Trump-Putin pa marrëveshje në Alaskë
SHBA- Takimi mes liderit amerikan Donald Trump dhe liderit rus Vladimir Putin, i mbajtur mbrëmjen e djeshme në Alaskë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete, pavarësisht toneve pozitive nga të dy liderët dhe simbolikës së fortë që e shoqëroi samitin. Sipas CNN, takimi u mbajt nën moton: "Në kërkim të Paqes", por përfundimi i tij mbeti i paqartë dhe pa ndonjë rezultat të prekshëm.
Samiti zgjati rreth tre orë, pas të cilit Trump dhe Putin dolën për një deklaratë të shkurtër për shtyp, por nuk dhanë detaje mbi çfarë konkretisht ishte diskutuar apo arritur. Trump tha se: "kishte shumë pika për të cilat ramë dakord", por shtoi se: nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje", duke lënë të kuptohet se negociatat nuk kishin prodhuar ndonjë zgjidhje. CNN thekson se gjatë samitit, Trump ia vendosi si përgjegjësi Ukrainës për të bërë një marrëveshje, duke deklaruar se presidenti ukrainas: "duhet të bjerë dakord". Ndërkohë, në Ukrainë, në të njëjtën ditë, ndodhi një shpërthim i një droni rus në qytetin Sumy, duke shtuar më shumë tension mbi bisedimet.
Në një intervistë për Fox News, menjëherë pas samitit, Trump tha se ai mund të marrë pjesë në një takim të ardhshëm mes Putin dhe Zelensky, duke deklaruar: Të dy më duan atje, dhe unë do të jem atje.
Megjithëse nuk u arrit ndonjë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë, CNN vëren se vetë pjesëmarrja e Putinit në këtë samit përbën një rikthim të fuqishëm të tij në arenën ndërkombëtare. Ai u prit me ceremoniale shtetërore dhe një pritje të ngrohtë nga Trump, ndërsa televizionet ruse e quajtën takimin një "shtrëngim duarsh historik". Për herë të parë pas një dekade, Putin zbarkoi në tokë amerikane, ndërkohë që SHBA nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, një faktor që sipas CNN ndikoi në zgjedhjen e Alaskës si vendtakim, duke shmangur rrezikun e ndalimit të Putinit për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar për krime lufte.Takimi fillimisht ishte planifikuar të mbahej kokë më kokë, vetëm me përkthyesit, por formati u ndryshua në momentin e fundit. Sipas CNN, dy ndihmës nga secila palë morën pjesë në bisedë: për SHBA-në, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff.
Edhe pse përmbajtja e plotë e bisedimeve mbetet e paqartë, CNN vë në dukje një moment simbolik: Putini udhëtoi në limuzinën presidenciale të Trump, një gjest i rrallë që për shumë analistë simbolizoi rikthimin e liderit rus në diplomacinë globale, pas viteve izolim që pasuan pushtimin e Ukrainës në vitin 2022./ZËRI
FT: Kjo është oferta e Putinit - i gjithë Donetsku të bëhet i yni!
SHBA- Presidenti rus Vladimir Putin, në një takim me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Alaska, kërkoi që Ukraina të tërhiqet nga rajoni i Donetskut si kusht për t'i dhënë fund luftës. Kështu shkruan "Financial Times", duke cituar burime të shumta të njohura me bisedimet.
Sipas informacioneve, Putin i tha Trump se, në këmbim të Donetskut, ai do të pranonte të ngrinte vijën e betejës në jug, në rajonet Kherson dhe Zaporizhias, ku forcat ruse kanë marrë një pjesë të madhe të territorit. Po ashtu, premtoi se nuk do të niste sulme të reja për të pushtuar zona të tjera. Trump ia përcolli këtë mesazh Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësve evropianë në një telefonatë mbrëmë.
Sipas FT, Trump i nxiti ata të braktisnin përpjekjet e tyre për të detyruar Moskën një armëpushim.
Forcat ruse aktualisht kontrollojnë rreth 70 përqind të Donetskut, ndërsa pjesa perëndimore e rajonit me një numër qytetesh mbetet nën kontrollin ukrainas dhe është thelbësore për mbrojtjen në frontin lindor. Burime pranë Zelenskyy-t i thanë Financial Times se presidenti ukrainas nuk do të bjerë dakord me dorëzimin e Donetskut, por se është gati të diskutojë territorin me Trump në Uashington, ku të dy do të takohen të hënën. Ai është gjithashtu i hapur për diskutim në një takim të mundshëm trepalësh me Trump dhe Putin.
As Shtëpia e Bardhë dhe as zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk komentuan mbi pretendimet e Financial Times./ZËRI
"Neni 5"/ Propozim i SHBA-së për garanci sigurie, por jo anëtarësim në NATO
SHBA- Shtetet e Bashkuara kanë propozuar garanci sigurie për Ukrainën, të ngjashme me ato që gëzojnë vendet anëtare të NATO-s, përmes Nenit famëkeq 5, por pa u bashkuar zyrtarisht me Aleancën e Atlantikut të Veriut në Kiev. Një burim diplomatik për Agence France-Presse (AFP), ky propozim u ngrit gjatë një videokonference midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësve evropianë më herët të shtunën.
“Si një nga garancitë e sigurisë për Ukrainën, pala amerikane propozoi një garanci të tipit Neni 5 — por jashtë NATO-s — për të cilën thuhet se është rënë dakord me Putinin,”- tha burimi diplomatik, duke kërkuar të mos identifikohej. Parimi i sigurisë kolektive të NATO-s bazohet në Nenin 5: nëse një anëtar sulmohet, atëherë e gjithë aleanca do të ndërhyjë për ta mbrojtur atë. Trump, Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë — përfshirë Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte — folën herët të shtunën për të diskutuar samitin Trump-Putin që u zhvillua të premten në Alaska.
Përpara kësaj telefonate të përbashkët, Trump pati edhe një bisedë telefonike me Zelenskyy-n, ndërsa ai po kthehej nga Alaska.
“Pala amerikane e paraqiti këtë (propozim për garanci të përbashkëta sigurie) gjatë bisedës me presidentin (Zelensky) dhe më pas e përsëriti atë gjatë bisedës së përbashkët me evropianët,”- tha i njëjti burim diplomatik. Një burim i dytë me njohuri për çështjen konfirmoi se u diskutuan garancitë në stilin e NATO-s.
Megjithatë, burimi i dytë shtoi: Askush nuk e di se si mund të funksionojë diçka e tillë dhe pse Putini do ta pranonte atë, pasi ai është kategorikisht kundër NATO-s dhe, padyshim, kundër çdo garancie thelbësore për sovranitetin e Ukrainës.
Kievi ka kërkuar prej kohësh anëtarësimin në NATO, por Rusia e ka përmendur këtë si një nga arsyet e pushtimit të Ukrainës, ndërsa disa qarqe perëndimore kanë shprehur gjithashtu rezerva. Megjithatë, sipas burimeve, udhëheqësit evropianë po kërkojnë sqarime se çfarë lloj roli të SHBA-së do të përfshijë kjo, por ende nuk ka detaje të disponueshme.
Trump ka përsëritur se përjashton mundësinë e bashkimit të Ukrainës me aleancën ushtarake perëndimore. Në një intervistë me Sean Hannity në Fox News, Trump sugjeroi se ai dhe Putini kishin diskutuar shkëmbimet e territoreve dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe se ata “ranë dakord në një masë të madhe”.
I pyetur se çfarë do t’i këshillonte Zelenskyy-t të bënte, Trump u përgjigj: Duhet të bëjmë një marrëveshje. Shikoni, Rusia është një fuqi shumë e madhe, dhe ata nuk janë. Ata janë ushtarë të shkëlqyer.
Zelenskyy theksoi nevojën për garanci sigurie për Kievin, në mënyrë që të parandalohet pushtimi i përsëritur nga Rusia në të ardhmen. Ai tha se me Trumpin diskutuan "mesazhe pozitive nga pala amerikane" në lidhje me pjesëmarrjen./ZËRI
Italia e gatshme të presë samitin për paqen/ Tajani konfirmon ofertën për takim mes Trump, Putin dhe Zelensky
ITALI- Italia rikonfirmon rolin e saj si një vend mikpritës për paqen globale, duke shprehur gatishmërinë për të organizuar një samit të rëndësishëm që mund të shënojë një hap historik drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi në një intervistë për “Speciale Tg4” se vendi i tij është i hapur për të mirëpritur një takim të mundshëm trepalësh mes ish-presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Italia gjithmonë ka qenë e gatshme të presë çdo samit që synon ndërtimin e paqes, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Ukrainë,” u shpreh Tajani, duke nënvizuar rolin e vazhdueshëm të Italisë si një aktor kyç në përpjekjet diplomatike ndërkombëtare.
Ai shtoi se Roma do të vijojë të punojë intensivisht në nivel diplomatik për të mbështetur përfundimin sa më të shpejtë të konfliktit dhe për të ndihmuar në krijimin e kushteve të nevojshme për një zgjidhje të qëndrueshme.
Së fundmi, është përmendur edhe Vatikani si një vend i mundshëm për mbajtjen e këtij samiti, për shkak të simbolikës dhe neutralitetit të tij ndërkombëtar./ ZËRI/
Udhëheqësit evropianë me deklaratë e përbashkët mbi samitin e Alaskës
BRUKSEL- Udhëheqësit evropianë lëshuan një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, duke deklaruar se hapi tjetër duhet të jenë bisedimet e mëtejshme., këtë herë me pjesëmarrjen e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Megjithatë, deklarata nuk përmendi thirrjet e minutës së fundit të Trump për një “marrëveshje paqeje”. Presidenti amerikan shkroi në "Truth Social" se kjo do të ishte mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në vend të një marrëveshjeje armëpushimi, të cilën ai tha se mund të mos “qëndrojë”, në komente që sinjalizuan një përmbysje të qëndrimit të tij.
“Udhëheqësit mirëpritën përpjekjet e Presidentit Trump për të ndaluar vrasjet në Ukrainë, për t'i dhënë fund luftës agresive të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,”- thuhet në deklaratën evropiane. Siç e parashikoi Presidenti Trump, hapi tjetër tani duhet të jenë bisedime të mëtejshme, përfshirë edhe me Presidentin Zelenskyy.
Zyrtarët evropianë shtuan se janë të gatshëm të punojnë me Trump dhe Zelenskyy-n në një samit trepalësh me mbështetjen evropiane.
Ata përsëritën nevojën që Ukraina të ketë "garanci të palëkundura sigurie", duke shtuar se: Nuk duhet të vendosen kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës ose në bashkëpunimin e saj me vendet e treta. Rusia nuk mund të vërë veton në rrugën e Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s.
Deklarata u lëshua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti finlandez Alexander Stubbs dhe Kryeministri polak Donald Tusk./ZËRI
BE kërkon takim trepalësh për paqen në Ukrainë: Të jetë dhe Zelensky, të gatshëm të ndihmojmë!
EVROPË- Pas takimit të bujshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, Bashkimi Evropian ka reaguar me një qëndrim të qartë, duke theksuar se paqja në Ukrainë kërkon një tryezë trepalëshe ku të jetë i pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët evropianë mirëpritën përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ata theksuan se BE-ja është e gatshme të punojë ngushtë me SHBA-në dhe Ukrainën për të bërë realitet një takim të tillë.
"Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. As Rusia dhe askush tjetër nuk mund të vendosë veto mbi rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s," – thuhet në deklaratë.
BE thekson se nuk duhet të ketë kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës apo mbi bashkëpunimin e saj me vendet e treta. Nga Brukseli, mesazhi për mbështetjen ndaj Ukrainës është i qartë, për aq kohë sa do të jetë e nevojshmë kjo ndihmë.Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ka nënvizuar gjithashtu rolin vendimtar të SHBA-së në këtë proces.
"Amerika ka fuqinë për të detyruar Rusinë të ulet seriozisht në negociata. Ne do të jemi aty për të ndihmuar dhe për të siguruar që çdo marrëveshje paqeje të jetë e drejtë dhe afatgjatë,” – deklaroi Kallas.
Në fund, BE thekson vendosmërinë për të forcuar sanksionet kundër Rusisë dhe për të ushtruar presion ekonomik deri në ndalimin e plotë të agresionit./ ZËRI/
Analiza e New York Times mbi Alaskën: Pa marrëveshje, pa pasoja për Putinin
SHBA- Një takim që zgjati më pak se tre orë e gjysmë, pa asnjë kornizë të përkohshme armëpushimi, ishte rezultat i takimit të shumëpritur të Donald Trump me Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht. Siç vëren analisti i New York Times, David E. Sanger, kjo ngjarje, megjithëse mund të interpretohet si një dështim, u prit me një ton lehtësimi nga ukrainasit dhe aleatët e tyre evropianë: shqetësimi i tyre më i madh ishte se presidenti amerikan do t'u dorëzohej kërkesave ruse, duke e detyruar Volodymyr Zelenskyy-n të bënte një kompromis të dhimbshëm që do të thoshte heqje dorë nga 20% e territorit të vendit të tij.
Trump u largua me nxitim, madje edhe më herët se sa pritej, pa arritur ndonjë hap thelbësor. Ai pranoi para gazetarëve se nuk ishte "i kënaqur" me rezultatin, ndërsa më vonë, në një intervistë me Sean Hannity të Fox News, fajësoi Zelenskyy për mosarritjen e një armëpushimi. Nga ana e tij, Putin u kufizua në deklarata të përgjithshme se vetëm kështu mund t'i jepte një fund konfliktit në Ukrainë, pa shpjeguar se çfarë është kjo rrugë.
Megjithatë, vetë presidenti amerikan u përpoq të jepte një perspektivë të re mbi rezultatin duke folur për nevojën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje.
Shqetësim i fortë në Kiev
Edhe pse Trump nuk dukej se tërhiqej për çështjet e sovranitetit të Ukrainës, qëndrimi i tij ndaj Putinit shkaktoi shqetësim në Kiev. Sipas raportit të New York Times, presidenti amerikan foli me fjalë veçanërisht të ngrohta për udhëheqësin rus, duke e quajtur vazhdimisht "Vladimir" dhe duke treguar mirëkuptim për vështirësitë me të cilat u përball për shkak të hetimeve në SHBA për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Qëndrimi solli kujtime të takimit të parë të Trump me Kim Jong Un 7 vjet më parë. Dhe atëherë, siç vëren Sanger, diplomacia e presidentit amerikan karakterizohej nga një inskenim mbresëlënës, shtrëngime duarsh të ngrohta dhe komplimente personale, por pak substancë.
"Rreziku moral i legjitimimit të një krimineli lufte"
Robert Litwak, një ekspert për marrëdhëniet midis superfuqive në Universitetin George Washington, e krahasoi takimin me samitet Trump-Kim, duke folur për "përgatitje të pamjaftueshme". Fakti që Trump dhe Putin nuk pranuan asnjë pyetje nga gazetarët - një ngjarje e rrallë për një president amerikan - përforcoi ndjesinë se nuk kishte asgjë thelbësore për t'u shpallur.
Putin si fituesi i ditës
Siç thekson New York Times, Vladimir Putin arriti qëllimin e tij më të madh: të thyente statusin e një "pariah" të izoluar ndërkombëtarisht. Pamja e tij duke zbarkuar në një bazë ushtarake amerikane, me F-22 të rreshtuar krah më krah, dhe duke hipur në limuzinën e Trump për të shkuar në takim ishte në vetvete një fitore simbolike. Për herë të parë në një dekadë, presidenti rus ishte në tokën amerikane, duke u shfaqur si një bashkëbisedues i barabartë me presidentin e SHBA-së, dhe duke folur i pari pas takimit - duke thyer praktikën diplomatike joformale të deklaratave hapëse të pritësit.
Në të njëjtën kohë, paralajmërimet e Trump për "pasoja serioze" nëse nuk do të kishte armëpushim u zhdukën nga axhenda publike, ashtu si çdo përmendje e sanksioneve të reja ose sanksioneve dytësore kundër vendeve që blejnë naftë ruse. Në vend të kësaj, dominuan komplimentet dhe sigurimet për një "takim të jashtëzakonshëm".
"Ishte një 10/10, në kuptimin që ia dolëm mbanë shumë mirë", i tha Trump Hannity, duke ndryshuar kriterin për sukses nga substanca në "kimi".
Putini bleu kohë.
Në përgjithësi, pamja që përshkruan New York Times është se presidenti rus doli nga Alaska i forcuar: pa bërë asnjë lëshim, ai bleu kohë, pezulloi diskutimin për sanksione të reja, rivendosi imazhin e tij ndërkombëtar dhe u shfaq, qoftë edhe vetëm përkohësisht, si një "paqebërës". Nuk dihet nëse ai imazh do të zgjasë. Por, siç vëren Sanger, për më pak se katër orë në tokën amerikane, kjo ishte një fitore diplomatike mahnitëse./ZËRI
Takimi Trump-Putin në Alaskë/ Reagon sërish Zelensky: Duhet të arrihet paqja, jo thjesht një armëpushim

UKRAINË- Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka reaguar sërish pas takimit të Trump-Putin të mbajtur në Alaskë, duke u shprehur se Ukraina dhe Rusia kanë nevojë për një paqe të verëtë, jo thjesht një pauzë të luftës.
Ky reagim vjen pas deshtimit të bisedimeve Trump-Putin për një marrëveshje armëpushimi për luftën që nisi që në vitin 2022.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të gjitha palët bien dakord për nevojën e një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, duke shmangur një armëpushim të përkohshëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të takohet me Trump në Uashington të hënën, tha se gjatë një bisede telefonike i kishte kërkuar atij forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë në rast se nuk realizohet një takim trepalësh, apo nëse Moska shmang një zgjidhje të drejtë të konfliktit.
SHBA dhe Ukraina janë duke kërkuar një takim mes Trump, Zelensky dhe Putinit, por Kremlini ende nuk ka pranuar./ ZËRI/
Samiti i Alaskës 1:0 për Putinin
ALASKË- Sipas njoftimit zyrtar takimi mes presidentëve të Rusisë dhe të SHBA-së zgjati 2 orë e 45 minuta. Tema kryesore e takimit midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin ishte përfundimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Po me sa duket nga takimi nuk ka ndonjë rezultat konkret. Pas samitit të tyre në Alaskë Trump dhe Putin thanë se bisedimet e tyre kishin qenë pozitive. Presidentit rus Vladimir Putin tha gjatë një deklarate për shtyp, ku atij iu dha fjala si i pari, se bisedimet kishin qenë konstruktive dhe të pasura në përmbajtje.
"Ne krijuam kontakte të mira, të drejtpërdrejta me Trump," - tha Putini.
Putini e falënderoi Trumpin për përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktin me Ukrainën. Ai tha se qe biseduar për marrëveshje, të cilat mund të shërbejnë si pikënisje për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës, por nuk dha detaje.
"Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje"
Edhe Trumpi e vlerësoi atmosferën e bisedimeve - por dhe ai nuk tha ndonjë gjë konkrete.
"Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe ramë dakord për shumë pika. Të hapura kanë mbetur shumë pak. Disa nuk janë aq të rëndësishme. Njëra mund të jetë më e rëndësishmja, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur qëllimin tonë. Nuk jemi ende atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje." tha Trump duke shtuar: "Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje."
Trump njoftoi se do të flasë në telefon me NATO-n dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski. Pas deklaratave të bëra nga të dy presidentët nuk u lejuan pyetje nga shtypi.
Pas takimit Trumpi dha një intervistë për Fox News. Ai theksoi se Ukrainaduhet të bjerë dakord për një marrëveshje të mundshme me Rusinë dhe e këshilloi Zelenskin: "Bëjeni marrëveshjen. Ju duhet ta bëni marrëveshjen".
Rusia, tha ai, është një "fuqi shumë e madhe", ndërsa Ukraina jo. Nuk është e qartë nëse Trump kishte folur në telefon me Zelenskyn përpara intervistës.
Ischinger: Samiti i Alaskës qe fitore 1:0 për Putinin
Samiti i Alaskës midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin ishte një fitore e qartë për Putinin, mendon ish-kryetari i Konferencës së Mynihut për Sigurinë, Wolfgang Ischinger.
"Alaska: Putini mori tapetin e kuq me Trumpin, Trumpi asgjë," shkroi Ischinger në platfformën X.
"Sikurse kishim frikë: pa armëpushim, pa paqe. Pa përparim të vërtetë - shumë qartë 1:0 për Putinin - jo sanksione të reja. Për ukrainasit: asgjë. Për Evropën: thellësisht zhgënjyese," shkroi Ischinger.
Ischinger ka qenë ambasador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara nga viti 2001 deri në vitin 2006 dhe ishte kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë nga viti 2008 deri në vitin 2022./DW
"Negociatori më i mirë në botë"/ Shtypi rus e lavdëron Putinin dhe gëzohet për triumfin e tij
ALASKA- Ndonjëherë ekstremet përplasen. Me këtë shprehje të vjetër popullore, opozita ruse dhe media e saj synojnë të theksojnë se, pavarësisht pritjeve të larta, në Anchorage nuk u ra dakord për asgjë konkrete. Por të dyja palët bien dakord në një pikë. Vladimir Putin bleu më shumë kohë, pa lëshuar asgjë, por në vend të kësaj mori falas një foto të qilimit të kuq të shtruar nën këmbët e tij dhe një shtrëngim duarsh historik, që në vetvete është shenja e një fitoreje të madhe për Rusinë.
Dhe nëse media dhe politika zyrtare besojnë se presidenti rus, sipas përkufizimit, nuk gabon kurrë, imagjinoni se çfarë thonë kur ai fiton në të vërtetë. Komenti i mëngjesit i Dmitry Medvedev ishte i qetë, pothuajse olimpik. Ndoshta sepse kur gjërat po shkojnë kaq mirë, të paktën sipas vizionit të tij agresiv, nuk ka nevojë për sharje.
Uebsajti i Tsargrad, një qendër mediatike për fanatikët e krijuar dhe mbështetur nga oligarku mistik Konstantin Malofeev, i cili në vitin 2014 financoi 'Burrat e Vegjël të Gjelbër" që pushtuan Donbasin, organizoi një transmetim të drejtpërdrejtë që i ngjante një marshimi triumfal.
Oleg Tsarev, një ish-deputet i Radës që shërbeu katër mandate për Partinë e Rajoneve të Yanukovych dhe një nga kundërshtarët më të zëshëm të "regjimit të Kievit", shprehu kënaqësinë e tij që kishte parashikuar këtë rezultat. Rusia nuk është e interesuar për një armëpushim. Shefat e Shtabit të Përbashkët i raportojnë Presidentit çdo ditë se fitorja në front mund të jetë e shpejtë.
Këtë mëngjes, doli edhe një editorial nga themeluesi Malofeev. Ai e ka kritikuar më parë Putinin për "zvarritje", por është i entuziazmuar pas Alaskës.
"Le të shohim nëse administrata amerikane mund ta detyrojë regjimin e Kievit të bëjë paqe. Ndërkohë, duhet të pranojmë se Putini, si gjithmonë, është negociatori më i mirë në botë: paqe me Amerikën, dhe ne vazhdojmë të bëjmë përparim në Donbas. Një arritje e madhe."
Me disa rezerva, ky qëndrim ndahet edhe nga vëzhgues disi më të shkëputur, siç është Timofei Bordachev i Qendrës për Kërkime Evropiane dhe Ndërkombëtare, një profesor në Shkollën e Lartë të Ekonomisë që është një nga vatrat e putinizmit.
"Nuk prisja që samiti të zgjidhte çështjen ukrainase, e cila është gurthemeli i sigurisë evropiane. Por në të njëjtën kohë, ideja e 'disfatës strategjike' dhe 'izolimit' të Rusisë është hequr përfundimisht nga pala amerikane. Kjo qasje e përjashtoi konfliktin nga fushëveprimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe e bëri atë të pakontrollueshëm. Fakti që ky ndryshim ka ndodhur sugjeron se është shfaqur një realitet i ri: lufta në Ukrainë vazhdon."
Kolegu i tij Andrey Klimov, kreu i Komisionit për Mbrojtjen e Sovranitetit Shtetëror, një diplomat me reputacion, gjithashtu i bashkohet korit.
"Shoh që në javët e fundit amerikanët kanë qenë shumë seriozisht duke shqyrtuar mundësitë e arritjes së një rezultati të madh strategjik, ekonomik dhe financiar që mund të vijë nga një rivendosje e mundshme e marrëdhënieve normale me Rusinë. SHBA-së duhet t'i njihet fakti që ka bërë gjithçka të mundshme për të mos lënë vend për partnerët e tyre më të vegjël evropianë, e aq më pak për kukullën Zelenskyy. Ata i mbajnë ata larg duke imponuar hapat dhe zgjedhjet e tyre, si ky samit, për të shmangur një tjetër spirale tensioni me Rusinë."
Ndërkohë, në ditët e fundit rubla ka filluar të rritet përsëri, diçka që nuk e kishte ndodhur për muaj të tërë./ZËRI
Marrë nga Corriere
Axios: Çfarë i tha Trump Zelenskyy-t për 90 minuta pas takimit me Putinin?
SHBA- Detaje të reja rreth telefonatës së Donald Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy janë zbuluar nga Axios, ndërsa Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kërkojnë të hapin një dritare paqeje pas takimit Trump-Putin në Alaska. Sipas raportit të faqes së internetit, Trump i tha Zelenskyy-t dhe udhëheqësve të NATO-s se Presidenti rus Vladimir Putin "nuk dëshiron një armëpushim të thjeshtë, por një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t'i dhënë fund luftës".
Gazetari i Axios, Barak Ravid, duke postuar në X, zbuloi se Trump i citoi ata fjalë për fjalë: Mendoj se një marrëveshje e shpejtë paqeje është më e mirë se një armëpushim.
Biseda Trump-Zelenskyy zgjati mbi 90 minuta, me pjesëmarrjen e liderëve evropianë. Në një postim në Telegram, presidenti ukrainas njoftoi se do të udhëtonte për në Uashington të hënën për t'u takuar me presidentin amerikan.
“Ukraina konfirmon gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me të gjitha forcat e saj për të arritur paqen. Presidenti Trump më informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus dhe pikat kryesore të diskutimit të tyre. Është e rëndësishme që fuqia e Amerikës të ketë ndikim në zhvillimin e situatës”, vuri në dukje Zelenskyy, duke shtuar se është “mirënjohës për ftesën”.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se takimi i ardhshëm do të përqendrohet në gjetjen e zgjidhjeve konkrete: Të hënën, do të takohem me Presidentin Trump në Uashington, për të diskutuar të gjitha detajet e përfundimit të vrasjeve dhe luftës. Njoftimi i Zelenskyy-t është reagimi i tij i parë publik pas takimit Trump-Putin në Alaska, i cili nuk rezultoi në një marrëveshje për armëpushim.
Në të njëjtën kohë, pas komunikimit të tij me Zelenskyy-n, Trump foli edhe me udhëheqësit e NATO-s, si dhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për t'i informuar ata për atë që u diskutua me Putinin.
Klima që po krijohet tregon se proceset janë në një pikë kritike: me Putinin që duket i palëkundur në kërkesën e tij për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe Trump që përpiqet të promovojë rolin e tij si ndërmjetës, Uashingtoni pritet të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare të hënën./ZËRI
Takimi Putin-Trump në Alaskë: Gjuha e trupit zbulon zhgënjimin e dy liderëve
ALASKË- Në takimin historik të Trump dhe Putin u fotografuan momente nga më të ndryshmet, që nga shtrëngimi i duarsh, buzëqeshje dhe duartrokitje në fillim mes dy lidëreve botëtor dhe në fund tension dhe zhgënjim pas përfundimit të takimit.
Kështu përshkruhet përmes gjuhës së trupit atmosfera e takimit mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin, të mbajtur mbrëmë në Alaska.
Analizat nga CNN dhe Sky News hedhin dritë mbi nuancat e padukshme të këtij samiti ku sytë e fotoreportërëve, gazetarëve dhe milarda njerëzish ishin tek mimikat, qëndrimi fizik dhe kontaktet mes dy liderëve, përtej deklaratave të pakta zyrtare.
Në momentin e mbërritjes, Vladimir Putin u pa duke buzëqeshur nga dritarja e limuzinës së blinduar të Trump, ndërsa Presidenti amerikan e priti me duartrokitje në tapetin e kuq, një pritje që simbolizonte përpjekje për miqësi dhe paqe, siç komentoi eksperti i CNN, Kevin Liptak.

Por, sipas ekspertit të gjuhës së trupit Peter Collett, i intervistuar nga Sky News, toni ndryshoi ndjeshëm gjatë dhe pas takimit. Collett shtoi se Trump shmangu kontaktin me sy me Putinin gjatë deklaratave për shtyp, një sjellje që sipas tij tregon mospajtim të brendshëm ose pakënaqësi për ecurinë e bisedimeve, të cilat përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete.
“Kur e krahason momentin e përshëndetjes në pistë me konferencën për shtyp, duken si dy botë të ndryshme. Trump dukej i përmbajtur, me gojën e mbledhur, një shenjë e zhgënjimit të fshehur. Gjuha e tij e trupit fliste ndryshe nga fjalët që thoshte. Ishte si të donte të na bindte se gjithçka ishte në rregull, por në realitet, nuk shkoi siç kishte shpresuar”, – shtoi psikologu për Sky News.

Ndryshe nga takimet e mëparshme me liderë perëndimorë, Putin nuk qëndroi i përkulur në karrige, një shenjë zakonisht e interpretuar si indiferencë apo dominim. Në vend të kësaj, ai u pa më i përmbajtur dhe me duart e kapura, duke lënë të kuptohet se ishte i kujdesshëm për mënyrën se si do të perceptohej në këtë rikthim të tij diplomatik në skenën botërore.

Gjatë udhëtimit të tyre me limuzinën presidenciale drejt dhomës së takimeve, Trump dhe Putin mbetën vetëm, pa përkthyes apo këshilltarë, duke lënë të pazbuluar përmbajtjen e bisedës private.

Analizat e gjuhës së trupit nga mediat ndërkombëtare zbulojnë më shumë për klimën reale të samitit sesa deklaratat formale./ZËRI/
Melania Trump i dërgoi një letër Putinit për rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina
SHBA- Bashkëshortja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Melania, ngriti çështjen e fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi në një letër personale drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin. Lajmin e konfirmuarn dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump ia dorëzoi personalisht letrën Putinit gjatë bisedimeve të tyre në Alaska.
Melania Trump, e cila është me prejardhje sllovene, nuk mori pjesë në udhëtimin në Alaskë. Zyrtarët nuk zbuluan përmbajtjen e letrës, përveç se ajo i referohej rrëmbimeve të fëmijëve si rezultat i luftës në Ukrainë.
Ekzistenca e letrës nuk ishte raportuar më parë.
Rrëmbimi i fëmijëve nga Rusia është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme për Ukrainën. Ukraina i ka karakterizuar rrëmbimet e dhjetëra mijëra fëmijëve të saj, të cilët u çuan në Rusi ose në territoret e pushtuara nga Rusia pa pëlqimin e familjeve ose kujdestarëve të tyre, si krim lufte që përmbush përkufizimin e gjenocidit sipas traktatit të OKB-së.
Si mbrojtje, Moska pretendon se ka ofruar strehë për fëmijët që mund të cënoheshin nga zona e luftës. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka thënë se Rusia u ka shkaktuar vuajtje miliona fëmijëve ukrainas dhe ka shkelur të drejtat e tyre që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022./ZËRI
Zelenskyy takon Trumpin të hënën në Uashington pas samitit SHBA-Rusi
SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump e ka zhvilluar një “bisedë të gjatë telefonike” me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Zelenskyy, në anën tjetër, ka thënë se i është bërë ftesë për vizitë të hënën në Uashington, për ta takuar Trumpin.
Sipas zëdhënëses, Karoline Leavitt, Trump e ka telefonuar Zelenskyy-n sa ka qenë në aeroplan gjatë kthimit në Uashington, pas takimit të zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaskë, i cili nuk është përmbyllur me armëpushim në Ukrainë.
Trump ka biseduar edhe me liderët evropianë dhe zyrtarë të lartë të NATO-s. Edhe zëdhënës të Komisionit Evorpian kanë bërë të ditur se Trump ka biseduar më shumë se një orë me Zelenskyyn, kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Friedrich Merz, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas Presidencës ukrainase, Trump ka biseduar fillimisht me Zelenskyyn, dhe më pas janë bashkuar në thirrje edhe liderët evropianë.
Zeelensky ka thënë përmes një postimi në Telegram se biseda me Trumpin ka qenë substanciale.
“Ukraina e konfirmon sërish se është e gatshme të punojë në mënyrë sa më produktive që është e mundur, për hir të paqes. Presidenti Trump më ka informuar për takimin e tij me liderin rus, për pikat kryesore të bisedës së tyre. Është e rëndësishme që fuqia amerikane të ndikojë në zhvillimin e situatës”.
Zelenskyy ka thënë se e mbështet propozimin e Trumpit për takim trepalësh në mes të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.
“Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel të liderëve dhe formati trepalësh është i përshtatshëm për ne”.
Ai ka paralajmëruar se mund të takohet me presidentin Trump të hënën në Uashington.
“Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në të gjitha fazat, për të pasur garanci të qëndrueshme të sigurisë, bashkë me Amerikën. I kemi diskutuar sinjalet pozitive prej palës amerikane sa i përket pjesëmarrjes në garanci të sigurisë për Ukrainën. Vazhdojmë të koordinohemi me partnerët për të gjitha pozicionet tona”, ka thënë mes tjerash Zelenskyy.
Trump dhe Putin kanë folur shkurt në një konferencë për media dhe nuk kanë pranuar pyetje. Takimi i tyre ka zgjatur rreth tri orë, në bazën ajrore amerikane në Alaskë.
Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.
Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO./REL
Trump: Takimi me Putinin ishte produktiv, por nuk arritëm marrëveshje
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ishte "shumë produktiv", por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit në Alaskë, që zgjati gati 3 orë, Trump tha se me Putinin janë pajtuar për shumë pika, por ka çështje ende për të cilat nuk janë pajtuar. Sipas presidentit amerikan, ka gjasa të mira që palët të arrijnë në të ardhmen një marrëveshje.
"Kanë mbetur edhe disa pika, disa nuk janë të rëndësishme, por një është më e rëndësishmja", tha ai pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
Para samitit, ai deklaroi se shpresonte të arrihej një armëpushim në Ukrainë.
"Por, ka shumë gjasa që të arrijmë deri te pajtimi. Nuk arritëm, por ka gjasa që ta bëjmë këtë", shtoi presidenti amerikan.
Putin, në anën tjetër, e cilësoi takimin me Trumpin si "konstruktiv".
“Rusia është e interesuar që t’i jepet fund krizës ukrainase. Ne shpresojmë që mirëkuptimi që arritëm me presidentin Trump do të hapë rrugë për paqe në Ukrainë”, tha Putin.
Udhëheqësi rus tha po ashtu se pajtohet me Trumpin se siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Ai po ashtu insistoi në adresimin e atyre që i cilësoi si "shkaqe rrënjësore" të konfliktit - që në retorikën e Kremlinit nënkupton t’i jepet fund aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe marrja e hapave për çarmatosjen e ushtrisë ukrainase.
Gjatë konferencës për media, Trump tha se tani do të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqës evropianë, për t'i informuar ata lidhur me samitin në Alaskë.
"Do të zhvilloj disa biseda telefonike dhe do t'i informoj se çfarë ndodhi, por ne patëm një takim shumë produktiv dhe për shumë pika u pajtuam", tha ai.
Në fund të konferencës, Trump theksoi se beson që do ta takojë Putinin sërish shumë shpejt, dhe lideri rus iu përgjigj në anglisht: "Herën tjetër, në Moskë".
Pas kësaj, Trump tha: Mund të përballem me kritika, por e shoh si diçka që mund të ndodhë.
Daniel Fried, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, njëherësh arkitekt i sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pasi Moska mori nën kontroll Krimenë më 2014, tha pas konferencës në Alaskë se SHBA-ja “duket se nuk ia dorëzoi Ukrainën” Putinit.
“Asnjë marrëveshje për Ukrainën. Putini e teproi me retorikën e ricikluar për shtensionimin e situatës. Fatmirësisht, Trump nuk duket se ia dorëzoi Ukrainën. Por, përparimi që përmendi Trump nuk është i përcaktuar dhe mund të mos ekzistojë fare. Këto përshtypje të para do të ndryshojnë me daljen e më shumë informacioneve”, shkroi ai në X.
Në takimin, që u mbajt në bazën ushtarake Elmendorf mes dy udhëheqësve, morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.
Samiti historik nisi pasi avioni presidencial amerikan “Air Force One” u ul në bazën ushtarake Elmendorf, pranë Ankorixhit, rreth orës 10:20 sipas kohës lokale. Rreth 40 minuta më vonë, mbërriti edhe një aeroplan rus “Ilyushin” me Putinin në bord. Trump dhe Putin shtrënguan duart dhe ecën krah për krah në pistë, ndërsa gazetarët u drejtuan dy liderëve me pyetje, përfshirë nëse presidenti rus do të ndalonte sulmet ndaj civilëve ose do të pranonte një armëpushim. Nuk ishte e qartë nëse ata i dëgjuan pyetjet. Në një veprim të papritur, Putini iu bashkua Trumpit në limuzinën presidenciale amerikane, teksa të dy u nisën drejt vendtakimit – një nder i rrallë për një udhëheqës të një shteti rival.
Më pas, dy liderët u ulën së bashku me delegacionet përkatëse në vendin e takimit, dhe në prapavijë shihej një pano ku shkruante “Në kërkim të paqes”.
“Ju faleminderit shumë. Faleminderit”, tha Trump, ndërsa gazetarët sërish u drejtuan me pyetje, të cilave dy presidentët nuk iu përgjigjën.
Ndërkaq gjatë fluturimit për në Alaskë, Trump i tha Fox News se beson që takimi do të shkonte mirë.
“Do të doja të shihja një armëpushim. Nuk do të isha i lumtur nëse nuk do të ndodhte kjo, por të gjithë thonë se nuk do të arrish të marrësh një armëpushim. Kjo do të ndodhë në takimin e dytë. Takimi i dytë do të jetë i mrekullueshëm. Por, nuk do të jem i lumtur nëse ky takim nuk prodhon një armëpushim”, tha ai.
Ky ishte takimi i tyre i parë ballë për ballë që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. Dy udhëheqësit, megjithatë, gjatë kësaj periudhe, kishin zhvilluar të paktën pesë biseda. Para samitit Trump-Putin, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, - shteti i të cilit është dërmuar nga lufta – tha se ukrainasit “kanë besim në SHBA-në”.
Ai tha se shpreson që ky takim të hapë “një rrugë të vërtetë drejt paqes së ndershme”, por edhe bisedimeve mes udhëheqësve në një format trepalësh: Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia. Më herët, Trump ka propozuar që një takim i tillë trepalësh të mbahet brenda pak ditësh. Alaska mund të ishte sërish vendi për një takim të tillë.
Ukraina dhe Rusia kanë vija të kuqe, prandaj rruga drejt paqes nuk është e lehtë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, para samitit disa herë ka sugjeruar se çdo marrëveshje për ndaljen e luftës mund të përfshijë “shkëmbim të territoreve”.
Ai nuk ka dhënë detaje për këtë dhe mbetet e paqartë se cilat territore mund të shkëmbehen, pasi Rusia ka nën kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës, ndërsa Ukraina aktualisht nuk ka nën kontroll asnjë territor rus. Ukraina, ndërkaq, i konsideron të papranueshme koncesionet territoriale, dhe kërkon garanci të sigurisë. Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë.
Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës dhe Hersonit.
Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria përqendrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut./REL
Takimi Trump-Putin në Alaskë përfundon pa marrëveshje/ CNN: Putini rikthehet në skenën diplomatike
ALASKË- Takimi mes liderit amerikan Donald Trump dhe liderit rus Vladimir Putin, i mbajtur mbrëmjen e djeshme në Alaskë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete, pavarësisht toneve pozitive nga të dy liderët dhe simbolikës së fortë që e shoqëroi samitin. Sipas CNN, takimi u mbajt nën moton: "Në kërkim të Paqes", por përfundimi i tij mbeti i paqartë dhe pa ndonjë rezultat të prekshëm.
Samiti zgjati rreth tre orë, pas të cilit Trump dhe Putin dolën për një deklaratë të shkurtër për shtyp, por nuk dhanë detaje mbi çfarë konkretisht ishte diskutuar apo arritur. Trump tha se: "kishte shumë pika për të cilat ramë dakord", por shtoi se: "nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje", duke lënë të kuptohet se negociatat nuk kishin prodhuar ndonjë zgjidhje.

CNN thekson se gjatë samitit, Trump ia vendosi si përgjegjësi Ukrainës për të bërë një marrëveshje, duke deklaruar se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky:"duhet të bjerë dakord". Ndërkohë, në Ukrainë, në të njëjtën ditë, ndodhi një shpërthim i një droni rus në qytetin Sumy, duke shtuar më shumë tension mbi bisedimet.
Në një intervistë për Fox News, menjëherë pas samitit, Trump tha se ai mund të marrë pjesë në një takim të ardhshëm mes Putin dhe Zelensky, duke deklaruar: "Të dy më duan atje, dhe unë do të jem atje."
Megjithëse nuk u arrit ndonjë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë, CNN vëren se vetë pjesëmarrja e Putinit në këtë samit përbën një rikthim të fuqishëm të tij në arenën ndërkombëtare. Ai u prit me ceremoniale shtetërore dhe një pritje të ngrohtë nga Trump, ndërsa televizionet ruse e quajtën takimin një "shtrëngim duarsh historik".
View this post on Instagram
Për herë të parë pas një dekade, Putin zbarkoi në tokë amerikane, ndërkohë që SHBA nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, një faktor që sipas CNN ndikoi në zgjedhjen e Alaskës si vendtakim, duke shmangur rrezikun e ndalimit të Putinit për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar për krime lufte.
Takimi fillimisht ishte planifikuar të mbahej kokë më kokë, vetëm me përkthyesit, por formati u ndryshua në momentin e fundit. Sipas CNN, dy ndihmës nga secila palë morën pjesë në bisedë: për SHBA-në, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff.
Edhe pse përmbajtja e plotë e bisedimeve mbetet e paqartë, CNN vë në dukje një moment simbolik: Putini udhëtoi në limuzinën presidenciale të Trump, një gjest i rrallë që për shumë analistë simbolizoi rikthimin e liderit rus në diplomacinë globale, pas viteve izolim që pasuan pushtimin e Ukrainës në vitin 2022./ZËRI/