Babai i Renis Dobrës: S’më mbushet mendja që vrasja e djalit ka ndodhur për probleme në Gjermani
BURREL- Babai i Renis Dobras, Rifati ka folur sërish për vrasjen e të birit. Në një prononcim për mediat, ai ka komentuar arrestimet që ka kryer Policia e Shtetit për vrasjen e tij. Sipas babait të viktimës, versioni që vrasja ka ndodhur për një konflikt droge në Gjermani nuk është bindës.
“Gjendja e bashkëshortes time është shumë e rëndë. Falenderojmë policinë për punën. Jam personi i fundit që ka komunikuar me djalin. Ai është larguar në orën 17:00, shkoi në Burrel për xhiro, për kafe. Të martën kemi folur bashkë për herë të fundit në orën 21:36 minuta. Me tha ‘Babi po nisem për në shtëpi’. I thash “Mirë babi, mirë ardhsh”. Renisi po vinte për në shtëpi nga qyteti i Burrelit, një distancë që zgjat rreth 5 kilometra, por djali nuk më mbërriti kurrë në shtëpi. Nuk më mbushet mendja fare që vrasja e djalit tim ka ndodhur për probleme në shtetin gjerman. Ne si prindërit nuk kemi asnjë dyshim,”-tha babai i Renisit.
Për vrasjen në pranga kanë përfunduar Petrit Çakrri, i cili është aresstuar në Lekbibaj të Tropojës, si dhe Fatjon Bushgjoka, i cili u ndalua në Tiranë. Ndërkohë që në kërkim janë shpallur Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka. Sipas Policisë, 22-vjeçarit Dobra ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për drogë mes viktimës dhe autorëve. Konflikti ka nisur në Gjermani, por është "zhvendosur" edhe në Shqipëri./ZËRI
Vrasja e Renis Dobrës, Policia jep detaje: Shkak dyshohet konflikti me autorët për drogë në Gjermani
DIBËR- Drejtori i Policisë së Dibrës ka dhënë detaje të tjera në lidhje me zbardhjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra. Në një konferencë për mediat, drejtuesi i Policisë, Artion Duka ka zbuluar detaje të reja nga operacioni i koduar “Bashkëfajësia”. Sipas tij, nga hetimet e 1 jave kanë dalë në përfundimin se vrasja e 22-vjeçarit Dobra ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për drogë mes viktimës dhe autorëve.
“23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve,”-bën me dije Policia e Shtetit.
KONFERENCA E POLICISË:
Konferencë për shtyp e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër Drejtues i Parë Artion Duka, në lidhje me rezultatet e operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, të finalizuar pas një hetimi njëjavor, me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D.. Përshëndetje! Jam këtu, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë, z. Abaz Muçaj dhe me prokuroren e çështjes zj. Alisa Spahja, për t’ju bërë prezente rezultatet e hetimit intensiv dhe kompleks, i cili u finalizua me zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin e 23-vjeçarit, nga banesa. Menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të asistuara nga ekspertë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Dibrës, për këtë rast.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D..
Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit: -P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”; -F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B.. Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar). Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit "C", pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet. Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë. 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve. Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale. Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër siguron qytetarët e qarkut Dibër, se po punon maksimalisht për të parandaluar dhe goditur çdo paligjshmëri që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve. Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po punohet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushat e narkotikeve dhe trafiqeve të paligjshme. Përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të qarkut Dibër, që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri. Parandalimi dhe goditja e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtes pa leje, vjedhjes së pronës, ndërtimeve pa leje, si dhe garantimi në tërësi i sigurisë përgjatë sezonit turistik, janë prioritet i punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër./ZËRI
Dalin fotot/ Kush janë vëllezërit Bushagjokaj? I arratisur nga burgu, Fatjoni u bë i njohur për grabitjet me të dashurën e tij
BURREL- Personat që shihni në foto janë autorët e dyshuar të vrasjes së Renis Dobrës në Burrel. Bëhet fjalë për vëllezërit Bushgjokaj, ku njëri prej tyre, Fatjon Bushgjokaj, është arrestuar në Tiranë. Ndërkohë, dy të tjerët, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj, janë shpallur në kërkim nga autoritetet. Të tre ata janë autorët kryesor, pasi u zbulua lidhje e tyre me viktimën në tregun e shpërndarjes së drogës. Viktima dyshohet se i ka mashtruar dhe nuk iu ka dorëzuar të ardhurat, ndërsa këta të fundit kanë organizuar ekzekutimin e tij.
Ndërkohë, detajet të tjera janë zbuluar në lidhje më autorin tashmë të arrestuar, Fatjon Bushgjokaj. Arrestimi i tij u krye në zonën e Astirit, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet. Burime për mediat bëjnë me dije se pas lejes së dhënë, ai nuk ishte kthyer më në burgun e Rrogozhinës, aty ku i kishin mbetur për të kryer edhe 1.8 vite burg. Bushgjokaj rezulton i dënuar me 6 vite burg për grabitje, vepër të cilin e kryente në bashkëpunim me të dashurën e tij, 22-vjeçarja Kristina Pjetri. Kjo e fundit, mendohet se kishte rolin për të shpërqëndruar vëmendjen e personave që do të grabisnin, në mënyrë që Fatjon Bushagjokaj, 2 vëllezërit e tij dhe një bashkëpunëtor i tyre, Elton Leka, të mund të kryenin grabitjet.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ishin kthyer në tmerrin e qytetarëve në perfiferi të qytetit, pasi kryenin grabitje me dhunë. Ata i dhunon qytetarët dhe u merrnin paratë dhe sendet me vlerë.
Vrasja e Renis Dobrës, kush është Petrit Çakrri, dëshmitar i ekzekutimit të Azem Hajdarit
BURREL- Petrit Çakrri është arrestuar nga policia si autor i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 22-vjeçarit Renis Dobra. Blutë e lokalizuan dhe arrestuan Çakrrin në Lekbibaj të Tropojës. Megjithëse ende nuk dihet roli i tij në krimin makabër, Policia ka sekuestruar celularin e nipit të tij, ku pritet të gjendet prova dhe detaje për vrasjen në fjalë.
Por kush është Petrit Çakrri?
Ai është një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, ngjarje e ndodhur më 12 shtator 1998. Çakrri, rezulton të ketë patur procedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me Policinë. Dyshohet se vetëm disa muaj më parë, Çakrri ka ndryshuar mbiemrin e tij (Hoxha), pasi ka dalë nga burgu. Më pas, bazuar në hetime, Çakrri ka marrë me qira në Rinas, dy automjete, një “Range Rover” të zi dhe një “Honday” të bardhë.
Lidhur me vrajen e të riut në Mat, përmes pamjeve filmike dhe GPS i makinës, hetuesit kanë zbuluar se një automjet me të cilin udhëtonte Çakrri, ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizuar edhe i riu, Renis Dobra. Mësohet se zbulimi i GPS të makinës, bëri të mundur që autoritetet të binin në gjurmët e Çakrrit dhe të zbulonin lëvizjet dhe impilikimin e tij në këtë ngjarje. Ai dyshohet se ka siguruar automjetin në ndihmë të autorëve të tjerë, për të rrëmbyer Renis Dobrën.
Ndërkohë, i dyshuari tjetër, Fatjon Bushgjokaj u arrestua në Tiranë, ndërsa gjatë ndalimit nga policia iu gjetën doza kokaine. Vëllezërit e tij, Aleksandër Bushgjokaj dhe Kristi Bushgjoka, janë shpallur në kërkim gjithashtu si autorë të vrasjes.
Burime për mediat bëjnë me dije se Dobra ka punuar më parë në Gjermani me vëllezërit Bushgjokaj, pikërisht në shpërndarjen e kokainës.
Dyshohet se 22-vjeçari nuk iu ka çuar para duke i mashtruar për drogën, ndërsa pasi është zbuluar nga vëllezërit Bushgjokaj, kanë ndërmarrë përsipër ekzekutimin e tij në bashkëpunim me Petrit Çakrrin./ZËRI
PAMJET EKSKLUZIVE- Hera e fundit kur u pa i gjallë, momenti kur autorët e vrasjes marrin peng Renis Dobrën

TIRANË- ZËRI ka siguruar pamjet e momenteve të fundit të 22-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet pa jetë pranë liqenit të Ulzës më 9 korrik. Në videon e kapur nga kamerat e sigurisë, duket momenti kur i riu rrëmbehet nga personat që i morën jetën dhe që ishin kamufluar si punonjës të Policisë së Shtetit.
Pamjet tregojnë momentin e fundit të kapur dhe të filmuar që Renis Dobra ishte gjallë dhe që bashkë me ata që do t'i merrnin jetën niset për në Shkopet.
Tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj nga Tropoja të cilët jetonin në Kamëz dhe Petrit Çakrri kanë përdorur makina me qira për të kryer krimin. Grupi i vrasësve kanë marrë dy makina me qera në Rinas dhe në zonën e Yzberishtit në Tiranë, disa ditë para se të kryenin vrasjen. Por për shkak se kishin marrë disa mjeteve, i kanë ndryshuar disa herë për të humbur gjurmët e tyre. Ndërkohë mbanin gjithë kohës nën vëzhgim lëvizjet e shënjestrës së tyre, Renis Gjokës. Por njëkohësisht e dinin se mjetet që kishin marrë me qera kishin GPS, megjithatë edhe pse kanë tentuar t'i heqin, nuk ia kanë dalë dot./ZËRI
Rrëmbyen dhe vranë Renis Dobrën, arrestohen 2 autorët e dyshuar, në kërkim dy të tjerë

BURREL- Dy autorët e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 22-vjeçarit, Renis Dobra, janë shoqëruar në polici. Bëhet fjalë për Petrit Çakrri alias Hoxha, i cili u arrestua në Tropojë, dhe Fatjon Bushgjokaj, i cili u arrestua në Tiranë. Këta të fundit ishin shpallur në kërkim nga autoritetet së bashku me vëllezërit e Fatjon Bushgjokaj, Aleksandër dhe Kristë alias Kristi Bushgjokaj, si autorët të dyshuar të ngjarjes. Ndërkohë, gjithashtu persona të tjerë të dyshuar lidhur me ngjarjen janë shoqëurar në polici.
Kujtojmë se 22-vjeçari u gjet i pajetë mëngjesin e 9 korrikut pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh. Familjarët e tij kishin denoncuar të zhdukur mbrëmjen e 8 korrikut, pasi i riu nuk ishte kthyer në banesë.
Aktualisht, dyshohet se 22-vjeçari është dhunuar dhe goditur me qytën e armës përpara se të mbytej me litar nga autorët. Pasi i riu është vrarë, mjeti i tij është hedhur në liqenin e Shkopetit bashkë me kufomën brenda. Por në rrethana ende të paqarta trupi i viktimës ka dalë nga makina pak metra para se mjeti të përfundonte në ujë. Një kamera sigurie ka fiksuar momentin e ndjekjes së Renis Dobrës nga autorët, që dyshohet të kenë qenë më shumë se 3, ndërsa motivi i vrasjes dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës. /ZËRI/