPAK duhet të nisë hetimet në zinxhirin e policisë.
“I bëjmë thirrje që të lirohen në mënyrë të menjëhershme. Jemi duke përgatitur kallëzimin penal, të mbajnë përgjegjësi të gjithë. I bëjmë thirrje policisë, komisariatit, ministrit të Brendshëm që ka për detyrë të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin. Jemi mësuar në këto 13 vite si Rama është sjellë me ministrat e vet, të kenë një ndërgjegje së paku qytetare dhe pastaj ligjore. Ju lutem të respektoni ligjin, kallëzimi është gati, prokuroria do fillojë hetimin. Janë shkelur të gjitha kriteret kur arrestohet dikush në flagrancë. Çfarë kanë bërë protestuesit? Asgjë, përveç respektimit të së drejtës së tyre për të protestuar dhe asnjë shkelje,"-u shpreh avokati.
Si pasojë e përplasjeve të dhunshme në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës morën trajtim mjekësor 14 efektivë policie dhe 2 protestues. 4 prej efektivë po vazhdojnë të trajtohen./ZËRI
Kaosi para Kuvendit! Rreth 20 qytetarë të arrestuar, 9 efektivë të lënduar në spital
TIRANË-Seanca e sotme plenare në Kuvend u zhvillua mes tensioneve dhe përplasjeve të forta jashtë ambienteve të godinës, mes protestuesve dhe policisë.
Qytetarët e mbledhur para Parlamentit nuk kursyen deputetët e makinat e tyre duke i qëlluar me vezë, si dhe as efektivët.
Përplasjet e dhunshme, përdorimi i sprejit lotësjellës dhe hedhja e ujit me presion nga autobotët kanë lënë pas pasoja nga të dyja palët.
Raportohet se deri më tani Policia e Shtetit ka shoqëruar në komisariate 20 protestues, ndërkohë 9 efektivë të lënduar ndodhen në spital. Gjatë pamjeve të ndara nga ZËRI u panë edhe qytetaré të lënduar, ndërsa një bilanc i qartë pritet në vijim.
Protestuesit dëbojnë Kaprin, Balliun e Muçin nga protesta, akuza edhe Dritan Goxhajt: Mos bëj negociata
TIRANË- Deputetët i 'Partisë Mundësia' Erald Kapri, demokrati Klevis Balliu dhe Redi Muçi i 'Lëvizjes Bashkë', nuk janë mirëpritur nga protetuesit.
Mes një situate të tensionuar gjatë protestës që zhvillohet përreth Parlamentit, protestuesit kanë kërkuar largimin e tyre. madje duke drejtuar akzua ndaj tyre: "Opozitë e shtirur", "Dorëzoni mandatet".
Në një moment, Dritan Goxhaj iu afrua Balliut, ndrësa kjo ndezi edhe më tej pakënaqësitë. Protestuesit e akuzuan Goxhajn se është krah PD-së.
“Dritan, largohu! Mos bëj negociata!”, i thirrën ata.
Më herët, një situatë e ngjashme u regjistrua edhe me Adriatik Lapajn, i cili u largua nga protestuesit dhe nuk u lejua të merrte pjesë në protestë. /ZËRI
Përshkallëzohet protesta, protestuesit 'bëjnë shoshë' makinën e policisë pranë Kuvendit
TIRANË-Situata pranë Kuvendit vijon të përshkallëzohet. Pas përplasjeve me forcat e policisë, ku protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta, ndërsa efektivët u kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës, protestuesit ka dëmtuar edhe një automjet të Policisë së Shtetit.
Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga ZËRI, ata kanë thyer xhamat e mjetit policor. Nga ana tjetëe, Policia ka ndërhyrë duke bërë edhe arrestimin e disa prej tyre./ZËRI
Protesta/ Balla: Dritan Goxhaj paguhet nga Irani, kemi prova! Prokuroria të hetojë
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se Dritan Goxhaj është një person i paguar nga Irani, duke pretenduar se ekzistojnë prova që mbështesin këtë akuzë.
Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Balla tha se sipas tij, Goxhaj sulmon Shtetet e Bashkuara të Amerikës në funksion të interesave të Teheranit. Lidhur me këtë çështje, Balla ka theksuar se duhet të administrohet urgjentisht nga autoritetet kompetente.
“Këtu ka persona të paguar në shërbim, p.sh. Dritan Goxhaj është person që paguhet nga Irani. Kemi prova dhe sigurisht fakti publik më i pakundërshtueshëm se ky person sulmon SHBA-në për hesap të Iranit është një provë që duhet administruar urgjentisht. Të dalësh dhe të thuash në mes të studios televizive që këtu duhen vrarë udhëheqësit politikë me plumb ballit, më vjen keq që Prokuroria në këtë vend, me iniciativën e vet, nuk vepron me këta persona dhe në asnjë vend tjetër nuk do të kishte ndodhur që këta persona të livadhisnin, por ky është debat tjetër”, u shpreh Balla.
Balla për protestën: Nuk na ndalin një grup mbeturinash sociale dhe politike! (VIDEO)
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialite, Taulant Balla, ka reaguar për mediat pas tensioneve të krijuara para dhe gjatë zhvillimit të seancës, ndërsa në përfundim kanë penguar daljen e deputetëve.
Pas daljes nga seanca, brenda ambienteve të Kuvendit, Balla u ndal në një prononcim për mediat duke theksuar se dhuna ndaj efektivëve të policisë është e patolerueshme.
“Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet”, u shpreh Balla, duke shtuar se bëhet fjalë për një skenar në dëm të Shqipërisë.
“Unë jam mësuar në këto 13 vite të qeverisjes sonë. Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale e politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet. Sot, edhe shqiptari më skeptik sa i përket pjesës që këtu është një skenar tërësisht jo shqiptar, në dëm të Shqipërisë, ky skenar nuk është surprizë. Për ne s’është surprizë, e kemi pritur, kemi kohë që e presim. Kush ka dyshime që brenda atij grupi atje, dhunon punonjësit e policisë. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Mbështes policinë e shtetit. Kushdo që ngre dorë, do të përballet me forcën e Policisë së Shtetit. Pse 28 ditë s’pati asnjë akt dhune dhe pjesëmarrja ishte më e madhe? PS, qeverisja e saj, pas pak ditësh do të vijë momenti kur do të ulet me protestuesit e vërtetë, ata që u ngritën për natyrën, për arrogancën e çdo punonjësi të administratës që ka zënë karrigen. Protestuesit e vërtetë sot ndahen qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë”, u shpreh Balla./ZËRI
Peleshi tenton të dalë nga Parlamenti, protestuesit i bëjnë 'pritë' me vezë e shishe uji, kthehet pas makina
TIRANË- Makina e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, nuk ka arritur të dalë nga ambientet e Parlamentit. Pasi makina e Peleshi tentoi të dalë, një grup protestuesish e kanë pritur jashtë dhe e kanë qëlluar me vezë dhe uji. Në kushte të tilla, makina e kryeparlamentarit është detyruar të kthehet pas.
/ZËRI
Reagon Rama pas përplasjeve para Kuvendit: Protesta e bukur i la vendin sherrit e dhunës
TIRANË-Kryeministri i vendit Edi Rama, ka reaguar menjëhërë përmes një postimi në "X" në lidhje me protestën që po zhvillohet para Kuvendit, ndërsa në Kuvend vijon ende seanca plenare.
Rama thotë ne shkrimin e tij se tashmë ‘protesta e bukur, ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës.
“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shkruan Rama.
Zhvendosen tensionet nga Parlamenti, përplasje te forta pranë Ministrisë së Brendshme
TIRANË- Pasi protestuan prej disa orëësh jashtë ambienteve të Parlamentit, protestuesit të ndarë në grupe, kanë marshuar nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Një grup protestuesish janë zhvendosur pranë Ministrisë së Brenshme dhe Bashkisë së Tiranës, nga ku është bllokuar rruga pasi kaos të krjuar nga turmat e njerëzve. Për shkak të situatës së tensionuar që paraqitet në atë zonë, në ndihmë të Policisë ka ardhur edhe FNSH.
Incidentet të tjera janë regjistruar edhe te 'Pedonalja', pasi protestusit kanë tentuar që të heqin gardhin metalik që është vendosur që prej mëngjesit të sotëm.
Ndërkohë, një pjesë e qytetarëve vijojnë të qëndrojnë tek hyrja e Parlamentit në krahun e Pedonales dhe tek hyrja kryesore, pasi janë sinjalizuar për daljen e deputetëve nga Kuvendi./ZËRI
"Dënoj gjenocidin e shtetit grek ndaj popullit çam"/ Redi Muçi përplaset sërish me Ardit Bidon: O i pacip...
TIRANË- Tensione janë regjistruar edhe brenda Kuvendit, ku po zhvillohet seanca plenare. Një pëplasje e ashpër u zhvillua mes deputetit socialist Ardit Bido dhe deputetit të "Lëvizja Bashkë" Redi Muçi. Debati mes tyre ka nisur gjaë diskutimeve për Zvrërnecin dhe Çamërinë, duke u përshkallëzuar në akuza dhe replika të forta mes tyre.
Bido e ka akzuar Muçin për viktimizim dhe gjuhë përçarëse, ndërsa deputeti i “Lëvizjes Bashkë” i është përgjigjur duke e kritikuar për retorikë nacionaliste dhe e ka krahasuar qëndrimin e tij me “komedinë e viteve ’90”.
Gjatë debatit, Bido ka theksuar se çështja e pronës në Zvërnec është një e drejtë legjitime e banorëve dhe ka deklaruar se SPAK ka nisur hetimet për rastin. Nga ana tjetër, Muçi ka deklaruar se ka denoncuar vazhdimisht çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë dhe ka akuzuar Bido për gjuhë përçarëse dhe retorikë nacionaliste brenda Kuvendit.
Pjesë nga debati mes dy deputetëve:
Bido: Zvërneci, për atë të cilin gjoja u çuan këta sharlatanë dhe me të drejtë mijëra shqiptarë, që më pas ikën nga sheshi dhe mbetën sharlatanët. E drejta e pronës për banorët e Zvërnecit është e drejtë legjitime. Si deputeti i vetëm që ka folur me emra, kur këta populistë antishqiptarë qepnin gojën. E them sërish që banorët e Zvërnecit kanë të drejtën e pronës. Sot jemi në një ditë të mirë. SPAK ka nisur hetimet. Shuma e shitblerjes së pronës është bllokuar. Të heshtet politikisht për Zvërnecin për këta që bëjnë patriotin e madh, por s’flasin për të drejtat e pronësisë është sharlatanizëm. Sot shohim në protestë se si 60 huliganë, jo qytetarë, të frymëzuar nga sharlatanët, mirëpresin me vezë në xhep Vangjel Dulen e Redi Muçin. Banorët e Zvërnecit kanë të drejtë dhe këtë e mbështet SPAK me vullnetin e PS. Këta sharlatanë që duan të nxisin gjuhën e urrejtjes s’kanë vend në politikën shqiptare. Diskriminimi është gjuha e urrejtjes, koshi i plehrave që frymëzon këta dhe u thonë anëtarëve të bëjnë protesta me koshat e plehrave, kur në fakt në koshin e plehrave të historisë do kenë vetëm emrin e tyre.
Muçi: Shoku Bido, s’më ndjek në rrjetet sociale, po rithem që Lëvizja Bashkë, ku bëj pjesë, është e vetmja parti që përmend në mënyrë specifike popullin çam dhe të drejtën për t’u njohur nga shteti grek. Pusho Bido, pusho! Jam i vetmi deputet që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit në Gazë. Nuk kam kompleks që të them se nuk janë grekë që ia kanë përkushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve. Debatet e nacionalizmit mbase pinë ujë te ata që të ndjekin ty.
Bido: Redi Muçi lër mandatin e deputetit. S’je askush për të bërë përçarje ndaj popullit shqiptar. Shqiptarët e Çamërisë janë shqiptarë. Përçarje ndaj popullit tonë nuk bëhet jashtë Kuvendit. Je i pacipë. Krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Përçarjen e popullit shqiptar s’e bën dot. PS është një forcë që do ju mbysë politikisht.
Muçi: Më vjen keq që më duhet të marr kohën duke u marrë me replika të këtij lloji nacionalizmi nga një njeri i pështirë. Unë kur fola për popullin çam iu referova popullit shqiptar të Çamërisë.
Fry fyellit se je në vrimën e gabuar, ndrysho pak vrimën e fyellit, sa më shumë i fryn aq më shumë leqendisesh.
Disa protestues lënë Kuvendin, marshojnë drejt Komisariatit nr.1
TIRANË-Një pjesë e protestuesve që ishin mbledhur jashtë Kuvendit janë nisur drejt Komisariatit nr. 1 në Tiranë, pas shoqërimit nga policia të disa prej tyre gjatë mëngjesit. Ata marshuan duke mbajtur në duar, ndërsa pjesa tjetër vijon të qëndrojë përpara ambienteve të Parlamentit duke protestuar.
Thirrja e protestuesve të cilët jan duke marshuar drejt Komisariatit nr.1 në Tiranë është “bashkohuni me ne…”/ZËRI
Protestuesit jashtë Kuvendit, Spiropali: Qeveria të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve!
TIRANË- Pak para nisjes së seancës pleanre ndërsa jashtë nisën tensionet me mbledhjen e protestuesve, e vetmja që është ndalur të flasë për mediat ëshë deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali.
Spiropali u shpreh se fokusi i mazhorancës nuk duhet të jetë te protestuesit, por te reflektimi dhe adresimi i problemeve brenda vetes. Socialistja theksoi se Kuvendi duhet të përdoret për të folur për vendin, për shqetësimet e qytetarëve dhe për të ofruar zgjidhje.
Sipas Spiropalit, çdo forcë politike duhet të bëjë reflektim mbi veprimet e saj, në vend që ta përqendrojë vëmendjen te kundërshtarët politikë.
“Duhet të reflektojmë, të dëgjojmë dhe të ofrojmë edhe zgjidhje. Nuk duhet të merremi me protestuesit, por duhet të merremi me veten. Diskutimet vijnë nga të gjithë, nuk jepen këtu aty për aty. E rëndësishme është që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për vendin, për njerëzit, për shqetësimet, për të ofruar zgjidhje, për të parë më shumë nga vetja. Dhe secila forcë politike, secili kah në atë Kuvend duhet të bëjë analizën e vetes, përpara se të bëjë analizën e kundërshtarit”, tha mes të tjerash Spiropali./ZËRI
Adriatik Lapaj shkon te protestuesit jashtë Kuvendit, ata e largojnë (VIDEO)
TIRANË- Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, është paraqitur mesditën e sotme në zonën përpara Kuvendit, ku po zhvillohet protesta e qytetarëve.
Por, sapo është vënë re prania e tij, situata është tensionuar. Një pjesë e protestuesve nuk e kanë pranuar pjesëmarrjen e tij në tubim dhe i kanë kërkuar të largohet nga zona e protestës.
Pas momenteve të tensionit, Lapaj është larguar nga sheshi përpara Kuvendit.
Peleshi hap seancën plenare, jashtë Kuvendit vijon protesta e opozitës
TIRANË-Seanca plenare e kësaj të enjteje nisi normalisht, ndërsa jashtë Kuvendit vijojnë protestat e opozitës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, hapi punimet duke lexuar rendin e ditës, ndërsa në sallë janë të pranishëm deputetët e PS-së dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Grupi parlamentar i PD-së ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme.
Jashtë protestë, PD bojkoton Kuvendi : S'vijmë për sa kohë nuk diskutohen kërkesat e protestuesve
TIRANË- Partia Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, duke argumentuar se mazhoranca po pengon shqyrtimin e nismave të saj ligjore dhe po shmang debatet parlamentare mbi kërkesat e qytetarëve.
Përmes një deklarate publike, PD bën me dije se nuk do të marrë pjesë për sa kohë nuk Kuvendi nuk reflekton kërkesat e ngritura në mënyrë të përsëritur nga opozita dhe protestuesit.
Sipas deklaratës së Grupit Parlamentar të PD-së, mazhoranca ka penguar shqyrtimin e katër nismave ligjore të propozuara prej tyre, të cilat lidhen me shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, paketën e maleve dhe disa dispozita të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Deklarata e PD
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratke dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.
Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.
Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:
1. Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
2. Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
3. Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
4. Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.
Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.
Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.
Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t’i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.
Tensionet para Kuvendit, protestuesit goadasin me gurë, dy policë të lënduar (VIDEO)
TIRANË- Situata para godinës së Kuvendit ka përshkallëzuar, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se dy efektivë policie janë plagosur gjatë përplasjes, ndërsa njëri prej tyre është goditur në kokë nga një gur i hedhur në drejtim të kordonit të rendit dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.
Në pamjet e siguruara nga ZËRI duket momenti kur njëri prej efektivëve është lënduar, ndërsa i kanë ardhur në ndihmë kolegët dhe një ambulancë.
Fillimisht protestuesit kanë dëmtuar dhe hequr një pjesë të gardhit metalik të vendosur përreth Parlamentit, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar në konfrontime me forcat e policisë.
Përplasje te Parlamenti, protestuesit 'çajnë' gardhin metalik, policia hedh spraj lotsjellës (VIDEO)
TIRANË- Kanë shpërthyer tensionet para godinës së Kuvendit, ku protestuesit kanë arritur të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur përreth institucionit. Bëhet fjalë për pjesën ballore të perimetrit të sigurisë, ku ndodhet pjesa më e madhe e protestuseve.
Ndërkohë, është vendosur kordoni i policisë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me ujë ndaj protestuesve, me qëllim shpërndarjen e turmës dhe rikthimin e kontrollit në zonë.
Situata vijon të mbetet e tensionuar në perimetrin përreth Kuvendit./ZËRI
Tensione para Parlamentit, qëllohet sërish në drejtim të deputetëve, shoqërohen në polici 5 persona (VIDEO)
TIRANË- Me vendosjen e perimetrit të sigurisë rreth Kuvendit, kanë nisur edhe tensionet e para. Policia ka shoqëruar deri tani të paktën 5 protestues që ndodheshin përpara parlamentit. Mes të shoqëruarve nga forcat e rendit është edhe eksperti i IT-së dhe aktivisti, Gent Progni.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se shoqërimi i tyre ka ardhur pas incidentit të shkaktuar tek lokali ku rrinë deputetët, pranë qendrës "Toptani". Mësohet se deputetët janë goditur me vezë nga protestueit. Pas incidentit, policia ka ndërhyrë dhe ka kryer shoqërimet e para.
Në videon e mëposhtme shfaqet momenti kur nisën tensionet pranë ambienteve të Parlamentit.
/ZËRI
Protestuesit nisin ‘aksionin’, qëllojnë me miell e vezë makinën e Niko Peleshit
TIRANË- Situata para godinës së Kuvendit është tensionuar para nisjes së seancës plenare, ndërsa protestuesit e parë kanë mbërritur në zonë.
Mes thirrjeve “hajdut” dhe “plehrë”, protestuesit kanë goditur me vezë dhe miell automjetin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur automjeti i tij ka mbërritur në ambientet e jashtme të Parlamentit, ku një protestuese ka hedhur miell në drejtim të makinës.
Në pritje të nisjes së seancës dhe protestës, vendosen barriera metalike, autoblinda dhe autoboti me ujë te Parlamenti
TIRANË- Pak para nisjes së seancës plenare në orën 10:00, janë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë rreth godinës së Kuvendit. Një gardh metalik rrethuar zonën përreth Pedonales, ndërsa pranë ambienteve të Parlamentit janë pozicionuar një autoblindë dhe një autobot uji, i përdorur zakonisht nga forcat e rendit në rastet e përshkallëzimit të situatave gjatë protestave.
Në zonë ndodhen gjithashtu forca të shumta policie, në kuadër të masave të sigurisë të marra përpara seancës dhe tubimit të paralajmëruar të qytetarëve.
Seanca e sotme parlamentare pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa paralelisht pritet edhe grumbullimi i protestuesve në zonë. Një ditë më parë, në protestën e 32-të para Kryeministrisë, u bë thirrje për një tubim të ri para Kuvendit, ku u kërkua edhe bllokimi i hyrjes së deputetëve në sallë dhe rrethimi i godinës së Parlamentit./ZËRI
Kuvendi mblidhet sot, protestuesit kërcënojnë: Deputetëve t'u bllokohet hyrja në sallë! Çfarë pritet sot
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte në seancë plenare,në orën 10:00. Në rendin e ditës janë 2 interpelanca, një me ministrin e Turizmit dhe me atë të Drejtësisë.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 2.7.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.6.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
4. Seancë pyetje - përgjigje me Ministrin e Drejtësisë, z. Toni Gogu, kërkuar nga deputeti Klevis Balliu.
5. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025".
6. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për "Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë.
7. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore".
8. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", të ndryshuar".
9. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Ndërkohë, po në orën 10:00, do të zhvillohet edhe organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Qytetarët do të mblidhen para Kuvendit ku do të mbahet edhe seanca e radhës plenare.
Gjatë protestës mbrëmjen e djeshme në Tiranë, protestusit bënë thirrje për një tjetër tubim para Kuvendit. Nga sheshi para godinës së Kryeministrisë, ata kërkuan që deputetëve t’i bllokohet hyrja në sallë, ndërsa vetë parlamenti të rrethohej demokratikisht.
Ndërkohë në orën 19:00 do të mbahet protesta masive e 33-të radhazi ku organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në Tiranë.
Në seancën e 30 qershorit, gjatë kohës që në Parlament zhvillohej seanca plenare, protestuesit u grumbulluan jashtë godinës së Kuvendit, ku pati tensione dhe përplasje me efektivët e Policisë. Pas këtyre incidenteve, ata u zhvendosën përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës. Pas përfundimit të këtyre zhvillimeve, qytetarët janë rikthyer në sheshin Skënderbej, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ashtu si edhe në ditët e mëparshme, për të mbajtur fjalimet e tyre. /ZËRI