Izraeli godet depot e naftës në Iran, tymi i zi mbulon qiellin e Teheranit (VIDEO)
IRAN- Një re e dendur tymi të zi ka mbuluar qiellin e Teheranit pas sulmeve të kryera nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ndaj objekteve të naftës. Situata në kryeqytetin iranian mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët raportojnë shpërthime të forta dhe zjarre të mëdha gjatë natës.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, në shënjestër janë vendosur katër depo për ruajtjen e naftës dhe një qendër transferimi të produkteve të naftës në provincat Teheran dhe Alborz. Kjo shënon dhe goditjen e parë ndaj impianteve industriale të naftës të Iranit që nga fillimi i konfliktit SHBA- Izrael kundër Iranit.
Ndërkohë, sipas raportimeve të BBC, në vend është ndërprerë qasja në internetin global. Shumë qytetarë nuk mund të lidhen me rrjetet ndërkombëtare pa përdorur VPN, ndërsa disa prej tyre thonë se çmimet për këto shërbime janë rritur ndjeshëm.
Gazetarja Fatemeh Rajabi publikoi në platformën X fotografi të qiellit mbi Teheran rreth orës 09:00 sipas orës lokale, ku duket një mjegull e errët që ka mbuluar qytetin. Ajo raportoi gjithashtu për reshje shiu në disa zona.
Sipas disa dëshmive në rrjet, bashkë me shiun kanë rënë edhe grimca të zeza të ngjashme me pluhurin e barutit, çka ka shtuar shqetësimin e banorëve. Disa prej tyre kanë bërë thirrje që njerëzit të shmangin daljen jashtë gjatë reshjeve./ZËRI
Lufta në Iran përçan aleatët Perëndimorë/ Trump lavdërime Melonit, kritika kryeministrit Starmer
WASHINGTON- Presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë edhe njëherë të qartë se kë vlerëson mes liderëve europianë, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në konflikt me Iranin në Lindjen e Mesme. Trump lavdëroi kryeministren italiane Giorgia Meloni, gjatë një interviste telefonike me gazetën italiane Corriere della Sera.
Trump e cilësoi Melonin një udhëheqëse të shkëlqyer dhe një mikeshë të tij, dhe tha se Italia po bën çmos për të ndihmuar shtetet e Bashkuara në konflikt. Komentet e Trump erdhën pasi Meloni tha se Italia po planifikon të dërgojë ndihmë për mbrojtjen ajrore në vendet e Gjirit përballë sulmeve ajrore iraniane.
Nga ana tjetër ky konflikt ka rindezur një përplasje diplomatike mes Ëashingtonit dhe Londrës, pasi Donald Trump ka përsëritur kritikat ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili nuk lejoi Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat britanike për sulme.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se Britania e madhe po e mendon seriozisht dërgimin e dy aeroplanmbajtëseve në në Lindjen e Mesme, por ai duket se e refuzoi ofertën. Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për njerëz që bashkohen në luftë, pasi SHBA tashmë ka fituar.
Starmer nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë Trump, por tha se vendi I tij ka nevojë për seriozitet dhe jo për lojëra politike, një mesazh ky drejtuar partive opozitare në vend./ZËRI
Kaos i fluturimeve në Lindjen e Mesme/ Aeroporti i Dubait nis rikthimin gradual, lehtësohen pasagjerët e bllokuar
DUBAI- Pas një bllokimi që zgjati për më shumë se një javë, aeroporti i Dubait po i rikthehet normalitetit dhe po rifillojnë sërish fluturimet. Linja ajrore më e madhe në Gjirin Persik, Emirates, po rifillon fluturimet në shkallë të gjerë, pasi i kishte ndalur kur filloi konflikti të shtunën e 28 shkurtit, kur Izraeli së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sulmuan Iranin.
Emirates po u jep përparësi rrugëve që lidhin Dubain me qytete të mëdha anembanë botës, si Londra, New York, Parisi dhe Sydnei. Përveç Emirates, edhe FlyDubai, Etihad dhe Air Arabia po përditësojnë të gjitha oraret e tyre për të vazhduar me rezervimet e konfirmuara, duke u ofruar qartësi të nevojshme pasagjerëve të bllokuar. Për shkak të mbylljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore rajonale, aeroportet Ndërkombëtare të Dubait dhe Al Maktoum kanë rifilluar pjesërisht operacionet, megjithëse me shërbime të reduktuara.
Kjo situatë ka ndikuar në trafikun ajror në të gjithë rajonin, duke bllokuar mijëra udhëtarë. Ndërsa aktiviteti ka rifilluar, është thelbësore që pasagjerët të monitorojnë përditësimet e fluturimeve dhe të sigurohen që kanë një rezervim të konfirmuar para se të nisen për në aeroport. Megjithatë, oraret e kufizuara të fluturimeve janë ende në fuqi, që do të thotë se vetëm pasagjerët me rezervime të konfirmuara lejohen të hyjnë në terminale. Aeroportet e Dubait kanë theksuar se udhëtarët nuk duhet të mbërrijnë në aeroport pa konfirmim të qartë nga linja e tyre ajrore.
Për turistët dhe udhëtarët e biznesit, rihapja e aeroporteve të Dubait është një zhvillim i madh, në mes të një situate pasigurie qe ka ndikuar jo vetem qytetaret e rajonit, por njerez nga e gjithe bota./ZËRI
Ushtria e Izraelit paralajmëron: Do ndjekim çdo pasardhës të Khamenei-t!
TEL AVIV- Forcat e armatosura të Izraelit kanë lëshuar një paralajmërim ndaj Iranit, duke thënë se do të vazhdojnë të ndjekin çdo pasardhës të udhëheqësit suprem të ndjerë, Ajatollah Ali Khamenei-t. Në një postim në platformën sociale X, llogaria e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në gjuhën persiane shkroi se Forca e Shtetit të Izraelit do të vazhdojë të ndjekë çdo pasardhës dhe çdo person që përpiqet të emërojë një pasardhës.
“Forca e Shtetit të Izraelit do të vazhdojë të ndjekë çdo pasardhës dhe çdo person që përpiqet të emërojë një pasardhës. Ne paralajmërojmë të gjithë ata që synojnë të marrin pjesë në mbledhjen për zgjedhjen e pasardhësit se nuk do të hezitojmë t’i godasim gjithashtu. Ky është një paralajmërim”, thuhet në postim.
Më herët gjatë ditës së sotme Asambleja e Ekspertëve të Iranit njoftoi se ka arritur marrëveshjen se kush do të zgjidhet si udhëheqësi i ri i vendit pas vrasjes së Ali Khameneit. Lajmi u bë i ditur nga Ajatollah Mohammad-Mahdi Mirbagheri, një anëtar i këtij organi për agjencinë e lajmeve Fars. Ai deklaroi se anëtarët bënë përpjekje të mëdha për të përcaktuar udhëheqësin dhe ranë dakord për një mendim vendimtar dhe unanim. Por, emri i tij ende nuk është bërë i ditur, ndërsa dyshohet se i përzgjedhuri është Mojtaba, djali i Ajatollah Ali Khameneit./ZËRI
Shpërthim në ambasadën e SHBA në Oslo, ngjarja mbetet mister, diplomatët refuzojnë ta komentojnë
OSLO- Një shpërthim ka ndodhur pas mesnatës në ambasadën amerikane në Oslo, Norvegji, njoftojnë autoritetet vendase. Nga shpërthimi nuk raportohet për të lënduar, ndërsa ende nuk bëhet me dije se kush qëndron pas këtij shpërthimi.
Mësohet se nga shpërthimi ambasada pësoi dëme të vogla, ndërsa punonjësit amerikanë të misionit diplomatik nuk kanë dhënë asnjë koment për ngjarjen. Autoritetet vendase njoftuan se shpërthimi ndodhi në hyrjen publike të ndërtesës.
Ngjarja është në hetim, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në zonën e kryeqyetit ku ndodhet ambasada./ZËRI
Teherani e konfirmon: Kemi arritur marrëveshje për zgjedhjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit
TEHERAN- Asambleja e Ekspertëve të Iranit ka arritur marrëveshjen se kush do të zgjidhet si udhëheqësi i ri i vendit pas vrasjes së Ali Khameneit. Lajmi u bë i ditur nga Ajatollah Mohammad-Mahdi Mirbagheri, një anëtar i këtij organi për agjencinë e lajmeve Fars. Ai deklaroi se anëtarët bënë përpjekje të mëdha për të përcaktuar udhëheqësin dhe ranë dakord për një mendim vendimtar dhe unanim.
Në një intervistë tjetër me agjencinë e lajmeve Fars, Hojjatoleslam Jafari, përfaqësuesi i Zanjanit në Asamblenë e Ekspertëve, tha se shpresonte që populli iranian të jetë i kënaqur sa më shpejt të jetë e mundur.
"Vonesa në zgjedhjen e udhëheqësit të tretë është e hidhur dhe e padëshiruar për të gjithë, dhe nuk ka alternativë, kështu që nuk duhet të kemi mendime të këqija për përfaqësuesit tanë në këtë moment të vështirë", ka thënë ai.
Sipas Kushtetutës iraniane, Asambleja e Ekspertëve, aktualisht me 88 anëtarë, është e ngarkuar me zgjedhjen e një udhëheqësi të ri suprem pas mandatit gati 37-vjeçar të Khameneit, i cili u vra në një sulm amerikan në Teheran më 28 shkurt. Ajatollah Mohsen Heidari Alekasir, një tjetër anëtar i Asamblesë, tha se kandidati u zgjodh bazuar në këshillën e Ali Khameneit, i cili thoshte se udhëheqësi iranian do të duhej të "urrehej nga armiku".
"Edhe Satani i Madh (SHBA) e përmendi emrin e tij", tha Heidari Alekasir.
Ditë më parë, Trump e quajti djalin e Khameneit, Mojtaba, një zgjedhje "të papranueshme". Edhe pse emri nuk është bërë ende i ditur, dyshohet se Mojtaba, djali i Ajatollah Ali Khameneit është përzgjedhur për të qenë lideri i ri Suprem i Iranit./ZËRI
Irani shkatërron sistemin kryesor të radarëve mbrojtës të SHBA në Jordani
AMAN- Irani ka sulmuar radarët amerikan në Jordani, duke shkatërruar një sistem shumë të rëndësishëm me vlerë rreth 300 milionë dollarë. Radarët përdoreshin për drejtimin e sistemeve amerikane të mbrojtjes kundër raketave në rajonin e Gjirit. Ky zhvillim konsiderohet një goditje strategjike për mbrojtjen ajrore të rajonit.
Bloomberg raporton se radarët dhe pajisjet shoqëruese u shkatërruan në bazën ajrore Muwaffaq Salti në Jordani, në ditët e para të luftës. Informacioni u konfirmua nga një zyrtar amerikan dhe më herët për CNN.
Të dhënat e një instituti kërkimor tregojnë se dy sulme iraniane në Jordani janë regjistruar: më 28 shkurt dhe më 3 mars. Thuhet se sulmet janë kapur nga mbrojtja ajrore, por fotografitë satelitore tregojnë se radari AN/TPY-2 dhe pajisjet e sistemit amerikan THAAD janë shkatërruar.
Ekspertët thonë se një sulm i suksesshëm ndaj radarit të sistemit THAAD do të ishte një nga sulmet më të rëndësishme iraniane deri tani. Megjithatë, ushtria amerikane dhe aleatët e saj kanë edhe radarë të tjerë që mund të vazhdojnë të sigurojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër-raketore./ZËRI
Trump “refuzon” ndihmën e Britanisë: Nuk kemi nevojë për njerëz që na bashkohen pasi fitojmë luftën
WASHINGTON- Presidenti amerikan, Donald Trump përmes një postimi në “Truth Social”, iu është drejtuar kryeministrit britanik, Keir Starmer. Trump shkruan se Mbretëria e Bashkuar “më në fund po e mendon seriozisht” dërgimin e dy transportuesve të aeroplanëve në Lindjen e Mesme, por e refuzon ofertën. Ai shprehet nuk ka nevojë për njerëz që i bashkohen luftërave që i ka fituar.
“Mbretëria e Bashkuar, dikur aleati ynë i Madh, ndoshta më i Madhi nga të gjithë, më në fund po e mendon seriozisht dërgimin e dy transportuesve të aeroplanëve në Lindjen e Mesme. Kjo është në rregull, kryeministër Starmer, nuk kemi më nevojë për to – por do ta mbajmë mend. Nuk kemi nevojë për njerëz që bashkohen në luftëra që i kemi fituar tashmë! Presidenti DONALD J. TRUMP”, shkruan Trump./ZËRI