LIVE UPDATES

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin! Rama: Të shterohet çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni

➤Partia Socialiste zhvilloi mbledhje me grupin parlamentar këtë të hënë për çështjen e Belinda Ballukut, ku prezantua raporti final i pesë anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve. ➤Socialistët refuzuan kërkesën, duke deklaruar se nuk do ta autorizojnë SPAK për arrestimin e deputetes Balluku.➤Ulsi Manja, i cili prezantoi raportin e anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve, deklaroi se nuk ka vend për zëvendësim të masës së sigurisë. ➤Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë për më shumë se një orë, në të cilin theksoi se hetimi i SPAKU-t nuk po pengohet, por nga ana tjetër nuk i përmbush arsyet për arrestimin e saj. ➤Rama i bëri thirrje SPAK-ut që të shterojë çdo pistë hetimi që mund të çojë te korrupsioni. ➤Ai shtoi se nuk do të bëhet avokati i Ballukut, teksa falenderoi për detyrën e bërë dhe i uroi fat në betejën me drejtësinë.➤Ndërkohë, vetë ish-ministrja nuk mori pjesë në mbledhje.

16 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

PS i tha "JO" SPAK-ut! Zbardhet raporti i plotë: Argumentet pse refuzohet arrestimi i Belinda Ballukut (DOKUMENTI)

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
mbledhja e grupit te PS-raporti

TIRANË- Është zbardhur raporti i plotë i Grupit Parlamentar të PS-së, përmes të cilit, socialistët argumentojnë arsyet se përse refuzojnë kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Vendimi i maxhorancës u bë publik sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, preazntoi raportin e anëtarëve socialistë, teksa deklaroi se nuk ka vend për zëvendësim të masës së sigurisë.

Në raportin e socialistëve nënvizohet se për Belinda Ballukun nuk ka akuzë për korrupsion, madje theksohet se nuk ekziston as rreziku i arratisjes apo prishjes së provave, ashtu siç pretendon SPAK.

Sipas raportit të PS-së, ashtu sikurse nënvizoi edhe Manja, nuk ka asnjë provë të re që të mbështesë masën shtesë, për tepër që tashmë nuk është pjesë e qeverisë. Manja theksoi se Balluku është larguar disa herë nga Shqipëria dhe është rikthyer edhe pse është në dijeni të hetimit, madje, duke dorëzuar çdo dokument udhëtimi dhe identifikimi.

Raporti i plotë:

Ne anëtarët e shumicës parlamentare në këtë Këshill, theksojmë që në hyrje se paraqitja e këtij raporti rekomandues përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë zhvillohet në një kontekst faktik dhe institucional që ka pësuar ndryshime thelbësore. Këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si Kuvendi duhet të vlerësojë kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.

Sot ekziston një realitet i ri juridik dhe institucional: deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave. Ky është një fakt publik dhe institucional, i ardhur si pasojë e ndryshimeve në përbërjen e qeverisë, në përputhje me nenet 95, 96, 98 dhe 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për rrjedhojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale.

Në të njëjtën linjë arsyetimi, edhe narrativa mbi të cilën Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo i kryerjes së një vepre tjetër penale mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se paraqitja e këtij raporti përpara Kuvendit është një procedurë thjesht formale. Përkundrazi, ajo përfaqëson një përgjegjësi të drejtpërdrejt kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është një shprehje e respektit institucional ndaj drejtësisë, por mbi të gjitha është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që na kanë besuar përfaqësimin e tyre.

Aq më tepër në një situatë kur kjo çështje, e cila në thelb duhet të mbetej një çështje e drejtësisë dhe vetëm e drejtësisë, është shndërruar në mënyrë të padrejtë në një debat të mbingarkuar politikisht në sytë e opinionit publik. Në vend të një procesi të qetë dhe të rregullt ligjor, shpesh kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik, në një tribunal mediatik që bie ndesh me standardet e shtetit të së drejtës dhe me parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.

Pikërisht për këtë arsye është e domosdoshme që Kuvendi të flasë qartë: të ndajë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin publik nga procesi ligjor. Të nderuar kolegë, Për arsyet që rendita më sipër, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë sot nuk është përballë një votimi të zakonshëm procedural. Ne jemi përballë një vendimmarrjeje që prek drejtpërdrejt lirinë personale të një deputeti, ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe balancën kushtetuese ndërmjet pushteteve.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (në vijim: Prokuroria e Posaçme) synon zëvendësimin e masës së sigurimit ndalim i daljes jashtë shtetit me një masë më të rëndë, atë të arrestit në burg ose në shtëpi, ndaj anëtares së këtij Parlamenti, deputetes Belinda Balluku, e cila po hetohet për veprën penale Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, të parashikuar nga nenet 25 dhe 258/2 të Kodit Penal. Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë gjykatën. Ai ushtron një filtër kushtetues. Dhe ky filtër nuk është dhe nuk mund të jetë formal. Ai është një mekanizëm thelbësor për ruajtjen e balancës institucionale dhe për respektimin e rolit që Kushtetuta i ka dhënë pushtetit legjislativ në raport me pushtetet e tjera.

1. JURIDIKSIONI DHE KOMPETENCA

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për zëvendësimin e masës së sigurimit personal ndalim i daljes jashtë shtetit, me masën më të rëndë të arrestit në burg ose në shtëpi ndaj deputetes Belinda Balluku e ushtron kompetencën e tij në përputhje me nenin 73, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me nenet 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit.

Sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, deputeti nuk mund të arrestohet ose ti hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Kuvendit. Kjo dispozitë kushtetuese vendos një garanci institucionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe për funksionimin e pavarur të pushtetit legjislativ.

Në të njëjtën linjë, neni 288 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, kontrolli personal ose kontrolli i banesës, prokurori duhet të kërkojë autorizim nga Kuvendi. Kërkesa për autorizim duhet të shoqërohet me një relacion të arsyetuar dhe me provat që mbështesin kërkesën.

Nga ana tjetër, neni 289 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se mosdhënia e autorizimit sipas nenit 288 të këtij Kodi nuk e pengon prokurorin që të kërkojë një masë tjetër sigurimi sipas nenit 244 dhe as të procedojë ndaj deputetit ose personave të tjerë ndaj të cilëve zhvillohen hetime për të njëjtin fakt. së Ndërsa në lidhje me procedurën parlamentare të shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrest ose heqje lirie, nenet 13, 118 dhe 119 të Rregullores Kuvendit, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, përcaktojnë se kërkesa e prokurorit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, i cili ia përcjell menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe vë në dijeni deputetin përkatës.

Këshilli e shqyrton kërkesën duke garantuar të drejtën e mbrojtjes së deputetit dhe në përfundim të shqyrtimit harton raportin përkatës që i paraqitet seancës plenare për vendimmarrje. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit, ndërsa nëse nuk shprehet brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, ajo konsiderohet e rrëzuar. Në rastet e arrestimit në flagrancë për krime të rënda, Këshilli mblidhet brenda 48 orëve për shqyrtimin e çështjes sipas të njëjtave rregulla procedurale.

Duke iu referuar këtij kuadri normativ, kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme është e natyrës procedurale-kushtetuese dhe jo gjyqësore. Kuvendi nuk gjykon fajësinë dhe as themelësinë e provave penale, pasi ky atribut i përket ekskluzivisht gjykatës kompetente. Kompetenca e Kuvendit në këto raste kufizohet:

1. Në vlersimin e kontrollit te respektimit të procedurës penale sa i takon ekzistencës së kushteve ligjore për të dhënë autorizimin për zëvendesimin e masës së sigurimit personal të ndalimit ëe daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë atë të arrestit në burg apo në shtëpi, heqje lirie në çfarëdolloj forme, kontroll personal dhe të banesës së deputetes Belinda Balluku, të rëndimit real të nevojave të sigurimit, të ekzistencës së rrethanave të reja konkrete, të proporcionalitetit të ndërhyrjes në mandat dhe të domosdoshmërisë së arrestit si masë përjashtimore.

2. Nesë kërkesa është bërë nën ndikime politike apo të natyrave të tjera të paligjshme.

3. 4. Kuvendi, nuk bën vlerësimin e provave, por vlerësimin e kushteve dhe rrethanave për të krijuar bindjen nese janë rënduar nevojat e masës së parë të sigurimit. Nëse plotësohen apo jo kushtet, Kuvendi duhet të bazohet në gjykimin e vet, duke iu referuar relacionit të organit të akuzës dhe provave që mbështesin këtë relacion.

II. ROLI KUSHTETUES I KUVENDIT

Raporti që rekomandon dhënien e autorizimit mbështetet në tezën se Kuvendi duhet të kufizohet në një verifikim formal të kërkesës së Prokurorisë dhe të mos ndërhyjë në vlerësimin e nevojës së masës së sigurimit. Kjo qasje reduktuese në fakt nuk përputhet me frymën dhe funksionin e nenit 73 të Kushtetutës. Trajtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme në frymën dhe germën e normës kushtetuese përbën edhe thelbin e zgjidhjes së çështjes që ka sot përpara Kuvendi i Shqipërisë. Neni 73 i Kushtetutës i jep Kuvendit të Republikës një rol jo thjesht formal në disponimin për dhënien ose jo të autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit. Autorizimi është një akt vullnëti relevant kushtetues, i cili mbart përgjegjësi politike dhe juridike.

Thënë më qartë, nëse dhënia e këtij autorizimi do të ishte i detyrueshëm sa herë kërkohet nga Prokuroria, dispozita kushtetuese do të ishte e panevojshme dhe Kuvendi do të shndërrohej në një organ formal, pa rol real balancues. se e Gjykata Kushtetuese ka theksuar se imuniteti procedural nuk është privilegj personal, por garanci institucionale për mbrojtjen e funksionimit të lirë të Kuvendit.

Kjo do të thotë Kuvendi ka detyrimin të verifikojë nëse ndërhyrja në lirinë personale është reale, domosdoshme dhe proporcionale. Ky rol i rëndësishëm i Kuvendit del qartësisht nëse i referohemi rastit të ndalimit ose arrestimit në flagrancë të deputetit ku në nenin 73/3 të kushtetutës thuhet: “”Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës. i Nga ky parashikim kushtetues del qartë se roli i Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës për dhënie autorizimi për arrest ose jo ndaj një anëtari të tij nuk është formal, por thelbësor për natyrën e shqyrtimit që bën Kuvendi.

Kuvendi në këtë rast kur konstaton se nuk janë respektuar kushtet dhe kriteret procedurale që kanë cenuar lirinë personale të një anëtari të tij merr atribute që i rezervohen gjyqësorit dhe kjo është tërësisht në frymën e nenit 73/3 të Kushtetutës. Përkundër këtij qëndrimi, nëse Kuvendi voton formalisht mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, atëherë ai heq dorë nga funksioni i tij kushtetues dhe dobëson parimin e ndarjes së pushteteve. Imuniteti për hetimin dhe ndjekjen penale në Shqipëri nuk ekziston më pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012. Deputeti hetohet dhe ndiqet si çdo shtetas tjetër. Ndaj tij mund të caktohen masa sigurimi personal nga ndalimi i daljes jashtë shtetit deri tek arresti në shtëpi ose në burg. Megjithatë, Kushtetuta ka ruajtur një imunitet procedural të kufizuar për masat që prekin drejtpërdrejt lirinë personale, ku për arrestimin kërkohet autorizim paraprak nga Kuvendi.

Kjo nuk është mburojë personale, por mekanizëm institucional balancues. Detyrimi i Prokurorisë për tiu drejtuar Kuvendit është i sanksionuar në nenet 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale. Ky detyrim procedural për prokurorinë do të ishte pa kuptim nëse Kuvendi nuk do të ushtronte një vlerësim real mbi kushtet ligjore dhe proporcionalitetin e masës. Kompetenca përfundimtare për dhënien ose jo të autorizimit i takon seancës plenare pas raportit rekomandues të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Ky proces garanton balancë mes shumicës dhe pakicës parlamentare dhe nuk mund të reduktohet në një procedurë mekanike. Pretendimet se Kuvendi duke u kujdesur për të garantuar parimin e ligjshmërisë, parimin e sigurisë juridike, ndarjen e pushteteve, barazinë para ligjit dhe parimin e pavarësisë së hetimit, të garantuar në nenet 4, 7, 18, 42 dhe 148/2 të Kushtetutës, pengon drejtësinë nuk kanë bazë kushtetuese dhe ligjore, por janë të natyrës politike. Përkundrazi, vendosja e kufijve të qartë për respektimin e secilit prej këtyre parimeve е bën në vetvete procesin penal me garantues sa i takon procesit të rregullt ligjor.

Hetimi ndaj deputetes Belinda Balluku në rastin konkret vazhdon dhe masa e sigurisë personale e ndalimit të daljes jashtë shtetit e dhënë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është në fuqi. Prandaj çështja që shtrohet sot përpara Kuvendit nuk është nëse duhet të mbështetet drejtësia, sepse ne si shumicë parlamentare e kemi testuar vullnetin tonë politik në këtë drejtim duke e mbështetur pa rezerva drejtësinë e re, por nëse ndërhyrja në lirinë personale të një anëtari të këtij parlamenti është е domosdoshme dhe proporcionale. Kuvendi nuk është dhe nuk mund të jetë pengesë për drejtësinë.

Ai është garant i Kushtetutës. Dhe pikërisht për këtë arsye, autorizimi që kërkohet sot nuk është akt formal, por akt i shprehjes së një përgjegjësie të lartë kushtetuese.

III. ZBATIMI I PROCEDURËS PARLAMENTARE

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datën 16.12.2025. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbështetje të nenit 13 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, u mblodh në datat 19.12.2025 dhe 23.2.2026 dhe shqyrtoi me procedurë me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor kërkesën e prokurorëve të posaçëm për dhënie autorizimi për arrest ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë Belinda Balluku.

Mbledhja e radhës u zhvillua pas vendimit procedural të Gjykatës Kushtetuese të datës 6.2.2026, me të cilin kjo gjykatë nuk arriti të marrë një vendim në themel për kërkesën e depozituar nga Kryeministri më 21.11.2025. të Kërkesa kishte për objekt zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetence ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor, konkretisht ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër.

Mosmarrëveshja lidhej me pezullimin nga detyra të një anëtari të Këshillit të Ministrave dhe me pasojat që kjo masë prodhon në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues. e Në këtë kuadër, me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zonja Belinda Balluku u pezullua nga detyra zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ngritur kështu çështjen e raportit ndërmjet kompetencave të autoriteteve gjyqësore dhe rendit kushtetues që rregullon funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Njëkohësisht, kërkesa synonte edhe interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, në drejtim të përcaktimit të garancive procedurale që gëzon një anëtar i Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues, veçanërisht në rastet kur ndërhyrjet e autoriteteve të tjera shtetërore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ushtrimin e këtij funksioni.

IV. RRETHANAT FAKTIKE TË ÇËSHTJES

Prokuroria e Posaçme fillimisht ka regjistruar procedimin penal nr. 167, datë 9.8.2024, me kallëzues ish-kryetarin e Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha, dhe më pas procedimin penal nr. 181, datë 12.9.2024, me kallëzues deputetin Gazmend Bardhi, sot kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Këto dy procedime janë bashkuar me procedimin penal nr. 136, datë 16.6.2025, të nisur kryesisht nga Prokuroria e Posaçme me referim të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në një procedim të vetëm, atë me nr. 136/2025, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga nenet 25 dhe 258/2 të Kodit Penal.

Në datën 20.10.2025 është regjistruar emri i deputetes Belinda Balluku si person nën hetim dhe më pas asaj i është njoftuar akuza për veprën penale të parashikuar nga nenet 25 dhe 258/2 të Kodit Penal. Me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar ndaj saj masën e sigurimit ndalim i daljes jashtë shtetit sipas nenit 233 të Kodit të Procedurës Penale, e cila rezulton të jetë lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Po me të njëjtin vendim është caktuar edhe masa ndaluese pezullim i ushtrimit të detyrës sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, e cila, për shkak të konfliktit kushtetues të kompetencave ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nga ana tjetër, u shty deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Ky vendim u dha në datën 6.2.2026 duke konfirmuar fuqinë e kësaj mase me vendim procedural, ndonëse ajo tashmë e ka humbur fuqinë automatikisht për shkak të zëvendësimit të zonjës Balluku në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. e Në datën 16.12.2026 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), bazuar në nenin 260, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, ka depozituar në Kuvendin Shqipërisë kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit ndalim i daljes jashtë shtetit, të caktuar ndaj deputetes Belinda Balluku sipas nenit 233 të Kodit të Procedurës Penale, me një masë më të rëndë sigurimi, atë të arrestit në burg ose në shtëpi, sipas neneve 237 ose 238 të Kodit të Procedurës Penale, duke pretenduar ekzistencën e rëndimit të nevojave të sigurimit, rrezikun e prishjes së provave, rrezikun e arratisjes, si dhe rrezikun e kryerjes së veprave të tjera penale.

SHQYRTIMI DHE VLERËSIMI I KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në cilësinë e organit përgjegjës parlamentar, në përputhje me nenin 13 dhe nenin 118 të Rregullores së Kuvendit në mbledhjet e datave 19.12.2025 dhe 23.2.2026 mori në shqyrtim, me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënie autorizimi për arrestim/heqje lirie nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal për deputeten Belinda Balluku.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u njoh fillimisht me parashtrimet e palëve, të cilët parashtruan: Prokurorët e posaçëm Klodian Braho, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqitën kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestim/heqjen e lirisë të deputetes Belinda Balluku nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit ndalim i daljes jashtë shtetit, të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, me masën më të rëndë të arrestit në burg ose në shtëpi sipas neneve 237 dhe 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Në mbështetje të kërkesës së tyre, prokurorët e posaçëm iu referuan dispozitave të neneve 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale, duke pretenduar se nevojat e sigurimit janë rënduar për shkak të zhvillimeve të hetimit dhe rrethanave konkrete të çështjes.

Në parashtrimet e tyre ata theksuan se hetimet penale ndaj deputetes Belinda Balluku janë zgjeruar dhe përfshijnë edhe fakte të tjera penale që lidhen me procedura të tjera prokurimi publik, si dhe me veprimet e saj në një procedurë koncesioni. Sipas tyre, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë е provës, duke argumentuar se gjendja e lirë e të pandehurës mund të krijojë rrezik real për mbledhjen e provave për shkak të funksioneve të larta publike që ajo ka ushtruar. Në këtë kuadër, prokurorët pretenduan se ekziston mundësia që e pandehura të ndërhyjë në procesine mbledhjes së provave, të ndikojë mbi dëshmitarë ose të krijojë rrethana që mund të vështirësojnë administrimin e provave.

Po ashtu, prokurorët pretenduan se ekziston rreziku i largimit të të pandehurës nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke iu referuar marzhit të lartë të dënimit që parashikon ligji për veprën penale për të cilën ajo dyshohet, si dhe rrethanës se kjo vepër penale dyshohet të jetë kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas tyre ekziston gjithashtu edhe rreziku që e pandehura për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të saj të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

Më pas u vijua me parashtrimet e avokatëve mbrojtës të deputetes Belinda Balluku, zotin Ardian Kalia dhe zonjën Pamela Qirko, të cilët kërkuan nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që në funksion të hartimit të raportit përfundimtar për seancën plenare të Kuvendit të rekomandojë rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku nëpërmjet zëvendësimit të masës aktuale të sigurimit personal.

Në parashtrimet e tyre, mbrojtësit argumentuan se kërkesa e Prokurorisë nuk plotëson: kushtet dhe standardet e kërkuara nga legjislacioni procedural penal për rëndimin e masave të sigurimit personal. Sipas tyre nuk provohet ekzistenca e rrethanave të reja konkrete me të cilat ligji lidh mundësinë e rëndimit të nevojave të sigurimit. Po ashtu, ata theksuan se, pavarësisht qëndrimit të mbrojtjes se në rastin konkret nuk ka qenë e nevojshme caktimi i asnjë mase sigurimi, nevojat e sigurimit tashmë përmbushen nga masa ekzistuese ndalim i daljes jashtë shtetit. Mbrojtja argumentoi gjithashtu se nuk plotësohen kriteret e veçanta të parashikuara nga nenet 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masave më të rënda shtrënguese dhe se në rastin konkret nuk janë përmbushur as standardet kushtetuese dhe procedurale që justifikojnë autorizimin e arrestimit të një deputeti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Pas dëgjimit të plotë të parashtrimeve të palëve dhe pas diskutimeve të zhvilluara me dyer të mbyllura, pa praninë e tyre, anëtarët e Këshillit vijuan me shqyrtimin e kërkesës dhe provave që e shoqëronin këtë kërkesë, parashtrimet e mbrojtjes, dhe argumentat e paraqitura nga palët gjatë dëgjesës në këshill dhe në funksion të hartimit të raportit përfundimtar bëmë vlerësimin tonë, brenda kompetencës që ka Kuvendi.

VLERËSIMI I KËSHILLIT

Në shqyrtimin e pretendimeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme dhe nga përfaqësuesit ligjorë të deputetes, Këshilli mban në konsideratë se kompetenca e Kuvendit në këtë procedurë nuk ka karakter gjyqësor dhe nuk konsiston në vlerësimin e fajësisë ose pafajësisë së personit nën hetim. Vlerësimi i përgjegjësisë penale dhe i provave të administruara në proces është kompetencë ekskluzive e organeve të drejtësisë dhe e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen në themel.

Në këtë kuadër, analiza e mëposhtme kufizohet vetëm në verifikimin e përmbushjes së standardeve kushtetuese dhe procedurale që lidhen me kufizimin e lirisë personale të një deputeti, në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës dhe me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.

Këshilli nuk bën një rivlerësim të provave në kuptimin gjyqësor të fjalës, por shqyrton nëse nga materialet e paraqitura që shoqërojnë kërkesën e prokurorisë së Posaçme në kuptim të nenit 288/2 të kodit të procedurës penale, rezultojnë rrethana konkrete dhe aktuale që justifikojnë zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal. i.

MBI PRETENDIMIN PËR RËNDIM TË NEVOJAVE TË SIGURIMIT

Prokuroria e Posaçme në kërkesën e saj shprehet se nevojat e sigurimit ndaj deputetes Belinda Balluku janë rënduar për shkak se, sipas saj, hetimi veç dy fakteve penale ka evidentuar një numër më të madh episodesh dhe indiciesh të reja dhe se sanksioni i mundshëm i dënimit dhe dëmi ekonomik i shtetit është rritur. Në shqyrtimi e këtij pretendimi, Këshilli ka marë në konsideratë standardin ligjor të parashikuar nga neni 260, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale për zëvendësimin e masës së sigurimit personal.

Kjo dispozitë kërkon ekzistencën e rrethanave të reja objektive që e bëjnë masën ekzistuese të sigurimit të pamjaftueshme për garantimin e zhvillimit të rregullt të procedimit penal. Në këtë kuptim, zgjerimi i hetimit penal nuk përbën në vetvete një rrethanë të re procedurale. Ai përbën një zhvillim të zakonshëm të një procedimi penal, veçanërisht në çështje që lidhen me procedura të shumta të prokurimit publik. Për rrjedhojë, vetëm zgjerimi i hetimit ose shtimi i episodeve të dyshuara nuk mund të konsiderohet automatikisht si rrethanë e re procedurale që justifikon rëndimin e masës së sigurimit.

Nëse do pranohej fakti se çdo zgjerim i hetimit do të konsiderohej automatikisht si rrethanë e re që justifikon arrestin, atëherë çdo procedim penal me shumë episode do të përfundonte domosdoshmërisht në paraburgim, gjë që do të binte në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe me natyrën përjashtimore të arrestit si masë sigurimi. Në jurisprudencën dhe doktrinën procedurale penale është pranuar gjerësisht se paraburgimi përbën një mjet të fundit (ultima ratio), i cili mund të përdoret vetëm kur masa ekzistuese ka rezultuar e pamjaftueshme për të garantuar qëllimet e procedimit penal.

Në këtë kuptim, paraburgimi nuk konsiderohet si një reagim ndaj rëndësisë së akuzës apo ndaj marzhit sanksionit penal, por vetëm si një instrument procedural që synon të garantojë zhvillimin normal të procesit. të Zëvendësimi i masës së sigurimit personal sipas nenit 260, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale kërkon një ndryshim objektiv të situatës faktike pas momentit të caktimit të masës së parë të sigurimit. Në mungesë të një ndryshimi të tillë, rëndimi i masës nuk mund të konsiderohet i justifikuar.

Nga materialet e paraqitura në Këshill rezulton se në hetimet që zhvillohen ndaj deputetes Belinda Balluku janë përfshirë edhe procedura të tjera që lidhen me projektin e Unazës së Madhe të Tiranës. Megjithatë, këto procedura rezulton se kanë qenë objekt verifikimi nga organi i akuzës që në momentin e caktimit të masës së parë të sigurimit personal dhe dokumentacioni përkatës ka qenë në dispozicion të hetimit.

Në këto kushte, ndryshimi i vlerësimit juridik të këtyre procedurave nga ana e hetuesve dhe prokurorëve nuk përbën, në vetvete, një rrethanë të re faktike në kuptimin e nenit 260, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale. Për rrjedhojë, nga shqyrtimi i materialit të paraqitur nuk rezulton në mënyrë të qartë ekzistenca e një fakti të ri konkret dhe aktual që të dëshmojë se masa ekzistuese e sigurimit është bërë е pamjaftueshme. Edhe me shtimin e episodeve të pretenduara, natyra e veprës penale mbetet e njëjtë, konkretisht Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike e parashikuar nga nenet 25 dhe 258, pika 2, të Kodit Penal.

Për rrjedhojë, nga materialet dhe informacioni i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë rrethanë e re konkrete dhe aktuale, e lindur pas caktimit të masës ekzistuese të sigurimit personal, që të tregojë se kjo masë është bërë e pamjaftueshme për qëllimet e procedimit pena. Në këto rrethana, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton të përmbushë standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës së sigurimit persona ii.

MBI PRETENDIMIN PËR RREZIK TË PRISHJES SË PROVAVE

Prokuroria e Posaçme pretendon ekzistencën e një rreziku të ndikimit në procesin penal, duke përmendur mundësinë e ndikimit përmes personave me influencë, ndikimit përmes zyrtarëve të administratës, si dhe tentativa presioni ndaj dëshmitarëve. Megjithatë, nga relacioni që shoqëron kërkesën për dhënien e autorizimit për arrest, në kuptim të nenit 288/2 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nga parashtrimet e prokurorëve të posaçёm në mbledhjen e Këshillit, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë element konkret që të tregojë ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve apo ndërhyrje në procesin e hetimit nga ana e deputetes Belinda Balluku.

Gjithashtu, nga informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton që ndaj saj të jetë ngritur ndonjë akuzë e re për pengim të drejtësisë apo të ekzistojë ndonjë vendim gjyqësor që të ketë konstatuar një shkelje të tillë. Në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut është theksuar vazhdimisht se rreziku procedural duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në elemente objektive. Paraburgimi nuk mund të justifikohet mbi bazën e supozimeve apo të një rreziku abstrakt.

Në mbështetje të këtij pretendimi, Prokuroria ka paraqitur një transkript bisede mes një shtetaseje pjesë e administratës në varësi të ish-ministres Belinda Balluku dhe një shtetaseje tjetër që në atë moment nuk kishte cilësi procedurale në proces. Nga sqarimet e dhëna gjatë mbledhjes së Këshillit rezultoi se personi që pretendon intimidim ka statusin e të pandehurës në këtë procedim penal dhe jo të dëshmitares.

Në këtë kuadër, Këshilli mban në konsideratë se vlerësimi përfundimtar i deklarimeve dhe i elementeve të tjera të procedimit penal është kompetencë e organeve të drejtësisë dhe e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen në themel. Gjithashtu, nga diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së Këshillit nuk rezultoi të jetë paraqitur ndonjë element që të tregojë ekzistencën e kontakteve të drejtpërdrejta ose të tërthorta midis personave të përfshirë në këtë komunikim dhe ish-ministres Balluku në funksion të ndikimit në procesin e hetimit.

Po ashtu, nga materialet e paraqitura nuk rezulton të ketë ndodhur ndonjë zhvillim i ri pas vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që ta bëjë të pamjaftueshme masën ekzistuese të sigurimit personal. Transkripti i bisedës, i siguruar përmes mjeteve të posaçme të hetimit, ka qenë në dispozicion të organit të akuzës dhe të gjykatës që në momentin e caktimit të masës së parë të sigurimit ndalim i daljes jashtë shtetit.

Në këto kushte, nga materialet dhe informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton të jenë evidentuar rrethana konkrete, objektive dhe aktuale që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real për prishjen e provave, përfshirë edhe ato që lidhen me dëshmitarët. Për rrjedhojë, pretendimi për rrezikun e prishjes së provave nuk rezulton të paraqitet mbi baza të tilla që të justifikojnë zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë. iii.

MBI PRETENDIMIN PËR RREZIKUN E ARRATISJES

Në e parashtrimet e saj, Prokuroria e Posaçme ka ngritur edhe pretendimin për ekzistencën rrezikut të arratisjes, duke e lidhur këtë rrezik kryesisht me marzhin e lartë të dënimit që parashikon ligji për veprën penale për të cilën procedohet, si dhe me rrethanën se vepra penale dyshohet të jetë kryer disa herë dhe në bashkëpunim. Në këtë kuptim, vlerësimi duhet të marrë në konsideratë elemente të tilla si: vendbanimi i qëndrueshëm, lidhjet familjare dhe shoqërore, profesioni, gjendja pasurore, sjellja e mëparshme ndaj autoriteteve, si dhe çdo rrethanë tjetër që tregon nivelin e rrënjosjes së personit në territorin e shtetit. Në vlerësimin e këtij pretendimi, Këshilli mban në konsideratë se rreziku i arratisjes, si një nga kriteret që mund të justifikojë caktimin ose rëndimin e masave të sigurimit personal, duhet të vlerësohet sipas një standardi konkret dhe individual, në përputhje me parimet kushtetuese të lirisë personale dhe proporcionalitetit, si dhe me standardet e konsoliduara të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas jurisprudencës së konsoliduar të kësaj gjykate, të shprehur ndër të tjera në çështjet Neumeister v. Austria, Letellier v. France, Smirnova v. Russia, Panchenko v. Russia, si dhe në praktikën më të fundit ndaj Shqipërisë në çështjet Hysa v. Albania dhe Gëllçi v. Albania, rreziku i arratisjes nuk mund të mbështetet vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm që parashikon ligji penal. Sipas këtij standardi, autoritetet gjyqësore janë të detyruara të bazojnë vlerësimin e tyre në rrethana konkrete, individuale dhe të verifikueshme të personit në fjalë, duke analizuar në mënyrë të veçantë lidhjet reale të tij me shtetin ku zhvillohet procedimi penal, si: vendbanimi, familja, aktiviteti profesional dhe integrimi shoqëror.

Në të njëjtën kohë, gjykatat duhet të arsyetojnë në mënyrë të posaçme pse masat më të lehta të sigurimit nuk janë të mjaftueshme për të garantuar zhvillimin normal të procesit penal, pasi kufizimi i lirisë personale nuk mund të mbështetet në supozime apo arsyetime abstrakte. Në raport me këto standarde, Këshilli vlerëson se materialet dhe informacioni i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme nuk paraqesin elemente konkrete që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual të largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë në rastin e deputetes Belinda Balluku.

Nga informacioni i paraqitur në Këshill rezulton se deputetja Belinda Balluku ka pasur dijeni të plotë për procedimin penal dhe për akuzën e ngritur ndaj saj. Megjithatë, edhe pas kësaj, ajo ka udhëtuar jashtë shtetit në kuadër të angazhimeve zyrtare (Bukuresht 26-27 tetor, Athinë 6- 8 nëntor dhe Romë 13-14 nëntor) dhe është kthyer çdo herë në Republikën e Shqipërisë, duke reflektuar një sjellje të rregullt dhe jo shmangëse ndaj autoriteteve proceduese. Gjithashtu, nga materialet e paraqitura rezulton se ajo ka respektuar masën e sigurimit personal ndalim i daljes jashtë shtetit, ka dorëzuar dokumentet përkatëse sipas kërkesave të organit procedues dhe është paraqitur pranë autoriteteve sa herë është kërkuar.

Nga informacioni i administruar në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë tentativë për tiu shmangur drejtësisë, për të cenuar procesin apo për të penguar zhvillimin normal procedimit penal. të Për rrjedhojë, pretendimi për rrezikun e arratisjes rezulton të mbështetet kryesisht në elementin abstrakt të ashpërsisë së dënimit të mundshëm dhe në një vlerësim hipotetik mbi sjelljen e personit nën hetim, pa u shoqëruar me rrethana konkrete që të tregojnë se ky rrezik është real, aktual dhe i individualizuar. Në këto kushte, në përputhje me standardet e jurisprudencës evropiane, ky pretendim nuk paraqitet si bazë e mjaftueshme për zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë. Në përfundim, Këshilli vlerëson se, nga materialet e paraqitura, nuk rezulton të jetë evidentuar ekzistenca e një rreziku real dhe aktual arratisjeje në kuptimin që kërkohet për caktimin ose rëndimin e masës së sigurimit personal. iv.

MBI PRETENDIMIN PËR RREZIKUN E PËRSËRITJES SË VEPRËS PENALE

Prokuroria e Posaçme ka pretenduar gjithashtu se ekziston rreziku që e pandehura, për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të saj, të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet. Nga parashtrimet e bëra në mbledhjen e Këshillit, ky pretendim është lidhur kryesisht me funksionin publik që deputetja Belinda Balluku ka ushtruar dhe me faktin se në kuadër të këtij funksioni ajo ka pasur lidhje me vendimmarrje që përfshijnë administrimin e fondeve publike. Në vlerësimin e këtij pretendimi, Këshilli mban në konsideratë se rreziku i përsëritjes së veprës penale, si shkak që mund të justifikojë kufizimin e lirisë personale, kërkon një vlerësim të bazuar në rrethana konkrete, individuale dhe aktuale dhe nuk mund të ndërtohet mbi supozime abstrakte apo mbi natyrën e përgjithshme të funksionit publik.

Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka theksuar se autoritetet duhet të mbështesin një vlerësim të tillë në rrethana konkrete individuale që tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual për kryerjen e veprave të tjera penale. Në çështjen Clooth kundër Belgjikës, Gjykata ka theksuar se rreziku i përsëritjes nuk mund të justifikohet vetëm nga pozicioni shoqëror apo profesional i personit të hetuar, por duhet të mbështetet në elemente konkrete që lidhen me sjelljen e tij, me rrethanat e veçanta të çështjes dhe me indicie verifikueshme për një prirje reale drejt kryerjes së veprave të tjera. të Në rastin konkret, nga materialet basjkangjitur kërkesës dhe informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar një analizë konkrete e tillë.

Akuza e ngritur ndaj deputetes Belinda Balluku mbetet e njëjtë dhe nuk janë paraqitur rrethana të reja që të tregojnë ekzistencën e një aktiviteti kriminal të vazhdueshëm apo të një rreziku real për përsëritjen e veprës penale. Për më tepër, Këshilli mban në konsideratë edhe rrethanën faktike se zonja Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv në administratën shtetërore. Në këto kushte, pretendimi që lidhet me mundësinë e përdorimit të funksionit publik për kryerjen e veprave të tjera penale paraqitet pa mbështetje të drejtpërdrejtë faktike dhe mbetet në nivelin e një hipoteze. Këshilli vlerëson se një interpretim sipas të cilit vetë fakti i ushtrimit të një funksioni publik dhe administrimi i fondeve publike do të mjaftonte për të justifikuar rrezikun e përsëritjes së veprës penale do ta shndërronte masën e sigurimit personal nga një instrument procedural për garantimin e zhvillimit të rregullt të procesit penal në një formë sanksioni institucional ndaj funksionarëve publikë, gjë që do të ishte papajtueshme me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe me natyrën e masave të sigurimit.

Në fakt, çdo funksionar publik në ushtrimin e detyrës së tij administron ose vendos mbi përdorimin e fondeve publike. Megjithatë, kjo rrethanë e përgjithshme nuk mund të shërbejë si bazë e mjaftueshme për të justifikuar zëvendësimin e masës ekzistuese me një masë më të rëndë sigurimi pa u shoqëruar me rrethana konkrete që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual.

Në këto kushte, pretendimi për rrezikun e kryerjeş së veprave të tjera penale paraqitet hipotetik dhe i pambështetur në elemente konkrete. Për rrjedhojë, nuk rezulton të jenë paraqitur elemente që të përmbushin standardin e kërkuar nga neni 228, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit kufizimi i lirisë personale mund të justifikohet vetëm në prani të rrethanave konkrete që tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual. Në përfundim, Këshilli vlerëson se, nga materialet dhe informacioni i paraqitur, nuk rezulton të jetë evidentuar ekzistenca e një rreziku real dhe aktual për përsëritjen e veprës penale dhe, për pasojë, ky pretendim nuk paraqitet si bazë e mjaftueshme për zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë.

V. КONKLUZIONET, PËRFUNDIMET DHE REKOMANDIMІ

Nga shqyrtimi i materialeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, nga parashtrimet e paraqitura nga mbrojtja, si dhe nga vlerësimi institucional dhe kushtetues i rrethanave të çështjes, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin arrin në përfundimin se kërkesa për autorizimin e Kuvendit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal ndalim i daljes jashtë shtetit me masën e arrestit në burg ose në shtëpi ndaj deputetes Belinda Balluku nuk përmbush standardin e kërkuar nga legjislacioni procedural penal dhe nga parimet kushtetuese që rregullojnë kufizimin e lirisë personale të një deputeti.

Nga shqyrtimi i rrethanave të parashtruara në kërkesën dhe relacionin e Prokurorisë së Posaçme nuk rezulton të jenë paraqitur rrethana konkrete që të justifikojnë vendosjen e një mase më të rëndë sigurimi. Pretendimi për rrezikun e arratisjes nuk mbështetet në elemente faktike që të tregojnë një sjellje konkrete të shmangies nga drejtësia. Përkundrazi, nga parashtrimet e palëve në Këshill rezulton se deputetja ka qenë e disponueshme për organet e drejtësisë dhe ka respektuar në mënyrë të plotë masën ekzistuese të sigurimit. Në të njëjtën mënyrë, pretendimi për rrezikun e prishjes së provave apo të ndikimit në procesin hetimor nuk rezulton i mbështetur në rrethana konkrete dhe aktuale.

Materiali i paraqitur nuk rezulton të paraqesë veprime të reja që të tregojnë përpjekje për të penguar hetimin ose për të cenuar vërtetësinë e provave. Në kushtet kur dokumentacioni përkatës është administruar dhe procedura hetimore është në zhvillim prej një kohe të konsiderueshme, ky rrezik mbetet nivelin e një supozimi abstrakt dhe jo të një rrethane konkrete që mund të justifikojë kufizimin maksimal të lirisë personale. në Gjithashtu, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton i mbështetur në rrethana të reja që të bëjnë të pamjaftueshme masën ekzistuese. Zgjerimi i hetimit ose shtimi i episodeve të dyshuara përbën një zhvillim të zakonshëm të procesit penal dhe nuk mund të konsiderohet në vetvete një rrethanë e re procedurale që të justifikojë vendosjen e një mase më të rëndë sigurimi.

Këshilli mban gjithashtu në konsideratë se vepra penale e pabarazisë në tendera, e parashikuar nga neni 258, pika 2, i Kodit Penal, është një vepër penale me natyrë administrativo-penale, e lidhur me procedurat e prokurimit publik dhe me elemente të natyrës kryesisht dokumentare që burojnë nga administrimi i këtyre procedurave. Po ashtu, Këshilli merr në konsideratë edhe të dhënat e paraqitura në raportet vjetore të Prokurorisë së Posaçme të paraqitura përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga të cilat rezulton se hetimi dhe gjykimi i kësaj vepre penale është zhvilluar në praktikë pa vendosjen e masave të sigurimit personal të natyrës së paraburgimit. Këto të dhëna pasqyrojnë tregues të raportuar në kuadër të praktikës së deritanishme hetimore dhe gjyqësore për trajtimin e kësaj kategorie veprash penale.

Në këtë kuadër, analiza e proporcionalitetit, në përputhje me frymën e nenit 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në dritën e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, të standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe të Komisionit të Venecias, merr një rëndësi vendimtare për të vlerësuar nëse kufizimi i të drejtave themelore është i domosdoshëm, i përshtatshëm dhe proporcional në një shoqëri demokratike. Parimi i proporcionalitetit kërkon që çdo kufizim i lirisë personale të jetë masa e fundit dhe e domosdoshme për garantimin e qëllimeve të procedimit penal.

Arresti përbën masën më të rëndë të sigurimit dhe mund të përdoret vetëm kur masat më të buta rezultojnë të pamjaftueshme. Në rastin konkret, masa ekzistuese ndalimi i daljes jashtë shtetit, e vendosur me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton të ketë qenë efektive dhe e respektuar plotësisht nga deputetja Belinda Balluku.

Nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë shkelje e kësaj mase apo ndonjë rrethanë që të tregojë se ajo ka dështuar në garantimin e pranisë së deputetes përpara organeve të drejtësisë. Për rrjedhojë, zëvendësimi i saj me një masë shumë më të rëndë si arresti në burg ose arresti në shtëpi nuk rezulton i domosdoshëm dhe, për pasojë, nuk paraqitet në përputhje me testin e proporcionalitetit të kërkuar nga legjislacioni procedural penal dhe nga standardet e jurisprudencës evropiane për mbrojtjen e lirisë personale.

Në këtë analizë duhet mbajtur parasysh edhe dimensioni kushtetues i çështjes. Neni 73 Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon një regjim të veçantë mbrojtjeje për deputetin, jo si privilegj personal, por si një garanci institucionale që synon të mbrojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të mandatit parlamentar. i Në këtë kuptim, vendimmarrja e Kuvendit në lidhje me kërkesën për autorizimin e arrestit nuk përbën një gjykim mbi fajësinë ose pafajësinë e deputetes, e cila është kompetencë ekskluzive e organeve të drejtësisë. Roli i Kuvendit është të vlerësojë nëse kufizimi i rëndë i lirisë personale paraqitet i domosdoshëm dhe proporcional në raport me rrethanat konkrete të paraqitura dhe me funksionimin e institucionit parlamentar.

Ky rol është në përputhje edhe me standardin e përcaktuar në opinionet e Komisionit të Venecias, sipas të cilit parlamentet nuk duhet të kryejnë një gjykim penal mbi themelin e akuzës, por kanë detyrimin të vlerësojnë nëse masa e kërkuar është e domosdoshme dhe nësę ajo mund të ndikojë në mënyrë disproporcionale në ushtrimin e mandatit parlamentar dhe në funksionimin e organit përfaqësues. Në mungesë të rrethanave konkrete që të tregojnë domosdoshmërinë e arrestit, autorizimi i një mase të tillë do të përbënte një kufizim të panevojshëm të lirisë personale dhe një ndërhyrje disproporcionale në ushtrimin e mandatit parlamentar. Në një shtet të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i funksionimit të drejtësisë janë objektiva legjitimë dhe të domosdoshëm. Megjithatë, këto objektiva duhet të realizohen gjithmonë në përputhje me parimet kushtetuese dhe me garancitë procedurale që mbrojnë liritë dhe të drejtat themelore.

Për këto arsye, nga shqyrtimi juridik, procedural dhe kushtetues i çështjes rezulton se kërkesa për zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal me masën e arrestit nuk paraqitet e mbështetur në rrethana konkrete dhe të verifikueshme dhe, për rrjedhojë, nuk përmbűšh standardin e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të kërkuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, legjislacioni procedural penal, si dhe nga standardet evropiane për mbrojtjen e lirisë personale.

Në këto kushte, në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i rekomandon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë: Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes znj. Belinda Balluku. Mosdhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes znj. Belinda Balluku, pasi nga shqyrtimi i materialeve dhe rrethanave të paraqitura në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe funksionimin e institucionit të Kuvendit.

 

2 MUAJ ME PARE

Përplasja/ Rama-kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregtisë: Kush po e pengon projektin e Porto Romanos i ka bërë llogaritë gabim!

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
Grant Van Cleve dhe Edi Rama

TIRANË-Nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisës Socialiste, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek projekti për Porto Romanon, për të cilën Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi rishikim te tenderit. Ishte vetë kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleve, i cili me anë të një emaili (email që ka rrjedhur në disa media) dërguar Ramës, u shpreh se tenderi duhet të shtyhet duke arsyetuar se projekti aktual është shumë i vogël dhe nuk mund të mbështesë zhvillimin e korridorit VIII, duke rrezikuar që transporti rajonal të vazhdojë të kalojë përmes porteve të Pireut dhe Selanikut.

Sipas Ramës, llogaritë janë bërë gabim dhe u shpreh se ky projekt që do t’i shërbejë Prishtinës, Shkupit, BE-së dhe NATO-s është një nga proceset më të ndërlikuara. Kreu i qeverisë la të kuptohet se ekzistojnë aktorë që po përpiqen ta pengojnë realizimin e tij. Ai theksoi se qeveria është e vendosur ta çojë përpara këtë investim strategjik, duke shtuar se për çdo çështje tjetër mund të ketë alternativa, por jo për integrimin evropian të vendit. 

Edi Rama: Ndërtimi i Portit të ri Tregtar dhe ushtarak në një krah në Porto Romano parashikon 3-fishimin e kapaciteteve përpunuese aktuale dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike. Parku Logjistik, ndërkohë hap rrugën për 2 porte të reja të thata në Prishtinë dhe në Shkup, duke krijuar një nyje të re me fuqi strategjike dhe logjistike të konsiderueshme, jo thjesht për rajonin, por edhe si një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian dhe NATO-n. Është një nga proceset më të ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi, që janë të zakonshme mes vendesh që janë me stade të caktuar zhvllimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos asaj portuale “Royal Askoning” nga Hollanda, një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga "A-ja", te “ZH-ja” nga konsulenti “Royal Askoning”. Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtuar për ta bllokuar projektin ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkmin Evropian. Për çdo gjë tjetër jam te C-ja.

Zhvendosja e aktivitetit të portit të Durrësit në një tjetër terren bëri që qeveria të vendoste për zhvillimin e tij në Porto Romano. Mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri është zgjedhur modeli C2. Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.

Çfarë përmbante letra e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleve

Në letër kërkohet shtyerja e tenderit, duke arsyetuar se nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e tij aktuale të kufizuar, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm. Sipas Van Cleve, projekti aktual është jashtëzakonisht i vogël dhe do të dështonte, kur mund të ishte një Porto Romano i madh dhe mund të ripërcaktojë rolin strategjik të Shqipërisë në Evropën Juglindore.

Dhoma e Tregëtisë Amerikane propozon një projekt më të madh të bashkëfinancuar edhe nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia. Gjithashtu propozohet ofrimi i firmave më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, duke mos mbetur një port kombëtar dytësor.

"Portet e mëdha janë ndër asetet gjeopolitike më të rëndësishme të një kombi. Ndryshe nga rrugët apo hekurudhat, të cilat mund të zgjerohen me kalimin e kohës, portet e mëdha zakonisht ndërtohen vetëm një herë në një shekull dhe shkalla fillestare e tyre përcakton potencialin strategjik afatgjatë. Problemi Thelbësor: Projektimi aktual i Porto Romanos është jashtëzakonisht i vogël: Korridoret e transportit ndjekin portet — jo e kundërta. Një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor logjistik madhor lindje-perëndim si Korridori 8. Korridori 8 nuk do të ndjekë një port të vogël. Nëse Porto Romano mbetet i vogël, ngarkesat rajonale do të vazhdojnë të kalojnë përmes Pireut dhe Selanikut. Një Porto Romano me ujëra të thella, i lidhur me Korridorin 8, do të forconte ndjeshëm mobilitetin dhe qëndrueshmërinë strategjike të NATO-s në Evropën Juglindore. Pyetja është e thjeshtë: A do të varet Shqipëria nga Pireu dhe Selaniku — apo do të varen Ballkani nga Porto Romano? Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8. Mund të lehtësojmë zhvillimin EPC+F të një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia. -thuhet në letrën publike.

Kujtojmë se më 27 shkurt Prokuroria e Posaçme sekuestroi dosjen e tenderit të projektit për ndërtimin e portit në Porto Romano, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje në procedurën e prokurimit. Hetimet e SPAK pritet të verifikojnë nëse gjatë zhvillimit të procedurës janë respektuar kriteret ligjore dhe parimet e barazisë në garë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Portual lidhur me sekuestrimin e dosjes.

Ecuria e këtij tenderi nisi zyrtarisht në fund të vitit 2024, ku në garë u paraqitën pesë operatorë dhe bashkime kompanish ndërkombëtare me peshë në industrinë e ndërtimit detar. Gjatë muajit prill të vitit 2025, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave njoftoi se pas fazës së para-kualifikimit, vetëm kompanitë “Archirodon Construction” dhe “Van Oord Dredging and Marine Contractors” arritën të kalonin filtrat teknikë, ndërkohë që emra të njohur si “Ëebuild” dhe bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga “Jan De Nul” u skualifikuan nga gara. Në garë ka mbetur vetëm Archirodon, kompani e cila brenda 9 marsit duhet të paraqesë oferten financiare dhe të finalizohet edhe kontrata për ndërtimin e portit.

2 MUAJ ME PARE

PS kundër arrestimit të Ballukut/ "Më në fund zyrtarisht peng"! Bardhi: Rama po mbron korrupsionin

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
foto ilustrim: gamzent bardhi-rama dhe balluku

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të grupit socialist që dolën rrëzuan kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka ironizuar vendimin duke e quajtur 'të Gjykatës Supreme të Republikës-PS", teksa nuk ndali akuzat ndaj kryeministri Rama.

Sipas Bardhit, Rama po mbron korrupsionin dhe zgjodhi pengimin e drejtësisë. Ndërkohë, ai shton më tej se çështja Balluku nuk është thjesht politike, por një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian.

Në përfundim të reagimit, Bardhi bën sërish thirrje për qytetarët që të dalin në protestën e 12 marsit. 

Postimi i plotë i Bardhit:

MË NË FUND DEL HAPUR: I KORRUPTUARI MBRON TË KORRUPTUARIT! MË NË FUND, ZYRTARISHT PENG!

Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës - PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. I kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!

SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.

Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.

Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.

Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.

Ndryshe nga socialistët, demokratët e kanë prezantuar më herët raportin e tyre, në të cilin kërkojnë t'i hapet rruga kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut. 

Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve më seancën e 23 shkurtit kërkuan nga të gjithë deputetët në parlament, të votojnë pro heqjes së imunitetit dhe hapjen së rrugës së Prokurorisë së Posaçme për të marrë të tjera masa ligjore.

Rekomandojnë:

Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e "Ndalimit të daljes jashtë shtetit" e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal"./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Biseda për kërcënim në çështjen Balluku/ Rama: Prokurorët e SPAK, emocionalë, muhabete telefoni

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka zbardhur detaje nga hetimi i SPAK ndaj Belinda Ballukut, ku shprehet se pjesë e dosjes së dorëzuar në Kuvend, është një bisedë telefonike mes një të pandehure në këtë çështje dhe një bashkëbiseduese.

Rama u shpreh se edhe nëse në atë bisedë "e pandehura i thotë bashkëbisedueses, Balluku më ka lidhur pas karriges, më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras, po nuk the kështu", kjo nuk është provë e mjaftueshme për të kërkuar heqjen e imunitetit të një deputeti. Sipas Ramës fillimisht duhet të bëhej një verifikim i bisedës, një ballafaqim dhe më pas të sillej në Kuvend.

Edi Rama: Paraqitja e një incizimi mes një të pandehuri dhe një bashkëbiseduese, ku e pandehura sipas prokurorit na qenkësh kërcënuar. Nuk përmendet asgjëkundi në atë bisedë Belinda, ministrja, titullarja apo ndonjë gjë që duket si ndonjë kërcenim real. Unë vetë as nuk e kam dëgjuar as nuk kam ndërmend ta dëgjoj apo të lexoj proces verbalin, pro drejtësia ka detyrën e vet ti përdorë, që e paska shtyrë prokurorin të marrë të gjithë atë të përpjetë dhe të vijë të kërkoj arrestimin e një deputeteje, e cila është prindi i vetëm i një vajze minorene. Nuk po marr fare as për bazë faktin që kërcënimin prokurori e kishte, edhe përpara se sa ta pezullonte ministren. Ndërkohë që e nxori vetëm kur ra masa e pezullimit, duke e përdorur si rrethanë rëndësuese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turra vrap i cili më shumë se sa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Kushtetuesja. Nuk po them fare që një thënie e një të pandehur në të njëjti procedim nuk ka vlerën e të dëshmisë dhe nuk mund të konsiderohen si provë. S’po e quaj, e zë se e pandehuri i thotë bashkëbisedueses, Balluku më ka lidhur pas karriges, më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras, po nuk the kështu,  apo nuk bërë ashtu. Po e marr që prokororët, kanë sjellë këtë. A ka njeri të ma tregojë si mund të vihet në kuvendin e Shqipërisë me një muhabet të tillë telefoni pa bërë asnjë ballafaqim, pa bërë asnjë kryqëzim dëshmish, pa bërë asnjë verifikim kur, ku ndodhi kjo. Sado në mënyrë të tmerrshme të përshkruhet në një bisedë telefonike mes dy grash, ose burrash, aq më tepër një i pandehur me një tjetër. 

Në mbledhjen e 23 shkurtit së Këshilllit të mandateve, ku u diskutua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, prokurorët e SPAK parashtruan prova të reja, ku bëhej fjalë për kërcënimin e dëshmitarëve në emër të Ballukut. SPAK konfirmoi në mbledhjen me dyer të mbyllura, se më datë 20 Nëntor 2025, Balluku ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Kjo është e vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Nuk jam avokat i askujt", Rama: E duan në burg si gjyshi i saj, Beqir Balluku, pa të drejtë mbrojtjeje...

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama renditi disa nga sukseset e Belinda Ballukut në krye të ministrisë së Infrastrukturës, teksa shtoi se meriton respekt për punën që ka bërë. Rama theksoi se nuk është 'avokati i askujt', duke nënvizuar se fajësinë apo pafajësine, e përcakton vetëm sistemi gjyqësor.

Sipas Ramës, Ballukun e duan në burg si gjyshi i saj, Beqir Balluku, në kohën e komunizmit, pa pasur të drejtë që të mbrohet.

“Në 2022 u përmbyll reforma e parë e ujit, reduktuam shoqëritë nga 58 në 14. Në 2024 nisëm subvencionimin e ujit për kategori të caktuara. Kemi zhvilluar sisteme digjitale për monitorimin e ujit, kemi përfunduar projekt për digjitalizimin e shërbimit. Furnizimi me ujë 24 orë, arkëtimet kanë shkuar në nivel rekord me 11.2 miliardë lekë në 2024, rritje me 13 përqind. Pagesa e faturave të energjisë ka arritur në 93 përqind. Shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve, janë shëndoshur financiarisht, mund të kalojmë në fazën tjetër të reformës. Kanë përfunduar 200 projekte, janë edhe 80 në kantier. Dy sektorë strategjikë që Balluku ka drejtuar në ministrinë e Infrastrukturës, nga tenxheret do gjuhet dhe do pështyhet si të ishte fletë lavdërimi. Faktet janë fakte. Për mua, për ne, këto nuk janë faktet e pafajësisë apo amnistisë. Nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë, fajësinë apo pafajësinë e përcakton sistemi gjyqësor. Për këto fakte, arritje, që të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre, edhe ministrja e Infrastrukturës, meritojnë vetëm respekt. Njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, e kanë gjykuar pa gjyq, dënuar pa i dhënë të drejtë të mbrohet dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, u them t’i bëjnë vetes një pyetje, ku ndryshojmë ne, ne sot, apo ku duhet të ndryshojnë shqiptarët e sotëm, pavarësisht bindjeve, nga ata që e donin të pushkatuar gjyshin e saj, të burgosur, të syrgjynosur, pasi iu bëri gjyqin në gazetë, radio dhe u dënua në emër të popullit, pa i dhënë të drejtë të mbrohej. Unë nuk jam avokati i askujt këtu. Kjo është pyetje për të vërtetën e madhe që i takon demokracisë, përballë një sfide. Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe si vijë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit”, theksoi Rama. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Gazi i Zegjinesë", Rama ironizon Bardhin: Burri i parë në histori që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama

TIRANË- Pas leximit të raportit të PS-së, kryeministri Edi Rama është ndalur gjatë fjalës së tij, në akuzat e opozitës për çështjen e Ballukut. Teksa renditi akuzat, sipas tij nga '700 tenxheret', Rama iu drejtua kreut të Grupit të PD-së Gazment Bardhi, duke i kujtuar atij humbjen që pati në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 11 majit.

"I vetmi burrë që është në mbrojtje nga Komiteti i Helsinkit nga sulmi i një gruaje", tha Rama, teksa ironizoi Bardhin me 'betejën' e tij të vazhdueshme me deputeten e PS-së, Zegjine Çaushi. 

“Belinda Balluku e çoi PD për jufka në Dibër dhe e asfaltoi Gazment Bardhin në Fier. Gazi i Zegjinesë, që për herë të parë në historinë e botës është burri i vetëm që është marrë në mbrojtje nga Komiteti i Helsinkit nga sulmi i një gruaje. Mëshirë Zegjine”, tha Rama.

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Nuk e shpall dot të pafajshme, por...", Rama: Balluku do të vijojë të drejtojë qarkun e Fierit

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë drejtuese e qarkut të Fierit, duke qenë sërish deputete, pavarësisht të gjitha problemeve me dretjësinë. Pas prezantimi të raportit të PS për imunitetin e Ballukut, Rama deklaroi se 'nuk do ta kalojë vijën e kuqe, për ta shpallur atë të pafajshme', por theksoi se askush si ajo nuk mund t'i mbajë kontaktet me territorin.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se nuk ka ndër mend ta shpallë 'hero' apo 'të pafajshme', teksa shtoi se 'nuk është aspak e lehtë të punosh me të.'

"Ndërkohë që Balluku u kthue në ‘shtrigën’ që duhet djegur me zjarr molotovësh dhe tërë fondet e mobilizuara si asnjëherë më parë, u kthyen në para të grabitura prej asaj vetë, sot dua tu them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vijon dhe do vijojë në infrastrukturë dhe energjitikë, nuk e solli koha, as thjesht paratë, nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti për qeverinë e kësaj partie, ku bën pjesë edhe Balluku si anëtare e kryesisë së PS, si një ndër njerëzit tanë më të votuar, e cila për 6 vjet drejtoi MIE, pa orar duke luftuar pa reserve, për të realizuar objektivat e programit tonë, në këta dy sektorë shumë të rëndësishëm.

E di që mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret e saj në territor burojnë nga fuqia që ajo kishte, kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e afërta ku ajo do vijojë të drejtojë qarkun.

Pak kush nga ne mban si Belinda kontaktet me territorin duke shkuar rregullisht. Nuk kam në plan ta shpall as hero e as viktimë Belindën sot, dhe uroj që prokuroria të shterojë cdo pistë që mund të cojë te korrupsioni, në fund të ditës cdo kush pas të 18-ave varet vetëm te këmbët e veta. Unë si kryeministër nuk e kam as të mundur e as të lejuar, që t'i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori. Nuk kam ndërmend t’ju them që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi e dimë të gjithë sa e lehtë është të merresh me të.

Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme apo të shkel për të vijën e kuqe që e kam viztuar para deputetëve në këtë sallë, që vlen për të gjithë njësoj. Janë gjëra që i takojnë avokatit, apo prokurorit apo gjykatësit, jam po s'jam unë dakord. Po nuk lë pa përmendur transforimimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka ndjekur. Në 6 vite janë ndërtuar rreth 1 mijë km të rrjetit rrugor kombëtar, me standarde. 40 kantiere janë të hapura në gjithë vendin dhe do jenë vlerë e shtuar, nga aksi Elbasan Rrogozhinë, te Elbasan Qafë Thana që mbyllen në 2027, duke vënë në dispozicion korridorin e VIII që u bllokua për vite nga të tjerë, për të mos u klasifikuar nga të tjerë dhe e zhbllokuam ne në samitin e BE këtu në Tiranë, dhe është shpallur korridor sigurie për forcat e NATO-s.

Edhe Elbasan Banjë, apo by pass i Fierit dhe Vlorë, janë vepra që janë kryer në këto 6 vite, ashtu si Orikum Dukat, apo tuneli i Llogarasë, që flitet në uturakët e Qimbellinjve për miliona e meleona të vjedhur, por të vetmet meleona janë ato të përfituar nga rritja e fluksit drejt detit Jon për ekonominë dhe financat e vendit.", deklaroi Rama.

2 MUAJ ME PARE

"700 tenxheret e pazarit tonë", Rama: Ballukun e bënë me 300 vila e 2 jahte

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, nuk kuresu as akuzat dhe ironitë ndaj opozitës. Rama i quan shpifje deklaratat e opozitës, të cilët deklarojnë në mediar se Balluku ka 300 vila, 2 jahte dhe 10 mijë euro solucione magjike për larje makine.  

“Njoftim i akuzës në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga gupet hetimore të Stacionit të Trenit që përdorin mediat si forca  paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që të ngriheshin dallgët e detit të urrejtjes që ziejnë pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale për të kthyer njeriun në kriminel me 300 vila, 2 jahte, 10 mijë euro solucione magjike për larje makine. Ndërkohë rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën nga korrupsion, shiu u derdh me gjyma dhe përmbytjet mbuluan malet e Shqipërisë, deti u bë kos me qenërinë e pazarit politik dhe mediatik dhe erdhi me thirrje histerike jashtëderdhjesh në bulevard. E shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe a atij që e çoi partinë demokratike për jufka në Dibër dhe e asfaltoi në Fier me gjithë Gazin e Zegjinesë, burri i parë në historinë e Evropës  Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë”, tha Rama.

2 MUAJ ME PARE

"Masë absurde"! Rama: Ndaj Ballukut s'ka asnjë akuzë për korrupsion

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama

TIRANË- Pas prezatimit të raportit të socialistëve të dorëzuar në Kuvend për çështjen Balluku, fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama. Rama u shpreh se ndaj saj nuk ka akuzë as për vjedhje dhe as për korrupsion, por dyshime për shkelje barazie në tendera, që sipas tij bazohen në disa mesazhe të gjetura pas 6 vitesh në telefonin e një drejtori. Rama e cilësoi një masë absurde pezullimin e funksionit, duke shtuar se kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në botë. 

"Sot ne jemi këtu që të shpallim publikisht qëndrimin tonë në lidhje me kërkesën e prokurorit special për të autorizuar kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut. Ndaj sa është ngritur një akuzë që vitin e kaluar, jo për vjedhje, korrupsion, apo për ndonjë krim, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ministrisë ka kryer veprën penale të shkeljes së pabarazisë në tendera, gjashtë vite më parë. Në bazë të disa mesazheve të gjetura më vonë në celularin e një ish-drejtori. U vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm pezullimi i anëtares të kabinetit qeveritar. Një masë absurde që në radhë të parë pezulloi funksionin, jo vetë personin. Nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në botë një budallallëk i kësaj natyre. Pastaj pa pritur fare vendimin, apo gjykata pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do i hynte çështjes së në themel erdhi turravrap i dytë kërkesën që në shqyrtojmë sot. Arrestimin e një deputeti. Thjesht njoftimi i akuzën, në rrugën e shtrembër që është bërë rëndon në rrugën hekurudhore të stacionit të trenit, mjaftoi që Belinda Ballukut të dëgjoheshin të gjitha dallgët e urrejtjes.", tha Rama.

ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Balluku s’ka rrezik për prishjen e provave", Manja: Nuk e miratojmë kërkesën e SPAK!

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
ulsi manja

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, deklaroi nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së se anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit kanë arritur në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal. Ulsi Manja ka deklaruar se rreziku i largimit nga vendi i Belinda Balluku nuk ekziston, kjo pasi edhe pse ishte në dijeni të hetimit, ajo është larguar disa herë nga Shqipëria dhe është rikthyer.

“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Belinda Balluku. Po të prishte provat, do të kishte një akuzë të dytë, që është ajo e prishjes së provave. Ndërkohë për arratisjen, ka një procedurë. Rreziku i arratisjes do të duhet të jetë real, dhe jo i supozuar. Balluku, edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gusht, edhe pasi iu njoftua akuza nga SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit. Përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal. Ka udhëtuar në Bukuresht, në Athinë, Romë dhe në të gjithaq rastet është kthyer në Shqipëri, duke rrefletuar sjellje të rregullt ndaj autoriteteve. Ka dorëzuar mjetet e identifikimit. Edhe kartën e re të identitetit, që ka dalë pasi ka dalë masa, sapo është marrë në dorë nga deputetja, mbrojtja e saj e ka dorëzuar. Ju e dini që me kartën lëvizet në rajon. Pretendimi se sanksioni penal, shtimi i sanksionit, hipotetikisht që mund të çoje në arratisje, bie poshtë. Dhe ky pretendim nuk qëndron. Mbi pretendimin e përsëritjes së veprës penale, këtu s’dua të ndaloj, pasi rreziku kërkon të jetë real dhe jo hipotetik. Edhe ky pretendim nuk qëndron. Ne si maxhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha Manja.

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"SPAK nuk po pengohet, po vepron lirisht"/ Manja: Imuniteti s’mund të jetë privilegj individual, por garanci institucionale!

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
Ulsi Manja

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, po prezanton në mbledhjen e grupit parlamentar të PS raportin lidhur me kërkesën e SPAK, që kërkon heqjen e imunitetit për Belinda Ballukut. 

Sipas Manjës, imuniteti nuk duhet të përdoret si mbrojtje personale, por si garanci institucionale për funksionimin e lirë të Parlamentit. Manja shtoi se Kuvendi ka detyrimin të verifikojë nëse ndërhyrja në liri është reale dhe e domosdoshme, dhe se autorizimi për procedim është akt politik dhe juridik, jo formal.

“Koha kur u bënë kallëzimet në vitin 2024, për shkelje të barazisë në tendera apo ankande, nuk përbën vepër penale korrupsioni. Më pas kemi një zhurmë të madhe që e ka vështirësuar këtë proces. Ne nuk jemi ndalur, pasi respektojmë plotësisht qëndrimin e mbrojtjes dhe besojmë te drejtësia. Në këtë pikë ne i qëndrojmë dhe respektojmë qëndrimin publik, por edhe atë të mbrojtjes së koleges sonë, Balluku.

Sa i takon kërkesës së SPAK për ndalim të daljes jashtë shtetit dhe mbajtje në burg, ne i qëndrojmë qëndrimit tonë. Është me interes për publikun dhe për ju, të nderuar deputetë, që të theksohet një fakt me rëndësi: në vlerësimin tonë jemi bazuar në provat dhe arsyetimet e SPAK dhe i kemi qëndruar besnikë nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.

Kemi bërë një kontroll kushtetues dhe parlamentar nëse kërkesa e SPAK është strikt proceduriale. Në Këshill kemi pasur diskutime. Nuk u arrit që të dilnim me një raport të përbashkët; opozita ka një qëndrim tjetër. Raporti i opozitës mbron tezën që Kuvendi të mos e vlerësojë masën e sigurisë.

Në vlerësimin tonë, si anëtarë të Këshillit të Mandateve, kjo qasje reduktuese nuk përputhet me frymën e Kushtetutës. Autorizimi është akt vullneti që mbart përgjegjësi politike dhe juridike. Nëse dhënia e këtij autorizimi do të ishte e detyrueshme sa herë që kërkohej nga SPAK, atëherë dispozita kushtetuese do të ishte e panevojshme. Këtë e ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, si dhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Imuniteti procedural nuk mund të jetë privilegj personal, por garanci institucionale për mbrojtjen dhe funksionimin e lirë të Kuvendit. Kuvendi ka detyrimin të verifikojë nëse ndërhyrja në liri është reale dhe e domosdoshme. Ky rol i Kuvendit del qartësisht nëse i referohemi rastit të ndalimit në flagrancë të një deputeti. Kur ai kapet në kryerje e sipër të një krimi, apo menjëherë pas kryerjes së tij, drejtuesi i SPAK njofton Kuvendin. Kur konstatohet se nuk ka vend për procedim, vendoset heqja e masës. Pra, roli i Kuvendit për heqjen e imunitetit nuk është formal.

Imuniteti për hetimin dhe ndjekjen penale nuk ekziston pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2012. Deputeti hetohet, ndiqet si cdo shtetas, ndaj tij mund të caktohen masa sigurimi deri tek arresti. Kushtetua ka ruajtur një imunitet procedural të kufizuar për masat që prekin lirinë personale. Për arrestimin kërkohet autorizim nga Kuvendi, nuk është mburojë penale, por mekanizëm balancues. Deputetja ka një masë sigurie penale, të daljes jashtë shteti. SPAJK po heton lirisht dhe nuk po pengohet në ushtrimin e kompetencave sa i takon hetimit", tha Manja.

2 MUAJ ME PARE

"Kërkesa e SPAK, ndryshe nga të tjerat"/ Manja prezaton raportin: Narrativa për prishje të provave, Balluku s’ka më funksione

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
ulsi manja

TIRANË- Ka nisur mbledhja e grupit parlamentar të PS, ku Ulsi Manja po prezanton raportin për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Manja u shpreh se narrativa e SPAK se Balluku mund të prishë provat apo të arratiset është hipotetike, pasi ajo tashmë është shkarkuar nga funksionet e saj dhe është vetëm deputete.

“Dorëzojmë sot raportin e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Falënderoj kolegët e mi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për trajtimin me seriozitet të kësaj çështjeje. Kemi diskutuar për relacionin dhe pretendimet e palëve në Këshill dhe kemi arritur të dakordësohemi për këtë raport. Sot që po diskutojmë këtë raport, ka ndodhur një realitet i ri. Jemi përpara një realiteti të ri institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione në Këshillin e Ministrave. Për pasojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale. Edhe narrativa e SPAK, mbi të cilën është ndërtuar kërkesa, si “rreziku i prishjes së provave” apo arratisja, mbetet hipotetike. Kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një tribunal mediatik. Ndaj është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë, të ndajmë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet. Të nderuar kolegë, kërkesa e SPAK në fakt, në rastin e Ballukut, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për heqje lirie apo kontroll banese, pasi nuk është kërkesë për masë sigurimi për herë të parë. Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilit janë në fuqi, siç është ndalimi i daljes jashtë vendit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që nga gushti i vitit 2024.”, tha ai.

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Arrestimi i Ballukut/ Balla: Raporti ka karakter rekomandues, e dorëzuam të premten në Kuvend

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
taulant balla

TIRANË- Grupi i PS-së ka nisur mbledhjen në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të shpallet edhe vendimi i tyre për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Në mbledhje do të mbajë fjalën kryesocialisti Edi Rama. Mbledhja ëshë hapur nga kreu i Grupit, Taulant Balla, i cila ka njoftuar se kanë dorëzuar raportin në Kuvend, ditën e premte. 

"Të premten kemi dorëzuar raportin në Kuvend. Në 16 dhjetor 2025 pranë Kuvendit nga SPAK është depozituar një kërkesë që është kaluar për shqyrtim nga Peleshi. Në Këshillin e Mandateve çdo deputet ka të drejtën e vet të vlerësimit, Ne 5 deputetët anëtarë të Këshillit Unë, Peleshi, Maja, Çuçi dhe Çomo, kemi bërë gati një material rekomandues që do të prezantohet si përmbledhje nga Ulsi Manja.", tha Balla.

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Pritet të shpallet vendimi për Ballukun, Rama mbërrin në mbledhjen e grupit të PS

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama

TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendi i Shqipërisë, ku pritet të zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partia Socialiste. Gjatë kësaj mbledhjeje, socialistët pritet të shpallin qëndrimin e tyre lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Para mbledhjes së Grupit të PS-së, Rama: Sot vendosim për kërkesën e prokurorit ndaj Ballukut!

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
edi rama-belinda balluku

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pak para mbledhjes së grupit parlamentar të Partia Socialiste, ku pritet të merret qëndrimi zyrtar lidhur me kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Sot në 10:00 do të jemi LIVE në Grupin Parlamentar për marrjen e qëndrimit ndaj kërkesës së prokurorit për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut”, shkruan Rama.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe raporti i përgatitur nga anëtarët socialistë në Këshillin e Mandateve mbi kërkesën e SPAK. Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë një fjalim në mbledhje, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse edhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të vendosë të flasë./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Kërkohet arrestimi i Ballukut, PS prezanton sot raportin nga Këshilli i Mandateve! Rama pritet të mbajë fjalim

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, socialistët s'japin aprovimin!
belinda balluku-grupi i ps

TIRANË- Sot, grupi parlamentar i Partia Socialiste do të zhvillojë një mbledhje ku pritet të lexohet raporti i pesë anëtarëve socialistë në Këshilli i Mandateve, lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të jenë të pranishëm. Në mbledhje pritet të jetë e pranishme edhe vetë Belinda Balluku.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nëse ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të marrë fjalën gjatë mbledhjes. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama pritet të mbajë një fjalim. Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili ka koordinuar punën me anëtarët e tjerë socialistë të Këshillit të Mandateve për përgatitjen e dokumentit.

Qëndrimi përfundimtar i socialistëve pritet të vendoset sot, për të kaluar më pas në Kuvend, përballë qëndrimit të opozitës të cilët janë pro lejimit të arrestimit të Ballukut. 

Në mbledhjen e 23 shkurtit, të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Partia Demokratike ka deklaruar votën pro dhënies së autorizimit, ndërsa përfaqësuesit socialistë janë shprehur se masa aktuale e pezullimit ndaj saj është e mjaftueshme dhe nuk pengon vijimin e hetimeve.

Në mbledhjen që zgjati rreth 5 orë, ishin të pranishëm kreu i SPAK, Klodian Braho dhe prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan që Ballukut t’i hiqet imuniteti, duke argumentuar se ka intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarë dhe se pozita ndaj sa është rënduar duke rrezikuar deri në 35 vite burg. Por, pavarësisht këtyre fakteve të propozuara nga ana e prokurorëve, socialistët dhe demokratët dolën me dy qëndrime të ndryshme.

Ndërsa PD publikoi raportin e saj për çështjen, mazhoranca pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar mbi çështjen e Ballukut.

Të dyja raportet do i kalojnë Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën e 12 marsit. Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI

 

 

 

Poll

MOS HUMB