“Vrasje aksidentale apo ekzekutim i mirëorganizuar”, Corriere për fatin tragjik të biznesmenit Edoardo Sarchi në Tepelenë
ITALI- Gazeta italiane Corriere della Sera shkruan se vdekja e sipërmarrësit italian Edoardo Sarchi në Shqipëri mbetet ende një enigmë. Hetuesit po shqyrtojnë disa skenarë: një aksident gjatë gjuetisë, një konflikt që ka degjeneruar në dhunë, apo edhe një ekzekutim i paramenduar.
Ngjarja ndodhi mesnatën e së premtes në fshatin Salari të Tepelenës, rreth 200 kilometra nga Tirana. Viktima, 44-vjeç, me origjinë nga Varese, drejtonte kompaninë Tegola Edilcentro, e specializuar në prodhimin dhe eksportin e materialeve të ndërtimit. Ai ishte i martuar dhe i njohur për pasionin e tij për gjuetinë.
Sarchi po udhëtonte me familjen Braçe, Eqerem dhe djemtë e tij, Gazmend e Daniel me të cilët kishte lidhje biznesi. Pas një darke në shtëpinë e tyre, grupi doli për gjueti me dy automjete, një Volkswagen dhe një Land Rover Defender. Pikërisht gjatë këtij udhëtimi ndodhi tragjedia.
Gjurmë gjaku u gjetën mbi makinë dhe në asfalt, por jo brenda automjeteve, duke ngritur dyshime se biznesmeni mund të jetë nxjerrë jashtë dhe më pas qëlluar. Raportohet gjithashtu për goma të Land Rover-it të shfryra, pa u sqaruar nëse kjo ishte aksidentale apo e qëllimshme.
Dëshmitë e familjes Braçe paraqiten kontradiktore: njëri prej tyre ka deklaruar se grupi u sulmua papritur nga persona të panjohur, ndërsa një tjetër ka thënë se Sarchi vdiq në duart e tyre. Këto mospërputhje, sipas Corriere, kanë rritur dyshimet se pas ngjarjes mund të fshihet edhe një konflikt biznesi.
Ambasada italiane në Tiranë po ndjek nga afër zhvillimet dhe ka vënë në dijeni familjen e viktimës në Itali, përfshirë motrën dhe kushërinjtë e tij, të cilët janë të angazhuar në të njëjtin biznes familjar.
Sarchi kishte lidhje të forta me Shqipërinë përmes aktivitetit të kompanisë Edilcentro, të themeluar nga xhaxhai i tij Augusto Nidoli. Familja e tij është e njohur edhe në Itali: babai i viktimës, Vittorio Sarchi, ishte një figurë politike e njohur në Varese deri në vdekjen e tij në vitin 2022.
Kushëriri i tij, Riccardo Barbieri, i cili zotëron një B&B në zonë, tha për mediat italiane: “Edoardo ishte një njeri i mirë dhe i përkushtuar në punë. Për këtë më foli edhe herën e fundit që u pamë, në funeralin e të atit.”
Hetimet në Shqipëri vazhdojnë, ndërsa pistat e hetimit mbeten të hapura, nga një aksident gjatë gjuetisë, te një konflikt i dhunshëm apo një vrasje e mirëorganizuar./ZËRI
Sherri për dritat e makinave, si u përplas biznesmeni italian me autorin (Detaje të reja)
TIRANE- Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tragjike e ndodhur një ditë më parë në zonën e Salarisë, Tepelenë, ku humbi jetën biznesmeni italian, 44-vjeçari Edoardo Sarchi.
Sipas dëshmive të miqve të tij, Eqrem, Daniel dhe Gazment Braçi, konflikti nisi pas një debati për dritat e makinave. Autori i dyshuar, ende në kërkim nga policia, mësohet se ishte irrituar nga dritat e automjetit ku udhëtonin Sarchi dhe shokët e tij. Debati verbal degradoi shpejt në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armëve, raporton ABC News.
Një prej plumbave goditi Sarchin në këmbë, duke i dëmtuar arterien kryesore, çka rezultoi fatale. Hetimet ngrenë dyshime se edhe pala e viktimës ka qenë e armatosur dhe mund të ketë pasur shkëmbim zjarri, pasi në vendngjarje janë gjetur shenja që tregojnë kundërpërgjigje me armë.
Policia dhe Prokuroria e Gjirokastrës kanë shkuar sërish në vendngjarje për të kryer disa eksperimente me vlerë për hetimin.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar, ndërsa po kërkon edhe dy persona të tjerë që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave./ZËRI
Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Zbardhet dëshmia e Eqerem Braçit dhe djemve të tij: Na qëlloi me breshëri një person i panjohur
TEPELENË- Nga ngjarja misterioze ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi ditën e djeshme, kanë dalë detaje dhe dëshmi të reja. Sipas deklarimeve që kanë dhënë në polici Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij, Gazmendi dhe Danieli, të cilët e shoqëronin biznesmenin, ata janë shprehur se janë sulmuar nga një person misterioz. Dëshmi të ngjashme ka dhënë edhe një bari, i cili ndodhej në vendngjarje në orën 00:23 të mëngjesit të së shtunës.
Katër dëshmitarët janë shprehur se fillimisht kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri shumë afër vendit ku ndodhi ngjarja, çka i ka bërë të ndalojnë makinat. Fillimisht ka ndaluar Land Rover-i, në të cilin ndodheshin biznesmeni dhe njëri prej Braçëve, dhe më pas ka ndaluar makina e dytë. Pasi kanë qëndruar për dy minuta të ndaluar në vend, është dëgjuar një breshëri tjetër, ndoshta në ajër. Në atë moment, dëshmitarët tregojnë se është shfaqur para makinës një person me automatik në dorë, i cili ka hapur zjarr në drejtim të gomave të Land Rover-it, pa thënë asnjë fjalë. Të trembur, biznesmeni italian dhe personat e tjerë janë fshehur pas mjetit.
Nga të shtënat, thuhet se është çarë goma e përparme e mjetit Land Rover, ndërsa “autori misterioz” ka qëlluar për herë të dytë duke plagosur rëndë biznesmenin në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar hemorragji të madhe. Në dëshminë e tyre, djemtë e Eqerem Braçit janë shprehur se kanë lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen e ndodhur në vendin e quajtur Dilan.
Megjithatë, dje të njëjtët persona dhanë dëshmi kontradiktore para grupit hetimor. Para policisë, ata janë shprehur se disa persona u kishin bërë pritë në rrugë dhe më pas kishin qëlluar me armë drejt biznesmenit, ndërsa më vonë u shprehën se italianin e gjetën në rrugë të qëlluar dhe se ai u vdiq në duar. Nga këto dy dëshmi, nuk dihet ende me siguri nëse kemi të bëjmë me një vrasje të planifikuar apo me një ngjarje aksidentale.
Në fshatin Salari, aty ku ndodhi ngjarja, nuk ka asnjë kamerë sigurie. Megjithatë, policia ka gjetur dy armë gjahu në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekzaminim për të përcaktuar nëse është qëlluar me to apo jo. Bashkë me armët, si prova materiale do të merren edhe dy automjetet: Volkswagen-i në pronësi të italianit Edoardo Sarchi dhe Land Rover Defender-i në pronësi të njërit prej të shoqëruarve.
Po ashtu, janë gjetur edhe shenja gjaku pranë makinës Land Rover, që përshkojnë një pjesë të vogël të rrugës, duke treguar se italiani është lëvizur nga vendi ku është qëlluar me armë./ZËRI
Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Zbardhet roli i bariut në ngjarje, çfarë dëshmoi ai në polici?
TEPELENË- Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës. Armir Hitoveizi, një bari në zonën e Dilanit, është një nga katër dëshmitarët e ngjarjes. Grupi hetimor e mori dje në pyetje për të zbuluar më shumë rreth rrethanave të kësaj ngjarjeje ende të mbuluar me mister. Armiri deklaroi, njësoj si familja Braçi (që shoqëronte biznesmenin), se dëgjoi të shtëna me armë zjarri, të qëlluara nga një person misterioz.
Por përse ishte bariu prezent në vendin e ngjarjes në orën 00:03 të mëngjesit të së shtunës?
Mësohet se ai ka stanin ku mban bagëtitë vetëm 200 metra larg vendit ku ndodhi krimi. Hitoveizi ka qenë duke udhëtuar me makinë, por ka mbetur në rrugë për shkak se i kishte mbaruar karburanti. Duke qenë se ndodhej pranë, ai ka ndaluar te vendngjarja.
Ende nuk ka detaje të qarta se si ndodhi kjo vrasje. Në fshatin Salari, aty ku ndodhi ngjarja, nuk ka asnjë kamerë sigurie. Megjithatë, policia ka gjetur dy armë gjahu në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekzaminim për të përcaktuar nëse është qëlluar me to apo jo.
Si prova materiale, bashkë me armët do të merren edhe dy automjetet: një Volkswagen në pronësi të italianit Edoardo Sarchi dhe një Land Rover Defender në pronësi të njërit prej personave të shoqëruar. Po ashtu, janë gjetur edhe gjurmë gjaku pranë makinës Land Rover, që përshkojnë një pjesë të vogël të rrugës, duke treguar se italiani është lëvizur nga vendi ku është qëlluar me armë./ZËRI